1. Kryefaqe
  2. Politeizëm
  3. Gjithuqishmëria e Zeusit

Gjithuqishmëria e Zeusit

image description Ja pra, tek janë mbledhur tok një grup hyjsh e hyjneshash, që vijnë e vihen në radhë përbri vëllait të tyre, Zeusit. Fillon kështu ajo që mund të quhet lufta e perëndive, domethënë përballja e tyre në një përleshje, së cilës për shumë kohë nuk i dihet fati e që zgjat përafërsisht plot dhjetë "mote të gjatë" (domethënë me mizëri vitesh, meqë moti i gjatë zgjat njëqind, madje një mijë vjet). Nga njëra anë, në krah të Kronit, mblidhen perënditë e tjera Titane, nga ana tjetër, përreth Zeusit, qëndrojnë ata që quhen Kronidë apo Olimpias, nga që banojnë në malin e Olimpit Secili e ka ngritur vendqëndrimin, kampin e tij, në majë të një mali e të gjithë luftojnë gjatë, përderisa fitorja nuk anon qartas as nga njëri krah, as nga tjetri. Pra, teatri i botës jo vetëm që është ngritur, por, ndërkaq është pushtuar, është copëtuar nga kjo luftë që s'ka të sosur midis brezit të parë të perëndive dhe fëmijëve të tyre. Edhe këtu hyn dredhia. Ka shumë përleshje në këtë betejë të çuditshme midis fuqish hyjnore. Është e sigurt që fitorja do t'i përkasë kampit që do të ketë jo vetëm forcën e vrazhdë, por edhe zgjuarsinë e hollë. Rolin vendimtar në këtë betejë fatpaprerë nuk e luajnë dhuna e epërsia e forcës, por dredhia dhe dinakëria. Prandaj, që të arrijë fitoren Zeusi ka nevojë të lidhë aleancë me një tjetër personazh, Prometeun (që do të quhet edhe Titan, paçka se i përket brezit të dytë - ai është i biri i Titanit Japet); Prometeu do të sjellë në krahun e Zeusit pikërisht çfarë i mungon ende, domethënë dinakërinë. Kjo metise, mendja e zgjuar e dinake, mundëson para së gjithash kurdisjen paraprake të ngjarjeve, në mënyrë që ato të ndodhin pikërisht ashtu siç na i ka ënda.

Gjea, ajo nënëmadhe sa e zymtë aq edhe ndriçuese, memece e veçanërisht fjalëshumë, i shpjegon Zeusit që, për të fituar, ai duhet të bëjë për vete ca qenie të një gjaku me Titanët por që nuk janë në kampin e Titanëve. E ka fjalën për tre Ciklopët dhe tre Hekatonkirët. Sepse këta hyj Titanë janë perëndi të kryehershme, që kanë ende gjithë ashpërsinë e fuqive natyrore dhe, për t'i mposhtur e nënshtruar fuqitë e pështjellimit, duhet përvetësuar forca e pështjellimit. Qeniet që janë kryekëput të arsyeshme e të rregullta nuk do t'ia dilnin dot mbanë. Zeusi ka nevojë për aleatë që mishërojnë fuqitë e vrazhdësisë së dhunshme e të çrregullsisë me pasion, që Titanët përfaqësojnë.

Prandaj, Zeusi i zgjidh, i çliron Ciklopët dhe Hekatonkirët që, qysh nga ai çast, janë gati t'i vijnë në ndihmë. Por, megjithatë, konflikti nuk merr fund me kaq. Për t'i pasur aleatë besnikë, Zeusi duhet t'u japë atyre jo vetëm lirinë e Iëvizjes, pasi i ka nxjerrë nga biruca e errët, ku Kroni i mbante të fshehur, por edhe sigurinë se, nëse luftojnë përkrah tij, do të gëzojnë të drejtën për nektar dhe ambroz, domethënë për një ushqim pavdekësie.

