1. Kryefaqe
  2. Iliria
  3. HERODOTI

HERODOTI

image description
Herodoti, i quajtur babai i historisë, lindi në Hilakarnas rreth vitit 484 dhe vdiq nga viti 425. Nga viti 455-452 fillon një udhëtim të gjatë nëpër vendet e Evropës, Azisë dhe Afrikës. Midis të tjerave viziton krahina të ndryshme të Gadishullit Ballkanik si Ilirinë, Thrakinë e Maqedoninë.

Për një kohë Herodoti qëndroi në Athinë ku u afrua me rrethin e Perikliut. Këtu ai, me sa duket, vendosi të shkruajë dhe veprën e tij të madhe të quajtur "Historia" në 9 libra, ku përshkruan luftën greko-persiane në të gjitha fazat e saja deri në vitin 479 para e. sonë.

Herodoti në këtë vepër, e cila dallohet për një diapason të gjerë mendimi, për mjeshtëri e deri diku edhe për objektivizëm në paraqitjen e ngjarjeve, jep përveç historisë së grekëve dhe persëve edhe ngjarje nga historia e atyre popujve, me të cilët ata kishin marrëdhënie. Vepra e tij përmban edhe të dhëna me rëndësi gjeografike e etnografike. Duke folur për historinë e popujve të ndryshëm ai përshkruan kushtet natyrore të vendeve të tyre, besimet, zakonet, banesat, veshjen, armatimin e tyre, monumentet e artit, legjendat, mitet etj.

Herodoti për të parën herë dha një vepër të përgjithshme historike të mbështetur mbi një kritikë historike, megjithëse të sipërfaqshme. Historia e Herodotit është një burim shumë i rëndësishëm historik dhe disa nga faktet e përshkruara prej tij kanë gjetur vërtetimin e tyre edhe nga të dhënat arkeologjike.

Në veprën e Herodotit ne gjejmë të dhëna shumë të rëndësishme për pellazgët. Përveç kësaj ky është i pari autor që zë në gojë emrin e ilirëve. Janë interesante në veprën e tij edhe njoftimet për pushtimin e paionëve nga Megabazi, mbi mënyrën e jetesës dhe disa zakone të tyre, si edhe për tokat e kullotat e Apollonisë.

Përkthimi është mbështetur në botimin: Herodoti Historiarum libri IX edidit Henr. Rudolph. Dietsch.

HERODOTI

HISTORIAE

(Historitë)

LIBRI I

Me/jonët u përzien dhe kadmët, dryopët, fokidasit e çliruar nga taksat, molosët dhe arkadasit pellazgë dhe dorët, epidaurasit si edhe shumë fise të tjera. Çfarë gjuhe flitnin atëherë pellazgët është një çështje, për të cilën nuk mund të them asgjë. Vetëm nëqoftëse mund të mësojmë, ndoshta, ndonjë mendim nga pellazgët e ditëve tona, nga ata që janë akoma sot në Kreston * sipër tyrsenëve, të cilët, dikur fqinjë të dorëve të sotëm, banonin në tokën e quajtur tani Thesali, nëqoftëse këtyre pelazgëve u shtohen ata që kanë themeluar Plakienë dhe Skylakenë në Helespont dhe që kanë banuar dikur me athinasit, dhe banorët e qyteteve të tjera pellazge, emri i të cilavet është ndryshuar, del se pellazgët kanë pasë gjuhë barbare. Pra nëqoftëse e tillë ishte gjuha e pellazgëve del se popullsia e Atikës, pellazge me prejardhje, harroi të folmen e saj, duke u kthyer në helenë, prej të cilëve mësoi edhe gjuhën; pasi e folmja e krestonasve dhe e plakieasve, që është e njejtë, nuk ka asgjë të përbashkët me atë të fqinjëve të tyre, provë e qartë se këto dy fise pellazge ruajnë akoma në ditët tona gjuhën që sollën në këtë vend atëherë, kur u vendosën atje.

