1. Kryefaqe
  2. Të përgjithëshme
  3. Islamizimi te shqiptarët

Islamizimi te shqiptarët

image description

1. Arsyet dhe format e paraqitjes së islamizimit


Shkaqet e përhapjes relativisht të shpejtë të islamit në Siujdhesën Ballkanike1 - para së gjithash në Bosnjë dhe Shqipëri - nuk ishin religjioze por të llojit juridik dhe ekonomik. Sipas rregullave të së drejtës fetare (Fikh) i takonte çdo musliman të shtresës së lartë sunduese politike të Perandorisë Osmane, përderisa të gjithë jomuslimanët ishin të përjashtuar plotësisht nga të drejtat politike.2 Kalimi në islam kuptohej njëkohësisht edhe si ngritje në shtresën e lartë politike, që gëzonin privilegje të ndryshme. Shtresa e ulët jomuslimane - të ashtuquajturit „Rajah" - ishte gati pa të drejta dhe ishin të detyruar të paguanin tatim (dizja) të lartë për frymë të popullsisë.3 Këto përfitime ekonomike dhe privilegjore të shtresës së lartë muslimane ishin natyrisht një shtytje e fuqishme të „turqizohen" me pranimin e islamit. Në fakt kalimi në islam pasonte thuajse menjëherë pas pushtimeve turke. Në fillim ishin individë, të cilët „turqizoheshin", pastaj vinin fshatrat dhe më në fund gjithë krahinat dhe rajonet fisnore.

Ky zhvillim ndihmohej nga pasiguria e përgjithshme juridike dhe korrupcioni i sistematizuar, ku jo-muslimani në raport me nëpunësit turkë dhe feudalët ishte i përjashtuar. Ky drejtim i keq i administratës turke, i cili vërehej që nga fundi i kohës së vjetër osmane - pjesa e parë të shek. XVI dhe pastaj në kohën e mesme dhe të vonshme osmane merr përmasa të mëdha e që lidhej me sistemin e shitjes së posteve për çdo vit. Blerja e një posti shtetëror ishte një kapital, i cili duhej të shfrytëzohej sa më shpejt dhe mundësisht të sjellë rentë të lartë, ngase mbajtësi përkatës i ndonjë posti nuk ishte i sigurtë se a do të vijë apo jo ndokush tjetër në postin e tij. Prandaj nëpunësit turkë përpiqeshin me të gjitha mjetet në mënyrë të pamëshirshme të nxjerrin tatime të larta nga popullata e varfër dhe e torturuar. Përballë këtij despotizmi me shtypje të vazhdueshme popullata kishte mundësinë të zgjedhë mes ikjes në ndonjë krahinë tjetër (ose në Dalmacinë Jugore venedikase fqinje) dhe islamizimin. Nëse ndokush nuk donte ta lëshonte vendin detyrohej të „turqizohej". Të paktën kështu mund t'i ikej shtypjes së rëndë tatimore të aristokracisë muslimane dhe nëpunësve. Nga kjo arsye ekonomike shprehej përhapja e shpejtë dhe e pandalshme e islamit ndër shqiptarë pasi që islamizimi si lëvizje veç kishte filluar.

Islami ka ngulë këmbë në shumë vende të Siujdhesës Ballkanike: fillimisht në Bosnjë dhe Herzegovinë. Atje menjëherë pas okupimit turk të vendit (1463) një pjesë e madhe e popullsisë ka kaluar në islam - para se gjithash aristokracia. Motiv i padyshimt i aristokracisë ka qenë dëshira për mbajtjen e tokave; një arsye tjetër, e cila islamin atje e bënte aq popullor qëndron shumë më thellë. Anëtarët e religjionit bogomil, që ishte shumë i përhapur - e ashtuquajtur „kisha boshnjake"5 - për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj katolicizmit romak, pra mu për këtë pa rezistencë me dëshirë kanë pranuar islamin. Që nga mbarimi i shekullit të XV është bërë një „përforcim" si lëvizje e masës.6

Pastaj islamizimi prej shek. XVI përfshinte edhe krahinat tjera ballkanike. Atje pjesërisht ndikuan kushtet tjera psikologjike.

Në Bullgarinë Lindore përhapja e islamit mbështetej pjesërisht në „turqizim" të popullatës paraturke të krishterë (të ashtuquajtur „Pomakët" në Radope), ndërsa pjesa më e madhe mbështetej me ardhjen, ngulimin e bujqëve anado-turq dhe tatarë në mënyrë të planifikuar.7 Në ujdhesën e Kretës është bërë një islamizim në mënyrë të ngjajshme si në Shqipëri: pas okupimit turk (1669) bëhej një kalim masiv në islam, një pjesë si pasojë e shtypjes turke, dhe pjesa tjetër nga arsyet e njohura ekonomike.8 Përderisa greku më parë jepte lirinë se besimin, te shqiptarët mesatarisht ishte e kundërta. Shqiptari është i gatshëm të paguajë lirinë nga shtypja politike me çmimin e besimit të trashëguar. Kjo bindje ka gjetur shprehjen e saj në proverbin e njohur shqiptar „ku esht shpata, esht feja".9 Ky vlerësim tepër i vërtetë shqiptar i lirisë nacionale, sociale dhe personale ka lehtësuar „turqizimin". Ismalimizimi ka arritur përmasa më të mëdha në Shqipëri13 , ku atë fuqimisht përfshinte që nga fillimi i shek. XVI.

Burime të ndryshme na mundësojnë këtë ngjarje ta përcjellim prej shek. XVI deri në shek. XIX në proceset kryesore dhe t'i njohim shkaqet dhe pamjet e jashtme. Ne kemi një numër të madh të relacioneve Venedikasel 1 dhe Raguziane12 si dhe raportet e klerikëve vizitatorë13 të ipeshkvijëve katolikë që përmbajnë të dhëna të sakta mbi raportet e të krishterëve dhe muslimanëve në vende të veçanta dhe rajone fisnore. Këtyre u bashkangjiten edhe raportet e udhëtimeve. 14

Gjatë islamizimit në tokën shqiptare ka ardhur te paraqitja e çuditshme e një sinkretizmi religjioz.15 Kalimi, që gati përherë bëhej vetëm nga arsyet ekonomike, nuk ka ndryshuar fillimisht aspak në pikëpamjet, mënyrat e jetës dhe në zakonet e të „turqizuarëve". Shumëherë kalimin në islam e proklamonte, e bënte vetëm kryefamiljari me çka arrihej liria nga tatimet shtypëse për frymë të popullsisë. Anëtarët tjerë të familjes mbetnin në besimin e krishterë. Për këto shkaqe në ndonjë vend kalonte në islam vetëm një fshat i një fisi përderisa fshatrat tjerë mbeteshin katolikë.16

