1. Kryefaqe
  2. Socializmi/Komunizmi
  3. Çfarë është socializmi, kapitulli III.

Çfarë është socializmi, kapitulli III.

image description
Kur minatori del nga miniera, fytyrën e ka kaq të zverdhur sa i dallohet edhe përmes pluhurit të qymyrgurit që i është kthyer në maskë. Kjo ndodh për shkak të ajrit të ndotur që merr, por që do t'i largohet pas pak. Një jugori, që është banor i ri në krahinat me miniera, pamja e ndërresave të cilat përbëhen prej qindra minatorësh që dalin nga miniera, i duket e çuditshme dhe paksa kërcënuese. Për më tepër, fytyrat e drobitura, me pisllëkun e ngjitur tek të gjitha gropat, kanë një pamje të egër e të pashpirt.

Në raste të tjera, kur fytyrat i kanë të pastra, ato nuk është se ndryshojnë shumë nga pjesa tjetër e popullsisë. Ata ecin me trupin drejt ashtu shpatullgjerë siç janë, kundërveprim ky i të përkulurit të vazhdueshëm nëntokë, por më e shumta e tyre janë shkurtalaqë ndërsa teshat që nuk u rrinë aspak mirë e fshehin madhështinë e trupave të tyre. Ajo çka bie më shumë në sy tek ta janë mbresat e rimta në hundë. S'ka minator që të mos ketë të tilla, si në hundë, edhe në ballë, të cilat i marrin me vete edhe në varr. Pluhuri i qymyrit të gurit u hyn në çdo të prerë e, paskëtaj lëkura i mbulon ato duke përftuar kështu një njollë të rimtë si tatuazh, forma që kthehen të tilla vërtet. Si pasojë, ndoca prej minatorëve më të shkuar në moshë e kanë ballin rremba-rremba porsi djathë Rokfortiu).

Posa minatori ngjitet në sipërfaqen e tokës atëherë ai bën gargarë me pak ujë për të hequr më të shumtën e pluhurit të qymyrit të gurit nga fyti dhe vrimat e hundës e, pasandaj, kthehet në shtëpi ku, sipas natyrës që ka, ose bën banjë ose jo. Duke u nisur nga ajo që kam pare, shumica dërrmuese e minatorëve  parapëlqejnë që më parë të hanë e më pas të lahen, sikundër do të bëja edhe unë po të isha në rrethanat e tyre. Nuk është asfare e pazakontë të shohësh një minator të ulet për të pirë çaj me fytyrë prej këngëtari shëtitës, tërësisht të zezë; përjashtim bëjnë vetëm buzët e kuqe që pastrohen nga të ngrënët. Pas buke ai merr një legen të stërmadh me ujë dhe lahet në mënyrë tejet metodike: së pari, pastron duart, më pas kraharorin, qafën dhe sqetullat, paskëtaj parakrahët, fytyrën dhe lëkurën e kokës (pikërisht këtu papastërtia është shtresa-shtresa) e, në fund, e shoqja merr një copë fanellatë me anë të së cilës i fërkon kurrizin. Ai vetëm sa ka pastruar gjysmën e sipërme të trupit e ka shumë të ngjarë që kërthiza të jetë ende çerdhe papastërtie, por edhe kështu duhet ca aftësi të arrish të pastrohesh deri diku me vetëm një legen ujë. Unë për vete kam parë se e kam të nevojshme të bëj dy banja të plota pasi kam dalë nga miniera e qymyrgurit. Vetëm heqja e pisllëkut nga kapakët e syve është një punë që zgjat dhjetë minuta plot.

Hyrjet e disa prej minierave më të mëdha të qymyrgurit janë të pajisura më mirë me banja. Kjo është me leverdi të madhe, pasi minatorët mund të bëjnë banjë çdo ditë, rehat e madje me salltanet; në to ata kanë rafte me kyç ku mund të mbajnë teshat e punës veç prej atyre gë përdorin para dhe mbas orarit të punës, kështu që brenda njëzet minutash pasi dalin qymyr i zi si zezak shkojnë me kalë të marrin pjesë në ndeshjen e bejsbollit që luhet me nëntë lojtarë. Por, kjo ndodh deri diku rrallë sepse shtresa qymyrgurore nuk është se s'ka të sosur, andaj nuk ia vlen barra qiranë të ngresh banja sa herë që hapet ndonjë pus miniere. Unë nuk jam nga ata që mund të shtie në dorë shifra të sakta por, sipas të gjitha gjasave, vetëm një në tre minatorë mund të lahet në banjat që e ngritura në hyrje të minierave. Ka shumë të ngjarë që shumica dërrmuese e minatorëve të jenë zgjyrë nga mesi e sipër së paku gjashtë ditë të javës. Ata e kanë thuajse të pamundur ta lajnë gjithë trupin në shtëpi. Çdo pikë uji duhet ngrohur, por në dhomën e ndenjjes tmerrësisht e ngushtë — në të cilën, përveç  shporetit dhe një numri orendish, është e shoqja, disa fëmijë e ka shumë të ngjarë edhe një qen — thjesht nuk mund të lahesh siç duhet. 