Këtu shfaqet përsëri ajo tema e ushqimit që ka luajtur tashmë një rol të madh: Kroni, me oreks të papërmbajtshëm, kullufiste të bijtë, i hante si ushqim. Aq shumë e kishte merak ta mbushte plëndësin, saqë, edhe kur i dhanë në vend të foshnjës një gur, e kapërdiu edhe atë. Hekatonkirët dhe Ciklopët, që janë të të njëjtit brez me Titanët, Zeusi i bën perëndi të vërteta olimpase duke u dhënë privilegjin e një ushqimi pavdekësie. Sepse ajo çka karakterizon hyjtë olimpas është se, ndryshe nga kafshët që hanë çfarëdo, ndryshe nga njerëzit që do të ushqehen me bukë, verë e mish të bërë fli sipas ritit, perënditë s'kanë nevojë të ushqehen, e thënë më saktë, ato thithin një shujtë pavdekësie që i shkon për shtat gjallërisë së tyre të brendshme që, ndryshe nga gjallëria e njerëzve, nuk shter kurrë e nuk e njeh lodhjen.

Pas një pune, njerëzit kanë uri dhe etje, atyre u duhet t'i mbushin përsëri bateritë. Perënditë nuk e kanë këtë hall të vazhdueshëm. Përkundrazi, ato kanë një formë ekzistence të vazhdueshme. Duke iu dhënë Hekatonkirëve e Ciklopëve nektar dhe ambroz, vërtetohet se ata bëjnë vërtet pjesë te perënditë, në kuptimin e plotë të fjalës. Kështu pra, nga njëra anë kemi dredhinë dhe dinakërinë, nga ana tjetër forcën e egër, dhunën dhe shpërthimin e pështjellimit, duke përdorur Ciklopët dhe Njëqindkrahëshët kundër hyjve Titanë që i mishërojnë. Më në fund, pas dhjetë 'motesh të gjatë' përleshjesh që s'vendosin asgjë, krahët e peshores do të anojnë nga Zeusi dhe olimpasit e tjerë.

Cilët janë Ciklopët? Si ia sjellin ata fitoren Zeusit? Duke I dhënë një armë të papërballueshme, rrufenë. Gjea, që vazhdon të jetë e pranishme, u jep atyre mjetet për ta prodhuar, ashtu siç kishte nxjerrë nga gjiri i saj metalin e bardhë çelik të draprit që Kroni përdori për të tredhur të atin. Edhe këtu, ajo e jep materialin. Ciklopët me një sy, si farkëtarë, variante të Hefestit para se ky të ekzistonte, zotërojnë rrufenë dhe do t'ia vënë atë në dispozicion Zeusit për ta përdorur si të dojë. Në dorën e Zeusit, ajo ka një fuqi të pabesueshme, duke qenë një ngjeshje e fortë drite e zjarri. Është e kuptueshme përse Ciklopët kanë vetëm një sy: ngaqë vetë syri është si zjarr. Për të Moçmit – ata që i kanë menduar këto histori - vështrimi është thelbi i dritës që ka një njeri brenda vetes, që del nga syri. Por drita që do të shpërthejë nga syri i Zeusit është pikërisht rrufeja. Sa herë që të jetë vërtet në rrezik, syri i tij do t' i godasë kundërshtarët me rrufe.

Ciklopi pra ka syrin, ndërsa Hekatonkirët, këta përbindësha me shtat të hatashëm e një fuqi të qindfishuar, kanë krahët (ose, siç do të thoshin grekët që nuk e bëjnë dallimin, duart, heires). Hekatonkirët me njëqind duar janë grushti, fuqia. Pra me këto dy karta në duar, syrin e Ciklopit që shkrep rrufe dhe fuqinë e krahut që bën zap, Zeusi bëhet vërtet i pathyeshëm.