Të „turqizuarit" pranonin sipërfaqësisht islamin dhe shkonin të premteve në xhami për aq sa vëmendja nga rrethi musliman ishte e pashmangshme. Fshehtas i qëndronin besnikë fesë së tyre të krishterë, ata i përcillnin edhe mëtutje zakonet e krishtera të agjërimit, sakramentet, nderimin e shenjtërve dhe kultet relikte. Kështu deri në fillim të shek. XIX ka pasur një numër të madh të fshatrave dhe krahinave që kanë qenë „kriptokatolikë". Pikëpamjet e krishtera dhe zakonet zvetënoheshin në bestytni. Nga pikëpamjet bestytnike qëndronin këta të „turqizuarit" edhe mëtutje pranë zakoneve të hershme të krishtera, ata lavdëronin shenjtërit e tyre, shtegtonin në shenjtërore bile edhe i pagëzonin fëmijët e tyre, ata me pagëzim shihnin një mjet mbrojtës magjik.17 Mirëpo kohë pas kohe me kalimin e gjeneratave humb plotësisht vetëdija e besimit të krishterë e të „turqizuarve" sipërfaqësorë.

2. Fillet e „turqizimit": renegatat e veçanta


Isamizimi gjithkund filloi me „turqizimin" e individëve të cilëve me këtë u jepej mundësia për avansim, pasuri dhe pushtet.18 Pokështu ishte edhe në Shqipëri. Që nga okupimi i Shqipërisë nga Turqia ishte pjesëmarrës një renegat shqiptarë me influencë: Veziri i Madh Gedik Ahmed Pasha (mbytet më 1482).19 Raste të tilla të renegatës shqiptare mbesin prapë deri në gjysmën e dytë të shek. XVI pak a shumë të veçuara. Por që në shek. e XVI një numër i madh i shqiptarëve të „turqizuar" luanin një rol prirës në ushtri dhe administratën e Perandorisë Osmane. Prej shumë nacioneve, prej të cilave përbëhej shtresa e lartë e renegatës në Konstantinopojë, shqiptarët qëndronin në vendin e parë, pas tyre për nga numri dhe rëndësia vinin boshnjakët. Në fund të shek. të XVI në Konstantinopojë kishte një numër të madh të shqiptarëve renegatë në poste të larta, pos tjerash dy pashallarë, një Hasseki (gruaja më e dashur e Sulltanit), një dhëndërr i Sulltanit.20 Shumica e vezirëve atëherë kishin qenë me prejardhje shqiptare. Pranë të turqizuarve shqiptarë ishin edhe serbët dhe boshnjakët e turqizuar si elemente kryesore të shtresës udhëheqëse të renegatës që në atë kohë formohej në kryeqytetin e Perandorisë. Këta renegatë me pushtetin e tyre bëhen udhëhapës të islamizmit.21

Kështu në fillim u turqizuan vetëm të krishterët ambiciozë ose edhe familje të tëra që donin të bënin emër ose të paktën t'i shpëtonin ngarkesave tatimore, e para së gjithash tatimit për frymë të popullsisë dhe „haraçit në gjak" (turq. Dew§irme). Kalimi masiv në islam, si duket, pastaj, ka qenë në Bullgari dhe në aristokracinë boshnjake. Në krahinat tjera ballkanike një lëvizje e vërtetë e kalimit në islam është bërë së pari në mbarim të shek. XVI dhe fillim të shek. XVII, para së gjithash në Shqipëri. Familjet më të forta të vendit mundoheshin me anë të „turqizimit" ta shpëtonin pasurinë e tyre dhe të siguronin pozitën që kishin. Me kalimin në islam pranoheshin në shtresën e lartë muslimane ku fitonin të drejtat dhe përparësitë e tyre.

Një shembull i qartë është zhvillimi i dalluar i shtresës së renegatës në qytetin e Shkodrës.22 Kur me marrëveshjen venediko-turke (1479) Shkodra bëhet turke, një pjesë e shqiptarëve emigroi ndërsa me kohë pjesa tjetër e mbetur "turqizohej". Sipas një gojëdhëne (që nuk e jep kohën e saktë) thuhet se një ditë të gjithë pronarët e tokave kanë marrë urdhërin nga pashai që ta argumentojnë me shkrim pronësinë e tyre. Përgjigjja e tyre ishte se ata nuk posedojnë kurrëfarë shkrese për argumentimin e pronësisë, sepse ata pronat e tyre i kishin trashëguar me gjenerata. Kështu pashai iu lexon një ferman (urdhër) të Sulltanit, me të cilin të gjitha pronësitë e të krishterëve të cilët nuk e argumentojnë pronësinë me shkrim të shpallen toka të Sulltanit. Pastaj pronarët e tokave kishin një mundësi që ta merrnin një dëshmi turke e cila do t'ua kthente pronat, nëse ata do të kalonin në islam. Të gjithë pronarët e krishterë të tokave janë përpjekur që në këtë mënyrë t'i marrin përsëri tokat e veta e kështu si pasojë e saj turqizohen. Pastaj prishen edhe kishat e krishtera në Shkodër ose janë kthyer në xhami. Vetëm jashtë qytetit në bregun verior të Bunës është ruajtur një kapelë.

3. Zhvillimi i islamizimit deri në fillim të shek. XVII


Deri në mbarim të shek. XVI kalimet në islam kanë mbetur ende të kufizuara në renegata të vetme dhe ato familjare. Popullatën fshatare të Shqipërisë në atë kohë islamizmi ende nuk e kishte përfshirë. Në vitin 1577 Shqipëria Veriore dhe Qëndrore ishte krejtë katolike.23 Hierarkia katolike e vendit duket se ka qëndruar edhe mëtutje në shtrirjen e vjetër. Argjipeshkvijtë dhe priftërinjtë vërtet kanë vuajtur nën jotolerancën turke.24 Pastaj - kah fundi i shek. XVI - fillon islamizimi si lëvizje masive. Në fillim të shek. XVII në islam kishte kaluar përafërsisht e 30-ta. pjesë e popullsisë shqipatre.25 Që nga kjo pikë kohore filloi islamizimi të përhapet më shpejt. Qëkur Sulltan Selimi i II. më 1569 urdhëron konfiskimin e të gjitha të ardhurave të kishave të krishtera të Perandorisë (përveç në Konstantinopojë, Brussa dhe Adrianopol) bashkësitë e krishtera bien në një gjendje edhe më të pavolitshme.26 Falë vetëm gatishmërisë për flijim apostolik dhe qëndrueshmërisë së françeskanëve, që kishin marrë përsipër punën baritore-shpirtërore gjithëkund nëpër provincat turke në shekujt vijues në territoret katolike është mundur të kryhen punët baritore- shpirtërore. Mirëpo ky veprim u ka kushtuar me vdekje martire shumë françeskanëve misionarë guximtarë.27