Bile edhe nëse këtë punë e bën me legen, atëherë, dashje pa dashje, mobiliet do të spërkaten. Njerëzve të shtresës së mesme ua ka shumë qejfi kur thonë se minatorët, edhe sikur të mundeshin, nuk do të laheshin dot si duhet, por kjo është dokërr, sikurse e tregon fakti se te hyrjet e minierave ku ka banja, tërë minatorët i përdorin vërtet ato. Vetëm pleqtë e qëmoçëm kanë ende bindjen se larja e këmbëve «shkakton dhembje mesi». Mandej, banjat që ndodhen te hyrjet e minierave paguhen pjesërisht a plotësisht nga vetë minatorët, nëpërmjet Fondit tëMirëqenies së Minatorëve.

Ndonjëherë ndodh që është vetë shoqëria tregtare ajo që paguan për këtë; herë të tjera është vetë Fondi që mbulon gjithë koston. Por, pa dyshim, edhe sot që po flasim, zonjat e vjetra te pensioneve të Brajtonit thonë se, «në u sigurofsh atyre minatorëve banja atëherë ata veç për të prodhuar qymyr i përdorin». Vërtet, çudi që minatorët lahen rregullisht, duke pasur parasysh kohën shumë të paktë që u tepron midis punës dhe fjetjes.

Është gabim i madh të pandehësh se dita e punës së minatorit është vetëm shtatë orë e gjysmë. Ky përnjëmend, është orari që kalohet në punë, por, siç e kam shpjeguar tashmë, këtij i duhet shtuar edhe koha që nevojitet për kryerjen e «udhëtimit», i cili rrallëherë ndodh të jetë më pak se një orë e shpesh shkon deri në tri orë. Mbasandaj, minatorëve u duhet të shpenzojnë një sasi të madhe kohe për të hyrë dhe dalë nga pusi i minierës. Anembanë zonave industriale ka një mungesë të theksuar banesash, kështu që vetëm në fshatrat e vegjël të minierave qymyrgurore, ku fshati përqendrohet rreth galerive të minierave, punëtorët mund të jenë të sigurt që banojnë afër vendit të punës. Në qytezat më të mëdha që ndodhen afër minierave të qymyrgurit ku kam ndenjur, pothuajse kushdo shkonte në punë me autobus; duket se shuma e zakonshme që shpenzohet për veprimin në fjalë është  gjysmë korone. Një minator me të cilin qëndrova punonte me ndërresën e mëngjesit, nga ora gjashtë e mëngjesit deri në orën një e gjysmë pasdreke. Atij i duhej të ngrihej nga krevati në orën katër pa një çerek dhe të kthehej aty diku nga ora tre e pasdrekes. Në një shtëpi ku qëndrova, një djalosh pesëmbëdhjetëvjeçar punonte me ndërresën e natës. Ai nisej për në punë në orën nëntë të darkës dhe kthehej në orën tetë të mëngjesit, hante sillë e pastaj binte menjëherë në gjumë e flinte gjer në gjashtë të mbrëmjes; pra, gjithazi, kjo është koha e lirë, afërsisht katër orë në ditë - në të vërtetë shumë më pak, po të heqësh kohën që të duhet për t'u larë, ngrënë dhe veshur.

