1. Kryefaqe
  2. Politeizëm
  3. Nëna universale dhe kaosi

Nëna universale dhe kaosi

image description
Kështu pra, merr fund lufta e perëndive. Titanët janë mposhtur, olimpasit ngadhënjyes. Në të vërtetë, asgjë nuk është zgjidhur, sepse pas fitores së Zeusit, në çastin kur duket se bota ka rënë më në fund në paqe, sikur mbretëron një rend përfundimtar, i qëndrueshëm e i drejtë, pikërisht në atë çast Gjea sjell në jetë një qenie tjetër më të re që quhet herë Tife, herë Tifon. Ajo e ngjizi duke rënë në dashuri, me nxitjen e "Afërditës së artë", siç e thonë traditat, me një personazh mashkull që quhet Tartar. Është vetë ai hon që, në vetvete, thellë brenda saj, një lloj pasardhësi, jehonë e Kaosit të kryehershëm.

I nëndheshëm, mjegullor, i mugët si nata, Tartari i përket një fisi krejt të ndryshëm nga fuqitë qiellore që janë perënditë olimpase, a madje edhe Titanët. S'ka shumë që kur Titanët u përzunë nga qielli, duke i degdisur në fund të Tartarit, për të qëndruar aty të ngujuar përgjithmonë, që Gjea zgjedh pra, për të lindur një tjetër fëmijë dhe të fundit, të bashkohet pikërisht me këtë Tartar mbretëria e të cilit gjendet në skajin e kundër të qiellit. Gjea gjendet, si dysheme e botës, në gjysmë largësi midis qiellittë shndritshëm dhe Tartarit të mugët. Po të lëshoje nga zgripi i qiellit një kudhër tunxhi asaj do t'i duheshin nëntë ditë e nëntë net që të mbërrinte në tokë ditën e dhjetë. Dhe të njëjtës kudhër, po të binte nga toka poshtë, do t'i duhej po aq kohë për të mbërritur gjer në Tartar. Duke krijuar Uranin, që pastaj të bashkohej me të seksualisht, Gjea lindi gjithë fisin e perëndive qiellore. Si mëmë e gjithësisë, ajo ngjiz gjithçka, parasheh gjithçka. Ajo zotëron dhunti orakulli dhe një trajtë parashikimi që i lejon, për shembull, në kohë lufte, t'u tregojë të zgjedhurve të saj mënyrën e fshehtë, dredharake sesi mund të arrihet fitorja. Mirëpo, Gjea është edhe dheu i zi, toka e mjegullt. Brenda saj vazhdon të mbetet diçka kaotike, primitive. Ajo s'ndjehet plotësisht mire midis atyre perëndive që banojnë në eterin e ndritshëm, aty ku nuk shfaqet kurrë ndonjëherë as reja më vocërrake. Ajo nuk ndihet as aq e respektuar sa ç'e meriton nga ata personazhe që, nga maja e Otrisit ne majën e Olimpit, përleshen pa mëshirë për të sunduar botën.

Në fillim, e mbajmë mend që ishte Kaos. Pastaj Gjea, mëma e gjithësisë, është në fakt e kundërta e Kaosit, por, në të njëjtën kohë, ajo ka një farë ngjashmërie me Kaosin. Jo vetëm ngaqë thellë brenda saj, me Tartarin, me Erebin, ka një element kaotik, porse sepse ajo doli në jetë fill pas tij. Sikur të mos qe ajo, në kozmos s'do ekzistonte gjë tjetër përveç Kaosit.

Qenia që ajo do të krijojë e që do të vërë në pikëpyetje jo vetëm Zeusin, por gjithe sistemin hyjnor olimpas, është një qenie ktonike, apo "tokësore": Ktoni është termi për token në anën e saj të zymtë, kanosëse dhe jo toka si nënë, truall I sigurt për të gjitha qeniet që ecin dhe mbështeten në të. Kjo figurë e përbindshme që mbrujti Gjea, është një krijesë krejt e pazakontë: gjigant, i kryehershëm, me cilësi njerëzore e jo njerëzore njëkohësisht. Me një forcë të tmerrshme, ai ka fuqinë e Kaosit, të primitives, të pështjellimit. Gjymtyrët i ka po aq të fuqishme sa ato të Njëqindkrahëshve, krahë i varen pas shpatullave me një fuqi, zhdërvjelltësi e forcë të tmerrshme.

