1. Kryefaqe
  2. Qytetërim Evropian
  3. Qytetet evropiane në mesjetë

Qytetet evropiane në mesjetë

image description Bota greko-romake ishte një botë qytetesh, të cilat perëndojnë mes shekujve III dhe VI. Shumë qytete mesjetare gjallojnë dhe zhvillohen mbi vendndodhjet e qyteteve romake dhe mbajnë ende në gjirin e tyre monumente antike, lënda e të cilave shkon në përdorim për ndërtimet e reja. Qyteti mesjetar është gjithsesi thelbësisht i ndryshëm prej qytetit antik. Ky i fundit nuk ishte edhe aq qendër ushtarake, politike e administrative, se sa një qendër ekonomike dhe kulturore.

Mes shekujve X dhe XV ndodh një shtrirje e gjerë e botës urbane. Ajo favorizohet prej rritjes ekonomike. Tepricat bujqësore lejojnë të ushqehet një popullsi gjithnjë në rritje fshatarësh emigrantë. Ndërtimi dhe në veçanti ndërtimi i kishave të reja, herë-herë me përmasa të mëdha (katedralet), tërheq gjerësisht në qytete krahë pune dhe tregtia ka nëpër qytete pikat e saj të shkëmbimit (tregje, panaire, banka këmbimi dhe financimi marrëveshjesh tregtare, shtëpi tregtare që veprojnë në largësi të mëdha). Qyteti zotëron fshatin (i cili e furnizon) dhe përfiton prej faktorësh që, së jashtmi botës perëndimore, nxisin  tregtinë dhë ekonominë monetare: për shembull, zgjerimi në veri i zonave të shkëmbimit falë vikingëve ose kërkesa e vazhdueshme për mallra konsumi që vjen prej qyteteve të pasura myslymane, e përmbushur shpesh prej iniciativave të tregtarëve europianë.

Në qytet zë fill kështu një shoqëri e re, e lidhur me veprimtaritë ekonomike dhe me teknikat intelektuale që e shoqërojnë, ndër të cilat spikasin mësimi i një mjeshtërie, doktrina dhe praktika e së drejtës. Këta qytetarë të rinj synojnë të fitojnë autonominë dhe privilegjet që do t'ua lehtësonin veprimtaritë dhe që përkojnë me aspiratat e tyre për ngritje shoqërore dhe me kodin e ri të vlerave. Në përgjithësi, ata dalin fitimtarë në luftën ndaj senjorëve të vjetër feudalë të qyteteve (shpesh peshkopë) ose arrijnë, shkallë-shkallë, në një emancipim pak a shumë të plotë apo në një kompromis që mban parasysh kërkesat e tyre më të rëndësishme. Forma që i paraprin shoqërisht dhe politikisht kësaj dukurie është, mes shekujve XI dhe XIV, lëvizja komunale, shumë e gjallë në Francën e Veriut e sidomos në Italinë e Veriut dhe Qendrore.

Administrimi i qyteteve kalon në duart e një grupi qytetarësh që formojnë këshillin bashkiak, të cilit i takon drejtimi i jetës ekonomike, i urbanizimit dhe i tatimit me taksa (në dobi të nevojave financiare të bashkësisë). Pushteti urban u përket qytetarëve teorikisht të barabartë (në të kundërt me shoqërinë feudale), por në realitet të nënshtruar ndaj një hierarkie juridike (e drejta e qytetarisë ose e borgjezisë që jepej me vështirësi prej borgjezëve më të hershëm) dhe ekonomike (niveli i ndryshëm i pasurive).

Qyteti bëhet qendra e një shoqërie të re personazhi mbizotërues i së cilës është tregtari, protagonist i trafiqeve të mëdha që e hapin qytetin drejt horizontesh deri atëherë të largëta. Vihet re edhe zhvillimi i shpirtit vendas urban, i një patriotizmi urban, i një imagjinate urbane. Shfaqen vlera të reja: kërkesa për fitim, puna, ndjenja e së bukurës, e pastërtisë dhe e rregullit (urbanizimi mesjetar bazohet mbi një përfytyrim pozitiv të qytetit). Nëse Kisha i kundërvë modelit të qytetit të lig - Babilonia dhe Sodoma - modelin e qytetit të shenjtë — Jeruzalemi, - shumica e burrave dhe grave të Mesjetës sheh tek qyteti një vend të bukur dhe të begatë. Qyteti, i mbizotëruar nga trajtat vertikale, kishat dhe këmbanoret, pallatet bashkiake dhe banesat e fisnikëve me kullat e tyre, është shëmbëllesa simbolike e synimit drejt qiellit dhe Zotit. Por brenda mureve të veta (një tjetër faktor bukurie lëndore dhe besimi psikologjik), qyteti është edhe një hapësirë sigurie.