Gjëja më e lodhshme është përshtatja që duhet të bëjë familja e minatorit kur ky shkon sa nga njëra ndërresë në tjetrën. Në qoftë se punon me ndërresën e natës atëherë ai kthehet në shtëpi për të ngrënë mëngjesin, nëse është me ndërresën e mëngjesit atëherë ai kthehet në palcë të pasdites, dhe në rast se punon me ndërresën e pasdites atëherë kthehet në mes të natës; e, doemos që në secilin rast ai, posa kthehet në shtëpi, do pjesën kryesore të vaktit. Më ka lënë mbresa të thella se kleriku W. R. Inge, në librin e tij «Anglia»> i padit minatorët për grykësi. Nisur nga vëzhgimet e mia mund të them se ata hanë tmerrësisht pak. Shumica e minatorëve me të cilët kam ndenjur hanin më pak se unë. Shumë prej tyre thonë se nuk do të punonin dot sikur të hanin rëndë para se të shkonin për të punuar dhe, ushqimi që marrin me vete përbëhet nga një gatesë e lehtë, bukë me lëng mishi dhe çaj i ftohtë. Ata e mbajnë në një kuti teneqeje të sheshtë të quajtur kutia e bukës të cilën e lidhin në brez. Kur minatori kthehet nga puna natën vonë e shoqja i shtron për të ngrënë, por kur ai punon me ndërresën e mëngjesit atëherë, si duket, është zakon që ai ta përgatitë vetë mëngjesin. Me ç'duket ekzistuaka ende besëtytnia e moçme se qenka tersllëk ta shohësh gruan para se të shkosh për të punuar në ndërresën e mëngjesit. Thuhet se, dikur motit, nëse rastiste  që minatori të takonte ndonjë grua që pa zbardhur mire, atëherë shpeshherë kthehej dhe nuk punonte për atë ditë.

Përpara se të shkoja në zonat minerare kisha përshtypjen e përhapur por të gabuar se minatorët nuk është se paguhen keq. Dëgjohet të flitet lirisht se një minator paguhet dhjetë apo njëmbëdhjetë shilinga për çdo ndërresë dhe, duke i mbledhur ato shuma, një minator fiton gjithsej, afërsisht, në javë është 2 sterlina ose 150 sterlina në vit. Por, pohimi se minatorët fitojnë dhjetë ose njëmbëdhjetë shiiinga në javë është shumë i gabuar. Si fillim, në të vërtetë vetëm «gërmuesit» e qymyrit të gurit paguhen me një tarifë të tillë; një «mëditës», për shembull, që merret me ndërtimin e tavanit, paguhet me një tarifë më të ulët, zakonisht tetë a nëntë shilinga për çdo ndërresë. Mandej, kur «gërmuesi» i qymyrit paguhet me normë, për çdo ton qymyrguri të nxjerrë, sikurse ndodh në shumë miniera, pagesa e tij varet kryesisht nga cilësia e qymyrit; prishjet e pajisjes apo ndonjë «dëmtim» - domethënë, ndonjë shtresë shkëmbore që ndodhet në damarin e qymyrgurit — mund t'i grabitë gjithë fitimin e një a dy ditëve punë njëherësh. Por, sidoqoftë, kurrkush të mos kujtojë se minatorët punojnë gjashtë ditë në javë, pesëdhjetë e dy javë në vit. Doemos që ka ditë kur minatori «rri pa punë». Fitimi mesatar për ndërresë i çdo minatori, të të gjitha moshave dhe gjinive, më 1934, në Britaninë e Madhe, ka qenë 9 shilinga e 1 3A pensë.Nga Colliery Tear Book and CoalTrades Directory për 1935.] Sikur të ndodhte që gjithkush prej tyre të punonte gjatë gjithë kohës, kjo do të nënkuptonte që fitimi i një minatori të ishte pak më shumë se 142 sterlina, ose afërsisht 2 sterlina dhe 15 shilinga në javë.

Megjithatë, në të vërtetë, të ardhurat e tij janë shumë më të ulëta se kaq, sepse 9 shilinga e 1% pensë ështe thjesht një llogaritje mesatare mbi ndërresat e kryera dhe nuk merr parasysh ditët kur atyre u duhet të rrinë pa punë.

Para syve kam pesë urdhërpagesa për rrogat e një minatori nga Jorkshiri, për pesë javë (jo të njëpasnjëshme) në fillim të vitit 1936. Nga shuma mesatare del se pagesa bruto javore është: 2 sterlina, 15 shilinga dhe 2 pensë; atëherë, nga kjo del se pagesa mesatare për çdo ndërresë është afro: 9 shilinga e 2 Vi pensë.