Shematizmi i vitit 1577 i gjeografisë kishtare të Shqipërisë28 përmban të dhëna të vlefshme mbi gjendjen e dioqezave në veçanti. Në qytetetë e Shkodrës dhe Lezhës (Alessio) në atë kohë kishte "shumë të krishterë" në rrethin e arqipeshkvit të Krujës,29 300 fshatra të krishtera. „Vescouato Cinense",30 në jug 60 milje më largë kishte 80 fshatra të krishtera, poashtu edhe argjipeshkvia e mbetur jetime Stephana që shtrihej 80 mile larg kësaj, kishte nja 200. Është theksuar në mënyrë të qartë se në të gjitha këto famulli vlente riti latin dhe që këto famulli ishin nën përkujdesjen e argjipeshkëvit të Antivarit.* * Në rrugën prej Lezhës për Novobërdë, në një udhëtim që zgjatje prej pesë ditë që shpiente nëpër malsësitë veriore shqiptare, territori i rrugëtimit katër ditor, i takonte ritit latin ndërsa teritori i udhëtimit të ditës së fundit i takonte ritit „grek". Poashtu në zonën e banuar me serbë në Janieuo (Janjevë) dhe Trepcia (Trepçë) kishte katolikë.

Disa vite më vonë mësojmë nga raportet e vizitatorëve apostulikë hollësi të tjera të rëndësishme për gjendjen kishtare dhe politike të atëhershme në provincat ballkanike turke. Në fillim të vitit 1584 Papa Gregori i XIII, i cili përpiqej në mënyrë të veçantë për misionet orientale dërgonte dy vizitatorë apostullikë në Ballkan: Kanonistin e Zarës Allesandro Komulovic, dhe jezuitin Tommaso Raggio.31 Në raportet e vizitatorëve, në bazë të përshtypjeve, Komulovic e jep një pamje të qartë për gjendjen e Kishës në këto troje.32 Të krishterët jetojnë shumë të shtypur nga pushteti osman dhe e dëshironin lirinë. Popullata ballkanike e armatosur mirë do të kishte mundësi ta mobilizonte një ushtri të fortë. Vetëm në Veri të Shqipërisë - deri në pjesën kah Durrësi (Durazzo) - do të ishin nja 40.000 burra të aftë për luftë; i tërë ky rajon i takon Kishës katolike. Në „Epirusin e mbetur" (dmth. Shqipëria jugore dhe Epiri) dhe në Maqedoni numri i „grekëve" ishte shumë më i madh. Atje do të mund të jenë më tepër se 100.000 burra të aftë për luftë. Një mobilizim jo të lehtë do të mund ta paraqiste Hercegovina, Slavonia, Kroacia dhe Serbia. Në rajonin e Bosnjes dhe Danubit deri kah Beogradi kishte 200.000 të aftë për luftë dhe poaq në Bullgari. Numri i të krishterëve në Detin e Zi nuk do të ketë më pakë se 400.000.33 Nëse këto të dhëna të raportuara nga vizitatori ndoshta janë të tepruara, mund të konsiderohet si e sigurtë se në të gjitha këto territore një pjesë e madhe e popullsisë kishte ruajtur krishtenizmin.34

Pak më vonë një relacion në arkivin e Vatikanit (nga fundi i shek. XVI ose i viteve të para të shek. XVII) jep hollësi dhe të dhëna numerike, një paraqitje të pasur të rrethanave kishtare në Shqipëri.35 Autori, prift anonim, i këtij raporti thotë se vetëm një e tridhjeta e shqiptarëve janë muslimanë („turqë"), kurse të gjithë të tjerët janë të krishterë edhe atë katolikë të ndarë në shumë parti sipas prirjes së tyre për Papën, Venedikun ose Napolin.36 Venedikasit duke pasur parasysh interesat e tyre tregtare me Orientin, kërkonin të mbetnin në mirëkuptim të mirë me Portën, kështu refuzuan planin e përkrahur nga Roma dhe Napoli për kryengritjen kombtare shqiptare kundër sundimit turk.

Kjo paraqitje plotësohet nga një shkresë e një prifti vizitator e vitit 1599:37 numri i katolikëve në Shqipëri në atë kohë ishte 70.000 pa provincën kishtare të (An)Tivarit. Numri i ortodoksëve („serbë" dhe „grekë") ishte edhe më i madh. Në tërë Shqipërinë ishin vetëm 130 priftërinjë (meshtarë), që prej tyre një pjesë e madhe jetonte haptas në konkubinat. Numri i përgjithshëm i popullsisë - pa ortodoksë - ishte 150.000 shpirtëra.38 Kështu që numri i të „turqizuarve" do të duhej të ketë qenë poaq i madh sa edhe i katolikëve. Katolikët vuanin më shumë nga telashet otodokse (greke), se sa nga sundimi turk. Me kërkesën e „grekëve" është dashur të paguanin edhe kishat katolike për patriarkanën ekumenike në Konstantinopojë. Në këto kushte të vështira nuk ka qenë e çuditshme që shumë hoqën dorë - para se gjithash në mungesë të priftërinjëve - ata pjesërisht bëhen muslimanë, pjesërisht ortodoksë të ritit grek apo serb.

Një shembull i qartë i dobësimit kishtar në atë dhjetëvjetësh ishte historia e argjipeshkvisë së (An)Tivarit, që nga mesjeta e vonshme ka qenë si qendër e primatit të Serbisë dhe Shqipërisë. Në vitin 1571 (An)Tivari i Venedikut, mbas një mbrojtje trimërore, bie në duart e turqve. Argjipeshkëvi Johannes Bruno d'Olchinio (1551-1571) që kishte marrë pjesë personalisht në mbrojtje është burgosur dhe vdes pas disa vjetësh në burg. Me këtë fillon për këtë rajon, që deri në këtë moment ishte i pastër me katolikë, një krizë e rëndë. Kështu kohë pas kohe, priftërisë ortodokse nga Patriarkana e Pejës, e favorizuar nga Perandoria Turke, i shkon për dore të sprapsë dhe ta shtypë ritin latin.

Në qytetin e (An)Tivarit Katedrala e Shën Gjergjit shëndrrohet në xhami, ndërtesa argjipeshkvore bëhet rezidencë e guvernatorit turk. Nga 20 kishat e qytetit dhe 10 të rrethit, kursehen vetëm ajo e Shën Elisë dhe Shën Marisë „in Suburbana". Shenjtëroret tjera plaçkiten dhe shkatërrohen, konfiskohen pasuritë e kuvendeve (manastireve) dhe kishave. Një pjesë kalon në duart e ortodoksëve. Prej përafërsisht 30 Abacive të Benediktinëve dhe Bazilianëve (poashtu dhe Abacia e Shën Marisë e murgeshave - femrave - në Rotazio në bregdet, Abacia e benediktinëve në (An)Tivari dhe nga 7 kuvendet (manastiret) e françeskanëve, që e bënin provincën shqiptare, asnjë nuk i ka shpëtuar kësaj katastrofe. Katolicizmi që në sytë e turqëve ishte si religjion i armikut të vjetër Venedikut, e që ishte i urryer, duhej tani të zhdukej përfundimisht.

