1. Kryefaqe
  2. Politeizëm
  3. Lufta e perëndive dhe mbretëria e Zeusit

Lufta e perëndive dhe mbretëria e Zeusit

image description Ja pra tek është vendosur dekori në teatrin e botës. Hapësira është liruar, koha rrjedh, brezat do të pasojnë njëri-tjetrin. Poshtë është bota e nëndheshme, pastaj toka e pamat, ujërat, rrjedha e Oqeanit që qarkon gjithçka, dhe lart një qiell i mbërthyer. Ashtu siç është toka një seli e qëndrueshme për njerëzit e kafshët, po ashtu, atje lart, qielli i etertë është një vendqëndrim i sigurt për hyjnitë. Titanët, që janë perënditë e para në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, bijtë e Qiellit, e kanë, pra, botën në dispozicion. Ata do të zënë vend lart, majë maleve të tokës, aty ku do të vendoset edhe selia e qëndrueshme e hyjnive të vogla, Najadave, Nimfave të pyjeve, Nimfave të maleve. Sekush zë vend që të veprojë.

Në kupë të qiellit gjenden hyjtë Titanë, ata që quhen Uranidë, bijtë e bijat e Uranit. Në krye të tyre qëndron më i vogli, më I riu nga perënditë, që është një hyj dinak, tinëzar, mizor. Eshtë pikërisht ai, Kroni, që nuk ngurroi t'i priste të atit organet seksuale. Duke guxuar të kryejë këtë veprim, ai zhbllokoi gjithësinë, krijoi hapësirën, i dha jetë një bote të diferencuar, të organizuar. Ky akt pozitiv ngërthen edhe një anë të errët, është njëkohësisht një gabim që kërkon shpagim. Sepse në çastin kur Qielli u tërhoq në vendin e vet përfundimtar, ai nuk ngurroi të lëshonte kundër të bijve, perëndive të para të individualizuara, një nëmë që më pas do të përmbushet, e marrë përsipër nga Erinitë e lindura nga gjaku i gjymtimit. Një ditë do të duhet që Kroni t'ua paguajë borxhin Erinive hakmarrëse të të atit.

Pra, pikërisht më i riu, por edhe më guximtari nga bijtë, ai që i dha krahun e vet dinakërisë së Gjeas për ta shkëputur Qiellin e për ta larguar prej saj, pikërisht Kroni do të bëhet mbreti i perëndive dhe i botës. Me të, përreth tij, qëndrojnë hyjtë Titanë, më poshtë se ai, por bashkëfajtorë me të. Kroni i ka çliruar, i ka nën mbrojtjen e vet.

Dy treshe të tjera personazhesh kishin lindur po ashtu nga përqafimet e Uranit dhe Gjeas; njëlloj si vëllezërit e tyre Titanët dhe ata kishin qenë të bllokuar në pëqi të Tokës. Këta janë tre Ciklopët dhe tre Hekatonkirët. Çfarë ngjet me ta? Gjithçka lë të hamendësohet se Kroni, ky hyj xheloz e i lig, gjithmonë në përgjim e në pritë, me frikën se mos po thurin ndonjë paudhësi kundër tij, i lidh ata me zinxhirë. Ai i lidh mirë e bukur me vargonj të tre Ciklopët, tre Hekatonkirët, e i degdis në botën e ferrit. Përkundrazi, Titanët dhe Titanidat, vëllezër e motra, do të bashkohen në marrëdhënie seksuale; sidomos Kroni me njërën prej tyre, Rean. Kjo e fundit shfaqet si një lloj Gjea e dytë. Rea dhe Gjea janë dy fuqi të kryehershme e të afërta. Megjithatë, diçka i dallon: Gjea ka një emër të qartë për çdo grek, Gjea quhet Tokë dhe është dheu. Ndërkohë që Rea është një person, i individualizuar, me një emër që nuk mishëron asnjë element natyror. Rea përfaqëson një aspect më antropomorf, më njerëzor, më të veçantë se Gjea. Por, në thelb, Gjea dhe Rea janë si nënë e bijë, janë shumë të përaferta, shumë të ngjashme.

Në plëndësin atëror

Kroni çiftëzohet me Rean dhe do të lindë, pra, edhe ai fëmijë, të cilët do të sjellin në jetë femijë të tjerë. Ata do të formojnë një brezni të re perëndish, brezninë e dytë të perëndive të individualizuara, me emrat, marrëdhëniet, fushat e veta të ndikimit. Mirëpo Kroni, mosbesues, mendjezi e në merak për pushtetin e vet, nuk ka besim te të bijtë. Ai u druhet, për më tepër se Gjea e ka paralajmëruar. Nënë e të gjitha hyjnive të kryehershme, ajo i di të gjitha të fshehtat e kohës, rrok e dallon atë çka, nga errësira e rrudhave të saj, del daiëngadalë në dritë.