Mirëpo, këto urdhërpagesa i përkasin dimrit, kur pothuajse tërë minierat punojnë me orar të plotë. Me ardhjen e pranverës tregtia e qymyrgurit bie duke bërë që gjithnjë e më shumë njerëz të «mos punojnë përkohësisht», ndërsa ata që teknikisht janë në punë i lënë një a dy ditë çdo javë pa punë. Ndaj, s'do as mend e as kalem të kuptohet se të ardhurat vjetore të minatorit prej 150 apo madje edhe 142 sterlinash janë tmerrësisht të zmadhuara. Në të vërtetë, të ardhurat bruto vjetore në mbarë Britaninë e Madhe për çdo minator ishin vetëm 115 sterlina, 11 shilinga dhe 6 pensë. E kjo shumë ndryshonte në një masë të madhe nga njëra krahinë në tjetrën, duke kapur shifrën prej 133 sterlinash, 2 shilingash dhe 8. pensësh. E kjo në Skoci, kurse në Durham binte pak më poshtë se 105 sterlina ose, e shprehur ndryshe, pak më shumë se 2 sterlina në javë. Këto shifra i kam marrë nga Coid Scuttle, të z. Xhozef Xhons, kryetari i bashkisë të Barnzlit13). Z. Xhons shton: «Këto shifra mbulojnë rrogat e të rinjve sikurse edhe të mesoburrave dhe të atyre që paguhen më shumë e më pak: në këto shifra duhet përfshirë çdo rrogë shumë e lartë, sikundër fitimet e disa zyrtarëve, personave të paguar shumë dhe shumat më të mëdha që paguhen për punën jashtë orarit. Shifra të tilla, duke qenë mesatare, nuk... arrijnë të zbulojnë dot gjendjen e mijëra punëtorëve të rritur, fitimet e të cilëve janë shumë më të ulëta se paga mesatare dhe që «marrin vetëm 30 deri në 40 shilinga nëjavëapo edhe mëpak nëjavë».

Shikoni me vëmendje, tek paragrafi më lart, shkronjat me të pjerrëta të z. Xhons. Por, ju lutem të vëreni se edhe këto rroga mjerane quhen të ardhura bruto. Në krye të tyre qëndrojnë gjithfarë ndërprerje të punës të cilat i zbriten nga pagesa minatorit çdo javë. Më poshtë ndodhet një listë me ndërprerje të  punës javore tipësore për rrethin e Lankashirit të cilën ma dhanë:
Shilinga                                                                                                                     pensë
Sigurimi (për papunësinë dhe shëndetin)                                                                    15
Qiraja e llambës —                                                                                                         6
Tarifa per mprehjen e veglave                                                                                        6
Tarifa e përgjegjësit të peshores —                                                                                9 

  
Tarifa e Infermierisë                                                                                                        2
Tarifa e Spitalit —                                                                                                           1 
Fondi i Bamirësisë —                                                                                                     6
Kuota e Anëtarësisë për Sindikatën —                                                                          6
Shumatorja —                                                                                  4 shilinga e 5 pensë 

Disa prej këtyre tarifave, si Fondi i Bamirësisë dhe Kuota e Anëtarësisë së Sindikatësy janë, si të thuash, përgjegjësi e minatorit, ndërsa të tjerat vendosen nga shoqëria tregtare minerare. E ato nuk janë të njëjta në të gjitha rajonet. Për shembull, zhvatja e poshtër që e detyron minatorin të paguajë qiranë e llambës që përdor në punë (me gjashtë pensë në javë ai e blen disa herë radhazi llambën në vit) nuk përdoret për asgjë. Porse, ndërprerjet e punës gjithmonë arrijnë afërsisht të njëjtën shumë. Duke u nisur nga pesë urdhërpagesat e minatorit të sipërpërmendur të Jorkshirit, fitimi bruto mesatar i tij javor është: 2 sterlina, 15 shilinga e 2 pensë.; ndërsa fitimi neto mesatar, mbas ndërprerjeve të punës, është vetëm 2 sterlina, 11 shilinga e 4 pensë - një zbritje prej 3 shilingash dhe 10 pensësh në javë. Mirëpo, në urdhërpagesa afërmendsh që përmenden vetëm ndërprerjet e punës, të cilat detyrohen apo paguhen nëpërmjet shoqërisë tregtare minerare; këtyre u duhen shtuar kuotat e anëtarësisë së sindikatës, duke i hequr shumës së përgjithshme gjer në katër shilinga. Nuk bëj gabim nëse them se ndërprerjet e një lloji a të një lloji tjetër të punës i heqin edhe katër shilinga të tjera ose aty rrotull pagesës javore të çdo minatori  të rritur. Kështu që shuma prej 115 sterlinash, 11 shilingash dhe 6 pensësh, e cila ka qenë fitimi mestar i çdo minatori më 1934 anekënd Britanisë së Madhe, ç'është e vërteta duhet të jetë më afër shumës prej 105 sterlinash. Por, në kundërshtim me këtë, shumicës dërrmuese të minatorëve u bëhen lëshime në natyrë, duke u dhënë mundësi ta blejnë qymyrin për përdorim vetjak me tarifa të ulëta, zakonisht tetë deri në nëntë shilinga për ton.