Këmbët e tij mbështeten fort në tokë, janë të palodhshme e gjithmonë në lëvizje. Është qenie veprimi, lëvizjeje. Nuk është si ata përbindëshat e disa miteve të Lindjes së Aferme, një masë e rëndë dhe e amullt, që vetëm në disa çaste rritet e që vepron vetëm si fuqi kundërshtuese, duke rrezikuar të zërë gjithë hapësirën mes tokës e qiellit. Jo, Tifoni është gjithë kohës në lëvizje, duke goditur e frushkulluar gjatë tërë kohës këmbët e shalët. Ka njëqind koka gjarpri, por njëqind koka gjarpri secila me nga një gjuhë të zezë që u del nga goja. Dhe këto njëqind kokë kanë secila nga një palë sy që lëshojnë flakë përvëluese, një flakërimë që i ndriçon këto koka gjarpri e që në të njëjtën kohë tret gjithçka aty ku hedhin vështrimin.

Por çfarë rrëfen, ky përbindësh i llahtarshëm? Ai përdor shumë zëra: nganjëherë flet gjuhën e perëndive, herë të tjera atë të njerëzve. Në raste të tjera, ai lëshon klithmat e të gjitha kafshëve të egra që mund të përfytyrohen: vrumbullit porsi luan, pëllet si dem. Dhe zëri i tij, mënyra se si flet merr po aq forma të ndryshme e të larme sa edhe vetë pamja e tij krejt groteske. Qenia e tij përfaqëson shumë më pak një thelb të veçante sesa një përzierje të ngatërruar të të gjitha gjërave, një bashkim te një individ i vetëm të tipareve më të kundërta dhe të papajtueshme. Sikur ky përbindësh, kaq kaotik në pamje, në të folur, në vështrim, në lëvizshmëri e fuqi, do të ngadhënjente, atëherë rendi i Zeusit do të kishte marrë fund.

Pas luftës mes perëndive dhe mbërritjes se mbretërisë së Zeusit, lindja e Tifeut a Tifonit përbën një rrezik serioz për rendin olimpas. Fitorja e tij do të kishte shënuar kthimin e botës në gjendjen e kryehershme dhe kaotike. Çfarë do të kishte ngjarë? Lufta e gjatë e perëndive kundër njëra-tjetrës do të qe fshirë. Bota do të kthehej përsëri në një lloj kaosi. Jo duke u kthyer sërish te kaosi i kryehershëm i fillimit, sepse nga ky kishte dalë një botë e organizuar, por duke rënë në një rrëmujë të përgjithshme.

Tifoni: kriza e pushtetit suprem

Tifoni sulmon Zeusin. Beteja është e llahtarshme. Si në kohën e luftës së Titanëve dhe olimpasve, Zeusi fiton me anë të një lloj tërmeti, përmbysjeje të elementeve. Dallgët i sullen tokës, malet shemben në çastin kur Zeusi bubullon duke dashur ta thyejë, ta bëjë zap përbindëshin me rrufenë e vet. Në vetë gjirin e Hadit, honi i të vdekurve dhe i natës, gjithçka përzihet, gjithçka është e stërhapur. Lufta e Tifonit kundër Zeusit është lufta e përbindëshit me qindra sy flakërues kundër vetëtimës së vështrimit hyjnor. Afërmendsh, syri shkreptimtar i Zeusit, me dritën që lëshon, do t'i mposhtë flakët që lëshojnë njëqind kokat prej gjarpri të përbindëshit. Sy më sy. Fiton Zeusi.

Një anekdotë tregon sesi njëherë Zeusi bëri gabim duke e ulur vigjilencën duke dremitur në pallatin e vet, ndërkohë që gjithsesi, duhej ta mbante syrin të çelët pa reshtur, Tifoni I qaset vjedhurazi, pikas vendin ku Zeusi ka vendosur rrufenë, orvatet ta kapë, mirëpo, pikërisht në çastin kur ai shkon të vërë dorën te arma e fitores, Zeusi hap sytë dhe aty për aty e godet me rrufe armikun. Dy fuqi i kundërvihen njëra-tjetrës, Kaosi dhe Olimpi: cila ndër to do t'ia kalojë tjetrës, për nga syçelësia dhe mprehtësia? Më në fund, edhe këtë herë, Tifoni mundet.

