1. Kryefaqe
  2. Politeizëm
  3. Bota e qënjeve njerzore - Promete Finoku

Bota e qënjeve njerzore - Promete Finoku

image description Qi do ndahen vendet midis perëndive dhe njerëzve? Këtu përdorimi i dhunës brutale as që mund të çohet nëpër mend. Qeniet njerëzore janë tejet të dobëta. Mjafton një çokitje e dy gishtave për t'i kthyer në hiç. Por as të pavdekshmit nuk mund të negociojnë me vdekatarët, si mes të barabartësh.

Atëherë, duhet gjetur një zgjidhje që të mos varet as nga forca e tepërt, as nga ndonjë mirëkuptim mes të barabartësh. Për të arritur një rregullim të tillë, medoemos të bërë shpejt e shpejt, Zeusi thërret një personazh që quhet Promete. Edhe ai vetë ka lidhje me mënyrën e çuditshme që do të përdoret për të ndarë perënditë nga njerëzit, për të sajuar garën midis tyre. Përse është Prometeu zgjedhja e duhur për situatën? Sepse në botën e perëndive, ai ka një status të dykuptimtë, të papërkufizuar mire e paradoksal. E quajnë Titan. Në të vërtetë ai është bir i Japetit, vëllait të Kronit. Pra, i ati është Titan. Por vetë Prometeu nuk është vërtet i tillë, por nuk është as banor i Olimpit, sepse ai nuk i përket të njëjtës prejardhje. Ai ka natyrën e një Titani, si I vëllai Atlasi i cili, gjithashtu, do të dënohet nga Zeusi. 

Prometeu ka një shpirt rebel, është i zgjuar dhe i pabindur dhe gjithnjë i gatshëm të gjejë gabime. Përse Zeusi e ngarkon të ndreqë këtë punë? Sepse, duke qenë Titan, edhe pse jo plotësisht, Prometeu nuk ka luftuar me Titanët kundër Zeusit.

Ai mbajti një qëndrim asnjanës dhe s'mori pjesë në përleshje. Në fakt, sipas shumë traditave, thuhet madje se Prometeu e ndihmoi Zeusin dhe se, pa këshillat që i dha ai - sepse është finok e dredharak - ky i fundit nuk do t'ia kishte dalë dot mbanë. Në këtë kuptim, ai është aleat i Zeusit. Një aleat, por jo njësh me të. Ai nuk është në kampin e Zeusit, është i pavarur, për hesap të vet.

Zeusi dhe Prometeu kanë mjaft tipare të përbashkëta përsa i takon zgjuarsisë e mendësisë. Që të dy karakterizohen nga një mendje të hollë, dinake, nga ajo cilësi që Athinaja do ta përfaqësojë te perënditë dhe që Odiseu e mishëron te njerëzit, finokëria. Finoku arrin të dalë nga bataku atëherë kur situate duket plotësisht e dëshpëruar, të gjejë një shteg aty ku gjithçka duket e mbyllur dhe, për të përmbushur synimet e veta, të mos ngurrojë të gënjejë, të ngrejë kurthe për të zënë në grackë kundërshtarin e të vërë në përdorim të gjitha djallëzitë që ia pret mendja. Zeusi është i këtillë e Prometeu gjithashtu. Ata kanë të njëjtën cilësi. E megjithatë, mes tyre është një hendek i gjerë. Zeusi është mbret, një sundimtar që ka në duar gjithë fuqinë. Në këtë vështrim, Prometeu nuk është aspak në rivalitet me Zeusin. Titanët ishin rivalët e olimpasve, Kroni ishte rivali i Zeusit, duke dashur të mbetej i gjithëfuqishëm, kur Zeusi kishte ndër mend të bëhej i këtillë në vend të tij. Kurse Prometeu as që e çon kurrë ndër mend të jetë mbret. Për asnjë çast ai s'është në garë me Zeusin për këtë. Bota që ka krijuar Zeusi, kjo botë e shpërndarjes së pushtetit, kjo botë hierarkike, e rregulluar sipas rangut, dallimeve në status e nder, është edhe bota e Prometeut, por ai zë aty një vend mjaflt të vështirë për t'u përkufizuar. Kjo bëhet edhe më e ndërlikuar kur Zeusi më pas do ta dënojë, duke dhënë urdhër ta lidhin me zinxhirë, para se ta lirojë e të pajtohet me të, çka në fatin e tij vetjak shënon një luhatje ecejakesh midis armiqësisë e harmonisë. Me dy fjalë, mund të thuhej se në këtë gjithësi të rregulluar Prometeu shpreh kundërshtimin e brendshëm. Ai nuk dëshiron t'i zërë vendin Zeusit, por, në rendin që ka themeluar ky, Prometeu është zëri vocërrak i kundërshtimit, porsi një rebelim i majit 68 në Olimp, brenda botës hyjnore.