Por, sipas z. Xhons, të cituar më sipër, «vlefta mesatare e gjithë lëshimeve në natyrë që bëhen në mbarë vendin në tërësi është vetëm katër pensë në ditë». E shuma prej katër pensësh në ditë në mjaft raste shërben thjesht si zhdëmtim i tarifave që minatorit i duhet të shpenzojë për pagesat lidhur me vajtjen dhe kthimin nga pusi i minierës. Kësisoj, duke e marrë industrinë si një të tërë, pagesa që minatori shpie vërtet në shtëpi nuk i kalon dy sterlinat në javë, në mos edhe më pak.

Ndërkohë, sa është sasia mesatare e qymyrit të gurit që nxjerr minatori? Tonelatat e qymyrit të gurit janë ngritur vit pas viti ndonëse jo dukshëm për personat e punësuar në industrinë minerare. Më 1914 çdo minator nxirrte mesatarisht 253 tonë qymyrguri; më 1934 ai nxirrte 280 tonë. «The Coal Scuttle», «7he Colliery Year Book» dhe «Coal Trades Directory» japin një shifër paksa më të lartë. Sigurisht që kjo është një shifër e përgjithshme për minatorët gjithmbarë; ata që punojnë vërtet nëpër shtresa qymyrgurore nxjerrin sasi të jashtëzakonshme të tij - mbase, në mjaft raste, më se një mijë tonë secili. Por, duke marrë shifrën tipike prej 280 tonësh, ia vlen të vërehet se ç arritje e madhe është kjo. Një ide e saktë për këtë merret duke krahasuar jetën e minatorit me atë të dikujt tjetër. Nëse arrij të jetoj gjer në gjashtëdhjetë vjeç atëherë ka shumë mundësi që unë të kem shkruar tridhjetë romane, ose aq sa për të mbushur dy rafte bibliotekash me përmasa mesatare. Për të njëjtën periudhë kohore një minator nxjerr mesatarisht 8,400 tonë qymyrguri, sasi e mjaftueshme kjo për ta shtruar «Sheshin  Trafalgar» me një shtresë afërsisht dy këmbë të trashë apo për të pajisur me lëndë djegëse shtatë familje të mëdha për më shumë se njëqind vjet me radhë.

Nga pesë urdhërpagesat që përmenda më sipër, jo më shumë se tri prej tyre kanë mbishkrimin e vulosur «vdekur në punë». Kur një minator vdes në punë është më se e zakonshme që minatorët e tjerë të mbledhin një kuotë, zakonisht duke dhënë nga një shilingë secili, për vejushën e tij, shumë që grumbullohet nga shoqëria tregtare minerare, shumë e cila u zbritet në mënyrë të vetvetishme nga rroga. Këtu hollësia domethënëse është mbishkrimi i vulosur. 

