1. Kryefaqe
  2. Qytetërim Evropian
  3. Lufta e Trojes

Lufta e Trojes

image description Ndryshe nga ajo çfarë ka pretenduar Zhiroduja, lufta e Trojës ka ndodhur vërtet. E pse ta tregosh kot pas Homerit, poetit që e bëri të njohur! Kjo do të ishte një përmbledhje e rëndomtë. Mbase do të ishte më e udhës të përpiqeshim të rrëfejmë arsyet dhe kuptimin e këtij konflikti. Përleshja i ka rrënjët thellë në një të shkuar shumë të moçme. Që të përpiqesh ta kuptosh, duhet të zhvendosesh kah një mori malesh, që qëndrojnë në zanafillë të kësaj drame të jetuar nga vdekatarët. Është Pelioni, në Greqi, por edhe mali Ida, në Trojadë dhe Tajgeti në Spartë.

Këta janë male shumë të lartë, domethënë vende ku largësia midis perëndive dhe njerëzve është më e vogël se gjetkë, ku pa qenë plotësisht të fshira, kufijtë midis vdekatarëve dhe të pavdekshmëve bëhen në njëfarë mënyre të depërtueshëm.

Qëllon që të ndodhin shkarje midis asaj që është hyjnore dhe asaj çka është njerëzore. Herë-herë, si në rastin e luftës së Trojës, perënditë përfitojnë nga kjo afri, nga këto takime në kreshta, për t'u përcjellë njerëzve të këqijat, katastrofat që ata duan t'i heqin qafe, duke i përzënë nga hapësira e ndritshme ku kanë ngritur selinë e vet për t'i ngulitur në sipërfaqe të tokës.

Kështu, gjithçka zë fill majë Pelionit, me dasmën e Peleut, mbretittë Ftisë dhe Tetidës, Nereidës. Ashtu si pesëdhjetë motrat e saj, që popullojnë me praninë e tyre dashamire e magjiplotë syprinën e ujërave dhe thellësitë e detit, Tetida është vajza e Nereut, që quhet "plaku i detit". Vetë Nereu është bir i Pontsit, Deti, që Gjea e lindi në të njëjtën kohë me Uranin, Qiellin, në zanafillë të gjithësisë. Nga nëna e tyre, Dorida, Nereidat janë nga fara e Okeanosit, lumit kozmik të kryehershëm, që qarkon gjithësinë duke e mbajtur të shtrënguar në rrjetin qerthullor të ujit të vet. Tetida është, mbase bashkë me Amfitritën, më përfaqësuesja e Nereidave. Si hyjnesha të tjera detare, ajo ka një dhunti të pabesueshme metamorfoze. Tetida mund t'i marrë të gjitha format, mund të bëhet luan, fiakë, palmë, zog, peshk.

Ajo zotëron një hapësirë të gjerë shndërrimesh. Hyjneshë e detit, ashtu si uji, gjithë rrjedhshmëri, ajo nuk ngujohet në asnjë formë. Mund të kalojë gjithmonë nga njëra pamje në tjetrën, t'i shpëtojë dukjes së saj nga jashtë, si uji që rrjedh midis gishtërinjve pa mundur që ta mbash. Kjo hyjneshë, ndoshta nga vetë zhdërvjelltësia e saj e skajme, nga rrjedhshmëria e pakapshme, përfaqëson në sytë e grekëve një trajtë fuqie që e kanë trashëguar vetëm disa hyjni. Kështu, në veçanti hyjnesha Metidë, ajo me të cilën Zeusi u martua në martesën e parë.

Siç e pamë, Zeusi jo vetëm që u martua me Metidën, njërën ndër hyjneshat e tjera, por e bëri bashkëshorten e vet të parë, sepse e dinte që, për shkak të vetë cilësive të pabesueshme të zhdërvjelltësisë, finesës, paqëndrueshmërisë, femija që do të lindte Metida do të ishte një ditë edhe më mendjemprehtë dhe e fuqishme se ai. Prandaj, me ta lënë shtatzënë perëndeshën, ai nxiton, me anë dredhish, ta kapërdijë që Metida t'i bëhet e brendshme. Fëmija që do të lindë do të jetë Athinaja dhe nuk do të ketë tjetër.