Argjipeshkvia e (An)Tivarit mbetet tashmë tetë vite jetime (pa argjipeshkëv). Pastaj emrohet Ambrosio Antonio Capizio (o.min.obs.) për argjipeshkëv. Gjatë gjithë kohës sa ishte në detyrë (1579-1599) nuk ka guxuar të rezidojë në qytetin e tij argjipeshkvor. Ai ka qëndruar në Budvë (Budua) të Venedikut fqinjë, prej ku ai pjesërisht kishte disa mundësi t'i kryente, udhëhiqte punët dhe detyrën e tij. Edhe në kohën e pasardhësit të tij Tommaso Orsini (o.s.fr., 1599-1607) s'ndryshon gjë.39

Argjipeshkëvi Ambrosio është përpjekur edhe me ndërmjetsimin e diplomacisë venedikase të ndikojë në marrjen e një urdhëri (nxjerrjen e një firmani) të Sulltanit, me anë të të cilit do të ishin mbrojtur personi dhe pronësia e argjipeshkvit nga veprimet arbrirtare të nëpunësve vendor turk. Nëpunësi venedikas nuk ishte munduar fare në këtë drejtim ngase ai ishte i mendimit se kjo nuk do të sillte gjë. Kur një ditë argjipeshkëvi, megjithatë, shkon nga qendra e atëhershme e Budvës (Budua), i pajisur si vizitatorë për në (An)Tivar, arrestohet dhe futet në bug nga turqit, rrahet me shufër, ku nga ky keqtrajtim edhe vdesë.

Pasardhësi i tij Tommaso Orsini e merr titullin „Vicarius Apostolicus in locis finitimis Turcicae dominationis". Para se gjithash ai është përpjekur ta mbajë fisin fqinjë serb të Pashtroviqëve (Pastrovici) larg nga shizma.

Vetëm Marino Bizzi, i cili në vitin 1609 emërohet argjipeshkëv i (An)Tivarit ia del, nëpërmjet lidhjeve të tija me një turk në detyrë të lartë të nxjerrë një firman, me anë të të cilit i sigurohet ushtrimi i plotë i jurisdiksionit argjipeshkvor në rrethin e tij pa pengesë.40 Sipas këtij firmani argjipeshkëvit të ri i mundësohet që në vitin 1610 të ndërmarrë një udhëtim vizitatorë nëpër Shqipërinë Veriore dhe Kosovën mbi të cilin udhëtim na ka lënë një raport shumë të vlefshëm.

Udhëtimi vizitatorë41 shpiente në tërë provincën kishtare në të cilën bënin pjesë Shqipëria Veriore dhe Dardania („Kosova"). Pikë nismëtare ishte qyteti Budva (Budua) në Dalmacinë venedikase. Prej aty udhëtimi shpiente në (An)Tivari, Lezhë (Alessio) nëpër teritorin Bregumatja në afërsi të vendit Krieja, pastaj nëpër krahinat malore Mirditë, Prizren, Novobërdë, Novipazar. Përshtypjet janë të shënuara në raportin e hollësishëm të vizitatorit me një pamje të qartë të përparimeve të islamizimit të asaj kohe. Përmasa e islamizimit vërtet ishte e ndryshme në treva të veçanta. Përderisa pjesa më e madhe e popullsisë së rezidencës të argjipeshkvisë së (An)Tivarit e kishte pranuar islamin, fshatrat e të gjithë këtij rajoni, pjesa mes (An)Tivarit dhe Lezhës, kishin mbetur ende të krishtera. Mirëpo islamizimi kishte filluar të depërtojë edhe në pjesët fshatare. Në disa fshatra veç kishte disa familje të "turqizuara". Tërësisht ishte islamizuar vetëm një fshat i vetëm. Në pjesët kufitare kah rrjedh lumi Mat dhe Ishmi islamizimi kishte arritur shkallën më të madhe. Familje të tëra bile edhe fshatra të tëra janë „turqizuar", për t'i ikur tatimeve. Raportet mes të krishterëve të mbetur dhe të turqizuarve ishin të mira. Disa kishin kaluar vetëm sipërfaqësisht por në brendi kishin mbetur të krishterë. Në një fshat muslimanët e martuar me gratë e krishtera jepnin kontributin e tyre për mjetet jetësore të priftërinjëve katolikë.

Në pellgjet e trevave të Dardanisë islamizimi poashtu ishte shumë i përhapur. Popullata e vjetër sllave ishte ortodokse. Katolikët ishin kryesisht popullatë e imigruar shqiptare të cilëve iu bashkohen edhe disa boshnjakë dhe raguzianë. Krejt ndryshe ishte gjendja e Kishës në krahinat malore të Shqipërisë Veriore. Atje islamizimi ende nuk kishte depërtuar fare. Luftëtarët e zellshëm të fiseve malore qëndronin të patundur në besimin katolikë.

Arsyet e turqizimit ishin vetëm të llojit ekonomik. Njerëzit përpiqeshin t'i largoheshin shtypjes tatimore. Prandaj shumë kaluan vetëm në mënyrë sipërfaqësore e ndërruan besimin e tyre. Nga këto premisa krijohet një sinkretizëm i çuditshëm religjioz. Të turqizuarit ruanin edhe mëtutje zakonet e tyre të krishtera e qëndronin pranë tyre. Në një fshat ata merrnin pjesë në festën kishtare të Shën Elisë sikurse edhe katolikët. Në disa vende i pagëzonin fëmijët e tyre sipas zakoneve të krishtera ngase në pagëzim shihnin një botkuptim magjik. Raportet mes të turqizuarve dhe të krishterëve duket të kenë qenë gjithkund të mira.

Si arsye kryesore e islamizimit të pandalshëm për argjipeshkvinë qëndronte në mungesën e priftërinjëve dhe edukimin me mangësi të paparamendueshme të klerikëve. Raporti vizitator cekte shumë shembuj të mjerueshëm. Dy priftërinjë në krahinën Bregumatja nuk dinin të shkruanin fare e shumë pakë të lexonin. Argjipeshkëvi ishte dashur që të dyve t'ua mësonte liturgjinë. Raste të tilla të paditurisë kishte edhe në vendet tjera. Padituria e priftërinjëve bartte shpejt në popull shumë bestytni. Këtu vijojnë poashtu edhe mangësitë morale të priftërinjëve.