Kaq e lartë është shkalla e aksidenteve mes minatorëve, në krahasim me ato të zejeve të tjera, saqë fatkeqësitë merren si diçka e zakonshme, sikur të kishte shpërthyer ndonjë luftë me përmasa të vogla. Vit për vit ndodh që një në afërsisht nëntëqind minatorë vdes kurse një në afërsisht gjashtë të tillë dëmtohet; afërmendsh që shumica e këtyre dëmtimeve janë të parëndësishme, por një numër jo i vogël i tyre përfundojnë me gjymtime. Kjo nënkupton që, nëse periudha e punës për minatorin është dyzet vjet, atëherë gjasat janë shtatë me një që ai të mos dëmtohet dhe jo më shumë se njëzet me një që ai të mos vritet fare. Asnjë zeje tjetër nuk i afrohet asaj të minatorit sa i përket rrezikshmërisë; zanati i dytë më i rrezikshëm që vjen pas tij është detaria tregtare, ku çdo vit vritet një detar në më pak se 1300 syresh. Sigurisht që shifrat e dhëna nga unë gjejnë zbatim tek të gjithë minatorët, sepse shkalla e dëmtimeve që pësojnë ata që punojnë nën tokë duket se është shumë më e lartë. Çdo miriator i kaditshëm, me të cilin kam folur, ose ka pësuar ndonjë aksident të rëndë vetë, ose ka parë ti vritet ndonjë shok pune e, në të gjitha familjet e minatorëve të tregojnë për historitë e etërve, vëllezërve apo ungjërve të tyre të vrarë në punë. («E, ai ra nga një lartësi prej shtatëqind këmbësh, e ata nuk do t'ia kishin gjetur dot copat kurrë sikur ai të mos kishte veshur një uniformë të re të gomuar», etj., etj., etj.)
Disa prej këtyre historive janë aq të frikshme sa nuk bëhet. Për  shembull, një minator më rrëfeu se si një shokun e tij të punës, një «mëditës», e zuri poshtë një copë shkëmbi që u rrokullis. Të tjerët u derdhën tek ai dhe ia dolën t'i zbulonin vetëm kokën dhe supet në mënyrë që të merrte frymë, e ai qe gjallë e u foli atyre. Atëherë, ata panë se tavani i galerisë po shembej prapë kështu që iu desh t'ua mbathnin këmbëve të shpëtonin lëkurën; «mëditësi» u varros për herë të dytë. Ata rendën përsëri dhe panë se kokën dhe supet i kishte të lira, e ai qe gjallë dhe u foii rishtas atyre. Paskëtaj, tavani u .shemb për herë të tretë, por kësaj radhe ata mundën ta nxirrnin nga dheu për disa orë e, sigurisht që ai kish vdekur. 

Mirëpo, minatori që më rrëfeu historinë (në një rast edhe atë e kishte zënë dheu, por kish qenë aq me fat sa e kishte futur kokën midis këmbëve kësisoj kishte pasur pakëz vend ku të merrte frymë) nuk besonte që ajo të qe edhe aq e llahtarshme.

Domethënia e saj qe se, ndonëse «mëditësi» e dinte fort mirë se vendi ku punonte nuk ishte i sigurt, prapëseprapë, ai shkonte atje në pritje të aksidentit, ditë pas dite. «E atij seç ia dha mendja sa shkoi deri aty sa para se të nisej për në punë puthi të shoqen. Ajo më tregoi më pas se kishin kaluar njëzet vjet qëkurse ai e kishte puthur për herë të fundit.»
Shkaku kryesor e më i kuptueshëm i aksidenteve është zjarri, i cili pak a shumë është i pranishëm në atmosferën e punimit të minierës. Ka një llambë të veçantë e cila shërben për të provuar nëse ka gaz në ajër, e kur ai është i pranishëm në të në sasi të mëdha atëherë atë mund ta zbulosh edhe me një llambë minatori të zakonshme me flakë të rimtë. Në rast se fitilin e zgjat plotësisht dhe flaka e tij është ende e rimtë, atëherë përpjesëtimi i gazit është tmerrësisht i lartë; megjithatë, s'është e lehtë për ta pikasur, ngaqë ai nuk shpërndahet njëlloj në gjithë atmosferën por rri pezull në plasa dhe të çara. Minatori, para se të nisë punën, shpesh s'lë qoshe pa provuar me llambë, nëse ka gaz apo jo. Gazin mund ta ndezë edhe vetëm një shkëndijë gjatë operacioneve të shpërthimit, ose xixa që lëshon kazma kur përplaset në gur, ose qoftë edhe si pasojë e ndonjë llambe të dëmtuar, ose qoftë nga ndonjë «flakadan» - zjarre të cilat ndizen vetë e që digjen në pluhurin e qymyrit të gurit dhe që është shumë e vështirë t'i shuash. 