Ajo e njeh që më parë të ardhmen. Gjea e ka paralajmëruar të birin se kishte rrezik që ai të binte vetë viktimë e njërit prej femijëve të tij. Njëri nga të bijtë, më i fortë se ai vetë, do ta zbresë nga froni. Si rrjedhojë, gjithëfuqia e Kronit është gjithë fuqi e përkohshme, prandaj ky, shumë i shqetësuar, merr masat e veta. Sapo i lind një fëmijë, e kullufit, e gllabëron, e gëlltit në barkun e vet. Të gjithë fëmijët e Kronit e të Reas janë përpirë kështu në plëndësin atëror.

Natyrisht, nga kjo gjë Rea nuk ndiehet më e kënaqur nga ç'qe ndjerë Gjea nga sjellja e Uranit, që nuk i linte fëmijët e saj të dilnin në dritë. Urani dhe Kroni, në njëfarë mënyre, e hedhin pjellën e vet në natën e paralindjes. Ata nuk duan që ajo të harliset në dritë, porsi një pemë që, duke buitur nga dheu, e çon jetën midis qiellit e tokës. Sipas këshillës së Tokës, Rea vendos të marrë masa për të shmangur sjelljen mizore të Kronit. Prandaj, ajo zë e vret mendjen për ndonjë dredhi, hile, mashtrim a gënjeshtër. Duke vepruar kështu, ajo i kundërvë Kronit po atë tipar që e përkufizon, sepse ai është perëndi e dinakërisë, hyj I mashtrimit dhe i dyfytyrësisë. Kur po lind i fundmi i fëmijëve, Zeusi (djali më i ri) - ashtu siç qe Kroni djali më i ri i Uranit - Rea shkon në Kretë ku lind në fshehtësi. Foshnjën ua beson disa qenieve hyjnore, Najadave, që marrin përsipër ta rrisin në një shpellë me qëllim që Kroni të mos ketë pikë dyshimi e të mos i dëgjojë të qarat e njomëzakut të sapolindur. Mandej, meqë britmat e fëmijës po rriteshin rrufeshëm, Rea u kërkoi disa hyjve meshkuj, Kuretëve, të qëndronin përpara shpellës, të hidhnin valle luftarake nie qëllim që vringëllima e armëve e zhurmëria tok me këngët ta mbysnin kumbimin e zërit të Zeusit njomëzak. Për rrjedhojë, Kroni nuk dyshon kurrgjë. Mirëpo, meqë ai e di mirë se Rea qe shtatzënë, pret të shohë vogëlushin e fundit që ajo ka lindur e që duhet t'ia tregojë. Atëherë, çfarë I çon ajo? Një gur. Një gur që e ka fshehur në pelena foshnjeje.

I thotë Kronit: "Ki kujdes, është i brishtë, është vocërrak" dhe hop, me një të gëlltitur, Kroni e kapërdin gurin e mbështjellë në shpërgënj. Kështu tani gjithë pjellat e tij e të Reas, ndodhen brenda barkut të Kronit, madje edhe guri. Ndërkaq, në Kretë, Zeusi po rritet e po bëhet i fortë. Kur mbërrin në moshën e pjekurisë së plotë, na i shkrep në kokë ta ndëshkojë Kronin për krimin që ka bërë karshi fëmijëve të vet, si dhe ndaj Uranit, të cilin e ka sakatuar si mos më keq.

Si t'ia bëjë? Zeusi është fill i vetëm. Ai do që ta bëjë Kronin të nxjerrë nga goja, të vjellë atë mori fëmijësh që ka në bark. Përsëri, falë dredhisë, do t'ia dalë mbanë, dredhisë që grekët e quajnë meëtis, domethënë ajo lloj zgjuarsie që di të sajojë që më parë gjithfarë marifetesh, për ta mashtruar njeriun që ke përballë. Dredhia e Zeusit synon t'i japë Kronit rififarmakon, një bar për të cilin do t'i thonë se është një porcion magjik, por që në të vërtetë, është një bar që shkakton vjellje. Këtë ia jep Rea. Me ta gëlltitur, Kroni nis të vjellë gurin, pastaj vjell Hestian, që është e para, pastaj gjithë morinë e perëndive dhe perëndeshave në kahun e kundërt të moshës. Më i madhi në moshë është në fund, kurse më e reja është fill pas gurit. Duke i nxjerrë jashtë, Kroni përsërit, sipas mënyrës së vet, lindjen e të gjithë fëmijëve që Rea kishte sjellë në jetë.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit

Fjale kyqe:
teatri bota brezat toka ujërat rrjedha gjaku gjymtimi titanët qielli perënditë urani gjea rea titanidët Zeusi