4. Shtrirja e mëtutjeshme e islamizimit deri në mbarim të shek. XVII


Parashikimet e errëta të argjipeshkëvit Bizzi se në shtatë vjetët e ardhshëm edhe të krishterët e mbetur poashtu do të kalojnë në islam nuk u realizuan. Mirëpo „turqizimi" në dhjetë vjetët e ardhshëm mbërthehet fuqishëm. Një pamje të vështirë të rrethanave kishtare na jep një relacion i vitit 1621.42 Në atë kohë argjipeshkvia e Lezhës mbetet jetime për njëmbëdhjetë vjet. Françeskanët, të cilët e marrin përkujdesjen shpirtërore (puna pastorale) në këto famulli, ndërsa ia lejonin vetës lloj-lloj të drejte dhe përparimi, kishin kundërshtuar urdhërin e vikarit gjeneral të ipeshkvisë së tyre dhe bile fizikisht e kishin keqtrajtuar. Argjipeshkvia e Lezhës në atë kohë u nda në tri pjesë: në rajonin bregdetar, rajoni „Ultra Montes" (Dibra) dhe rajoni „Intra Montes" (Mati). Në pjesën bregdetare rrethanat kishtare deri në një masë ishin të kënaqshme. Gjendja shumë e keqe ishte në pjesën e Dibrës. Atje nuk kishte fare klerikë. Populli ishte lënë plotësisht jashtë dore dhe kishte humbur plotësisht mardhëniet e brendëshme me jetën kishtare, u kishin mbetur vetëm emrat e krishterë. Kishat e atjeshme krahasoheshin me strofullat e hajdutëve.43 Rajoni „intra montana" ishte shkretuar plotësisht nga hajdutët e përhershëm. Kishat ishin shkatërruar. Jeta kishtare është shuar. Në atë kohë ngjajshëm ishte edhe në famullitë tjera. Në vitin 1623 rrethanat kishtare edhe në argjipeshkvinë e Shkodrës ishin në rënie të plotë.44  Firmani i Sulltanit, që i jepet argjipeshkëvit Marino Bizzi në vitin 1609,45 nuk e kishte dhënë mbrojtjen e popullatës së krishterë nga intoleranca turke për të ardhmen. Në periudha të caktuara kohore edhe priftërinjët e krishterë bien viktimë e intolerancës turke. Kështu në vitin 1624 prifti i zellshëm Markus nga Chisagnio, nga një fshat i cili sot nuk ekziston më, burgoset dhe pasi që ai refuzon kalimin e tij në islam vritet. Kufoma e tij, mbas një pagese që kishin dhënë besimtarët e tij për nxjerrjen e saj, varroset në famullinë e vendlindjes.46

Në vitin 1630 për habi të tij kishte vërejtur vizitatori klerik se në fshatin Vilesa në rajonin malor të Drinit gjysma e popullsisë kishte kaluar në islam.47 Mu në ato vite islamizimi kishte depërtuar fuqishëm. „Turqizimi" ishte bërë një dukuri e zakonshme, të "turqizuarit" më nuk mënjanoheshin nga katolikët e mbetur besnikë. Vizitatori pohonte se të krishterët dhe renegatët jetonin sëbashku në një shtëpi e në një familje.48 Mirëpo në brendinë e Malësisë së Shqipërisë Veriore islami në atë kohë nuk kishte shtrirje që ia vlen të përmendet.49

Një relacion i vitit 1634 përshkruan ipeshkvinë e Pultit.50 Popullata e kësaj krahine kodrinore numronte më shumë se 20.000 shpirtëra të krishterë. Pasi që në tërë rajonin janë vetëm dy priftërinjë, ku njëri prej tyre për shkak të moshës vështirë e kishte të lëvizte, kanë bërë që disa të krishterë në një numër të vogël të kalojnë në islam. Ky fis përbëhej prej luftëtarëve trima sa s'thuhet, të cilët para pak muajsh sanxhakut turk, që kishin pasë dashur ta vënin nën kontrollë këtë rajon, ua kishin shkaktuar një humbje me përmasa shkatërruese. Për religjionin dhe sendet religjioze ata dijnë vërtet pak, mirëpo ata i qëndrojnë besnikë krishtenizmit.

Në rajonin e Kosovës popullata e imigruar shqiptare qëndronte në besimin katolik.51 Tërë ky rajon i takonte argjipeshkvisë së (An)Tivarit. Një pjesë e madhe e popullsisë e këtij rajoni ishte ortodokse dhe ishin nën patriarkun serb të Pejës (Ipek). Në atë kohë një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare ishte detyruar të kalojë në islam. Në qytetin e Prizrenit kishte 12.000 muhamedanë („turq"), gati të gjithë me prejardhje shqiptare, përveç këtyre kishte vetëm 200 katolikë dhe 600 ortodoksë. Më herët në fushat përreth shumë fshatra kishin qenë katolikë, mirëpo për shkak të mungesës së priftërinjëve dhe trysnive turke kishin kaluar në islam. Nga e njëjta arsye brenda katër vjetëve në 200 fshatrat e krahinave malore të Shqipërisë Veriore diku 2000 shpirtëra kishin kaluar në „sekte osmane". Ata prifta të pakët që janë, janë aq të pashkolluar sa që shumë pak e dijnë alfabetin. Prandaj detyrë e madhe në të ardhmen është - këtë e thekson vizitatori në raportin e tij shkoqur - rritja dhe edukimi i priftërinjëve në mënyrë të planifikuar.

Qyteti i Shkupit është i banuar nga pjesa më e madhe me muhamedanë e që shumica ka prejardhje shqiptare. Katolikë janë 17 familje me 50 shpirtëra.

Në Kratovë janë 40 shtëpi katolike me diku 160 shpirtëra, në Karadak - Mali i Zi i Shkupit, diku 4000 katolikë.

Novobërda është e banuar nga muhamedanët, serbët dhe katolikët (400 shpirtëra), Jagneuvo (Janjeva) prej muhamedanëve dhe serbëve. Përveç këtyre atje janë edhe 400 katolikë.

Në rajonin e Prishtinës jetonin muhamedanët, serbët si dhe nja 100 katolikë. Para një kohe të shkurtë kanë imigruar nga Shqipëria edhe 10 familje tjera katolike.

Trepça ka 50 familje katolike me më tepër se 200 shpirtëra. Procopoe (Prokuplje) disa familje katolike shqiptare, në Jagodno 10 shtëpi katolike.

Interesant është një shënim mbi raportet gjuhësore: Katolikët e Prizrenit flisnin shqip dhe sllavisht ndërsa nëpër fshatra flisnin vetëm shqip.