Ka një pikë kulmore në këtë betejë. Në kulmin e betejës midis fuqive hyjnore, kur Zeusi hedh rrufetë dhe Hekatonkirët u sulen Titanëve, bota kthehet në një gjendje e saj kaotike. Malet shemben, toka plasaritet dhe nga thellësia e Tartarit, aty ku mbretëron Nata, befas shihet të ngrihet nga zgafëllet mjegulla. Qielli shembet përmbi dhe gjërat kthehen sërish te gjendja e Kaosit, në gjendjen e kryehershme të pështjellimit zanafillor, ku asgjë nuk kishte ende trajtë. Fitorja e Zeusit nuk është vetëm një mënyrë për të mundur kundërshtarin e të atin, Kronin, por dhe një mënyrë për të rikrijuar botën, për të ribërë një botë të rregullt, duke u nisur nga një Kaos, nga një Golle ku asgjë nuk duket, ku gjithçka është rrëmujë.

Duket shumë qartë që njëra nga fuqitë e Zeusit, qoftë dora e Njëqindkrahëshve apo syri i Ciklopëve, qëndron në aftësinë për ta bërë zap kundërshtarin, për f i imponuar zgjedhën e vet. Epërsia e Zeusit është epërsia e një mbreti që zotëron magjinë e lidhjeve. Kur një kundërshtar do të ngrejë krye përballë tij, Zeusi do ta fshikullojë me kamxhikun e shndritshëm të vështrimit të vet dhe do ta rrethojë me rrufe. Forcë nga syri, forcë nga krahu, kundërshtari bie zap. Në çastin e kësaj apoteoze të kobshme të fuqisë së Zeusit, që kërkon si etapë të domosdoshme një kthim të përkohshëm te Kaosi, Titanët flaken në tokë. Zeusi i rrëzon me fshikullima rrufeje dhe me dorën e hekurt të Hekatonkirëve. Ata bien përdhe dhe Njëqindkrahëshit u hedhin përsipër një mal me gurë të mëdhenj, poshtë të cilëve Titanët nuk lëvizin dot më. Këta hyj, fuqia e të cilëve shfaqej me lëvizshmëri e prani të vazhdueshme, shndërrohen në asgjë, të mbërthyer e të shtrënguar nën një grumbull të madh gurësh, nga ku s'dalin dot. Forca e tyre s'u shërben dot më për asgjë.

Njëqindkrahëshit - Koti, Briareu, Gigu - i marrin e i çojnë në botën e nëndheshme. Titanët nuk mund të vriten sepse janë të pavdekshëm, por ata dëbohen në Kaosin e nëndheshëm, në Tartarin mjegullor, ku asgjë nuk dallohet, ku nuk ka drejtim, golle e hapur në fund të tokës. Që të mos ngjiten dot prapë në sipërfaqe, Poseidoni ngarkohet të ndërtojë një ledh përreth kësaj gryke që, në thellësinë më të madhe të tokës, formon shtegun e ngushtë për në botën e nëndheshme e të mugullt të Tartarit. Nga kjo grykë, si nga gryka e një qypi, futen thellë të gjitha rrënjët që toka hedh në skëterrë për të siguruar qëndrueshmërinë e saj. Pikërisht aty, Poseidoni ngre një mur të trefishtë tunxhi dhe i cakton Njëqindkrahëshit roje besnike të Zeusit. Me bllokimin e kësaj vrime, merren të gjitha masat e duhura që ky brez titanësh të mos dalë dot më në dritë.

Ja pra, tek mori fund akti i parë. Zeusi është tashmë fitimtari. Ai ka marrë mbështetjen e Ciklopëve dhe të Njëqindkrahëshve, por edhe përkrahjen e disa prej titanëve, në veçanti, atë të perëndeshës Stiks, që përfaqëson gjithçka që bota e nëndheshme, bota e ferrit, si dhe bota e ujit mund të mbartin si fuqi të rrezikshme. Ajo rrjedh në thellësi të tokës, kalon nëpër Tartar, pastaj papritmas del në sipërfaqe. Uji i Stiksit është kaq i fuqishëm, saqë çdo vdekatar që dëshiron të pijë nga ky ujë, bie menjëherë pa jetë. Gjatë betejës, Stiksi vendos të lërë kampin e Titanëve, të cilit i përket nga prejardhja, e të kalojë në anën e Zeusit. Duke u radhitur pranë tij, ajo merr me vete dy fëmijët e saj, njëri quhet Krat, tjetra Bie. Krati përfaqëson aftësinë sunduese, aftësinë për të nënshtruar dhe për t'iu imponuar kundërshtarëve. Bieja mishëron dhunën e vrazhdë që është e kundërta e dredhisë. Pas fitores së tij ndaj Titanëve, Zeusi i mban ata vazhdimisht me vete: Kratin, fuqinë e dominimit universal dhe Bienë, mundësinë për të lëshuar një forcë të papërballueshme. Sa herë që Zeusi zhvendoset e kudo që shkon, Krati dhe Bieja i rrinë pranë, të vendosur në të djathtë e ne te majte te tij.