Përsa i përket gjuhës helene ajo ka qenë përdorur prej tyre qysh në fillim, së paku kështu më duket. Pasi u ndanë nga pellazgët, ata në krye qenë të dobët, por duke u nisur nga një pakicë e ikur helenët u shtuan deri sa u bënë një popullsi e madhe, sidomos që nga koha kur shumë fise të tjera barbare u bashkuan me ta; më duket se e kam treguar qartë se pellazgët, të cilët nuk ishin veçse një popull barbar, përkundrazi nuk u shtuan kurrë.

Libri II

Pellazgët kishin zakon t'u flijonin perëndive çdo gjë, sikurse e mësova në Dodonë, dhe ato nuk kishin për ta ndonjë emër, pasi nuk i ka dëgjuar njeri t'i thërrisnin me emra. Ata i thirrnin në përgjithësi si perëndi, për arësye se pasi kishin vënë të gjitha gjërat në rregull, mbanin ligjet e gjithësisë. Ata arritën t'i njohin emrat e perëndive vetëm tepër vonë, kur i sollën nga Egjypti, (por emrin e Dionisit e mësuan, pasi mësuan emrat e perëndive të tjerë). Më vonë ata vajtën për t'u këshilluar për këto emra tek orakulli I Dodonës (ky orakull njihet sim ë i lashti i Helladës, dhe ishte atëherë i vetmi në këtë vend). Pellazgët kur pyetën orakullin e Dodonës në se mund t’i merrnin këto emra që vinin nga barbarë, qi u përgjegj se mundnin. Që prej kësaj kohe i kanë përdorë në flijimet e tyre dhe më pas helenët I morën këto emra nga pellazgët.

LIBRI IV

Istri është lumi më i madh nga gjithë ata që ne njohim. Ai rrjedh njësoj gjithmonë si në verë ashtu edhe në dimër; se duke filluar prej perëndimit dhe duke kaluar në Skythi bëhet i madh mbasi tek ai derdhen shumë lumenj të tjerë. Ata /lumenj që e bëjnë atë të madh janë pesë që kalojnë nga toka e Skythisë; ai që skythët e quajnë Porat, këtë helenët e quajnë Pyret, tjetri është Tiaranti, pastaj Arari, Napari dhe Ortesi. I pari është më i madhi nga tërë lumenjt dhe duke rrjedhur drejt lindjes bashkohet me ujrat e Istrit, kurse i dyti Tiaranti është i vogël dhe për më tepër rrjedh drejt perëndimit, ndërsa Arari, Napari dhe Ortesi duke kaluar ndërmjet këtyre të dyve derdhen në Istër. Këta lumenj skythas prej kohësh shtojnë ujrat e Istrit, kurse nga Agathyrsa buron lumi Mar, i cili derdhet në Ister. Nga majat e Hemit tre lumenj të mëdhenj rrjedhin në drejtim të veriut dhe derdhen në Ister, këta janë Atlas, Auras dhe Tibisi. Kurse përmes Thrakisë dhe krobyrëve thrakë rrjedhin Athri, Noe dhe Artani, të cilët derdhen në Ister. Prej Paionisë dhe malit Rodop, lumi Ski duke kaluar përmes Hemit derdhet në Ister, kurse nga toka e ilirëve, duke rrjedhur në drejtim të veriut, lumi Angri mbasi futet në fushën e tribalëve derdhet në lumin Brong, kurse Brongu në Ister.