Fati i kishës katolike në të gjitha këto pjesë ishte i lidhur ngusht me raportet politike mes Perandorisë Osmane dhe fuqive katolike fqinje. Në përgjithësi ipeshkëvijtë katolikë përpiqeshin të qëndrojnë jashtë politikës. Mirëpo në vitin 1645, pas shpërthimit të luftës venediko-turke në Kretë (1645-1669), ipeshkëvijtë katolikë të Durrësit, Shkodrës dhe Lezhës të nxitur nga argjipeshkëvi i (An)Tivarit, të kurdisin një komplot politik në favor të venedikasëve, me qëllim që venedikasit ta marrin, ta kenë në dorë qytetin e Shkodrës. Plani zbulohet dhe dështon. Kjo ka qenë një arsye e re e mëtutjeshme për përndjekjen e popullsisë katolike. Argjipeshkëvijtë e Shkodrës dhe Sapës ishin detyruar të iknin në teritorin venedikas, për t'iu shmangur vdekjes. Dy françeskanë, Ferdinandi nga Abbisola dhe Jakobi nga Sarnano, që trimërisht qëndruan në Shkodër, i ngulën në hu të gardhit me urdhërin e pashait, ngase ata e kishin refuzuar kalimin në islam. Popullsisë katolike i rritet shtypja tatimore dhe të gjitha dredhirat e ndryshme administrative. „Turqizimi" e merr një vrull rishtas të madh. Shumica i shmangen „turqizimit" me ikje. Kështu 3000 shqiptarë katolikë ikin në rajonin e Venedikut fqinjë (Dalmacinë Jugore), që t'i lagohen shtypjes.52

Rreth kësaj kohe - kah mesi i shek. XVII - lëvizja e kalimit (në islam) kishte marrë përmasa të mëdha. Në Shqipëri numri i katolikëve duhej të kishte ra prej 350.000 në 50.000.53 Sipas një relacioni të vitit 1648 në atë kohë në pjesën bregdetare të Zadrimës kishin qenë 1000 shtëpi, 700 prej tyre të krishtera, të tjerat muslimane. Ortodoks kishin qenë vetëm disa shtëpi, të cilat me ndikimin e ipeshkëvit katolikë kalojnë në katolicizëm.54

Në të njëjtin vit 1648 qyteti i Ulqinit (Dulcigno) ishte gati i tërë përfundimisht musliman. Nga qyteti depërtoi islamizmi nëpër fshatrat e rrethinës.55 Në rajonin e atjeshëm bregdetar të „Markoviqëve" („Markovici") kishin „reneguar" të gjitha fshatrat.56 Reth të njejtës kohë islamizmi kishte përfshirë gati gjithë rajonin e Durrësit. Një relacion57 për një vizitacion që ka të ngjarë se kishte ndodhur pak vite pas vitit 1640, e tregon këtë në mënyrë shumë të qartë. Qyteti i njohur ishte dobësuar shumë. Kishat ishin shëndrruar në gërmadha, pjesërisht ato ishin prishur nga ndikimi i motit e pjesërisht nga hidhërimi shkatërrues turk. Vetëm disa bashkësi kishtare kishin mbijetuar. Këto bashkësi kishin një numër të vogël të besimtarëve. Shumë bashkësi kishin kaluar në islam,58 dhe vetëm në 50 vjetët e fundit.59 Tani më e 100-ta pjesë e popullsisë nuk ishte e krishterë, dhe ishte për tu friguar - kështu thotë vizitatori - që edhe ata pak të mbetur që qëndronin ende në krishterizëm, do të heqin dorë poashtu brenda 10 viteve.

Po kështu islami tashmë ishte në epërsi në ipeshkvitë e Krujës, Lisia (Lezha), Benda dhe Albanum, pra në ato krahinat malore të Shqipërisë Qendrore. Në luginën e Drinit të Zi (ipeshkvia Canova) islami ishte zotrues i vetëm.60

Njëkohësisht islamizimi kishte depërtuar edhe në pelgjet e Shkodrës. „Turqizohen" fshatra të tëra, për t'i ikur ngarkimeve të padurueshme tatimore. Poashtu keq ishte edhe me ipeshkvitë sufragane të Durrësit. Në Krujë61 ishte zhdukur ish kisha ipeshkvore, ndoshta ajo është djegë nga turqit. Në shumicën e fshatrave të ipeshkvisë së Krujës veç në atë kohë shumica e popullsisë kishte kaluar në islam. Ngjajshëm qëndronte edhe ipeshkvia fqinje Lisia (Lezha),62 që përfshinte krahinat malore si Mirditën dhe Matin. Edhe këtu pjesa më e madhe popullsisë kishte kaluar në islam. Të njëjtën pamje e jepnin edhe ipeshkvitë jugore Benda63 dhe Albanum (Elbasani).64 Kisha ipeshkvore në Elbasan ishte shkatërruar nga muhamedanët. Popullata e qytetit përbëhej tani vetëm prej muslimanëve dhe ortodoksëve „grekë". „Grekët" ishin armiqtë edhe më të mëdhenjë të katolikëve se „turqit". Edhe më keq ishte në ipeshkvinë Canova (Dibër),65 që përfshinte pellgjet e Drinit të Zi. Në tërë ipeshkvinë nuk ishin 350 katolikë, ndër ta as 40 burra.

Një relacion tjetër i vitit 1648 na jep një pamje për përbërjen e ipeshkvive sufragane të veçanta të provincës kishtare të Durrësit.66 Pastaj në atë kohë në rrethin metropolitan të Durrësit kishte 25 famulli me 2520 shpirtëra, në ipeshkvinë Canova 23 famulli (600), në ipeshkvinë Albanum (Elbasani) 17 famulli (3610), në ipeshkvinë Benda 17 (2988), në ipeshkvinë e Krujës 23 famulli (3863), në ipeshkvinë Lisia 28 famulli (11606).

Rrethi metropolitan i (An)Tivarit67 në atë kohë kishte vetëm edhe 5000 katolikë. Në Spizza (Spic) pjesa më e madhe e popullsisë kishte kaluar në ortodoksi.

Është me vlerë të madhe për njohuri tona mbi gjendjen kishtare në Shqipëri në mesin e shek. XVII një relacion i misionarit Francesco Leonardi të vitit 1648.68 Në përgjithësi këtu përshkruhet gjendja në Mal të Zi (Zenta). Popullata që numronte mbi 80.000 shpirtëra, i takonte ritit serbo-ortodoks. Një entuziazëm kishtar atje nuk vërehet. Vetëm agjërimet e parashikuara i kryenin në mënyrë të rreptë të pabesueshme. Sikur të kishte pasur misionarë të përshtatshëm, mirë do ta kishte fituar popullatën për një union kishtar. Në Mal të Zi ka disa katolikë si fisi Këlmendi dhe Gruda që se ishin pa prift.