Qyteti u jep banorëve të vet mundësi për solidarizime të reja që kanë sidomos bazë profesionale. Artizanët e qyteteve organizohen në "mjeshtëri" pak a shumë të strukturuara (arti në Itali, Zunfie në Gjermani, guilds në Angli). Më të organizuarat jane ato që i quajmë korporata, të rregulluara me statute. Korporata të tilla ndërtohen në bazë të një hierarfae të zotëruar prej mjeshtërve artizanë, nën të cilët gjenden çirakët dhe nxënësit. Anëtarët e korporatave përbëjnë një shoqëri të mbrojtur e të kontrolluar nga tërësia e mjeshtërive, si dhe nga autoritetet qytetare e princërore. Për shembull, rreth vitit 1268 mbreti i Francës, Luigji IX (Shën Luigji) e ngarkoi gjykatësin mbretëror të Parisit, Etien Bualo, të hartonte Librin e Mjeshtërive të Parisit, statutet profesionale, si dhe rregulloren e policisë. Por, dy kategori personash i shmangen thuajse plotësisht sistemit të korporatave. Tregtarët e mëdhenj në majën e shkallës shoqërore, paraardhës të kapitalistëve, gëzojnë liri veprimi thelbësore. Në qytetet e mëdha, në shtresat e poshtme, nis të marrë trajtë një masë punëtorësh krahu, jeta e të cilëve karakterizohet prej rastësisë së rekrutimit të përditshëm e prej rreziqeve të pagesës (rreziqe që mprehen së tepërmi me zhvlerësimet e para monetare): në thelb një proletariat pa mbrojtje tjetër veç dhunës. Grevat e para shfaqen në gjysmën e dytë të shekullit XIII në Francën e Veriut dhe në Flandër. Papunësia përbën një faktor të ri ekonomik e shoqëror, gjatë krizës së shekullit XIV, duke nxitur rritjen e mjerimit, të lypjes, të kriminalitetit e të prostitucionit, të endacakërisë madje edhe në mjedisin urban. Trazirat, kryengritjet urbane shtohen dhe më 1378 shpërthen në Firence një kryengritje e madhe "punëtore": Trazira e Çiompëve.

Në traditën europiane ky është fillimi i rrebelimeve urbane dhe i lëvizjeve revolucionare të qyteteve. Solidarizime të tjera kanë një karakter fetar. Shtohen famullitë, që janë struktura bazë e kohezionit shoqëror dhe pranë tyre zhvillohen (duke nisur prej shekullit XI) vëllazëritë nën mbrojtjen e Shënmërisë (kulti marian njohu një lulëzim të jashtëzakonshëm), të Shpirtit të Shenjtë ose shenjtësh të caktuar. Këto organizata i ndihin sivëllezërit me një përkushtim të përbashkët dhe u japin ndihmën e tyre në çaste të vështira, në prag vdekjeje, në raste funeralesh dhe në lutje post mortem. Nga fillimet e shekullit XIII lindin urdhëra të rinj fetarë të dhënë jo ndaj vetmisë por ndaj jetës mes njerëzve, nëpër qytete. Janë urdhërat e lypsarëve (domenikanët, françeskanët, agustinianët, karmelitanët) të cilët i kushtohen apostullimit në shoqërinë e re qytetare dhe problemeve të saj ballë punës, parasë, rrëfimit, vdekjes dhe shpëtimit në kushtet e reja të jetës urbane.

Qyteti organizohet rreth qendrash të reja, tregu, sheshi publik, sheshet ballë kishave të Lypsarëve: hapësira predikimi dhe mbledhjesh, hapësira publike të lidhura prej rrugësh të drejta. Vendoset një zbërthim i ri i kohës. Është një kohë më racionale, më e rregulk, është koha e tregut që i bën konkurencë kohës së Kishës, është koha e punës dhe e jetës urbane që u jep ritmin veprimtarive qytetare, është koha e matur nga këmbana të hipura në ngrehina laike dhe, prej fundit të shekullit XIII, nga orët mekanike.

Qyteti, veç të tjerash, shpall personalitetin e vet juridik nëpërmjet një sigillo-je. Qendër kulturore, që prej shekullit XII qyteti | jep udhë një arsimi të ri: atë të shkollave urbane, ku laikët mësojnë të lexojnë, të shkruajnë e të llogarisin. Por krijon edhe një kulturë ludike të përbërë nga procesione, festa, lojra që nxisin rilindjen e teatrit dhe shpërthejnë në argëtimet e Karnavaleve.

Së bashku me ekonominë, në qytete lindin aktivitete të reja të së drejtës, profesione të reja juridike, më spektakolari ndër të cilët, në Europën e Jugut, është noteria.

Prej Detit të Veriut në bastides-et e Francës Jug-perëndimore themelohen qytete të reja. Por, shumica e qyteteve mbetet në përmasa modeste, mes 3.000 dhe 10.000 banorësh. Me mbi 10.000 frymë flitet për "qytete të mëdha". Qendrat më të mëdha, në Italinë e Veriut dhe në Flandër (Gand, Bryzh, Venecia, Milano, Firence, Gjenovë), numërojnë nga 50.000 në 100.000 banorë. Parisi, që në fillim të shekullit XIV mbërrin me siguri 200.000 frymë, është një qytet "i përbindshëm".

Në shekujt XIV dhe XV qytetet bëhen seli të pushteteve princërore. Pushtetet monarkike i vunë nën zotërimin e tyre duke ndërhyrë në financat bashkiake të gërryera prej lakmisë së borgjezëve të pasur e prej shfrytëzimit që ata u bënin të varfërve. Por është e vërtetë edhe që pushtetet monarkike mbështeten tek qytetet: në mbretërinë e Francës qendrat urbane më të rëndësishme formojnë një sistem bonnes villes në shërbim të princit.

Jacques Le Goff - Mesjeta në zanafillat e identitetit evropian

Fjale kyqe:
bota greko-romake qytetet mesjetare momunemtet antike qender ushtarake administrimi i qyteteve komuna keshilli bashkiak e drejta e qeverisjes borgjezia shoqeria feudale hierarkia juridike