Dejtë e krahëve dhe të këmbëve, gjithçka që mishëron tek ai forcën jetësore të anës luftarake, munden nga rrufeja. Kështu, i paralizuar, i varrosur nën shkëmbinj, hidhet përsëri në Tartarin plot mjegull ku e ka zanafillën.

Rrëfime të tjera disi të çuditshme e shprehin ndryshe karakterin e përbindshëm të Tifeut. Këto rrëfenja janë treguar në periudha të mëvonshme, në shekullin II të erës sonë. Midis Tifeut të Hesiodit, të shekullit VII para erës sonë, dhe atij për të cilin do të bëhet fjalë tani, dallimet kanë të bëjnë kryesisht me ndikime orientale.

Në një prej tyre, për shembull, Gjea, e lodhur nga perënditë olimpase, çiftohet me Tartarin dhe lind përbindëshin Tifeu. Ky i fundit përshkruhet si një kolos shumë i madh, me këmbët e mbështetura fuqimisht në tokë dhe i pajisur me një trup që s'ka të sosur, aq sa balli i prek qiellin. Kur i shtrin krahët në trajtë kryqi, njëra dorë i çik skajin lindor, dora tjetër i prek skajin perëndimor. Nga vetë natyra e tij, ai bashkon e ngatërron të poshtmen me të sipërmen, qiellin me tokën, të djathtën me të majtën, Lindjen me Perëndimin. Kjo masë kaotike hidhet në mësymje të Olimpit. Kur e shohin olimpasit, të mbërthyer nga një tmerr i papërballueshëm, shndërrohen në zogj e ia mbathin. Zeusi, i mbetur fillikat, i bën ballë kësaj shtaze të stërmadhe, të lartë sa bota dhe të gjerë sa gjithësia. Rrufeja e tij e godet Tifeun, duke e detyruar të tërhiqet. Atëherë Zeusi merr harpenë, draprin, dhe rreket t'i japë fund, por ai e sulmon trup me trup e kësaj here fiton Tifeu, sepse falë madhësisë trupore ai m ia del mbanë ta kapë rrokas Zeusin dhe ta mbërthejë. Tifeu ia pret më pas mbretit dejtë e krahëve e të këmbëve. Pastaj niset me trupin e Zeusit në shpinë dhe e vendos në një shpellë të cilicisë, në Azinë e Vogël. Përbindëshi i fsheh ndërkohë dejtë dhe rrufenë e Zeusit.

Mund të pandehet se gjithçka ka marrë fund e se, kësaj here, fiton gjithësia e pështjellimi i plotë. Në fakt shtaza rri aty, plotësisht i bindur dhe i lumtur që e ka ngujuar Zeusin e gjorë në atë shpellë, të pazotin të lëvizë, pa pikë fuqie, me dejtë e krahëve e këmbëve të prerë, pa rrufenë e vet.

Mirëpo, ashtu si dhe më parë, në anën e Olimpasve e të Zeusit, ngadhënjejnë dredhia, marifeti, gënjeshtra, mashtrimi, zgjuarsia. Dy personazhe, Hermesi dhe Egjipani, ia dalin mbanë t'ia kthejnë dejtë Zeusit, pa e marrë vesh këtë gjë Tifoni. Zeusi i vë në vend ashtu siç mbërthehen askitë dhe e rrëmben përsëri rrufenë. Kur zgjohet Tifoni dhe sheh se Zeusi nuk është më në shpellë, dyluftimi rifillon edhe më ashpër, por përfundon tanimë me disfatën përfundimtare të përbindëshit.