Fuqia valëzuese dhe e mprehtë që përfaqëson Metida, qysh asohere është përfshirë e gjitha te vetë Zeusi. Nuk do të ketë pra djalë që, me të ardhur çasti, t' ia kalojë të atit. Kështu, përmbyset ajo që përbën trashëgiminë e mirëfilltë të njerëzve: sado i forte qoftë një njeri, sado i fuqishëm, meqdjehollë, mbretëror e I gjithëfuqishëm, vjen një ditë kur koha e vë përpara, kur mosha e rëndon dhe, për rrjedhojë, pinjolli që ka pjellë, vocërraku që hidhte e priste në prehër, që e ruante dhe e ushqente, bëhet burrë më i fortë se i ati, i paracaktuar t'i zërë vendin. Ndërsa, në botën e perëndive, me të zënë vend e me ta marrë fuqinë Zeusi, kurrgjë e askush nuk do të ketë zotësinë ta mënjanojë për t'i zënë fronin.

Kjo Tetidë, me dhuntinë e saj, magjinë e metamorfozës, është një krijesë mahnitëse, gjithë joshje. Dy hyj kryesorë kanë rënë në dashuri me të: Zeusi dhe Poseidoni. Ata hahen për të dhe sekush prej tyre ka ndër mend të martohet me Tetidën.

Në konfliktin që kundërvë në këtë botë hyjnore Zeusin ndaj Prometeut, arma që Titani mban rezervë, karta e tij e fortë, është se ai dhe vetëm ai mban në lidhje me këtë çështje një sekret të tmerrshëm: po qe se Zeusi e përmbush dëshirën e vet, në qoftë se ai ia del mbanë të bashkohet me Tetidën, fëmija e tyre do t'u bëjë një ditë atë që ai vetë i bëri të atit, Kronit, e ky babait të vet, Uranit. Lufta e brezave, rivaliteti që i kundërvë të rinjtë ndaj pleqve, djalin ndaj babait, do të ndërhynte atëherë njëherë e mirë në botën hyjnore dhe do ta vinte përgjithmonë në pikëpyetje rendin që Zeusi e deshi të pacenueshëm, ashtu siç e krijoi vetë si i gjithëfuqishmi I gjithësisë.

Si ia doli mbanë Zeusi ta merrte vesh këtë sekret? Njëra nga rrëfenjat thotë që Prometeu pajtohet me Zeusin dhe se Herakliu, me pëlqimin e mbretit të perëndive, shkon ta çlirojë Titanin me kusht që ai të pranojë t'i tregojë sekretin. Pra, Zeusi vihet në dijeni për rrezikun, po ashtu edhe Poseidoni. Perënditë heqin dorë atëherë nga bashkimi me Tetidën. Mos vallë ajo do të mbetet përjetë e virgjër e nuk do ta njohë kurrë dashurinë? Jo, hyjtë janë zemërgjerë, ata do ta heqin qafe, në kurriz të njerëzve, këtë fatalitet, i cili bën që, me t'ia behur çasti, t'u lihet vendi të rinjve. Tetida lind një femijë vdekatar, në të gjitha drejtimet i jashtëzakonshëm e që do t'ia kalojë në të gjitha rrafshet atij që i ka bërë kokën: një hero model që në botën e njerëzve përfaqëson, kulmin e virtyteve luftarake.

Ai do të jetë më i miri, i vetmi që s'i gjendet shoku. Kush do të jetë ky fëmijë? Biri i Tetidës dhe i Peleut, Akili. Ky është njëri nga personazhet kryesorë të luftës së Trojës, vetë shpërthimi i së cilës lidhet me gjithë këtë çështje.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit

Fjale kyqe:
Lufta e trojës homeri trojadë tajgeti spartë vekatarët të pavdekshmëve dorida tatida neru plaku i detit pontsit deti gjea urani qielli zanafilla gjithsësia hyjnesha metidë zeusi . martesa e parë peleu