Marrëdhëniet e Prometeut me njerëzit janë marrëdhënie bashkëpunimi e bashkënatyrësie. Statusi që ai ka është i afert me atë të qenieve njerëzore, sepse edhe këto janë krijesa të dykuptimta, që mbartin diçka hyjnore, sepse më parë jetonin krah më krah me perënditë, por njëherësh kanë diçka kafshërore, shtazërie. Kështu si te Prometeu, ashtu dhe te njerëzit ka elementë kontradiktorë.

Një lojë shahu

Ja skena: Perënditë dhe njerëzit janë mbledhur si zakonisht. Zeusi është aty, në lozhat e para dhe e ngarkon Prometeun të bëjë ndarjen e të mirave dhe privilegjeve mes perëndive dhe njerëzve. Si do të veprojë vallë Prometeu? Ai sjell një gjedh të madh, një ka të mrekullueshëm, të cilin e ther, e më pas e ndan në dy pjesë e jo në tri. Ashtu siç i kish bërë gati Prometeu, secila nga këto pjesë do të shprehë dallimin e statusit midis perëndive e njerëzve. Domethënë, në vijën e prerjes do të përvijohet ajo që ndan njerëzit nga perënditë.

Si vepron Prometeu? Ashtu siç veprojnë zakonisht grekët në flijime: theret kafsha, i rripet lëkura, pastaj nis copëtimi. Në veçanti, veprimi i parë lidhet me qërimin e kockave të gjata, ato të gjymtyrëve të parme e të pasme, ostea leuka, derisa në to të mos mbetet më mish. Me t'u kryer kjo punë, Prometeu I grumbullon të gjitha kockat e bardha të kafshës. I lidh bashkë dhe pastaj i mbështjell me një shtresë të hollë dhjami të bardhë oreksndjellës. Ky është porcioni i parë. Pastaj, nis të përgatisë të dytin. Te kjo, Prometeu vendos të gjitha krea-1, tulet e mishit, gjithçka që hahet dhe këtë mish të ngrënshëm e mbështjell me lëkurën e kafshës. Pakoja, me lëkurën që mbështjell të gjithë ushqimin e ngrënshëm të kafshës, vendoset, gjithashtu, në gaster-in e kafshës, apo stomakun e kaut, në plëndësin veshtullor, të shëmtuar me pamje të neveritshme.

Pra ndarja bëhet si vijon: nga njëra anë, dhjamë i bardhë oreksndjellës, me të cilin janë mbështjellë vetëm kocka të bardha, të brejtura, nga ana tjetër, një plëndës aspak i këndshëm në të parë, që ka brenda gj ithçka të mirë për t'u ngrënë. Prometeu i vendos këto dy pjesë në një tryezë përpara Zeusit. Zgjedhja e mbretit do të përcaktojë se cili është kufiri që ndan njerëzit me perënditë. Zeusi i sheh këto hise dhe thotë: "Ah! Promete, je kaq dinak, kaq finok, por nuk paske bërë aspak një ndarje të barabartë". Prometeu e vështron me një buzagaz të lehtë.

Zeusi, sigurisht, e ka kuptuar dredhinë, por ai i pranon rregullat e lojës. Atij i propozohet të zgjedhë i pari, gjë që pranon. Me një pamje plot besim, pra, ai merr pjesën më me dukë, pakon me dhjamë të bardhë oreksndjellës. Të gjithë e vështrojnë. Hap pakon dhe zbulon kockat e bardha, krejt të qëruara. Atëherë Zeusi bëhet si i tërbuar kundrejt atij që ka dashur t'ia hedhë. Kështu përfundon akti i parë i kësaj historie, që ka së paku tre të tillë. Në mbarim të këtij episodi, përcaktohet mënyra se si njerëzit hyjnë në lidhje me perënditë, përmes flijimit, si ai që kreu Prometeu duke therur kafshën. Në altarin jashtë tempullit, digjen erëza, që përhapin një tym aromatik. Pastaj përmbi degë vendosen kockat e bardha.

Pjesa që i takon perëndive janë kockat e bardha, lyer me dhjamë të shndritshëm, që ngjiten drejt qiellit në formën e tymit. Ndërkohë njerëzit marrin pjesën e mbetur nga kafsha, të cilën do ta hanë ose të pjekur në prush, ose të zier. Nëpër hej të gjatë hekuri a tunxhi, ata shkojnë copa mishi, sidomos mëlçitë si dhe pjesë të tjera të shijshme, që i pjekin drejt e mbi prush. Disa llokma të tjera mishi hidhen nëpër kusi të mëdha, për t'u zier. Disa thela piqen në prush, të tjera zihen: njerëzit ndërkaq duhet ta hanë mishin e kafshëve të flijuara dhe perëndive u dërgojnë pjesën që u takon, domethënë tymin erëmues. 

Ajo që është e çuditshme në këtë rrëfenjë është se duket sikur tregon sesi Prometeu ia doli t'ia hidhte Zeusit, duke u dhënë njerëzve pjesën më të mirë të flijimit. Prometeu u jep njerëzve pjesën që hahet, të fshehur si diçka të pështirë e të pangrënshme, ndërsa perëndive u jep pjesën që nuk hahet, edhe atë të fshehur tinëzisht poshtë cipës së një dhjami oreksndjellës e të ndritshëm. Sjellja e tij është mashtruese, sepse pamja e parë të gënjen... E mira fshihet poshtë të shëmtuarës dhe e keqja merr pamjen e së bukurës.