LIBRI V

Ata që u pushtuan në Evropë prej persëve, në kohën e Darit sundoheshin nga Megabazi; ky shkatërroi së pari perinthasit që banonin rreth Helespontit, mbasi këta nuk pranonin t'i nënshtroheshin Darit. Ata edhe më përpara ishin trajtuar keq prej paionëve. Paionët që banonin rreth Strymonit morën njoftimnga orakulli i Hyut që të sulmonin perinthasit pasi të jenë të rreshtuar të dy palët dhe të vepronin, nëqoftëse perinthasit do t'i thërrisnin me emër, nëqoftëse jo të rrinin të qetë. Paionët i zbatuan këto. Meqenëse perinthasit ishin rreshtuar në afërsi të qytetit, këtu u bë ndërmjet tyre një dyluftim në tri mënyra; u ndeshën burrë me burrë, kalë me kalë, qen me qen. Perinthasit fituan dy dyluftime dhe për këtë të gëzuar kënduan paianin. Paionët e morën këtë si shenjë të orakullit, tani meqenëse orakulli ishte plotësuar, për ne detyra jonë është zbatimi i tij. Kështu thanë paionët dhe sulmuan perinthasit që këndonin; shumë prej tyre i kapën, kurse një pjesë i zhdukën.

Një ngjarje në të cilën qe dëshmitar Dari, bëri të lindë te ky mbret dëshira për të urdhëruar Megabazin që t'i shpërnguli paionët e Evropës në Azi. Pirgesi e Mantyesi, të dy paionë, donin të bëheshin tiranë të paionëve. Menjëherë pasi Dari u kthye në Azi, ata shkuan në Sardë me motrën e tyre që ishte e bukur dhe me trup të derdhur; dhe duke gjetur rastin kur ky mbret qendronte në lagjet e jashtme të lydëve, ata e zbukuruan sa mundën më shumë dhe e dërguan për të mbushur ujë. Ajo mbante një shtamë në kokë, tërhiqte një kalë për kapistalli, të cilin e kishte lidhur pas krahut dhe tirrte li. Darit, kur e pa këtë që po kalonte, i tërhoqi vëmendjen pasi ato që bënte ajo nuk i kishin zakon gratë e Persisë, Lybisë, ashtu edhe të pjesës tjetër të Azisë. Për këtë arsye, kur e pa urdhëroi disa nga rojet e tij ta ndiqnin dhe të shikonin çdo të bënte me kalin e saj. Ata e ndoqën, ajo shkoi në lum, i dha të pijë kalit ujë dhe pasi e mbushi shtamën e saj, u kthye po nga ajo rrugë me shtamë në kokë, me kapistallin e kalit të Iidhur pas krahut dhe duke dredhur boshtin.

Dari i habitur nga të thënat e rojeve të tij, dhe nga ajo që kishte parë vetë kërkoi që ta sillnin tek ai. Kur ajo erdhi para Darit, vëllezërit e saj që po i vërenin të gjitha këto nga një vend i afërt u paraqitën edhe ata. Kur Dari i pyeti mbi vendin e tyre, të rinjtë iu përgjegjën se ishin paionë dhe se ajo ishte e motra e tyre. Mbreti i pyeti përsëri pse kishin ardhur në Sardë, çfarë njerëzish ishin paionët dhe në cilin vend të tokës banonin. Ata i thanë se kishin ardhur për t'i shërbyer atij, se Paionia me qytetet e saj gjendej në brigjet e Strymonit dhe se ky lum nuk ishte shumë larg Helespontit, se ishin me prejardhje teukrase dhe koloni e trojanëve. Kjo qe përgjegja për çdo njerën prej pyetjeve të tij. Ai donte të dinte akoma nëse gratë e këtij vendi ishin të gjitha kështu punëtore si motra e tyre. Ata pohuan pa e peshuar. E gjithë kjo punë, në fakt, nuk kishte qëllim tjetër veçse të sillte këtë përgjigje.