Argjipeshkvia fqinje e (An)Tivarit është e rrethuar nga ortodoksët. Me ndikimin ortodoks shkrihet popullata katolike. Qyteti i Shkodrës është i banuar nga pjesa e madhe e të krishterëve. Ipeshkvia me
20.000 shpirtëra ishte pa ipeshkëv. Prandaj tashmë në vijën bregdetare të Markoviqëve (Markovici) janë turqizuar fshatra të tëra. Në argjipeshkvinë Sfoccia e bashkuar me ipeshkvinë fqinje të Shkodrës, fshatra të tëra nga shtypja tatimore turke kalojnë në islam;69 ngjashëm ishte edhe me ipeshkvinë e Ulqinit (Dulcigno), e cila ishte poashtu e bashkuar me Shkodrën; qyteti tashmë ishte përfundimisht musliman. Nga qyteti islamizimi depërton edhe nëpër vende përreth. Banorët e krishterë kalonin në shërbim të zotërinjëve turkë dhe humbnin fenë e krishterë.70

4. Gjendja morale ndër klerikët ishte shumë e keqe.


Priftërinjët i kalonin kufijt e rregullave kishtare, ata kërkonin për punën e tyre një pagesë të pabesueshme, sa që profesioni i tyre rritet e kalon në një tregti. Pashkollimi i klerikëve të vegjël ishte i paparamendueshëm. Për shkak të kësaj mungese jeta kishtare shkatërrohet. Kishat ishin lënë pas dore dhe gati plotësisht pa mjete të shenjta.

Relacionet me të dhënat numerike na ofrojnë, pra, një pamje të saktë.71 Katolicizmi - para se gjithash në provincën kishtare të Durrësit - me përparimet e islamizimit ka pësuar humbje të tmerrshme. Përballë kësaj gjendjeje dëshpruese të gjithë vizitatorët jepnin mendimet e tyre praktike për përmirësimin e gjendjes. Vetëm kleri me një moral dhe ndjenjë të lartë, të ngritur mund ta ndalë depërtimin e mëtutjeshëm të islamizimit. Në përgjithësi ishte më lehtë dhe më e durueshme të veprohet me banorët e rrafshit se sa me banorët malsor të papërmbajtshëm. Kleri është plotësisht i paaftë, bile edhe me françeskanët edukimi kishtarë është dobësuar. Por entuziazmi serioz i një çete të françeskanëve bie në pjesën e dytë të shekullit. Madje edhe mes ipeshkvijëve kishte grindje. Ata akuzonin njëri tjetrin për uzurpim gjatë vakancës (emrimi nëpër poste).

Edhe shtegtari turk Ewlija Tschelebi (vdes më 1680) në librin e tij të njohur të udhëtimit (sejahetname) jep të dhëna shumë të vlefshme për Shqipërinë, që si duket e kishte vizituar disa herë.72

Mbas mesit të shek. XVII islami bënte robërimin më të madh në rajonin e ipeshkvisë së Durrësit. Kur vizitatori apostolik Shtjefën Gaspari në vitin 1672 i bëri një udhëtim vizitator kësaj ipeshkvie,73 për habi të tij ai konstatoi se gjatë dy tre dekadave të fundit një numër i madh i fshatrave kishte kaluar në islam për t'iu ikur tatimeve shtypëse.(74)

Në shumë fshatra në besim të vjetër qëndronte vetëm edhe një numër i vogël i grave. Një numër i madh i fshatrave posaçërisht në krahinën malore Çermenika janë "turqizuar" nën udhëheqjen e famullitarit të tyre të deritanishëm. Kalimi në islam bëhej gjithkund për shkaqe materiale; prandaj disa bashkësi, të cilat sipërfaqësisht ishin „turqizuar", qëndronin fshehurazi në fe të tyre të vjetër.75 Në disa bashkësi të shtypura nga tatimi të detyruar të turqizohen, ata si rrugëdalje kanë zgjedhur që nga secila familje të kalojë vetëm nga një në islam. Kjo nuk ndikoi gjë. Bashkësia ishte e detyruar edhe mëtutje të paguante tatimin.76 Atëherë vetë në qytetin e Durrësit ishin vetëm dy katolikë, e tërë popullata tjetër e qytetit ishte muslimane ose ortodokse.

Se sa kishte përparuar islamizimi në fillim të shek. XVIII mësojmë nga dy statistikat kishtare katolike të vitit 1703 dhe 1708, ku për ipeshkvitë dhe famullitë në mënyrë të veçantë japin numrin e familjeve dhe të shpirtërave të të tre besimeve - Katolikëve („Christiani"), muslimanëve („Turchi"), ortodoksëve („Scismatici").77 Nga këto, për vitin 1703 del kjo pamje: në gjashtë bashkësitë famullitare, të cilat i takonin argjipeshkvisë së (An)Tivarit në rajonin e shtetit Osman, tashmë mbizotrojnë muslimanët në masë të madhe. Në numrin e përgjithshëm të popullsisë prej 6691 shpirtërave, 3714 janë muslimanë, 2046 katolikë dhe 931 otodoksë. Këtu shtohet edhe fisi Markovici („li Popoli Markovichi") i cili me 19 shtëpi e popullonte rajonin mes (An)Tivarit dhe Ulqinit. Ky fis përfshinë diku 1000 muslimanë dhe 250 otodoksë.

Në krahinën fqinje, Karina, nuk ka fare katolikë. Qyteti i Ulqinit me shtëpitë përreth ("Villete) kishte popullsinë gjithë muslimane në një numër prej 4000 shpirtëra. Në vend të hapur janë 6361 muslimanë dhe vetëm 1186 ortodoksë përball.

Në ipeshkvinë e Shkodrës janë 19 bashkësi famullitare, 14 prej tyre në rrafsh dhe 5 në malësi. Në rrafsh katolikët dhe muslimanët kishin një numër gati të barabartë: 1341 katolikë, 1296 musliman, 31 ortodoks. Në malësi katolikët e kishin një numër tepër më të madh: 2355 Katolikë, 1552 muslimanë, 144 ortodoksë.

Ipeshkvia e Sapës (Zadrimës), që në pjesën jugore kufizohej me lumin Drin, e jep të njëjtën pamje: në malësi kishte 639 muslimanë ndërsa 7959 katolikë, ortodoksë nuk kishte. Në rrafshina të kësaj ipeshkvie kishte 6191 katolikë dhe 1430 muslimanë, ortodoksë nuk kishte.

Ipeshkvia fqinje e Lezhës përbëhet vetëm prej ultësirave (kishte 2327 katolikë, 777 muslimanë). Edhe këtu mungojnë ortodoksët.

Për argjipeshkvinë e Durrësit statistika thekson në veçanti se para 40 vitesh kishte 4 ipeshkvi sufragane dhe famulli të shumta, tani ishin shkrirë për shkak të turqizimit.78 Në rrafsh muslimanët tashmë numronin 3232 pjestarë ndërsa katolikë ishin 1795. Ortodoksë nuk kishte. Në malësi ishin 5626 katolikë dhe 6321 musliman, ortodoksë nuk kishte.