Lind pyetja: a u ka dhënë Prometeu vërtet njerëzve pjesën më të mirë? Këtu sërish gjërat bëhen të mjegullta. S'ka dyshim që njerëzit marrin atë pjesë që hahet prej kafshës së flijuar, dhe kjo, ngaqë vdekatarët kanë nevojë të ushqehen. Kushtet e tyre janë e kundërta e atyre të perëndive. Njerëzit kurrsesi nuk mund të jetojnë pa ngrënë, nuk janë të vetëmjaftueshëm.

Atyre u duhet të marrin burime energjie nga bota që i rrethon, pa të cilat ata marrin fund. Qeniet njerëzore dallohen ngaqë hanë bukën e mishin e flive dhe pinë verën e vreshtit. Perënditë nuk kanë nevojë të hanë. Ata nuk e njohin as bukën, as verën, as mishin e kafshëve të flijuara. Ata jetojnë pa ushqim, duke marrë vetëm pseudoushqime, si nektari dhe ambrozi, ushqimet e pavdekësisë. Gjallimi i perëndive është, pra, i një natyre krejt tjetër nga ai i njerëzve. Ky i fundit është një nëngjallim, një nënekzistencë, një nënfuqi: një energji me çastet e veta të eklipsit. Që ka nevojë vazhdimisht për rifurnizim. Sapo një qenie njerëzore përpiqet për diçka, ndihet e lodhur, e dërrmuar, e uritur. Me fjalë të tjera, në ndarjen e kryer nga Prometeu, pjesa më e mirë është pikërisht ajo që poshtë pamjes më oreksndjellëse fsheh kockat e zhveshura. Në të vërtetë, si te njeriu ashtu dhe te kafsha, kockat e bardha përfaqësojnë atë që ata kanë vërtet të çmuar, të pavdekshme. Kockat janë të patretshme, ato përbëjnë arkitekturën e trupit. Mishi zhbëhet, tretet, kurse skeleti përfaqëson elementin e përhershmërisë.

Te kafsha nuk hahet pikërisht ajo që nuk është vdekatare, e pandryshueshmja, ajo që, për rrjedhojë, i afrohet më shumë hyjnores. Për ata që i kanë krijuar këto rrëfenja, kockat janë edhe më të rëndësishme, ngaqë kanë brenda tyre palcën, atë lëng që sipas grekëve ka lidhje jo vetëm me trurin, por edhe me farën e mashkullit. Palca mbart gjallërinë e një kafshe në vijimësinë e vet në breza, siguron pjellorinë dhe trashëgueshmërinë.

Ajo është shenja që nuk jemi individë të veçuar, por mbartës femyesh.

Kështu, më së fundi, përmes maskaradës që sajon, perënditë marrin nga Prometeu pikërisht forcën jetësore të kafshës, ndërsa ajo çka marrin njerëzit, pra mishi, është vetëm kafsha e ngordhur. Njerëzit duhet të nginjen me një copë kafshe të ngordhur. Kjo ndarje i shënjon ata një herë e mirë si vdekatarë për nga natyra. Pra, këtej e tutje njerëzit janë krijesat vdekatare, të përkohshme, ndryshe nga perënditë, që janë të pavdekshme.

Nëpërmjet kësaj ndarjeje të ushqimit njerëzit janë damkosur me vulën e vdekshmërisë, ndërsa perënditë janë shënjuar me vulën e përjetësisë. Këtë gjë Zeusi e pa shumë mirë.

Nëse Prometeu do të kishte ndarë thjesht dy pjesë, në njërën anë kockat e në tjetrën mishin, atëherë Zeusi sërish mund të kishte zgjedhur kockat, pra forcën jetësore të kafshës.

Mirëpo, meqë gjithçka ishte shtrembëruar nga loja mashtruese, meqenëse mishi qe fshehur në gaster, dhe kockat ishin veshur me dhjamin e ndritshëm, Zeusi e pa që Prometeu donte t'ia hidhte. Pra, ai vendos ta ndëshkojë. Natyrisht, në këtë konflikt dredhish që ndizet midis Zeusit dhe Titanit', secili përpiqet t'ia hedhë tjetrit, sekush luan ndaj tjetrit si në një lojë shahu dhe jep goditje pas shpine, për ta hutuar kundërshtarin, për ta zënë mat. Më në fund, është Zeusi ai që fiton në këtë garë, por dhe ai e humbet disi drejtpeshimin nga manovrat e Titanit.


Fjale kyqe:
Prometeu perënditë njerëzit zeusi titanët dinak athinaja odiseu finoku mbret sundimtar rival lozha lojë mashtrime oreks pavdekshme kocka patretshme elemet përjetësia