Atëherë Dari i shkroi Megabazit, të cilin e kishte lënë në Thraki, si komandant të një pjese të ushtrisë së tij, që t'i shpërngulte paionët nga tokat e tyre dhe t'i sillte tek ai së bashku me gratë e fëmijët. Menjëherë një lajmëtar kalorës arriti në Helespont dhe pasi e kaloi atë ia dha letrën Megabazit, i cili pasi e lexoi, zgjodhi dhe mori njerëz nga Thrakia për t'i treguar rrugën dhe marshoi me ushtrinë e tij kundër Paionisë. Paionët, si morën vesh se persët po marshonin kundër tyre, u përgatitën që t'I zbrapnin dhe shkuan me të gjitha forcat e tyre në brigjet e detit, duke menduar se andej do të sulmoheshin. Por Megabazi, kur mori vesh se ata ruanin shtigjet nga ana e detit, kaloi me ndërmjetësinë e atyre që i tregonin rrugën nëpër vise të larta dhe duke i sulmuar qytetet e tyre, papritmas dhe para se ata të kujtoheshin, i pushtoi me lehtësi të madhe aq sa nuk u gjend asnjeri për t'i mbrojtur. Paionët kur mësuan se qytetet e tyre ishin në duart e armikut u shpërndanë dhe duke u kthyer në tokat e tyre iu dorëzuan persëve. Kështu një pjesë e paionëve, d.m.th. siriopaionët, paioplajt dhe ata që zinin atë pjesë të vendit që arrin deri te liqeni i Prasias u dëbuan nga banimet e tyre dhe u dërguan në Azi.

Paionët e rretheve të malit Pangajon (dhe doberët, agrianët, odomantët) dhe paionët e liqenit të Prasias, Megabazi nuk i nënshtroi dot. Shtëpitë e tyre janë ndërtuar në këtë mënyrë: Në mes të liqenit, mbi trarë të vënë kryq, janë vendosur shtroje dërrasash.

Ato lidhen me tokën me anën e një ure. Trarët, mbi të cilët qendrojnë shtrojet në kohë të vjetra i vendosnin bashkarisht të gjithë banorët. Më vonë i vendosnin kështu: Secili nga ata që martohej sillte për çdo grua nga tre trarë nga mali që quhej Orbel dhe I vendoste aty; çdo burrë martohej me shumë gra. Atje rronin në këtë mënyrë: Secili mbi këto shtroje kishte një kasolle në të cilën banonte, dhe kishte një qe peng të lidhur mirë, i cili të çonte poshtë në liqen. Fëmijët e vegjël i lidhnin për këmbe me litarë nga frika se mos binin poshtë në liqen. Kuajt dhe bagëtitë e tyre i ushqenin me peshk. Ky peshk kapet me shumicë aq të madhe sa që, nëqoftëse ndonjëri e hap qepengun, lëshon me litar koshin e zbrazët dhe pas pak e tërheq, koshi mbushet plot me peshq.

Ka dy lloj peshqish: njërin e quajnë paprak, tjetrin tilon. Dhe kështu, paionët e nënshtruar u drejtuan për në Azi. Pas nënshtrimit të tyre, Megabazi dërgoi në Maqedoni si delegatë shtatë persë, të cilët sipas tij, ishin më të sprovuarit në ushtri. Ata u dërguan tek Amynta që t'i kërkojnë tokë dhe ujë për mbretin Dar. Rruga nga liqeni Prasia deri në Maqedoni është shumë e shkurtër. Së pari pranë liqenit gjendet miniera, nga e cila në një kohë më të vonë Aleksandri nxirrte nga një talent argjend në ditë; pas minierës vjen mali i quajtur Dysoron; pasi kalohet ky mal arrihet në Maqedoni.

Në trekëmbëshin e tretë, në vargje gjashtërrokëshe, lexohet: "Mbreti Laodam ia ka kushtuar këtë trekëmbësh Apollonit, i cili qëllon gjithnjë shenjë, që të stolisë tempullin e tij)". Në kohën e këtij Laodamit që ishte i biri i Eteoklit, kadmejt, të dëbuar nga argasit, u strehuan tek enkelejt...

Aristagora që të fyente mbretin Dar, dërgoi në Frygi një njeri tek paionët, të cilët Megabazi i kishte sjellë nga Strymoni si rob dhe banonin atëherë në një fshat të Frygisë. Kur i dërguari arriti tek ata u tha këto fjalë: "Burra paionë, më dërgoi Aristagora, tiran i Miletit, që të ju propozoj shpëtimin, nëqoftëse dëshironi të bindeni.