Mbi famullitë e argjiipeshkvisë së Durrësit jepen të dhënat e qyteteve dhe fshatrave përreth, të cilat janë vetëm muslimane; i gjithë kantoni malorë i Matit, fshatrat mes Shqipërisë së ulët me qytetet më të rëndësishëme Durrësin, Krujën dhe Tiranën.

Statistika Kishtare e vitit 170879 - pesë vjet më vonë - për fat të keq e jep vetëm numrin e katolikëve. Megjithatë nga kjo ne nxjerrim një pamje të islamizimit.

Në argjipeshkvinë e (An)Tivarit numri i katolikëve ishte rritur shumë: prej 2046 në 2653. Edhe më e veçuar ishte rritja e numrit në ipeshkvinë e Shkodrës. Brenda pesë vjetësh numri i katolikëve është rritur prej 3696 në 14.217, pra katër herë më shumë. Për këtë është vështirë të jepet një shpjegim i besueshëm.

Këto dy statistika kishtare të vitit 170380 dhe 170881 tregojnë se islamizimi në fund të shek. XVII kishte arritur suksesin më të madh. Në atë kohë në pjesën e rrafshtë të ipeshkvisë së Shkodrës kishte dy herë më shumë muslimanë se katolikë. Në malësi të Shkrelit, Rrjolit, Kastratit, Hotit, Këlmendit dhe Grudës, që i takonin të njëjtës ipeshkvi muslimanët e përbënin vetëm 1/4 e gjithë popullsisë. Në Ipeshkvinë e Sapës (Zadrima) islamizimi ishte vetëm në fillim. Në rrafshinë ishte turqizuar vetëm 1/5 e popullsisë, në malsi diku 1/4. Në ipeshkvinë e Lezhës në islam kishte kaluar vetëm 1/7 e popullsisë. Në argjipeshkvinë e Durrësit në rrafshinë kishin kaluar 2/3, në malësi më tepër se gjysma. Popullata e Matit kishte kaluar e tëra në islam, poashtu edhe qytetet e rëndësishme Kruja, Tirana dhe Durrësi. Pjesa e Shkumbinit dhe Drinit të Zi nuk ceket fare. Islamizimi atje tashmë kishte fshirë të gjitha shenjat e jetës kishtare.

Këta numra tregojnë se islami qysh atëherë e kishte arritur shtrirjen e sotshme në Shqipërinë e dikurshme katolike. Mirëpo përparimet e islamit bëhen edhe gjatë gjithë shek. XVIII dhe XIX. Por islami që këtu përhapej më tepër në kurriz të kishës greko-ortodokse në Shqipërinë Qendrore e Jugore.82

Me islamizimin e shqiptarëve fillon një lëvizje e përhapjes së karakterit popullor shqiptar, para së gjithash në Kosovë. Popullata shqiptare, e cila atje kishte imigruar në mesjetën e vonshme në pjesën e dytë të shekullit XVII fillon një dyndje masive83 e shqiptarëve, të cilët fillimisht i qëndronin besnikë besimit katolikë84 e që më vonë turqizohen. Që nga viti 1634 një pjesë e madhe e pupullsisë shqiptare të Kosovës duhet të ketë kaluar në islam. Në qytetin e Prizrenit në atë kohë kishte 12.000 muslimanë („turq"), gati të gjithë me prejardhje shqiptare, përveç kësaj vetëm 200 katolikë dhe 600 ortodoksë. Dikur në fushat përreth kishte pasur shumë fshatra katolike (pra, shqiptare), por në mungesë të priftërinjëve dhe për shkak të telasheve nga ana e turqëve aristokratë ata turqizohen. Nëpër fshatra katolikët përdornin vetëm gjuhën e tyre shqipe ndërsa në qytetin e Prizrenit shumë e kishin mësuar edhe gjuhën sllave. Ngjajshëm si në Prizren ishte edhe në qytetin edhe më të madh të Shkupit. Këtu pjesa më e madhe e muslimanëve ishte me prejardhje shqiptare.85

Edhe në malësi kishte depërtuar islami. Kështu në rrethin e Pukës turqizohen një numër i familjeve të krishtera për të mbetur mirë me lidhjet me turqit. Raporti mes të turqizuarve dhe të krishterëve nuk ndryshon fare, mbetet i paprekur. Të turqizuarit qëndronin edhe mëtutje pranë zakoneve të tyre të hershme të krishtera dhe i lavdëronin edhe mëtutje shenjtërit vendorë të zakonshëm.86

Ky islamizim i jashtëm "kosovar" i rajonit të Gjakovës, Prizrenit, Pejës bëhet, para se gjithash në pjesën e dytë të shek. XVII. Shqiptarët katolikë të Veriut i ishin bashkangjitur depërtimeve të ushtrisë austriake kundër turqëve (1689). Kur tërhiqen austriakët këta shqiptarë, për ta shpëtuar jetën e tyre, ishin të detyruar ose të iknin bashkë me austriakët ose të islamizoheshin në mënyrë sipërfaqësore ku duhej të merrnin emra turkë dhe të shkonin në xhami, mirëpo ata feshehtasi e jetonin jetën dhe zbatonin ritet katolike. Këta kriptokatolikë emrohen si „laramanë"87 . Argjipeshkvitë katolikë të Shkupit ishin të detyruar ta lejojnë këtë „kriptokatolicizëm", të detyruar nga gjendja e rrezikshme, që këta kriptokatolikë edhe pas „turqizimit" mëtutje të merrnin sakramentet.

Ndryshe zhvillohej situata në Shqipërinë ortodokse Jugore. Ndër kantonet e ndryshme në malësi të atjeshme, rajoni i Himarës (Chimara)88 , mbanin një qëndrim të veçantë të papërkulshëm ndaj besimit ortodoks dhe dashurisë së lirisë. Banorët luftarakë të malësisë bregdetare akrokeraunike duronin zgjedhën e sundimit të dhunshëm turk vetëm me mëri të tepërt. Prej Himarës janë përsëritë tentimet për një kryengritje të armatosur. Bisedimet janë bërë me Venedikun, Spanjën dhe Kurien papnore që të kërkonin prej këtyre fuqive dërgimin e armëve, ndihmën ushtarake dhe përkrahjen financiare. Një sukses i vërtetë i këtyre përpjekjeve për liri megjithatë dështoi. Himara mbeti e turqëve, por mbeti e „paturqizuar". Islami aty nuk gjeti vend.

Georg Stadtmuller

Fjale kyqe:
islami religjioni ekonomik juridik rajah turqëzimi rajonet fisnore muslimanë katolikë lumi drin statistika kisha ipeshvia malsia kriptokatolicizmi ortodoksia xhamia popullsia famullitë karakteri popullor sllavët perandoria osmane otomanët