Të tjera versione të ngjashme tregojnë se si Zeusi mundet për një çast, zihet rob, mbetet pa fuqi e pa rrufe. Po planet e përbindëshit i prish pikërisht miku tij, Kadmi dinak. Tifoni, që pandeh se ndërkaq gjithçka është ndrequr, e shpall veten mbret të gjithësisë dhe deklaron se do t'i kthejë përsëri në pushtet perënditë e kryehershme. Ai ka ndërmend të çlirojë Titanët dhe ta fshijë mbretërimin e Zeusit. Mbret i jashtëligjshëm, mbret çalash, Tifoni është mbreti i pështjellimit që shfronëson Zeusin, mbretin e drejtësisë. Pikërisht atëherë Kadmi fillon t'I bjerë fyellit. Tifoni e adhuron muzikën. E dëgjon e pastaj kotet qetë-qetë dhe e zë gjumi i thellë. I vijnë ndërmend rrëfenjat ku flitet se si Zeusi i rrëmben disa vdekatarë që ata ta magjepsnin me muzikë dhe poezi. Dëshiron të bëjë të njëjtën gjë dhe I propozon Kadmit të bëhet rapsodi i tij, pra të mos këndojë më për rendin olimpas, por për kaosin e Tifonit. Kadmi pranon me kusht që të ketë një vegël më të mirë muzikore, që ta lejojë gjithashtu të këndojë. "Çfarë të nevojitet? pyet Tifoni. - Do të më duheshin ca teia për lirën. - Kam unë ç'të të dojë e bardha  zemër, tela të hatashëm", kumton Tifoni, që shkon menjëherë të marrë dejtë e Zeusit. Kadmi nis të luajë në mënyrë tejet të mrekullueshme. Tifonin e zë gjumi dhe, duke përfituar nga ky fat i madh, Zeusi i merr përsëri teiat e lirës, a më mirë dejtë e vet, i vendos sërish në vend, rrok rrufenë dhe bëhet përsëri gati për përleshje. Kur zgjohet Tifoni, kundërperëndia, kopja kallpe e monarkut të gjithësisë, Zeusi mund ta sulmojë përsëri i pajisur me të tëra mjetet e veta. Dhe ta mposhtë.

Ka dhe një rrëfenjë tjetër, ku dredhia luan në të njëjtën mënyrë, por ku Tifoni nuk shihet më si një kafshë shumëtrajtëshe a kolos, por si kafshë ujore, si një balenë e tmerrshme që zë gjithë hapësirën detare. Tifoni jeton në një shpellë deti ku është e pamundur ta luftosh, meqë rrufeja e Zeusit nuk mbërrin deri në fund të detit. Përsëri, një dredhi e përmbys situatën.

Meqë është kafshë me shumë babëzi, Hermesi, mbrojtësi I peshkatarëve - qe ai vetë që i mësoi të birit, Panit, sesi zihet peshku - Hermesi, pra, përgatit një vakt me peshk për të joshur përbindëshin e detit. Dhe Tifoni del nga strofulla e vet dhe e mbush aq shumë plëndësin saqë, kur do të kthehet përsëri në strehë, nuk mundet dot, aq shumë është fryrë. I ngecur në breg, ai përbën një shënjestër të përkryer për Zeusin, që s'e ka të vështirë ta lërë shakull përdhe.

Këto rrëfenja, paksa të çuditshme ndoshta, mbartin të gjitha të njëjtin mësim. Në atë çast, kur mbizotërimi duket përfundimisht i vendosur, ia beh një krizë e pushtetit suprem. Një fuqi që përfaqëson tamam atë kundër së cilës është vendosur rendi I ri - kaosin, konfuzionin, pështjellimin - ia beh dhe kërcënon të zotin e botës. Zeusi duket i çarmatosur. Për t'u kthyer në fron, I duhet t'u bëjë thirrje ca personazheve dytësore. Pa ta mbushur syrin, në dukje pak të rrezikshëm, këta nuk i trembin forcat e pështjellimit, të cilat nuk u druhen. Por ama, falë dinakërisë së tyre, këta hyj më të vegjël, apo thjesht vdekatarë, i lejojnë Zeusit të rivendosë epërsinë e të ruajë pushtetin suprem.

Fundja, a e ka fituar përfundimisht Zeusi hegjemoninë? Ende jo. Në të vërtetë, historia e vendosjes së epërsisë së plotë të Zeusit mbart ende një zgjatje në trajtën e një përleshjeje me personazhe që quhen Gigantes, Gjigantët.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit

Fjale kyqe:
Titanët olimapsit zeusi gjea tifon kaosi bota mugët tartarët titanët tifeu hermesi pani kadmi perënditë gjithësia hadi betja. male zeusi të vdekurit nata drita flakët gjarpëri