Tani e gjithë Jonia ngriti krye kundra mbretit dhe ju keni mundësi të shpëtoni dhe të ktheheni në vendlindjen tuaj. Ju vetë do të kujdeseni që të arrini deri në buzë të detit, dhe andej e tutje do të kujdesemi ne për ju". Pasi dëgjuan këtë, pajonët e pranuan me gëzim, morën fëmijët dhe gratë e tyre dhe u drejtuan nga deti, kurse disa prej tyre mbetën meqenëse kishin frikë. Si arritën në det kaluan prej andej në ishullin Hio, dhe mbasi ishin vendosur këtu në gjurmë të tyre u nis për t'i ndjekur një kalori e madhe persiane. Meqenëse nuk i arritën, lajmëruan në Hio që paionët të ktheheshin mbrapsht. Paionët nuk ju nënshtruan dhe banorët e ishullit Hio i shpunë nga Hio në Lesbo, kurse lesbasit i dërguan në Dorrisk. Prej aty arritën në këmbë në Paioni.

LIBRI VI

Smindyridi, i biri i Hipokratit, erdhi nga Italia. Ishte nga Sybarisi, një qytet atëherë shumë i lulëzuar, dhe kishte sjell me vete sende shumë luksoze. Erdhi po ashtu edhe Damasi nga Siria që ishte i biri i Amyrit, i quajtur i Urti. Këta erdhën nga Italia. Amfinesti epidamnas, i biri i Epistrofit, erdhi nga gjiu i Jonit. Ja se si Miltiadi, i biri i Kimonit, ishte bërë zot i ishullit të Lemnit. Athinasit dëbuan më parë pellazgët nga Atika. A patën të drejtë apo kryen me këtë një padrejtësi, nuk kam ndërmend ta përcaktoj; mjafton ajo çka thuhet. Hekateu, i biri i Hegesandrit, tregon në historitë e tij se kjo qe e padrejt. Athinasit, thotë ai, duke parë se toka, që ata u kishin lëshuar pellazgëve në këmbët e malit Hymet, si shpërblim për ndërtimin e murit që rrethon akropolin, ishte e punuar mirë, megjithëse më parë kishte qenë e keqe dhe e pavlefshme, i dëbuan ata, pa asnjë shkak vetëm e vetëm prej lakmisë e dëshirës për t'a marrë tokën përsëri. Por athinasit thanë se e bënë me të drejtë.

Pellazgët, thonë ata, duke banuar në rrëzën e malit Hymet, sulmonin tokat e tyre dhe i fyenin vajzat e reja të athinasve, të cilat venin për ditë për të marrë ujë në burimin e quajtur Eneakruno, pasi atëherë nuk kishte fare skllevër në Athinë dhe as në pjesën tjetër të Helladës. Sa herë që këto vajza të reja vinin tek burimi, pellazgët i përdhunonin në mënyrë më fyese dhe më të padenjë, dhe të pakënaqur nga ato që bënin në fund u përgatitën për t'i sulmuar dhe kur po e bënin këtë ata u zunë.

Athinasit shtojnë se qenë treguar kaq zemërgjërë sa që duke i pasur në dorë mund t'I vrisnin, por nuk e bënë këtë dhe u mjaftuan, duke i urdhëruar të largoheshin nga vendi. Pellazgët të detyruar të braktisnin Atikën, u shpëmdanë në vende të ndryshme dhe një pjesë prej tyre shkoi në Lemn. Ky tregim është i athinasve, i pari i përket Hekateut.