Duke parë këtë gjë, perënditë e Olimpit, vëllezërit e motrat e tij, vendosin që skeptri t'i kthehet Zeusit. Titanët e kanë paguar çmimin e poshtërsisë së tyre dhe tashmë Zeusi merr përsipër të ushtrojë sovranitetin. Ai i ndan përsëri midis perëndive nderet dhe privilegjet. Themelon një gjithësi hyjnore e cila është hierarkike, me rend, e organizuar dhe që, për rrjedhojë, do të jetë e qëndrueshme. Teatri i botës është ngritur, dekori është vendosur. Në majë mbretëron Zeusi, rregulluesi i një bote të dalë në zanafillë nga Kaosi.

Të tjera pyetje shtrohen. Urani dhe Kroni ishin qenie të ngjashme në shumë drejtime. Që të dy karakterizohen nga fakti që nuk donin të shihnin që të bijtë t'u zinin vendin. Si njëri dhe tjetri i penguan pasardhësit e vet të dilnin në dritë. Këto perëndi të hershme përfaqësojnë një shtresë hyjnore, e cila nuk pranon që një tjetër shtresë hyjnore t'ia zërë vendin në pasimin e breznive. Por, përveç këtyre analogjive, personazhi i Uranit nuk ka të bëjë fare me personazhin e Kronit nga pikëpamja e fabulës dhe e tregimit. Urani, i lindur nga Gjea, më pas çiftëzohet me të pafundësisht. Qëllim i tij i vetëm është si e si të bashkohet seksualisht me atë që e ka lindur, në një çiftëzim të pandërprerë. Urani nuk ka dredhi, është i pambrojtur. Atij s'I shkon ndër mend për asnjë çast që Gjea mund të dojë të marrë hak ndaj tij.

Ndryshe nga Urani, Kroni nuk i ngec trashëgimtarët e tij në barkun e nënës, por në barkun e vet. Urani i bindet instinktit të tij primitiv të Erosit që e ka paralizuar, të ngulur sipër Gjeas. Ndërsa për Kronin, gjithçka që bën është përcaktuar nga vul lneti i tij për të ruajtur pushtetin, për të mbetur sovrani. Kroni është politikani i parë. Ai është jo vetëm mbreti i parë i perëndive, mbreti i parë i gjithësisë, por dhe i pari që mendon në mënyrë dinake e politike, nga frika se mos i rrëmbejnë skeptrin.

Me Zeusin merr formë një gjithësi shumë e ndryshme. Janë të barabartët me të ata që vendosin ta bëjnë mbret. Ai I ndan me drejtësinë më të madhe nderet që meriton secili. Ua lë privilegjet edhe disa fuqive titanike që i zotëronin ato para se të vinte ai në pushtet e që nuk u rreshtuan qartas në njërën a në tjetrën anë të konfliktit të perëndive. Kështu, Oqeani, Okeanos, ky lum që qarkon botën, nuk u shpreh as për Titanët, as për Olimpiasit. Mirëpo, paçka se qëndroi asnjanës, ai do të vazhdojë të vigjilojë në kufijtë e jashtëm të botës, duke e shtrënguar në qerthullin e tij të lëngshëm.