Pellazgët që u ngulën atëherë në Lemn vendosën të hakmerren kundër athinasve. Pasi dinin shumë mirë ditët e festave të tyre, ata ndërtuan anije me pesëdhjetë lopata dhe pasi zunë pritë grabitën gratë athinase që kremtonin festën e Artemisit, në Brauron. Pastaj hapën velat dhe i sollën në Lemn ku u martuan me to. Ato patën shumë fëmijë, të cilëve u mësuan gjuhën dhe zakonet e Athinës. Këta fëmijë, për këto arsye, nuk donin të kishin asnjë marrëdhënie me fëmijët e grave pellazge; dhe nëqoftëse ndonjeri prej tyre goditej, të gjithë i vinin në ndihmë dhe mbronin njëri-tjetrin. Ata kishin vendosur të ushtronin forcën e tyre mbi të gjithë fëmijët e vendit dhe ishin shumë më të fortë. Guximi dhe bashkimi i këtyre fëmijëve i bënë pellazgët të mendonin seriozisht. Si, thoshin ata në kulmin e hidhërimit, nëqoftëse sot ata janë gati t'i japin ndihmë njëri-tjetrit kundër fëmijëve të grave që i kemi marrë të virgjëra, nëqoftëse përpiqen që tani t'i mbizotërojnë ata, çka nuk do të bëjnë kur të kenë arritur moshën madhore. Ata morën vendimin t'i vrisnin të gjithë fëmijët që kishin pasur me gratë atikase, gjë që e bënë dhe në të njëjtën kohë masakruan edhe mëmat e tyre. Pas kësaj vepre dhe si kujtim të krimit të grave të Lemnit, të cilat dikur i kishin mbytur të gjitha në një natë burrat e tyre, bashkë me mbretin e tyre Thoas, u bë zakon që në Helladë të quhen të gjitha veprat kriminale vepra si ato të Lemnit.

Pasi pellazgët vranë gratë e grabitura dhe fëmijët që kishin pasur me to, toka nuk u prodhonte më dhe gratë e bagëtia nuk u pillnin. Të dëshpëruar nga uria dhe nga që gratë e tyre nuk lindnin, ata dërguan në Delf për t'iu lutur Hyut që t'i shpëtonte nga të këqiat. Pythia i urdhëroi që të pranonin atë dënim që do t'a gjenin të drejtë athinasit. Pellazgët shkuan në Athinë dhe premtuan se ishin gati të vuanin dënimin që do t'u jepnin për të larë krimin e tyre...

LIBRI VII

Helenët e Thrakisë dhe të ishujve pranë saj kishin njëqind e njëzet anije; në këto anije kishte njëzet e katër mijë burra; në këmbësori kishte thrakë paionë, eordë, botiaj etj...)

LIBRI VIII

Të gjithë këta u gjetën në Salaminë ata banojnë këtej thesprotëve e Aheronit. Thesprotët janë fqinjë të ambrakasve e leukadasve, që erdhën në këtë luftë nga skajet kufitare... Perdika, i biri i shtatë i këtij Aleksandrit, është ai që ndërtoi në këtë mënyrë shtetin e maqedonëve. Prej Argo shkuan tek ilirët tre vëllezër pinjollë të Temenit: Gauani, Aeropi dhe Perdika; dhe duke ikur nga ilirët u vendosën në Maqedoninë e sipërme në qytetin Lebae. Këtu ata shërbenin me rrogë te mbreti, njeri duke kullotur kuajt, tjetri gjedhët, kurse i vogli prej tyre Perdika qingjat.

LIBRI IX

Unë e di se kjo thënie e orakullit, të cilin Mardoni kujtonte se ishte për persët, nuk I përkiste atyre, por ilirëve dhe ushtrisë së enhelejve). Helenët të nesërmen u morën me flijime që jepnin shenja të mira, duke pasur si fallxhor Deifonin, të birin e Evenit, burrë nga Apollonia, por nga Apollonia që ndodhet buzë detit Jon; babajt të këtij i pat ndodhur kjo:

Në këtë Apolloni ka dele, të cilat i ianë kushtuar Diellit; këto dele ditën kulosin pranë lumit që buron nga mali Lakmon dhe që kalon përmes tokës së Apollonisë dhe derdhet në det afër limanit të Orikut; natën i ruajnë burra të zgjedhur, qytetarë nga më të shquarit si nga pikëpamja e pasurisë ashtu edhe e fisit; secili nga këta i ruan një vit të tërë. Me të vërtetë apolloniatët i çmojnë shumë këto dele për arsye të një thënie që kanë marrë nga orakulli dhe i mbajnë në një shpellë larg qytetit.

Në atë kohë, pra, Eveni që zumë në gojë më sipër, ishte zgjedhur për të ruajtur delet; ndodhi që njëherë kur gjatë kohës rojes e zuri gjumi, erdhën në shpellë disa ujqër dhe shqyen afro gjashtëdhjet dele. Kur Eveni e kuptoi këtë heshti dhe nuk i tregoi askujt mbasi mendonte t'i vinte në vend duke blerë të tjera. Megjithëkëtë apolloniatëvet nuk u shpëtoi kjo ngjaije dhe, me ta marrë vesh, e nxorën Evenin në gjyq dhe e dënuan me verbim, sepse kishte fjetur gjatë kohës që duhet të ruante delet. Por menjëherë, pasi e verbuan Evenin, as delet nuk pillnin, as toka nuk jepte më fryt. Prandaj ata dërguan njerëz në orakullin e Dodonës, dhe në atë të Delfit për të marrë përgjigje, duke pyetur orakujt se cili ishte shkaku i kësaj fatkeqësie; dhe këta u përgjigjen se e kishin verbuar Evenin rojtësin e deleve të shenjta pa të drejtë; sepse vetë ata) i kishin dërguar ujqërit dhe se do të hakmerreshin për të, përderisa apolloniatët të dënoheshin për ato që bënë, ashtu si do të donte dhe ta quante të drejtë Eveni; dhe si të bëheshin këto, ata duhet t'i jepnin Evenit një shpërblim të tillë, për të cilin shumë njerëz do ta quanin të lumtur.

Kjo pra, ka qenë përgjigja që u dhanë atyre orakujt, kurse apolloniatët e mbajtën te fshehtë ketë përgjigje dhe ngarkuan disa qytetarë për ta zbatuar. Këta vepruan kështu: Një ditë, kur Eveni po rrinte ulur në një fron erdhën dhe i ndejtën pranë, duke hapur bisedë me të për çështje të ndryshme; më në fund i shfaqën hidhërimin për të keqen që i ngjau dhe e pyetën çfarë dënimi do t'i pëlqente në rast se apoiionianët do të dëshironin ta pranonin dënimin për të këqiat që i kishin bërë. Eveni, meqenëse nuk e dinte përgjigjen e orakujvet, zgjodhi dënimin e mëposhtëm duke thënë: Sikur t'i jepnin disa ara - dhe tregoi me emër dy arat e atyre qytetarëve që i dinte se ishin nga më të mirat në Apolloni - dhe një shtëpi pranë tyre, atë që ai e dinte se ishte më e mira nga gjithë shtëpitë e qytetit; po të bëhej, tha, zot i këtyre, nuk do të mbante këtej e tutje mëri dhe se ky dënim do të ishte i mjaftë për të. Kur mbaroi së foluri Eveni, ata që i nrinin pranë i përgjigjen: "O Even, këtë dënim e lajnë për ty apolloniatët, sipas thënies së orakullit, për shkak se të verbuan pa të drejtë. Kur i dëgjoi të gjitha këto fjalë, Evenit i erdhi shumë rëndë sepse u gënjye, kurse apolloniatët i blenë nga pronarët dhe ia dhanë atij ato që kishte zgjedhur. Menjëherë pas kësaj Evenit i erdhi vetia e orakullit, sa që u bë edhe i dëgjuar...

Ilirët Ilira te Autorët Antikë - Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë


Fjale kyqe:
Ilirët helenët maqedoninë e sipërme thesprotët aheronit pellazgët hipokratit enkelejt trarët evropës historitë herodoti kadmet fokidasit moloset doret epidaurasit gjuha pellazget perendite filijmet lumenjj pyret paionet athinasit orakujt apolloniatet apollonia apollo qyteti