Zeusi ia ruan, madje edhe ia zgjeron të gjitha privilegjet Hekatës, një hyjni femërore e cila nuk hyri as ajo në sherr. Eshtë e vërtetë që, në ndarjen e pushteteve që urdhëron Zeusi, Hekata zë një vend të veçantë. Kjo hyjni nuk është veçanërisht qiellore a tokësore, por përfaqëson në një botë hyjnore mashkullore, të organizuar me shumë rreptësi, një trajtë loje, kënaqësie të këndshme, rastësie. Ajo mund ta favorizojë dike ose, përkundrazi, ta dëmtojë, pa ndonjë arsye të qartë. Hekata fal sipas qejfit lumturinë a fatkeqësinë. Në ujë, është ajo që bën ose jo që të gëlojnë peshqit, në qiell zogjtë e në tokë bagëtia.

Ajo mishëron një element tekanjoz në botën hyjnore dhe fut aty një grimë rastësie. Zeusi dhe Gjea e zotërojnë kohën, ata e dinë qysh më parë se si do të rrjedhin gjërat. Hekata i lyen ingranazhet me ca vaj, çka bën që bota të funksionojë në mënyrë më të lirë, duke lënë pak shteg për të papriturat. Privilegjet e saj janë mjaft të mëdha.

Mund të mendohej se tashmë gjithçka është në vendin e vet, por natyrisht s'është kështu. Brezi i ri hyjnor ka mbërritur. Në krye të tij gjendet Zeusi, mbreti i perëndive, që jo vetëm e ka zëvendësuar Kronin, por që është e kundërta e tij. Kroni ishte mosdrejtësia, ai i shpërfillte aleatët, ndërsa Zeusi e bazon sundimin e tij mbi njëfarë drejtësie, me një merak për barazinë në mënyrën se si sillet me hyjnitë e tjera. Ai i ndreq ato element të sundimit të Kronit që kishin qenë të njëanshëm, vetjak, të dëmshëm dhe vendos një formë sovraniteti më të matur, më të ekuilibruar.

Koha rrjedh. Zeusi bëhet me fëmijë e, afërmendsh, këta fëmijë shpejt rriten e bëhen shumë të fortë e të fuqishëm. Mirëpo, ka diçka në mënyrën sesi funksionon bota që përbën një kërcënim për gjithësinë hyjnore. Për t'u bërë madhore, qeniet duhet të rriten dhe koha kërkon haraçin e vet nga çdo gjë: dhe vetë Zeusi dikur qe një foshnjë e vogël e mbështjellë në pelena, që qante në shpellën ku qe fshehur, i mbrojtur me roje. Tani është në lulen e moshës, por a nuk do të vijë edhe për të e tatëpjeta? Mos nuk vjen vallë dhe për perënditë, ashtu si për njerëzit, një çast kur mbreti plak e ndien që nuk është më pikërisht ai që ka qenë, kur sheh përbri të birin riosh që dikur mbronte, të bëhet më i fortë se ai vetë e t'ia dalë mbanë atje ku ai tani dështon? A nuk do t'i ngjasë kjo edhe vetë Zeusit? Ashtu siç shfronësoi Kroni të atin, Uranin, e më pas Zeusi babanë e vet, Kronin, a do të shfronësohet edhe vetë Zeusi nga ndonjë bir? E ata po, kjo është e mundur, madje duhet të ngjasë. Eshtë si e shkruar qysh më parë në radhën e kohës. Gjea e di. Edhe Rea e di. Dhe Zeusi, i paralajmëruar, duhet të marrë masa për t'i dalë përpara kësaj të papriture. Rregulli që ka vendosur ai, duhet të jetë i tillë që të mos vihet më në pikëpyetje nga ndonjë luftë për trashëgimin e fronit. Me t'u bërë mbret i perëndive.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit

Fjale kyqe:
hynij hyjnesha zeusi lufta perënditë ciklopët hekatonkirët ushqimi pavdekesia gjea golle hefesti zjarri drita rrufe perbindesha tartari koti briareu gigu olimpi bagëetia hekata sovraniteti olimpasit drita