Gjëmat më të mëdha që ndodhin nëpër miniera kohë mbas kohe, ku vriten me qindra veta, zakonisht shkaktohen nga shpërthimet; kësisoj, njerëzia priret të besojë se shpërthimet përbëjnë rrezikun kryesor të zanatit të minatorit. Ç'është e vërteta, shumica dërrmuese e aksidenteve ndodhin për shkak të rreziqeve të përditshme në punimet e minierës, në veçanti për shkak të rënies së tavanit. Për shembull, janë «xhepat»: vrima rrethore prej të cilave copa gurësh, aq të mëdhenj sa mund të lënë top në vend njeriun, shkëputen me shpejtësinë e plumbit. Me aq sa mbaj mend, me përjashtim të vetëm një rasti, tërë minatorët me të cilët kam folur, më kanë bërë të ditur se pajisja e re, dhe «shpejtimi i madh», në përgjithësi e ka bërë më të rrezikshme punën.

Pjesërisht kjo mund të jetë pasojë e konservatorizmit, porse arsyet që japin ata janë pa fund. Si fillim, shpejtësia me të cilënqymyri i gurit nxirret tani nënkupton se një copë tmerrësisht e madhe dhe e rrezikshme tavani qëndron pa mbështetje për katër orë me radhë. Pastaj, janë edhe dridhjet, të cilat kanë prirjen të lëkundin çdo gjë të liruar, ndërsa zhurma e bën edhe më të vështirë pikasjen e shenjave të rrezikut. Nuk duhet harruar se siguria e minatorit nëntokë në një masë të madhe varet nga aftësia dhe kujdesi që tregon ai vetë. Minatori me përvojë pohon se, deri diku, e di instinktivisht kur tavani nuk është i sigurt; ai shpjegon se «arrin të ndiejë peshën që ka sipër». Për shembull, është në gjendje të dëgjojë kërcitjeh e lehtë të pllangave. Arsyeja se përse pllangat e drunjta parapëlqehen, në përgjithësi, në vend të trarëve mbajtës prej hekuri është se mbështetëset e drunjta kur janë gati për t'u rrënuar japin paralajmërime me anë të kërcitjeve, kurse trarët mbështetës prej hekuri fluturojnë papandehur. Zhurmëria e tmerrshme e makinerisë pamundëson dëgjimin e asgjësendi tjeter, andaj rreziku shtohet. 

Kur qëllon që minatori të dëmtohet, sigurisht që është e pamundur të merresh me të. Ai dergjet i shtypur përposh ndonjë guri disa qindra tonë i rëndë, brenda ndonjë të çare të frikshme poshtë në tokë e, edhe pasi e nxjerrin së andejmi, nevoja e lyp që trupin e tij ta zvarritin një a më shumë milje, ndoshta nëpër galeri kur kurrkush nuk mund ta drejtojë dot trupin. Zakonisht, kur bisedon me ndokënd që është dëmtuar, arrin të zbulosh se janë dashur disa orë me radhë a diçka e tillë që atë ta nxirrnin në faqe të dheut. Doemos që ndonjëherë aksidente ngjasin edhe në kafazin e ashensorit. Ai shkon disa jardë poshtë a sipër, me shpejtësinë e trenit ekspres e, në sipërfaqe drejtohet nga dikush që s shikon dot se çndodh në të. Ai ka tregues tepër të ndjeshëm që i tregojnë se deri ku ka shkuar ashensori, por nuk është e pamundur që ai të mos bëjë gabime; ka pasur raste kur kafazi i ashensorit është përplasur me tabanin e pusit të minierës me gjithë shpejtësinë.

Më duket se ska vdekje më të lemerisur se kjo. Sepse teksa ajo kuti e vogël prej çeliku fishkëllen nëpër terrinë vjen një çast kur dhjetë burrat e mbyllur atje mësojnë se diçka nuk shkon, dhe gjatë sekondave që u kanë mbetur për t'u bërë copë e çikë atyre vështirë se u vjen të mendojnë. Një minator më tregoi se një herë ndodhej në ashensor kur diçka u prish. Nuk e ngadalësoi shpejtësinë kur duhej ta kishte bërë e, ai bashkë me të tjerët pandehën se mos litari i çelikut u kthye me krismë. Megjithatë, në fund, zbritën shëndoshë e mirë, por kur doli nga ashensori pa se i qe thyer një dhëmb, ngaqë i kishte shtrënguar dhëmbët shumë në pritje të përplasjes së frikshme.

Me përjashtim të aksidenteve minatorët duket se janë të shëndetshëm, siç duket aq sa duhet të jenë, duke mbajtur parasysh përpjekjet e fuqishme që kërkohen prej tyre. Ata preken nga përdhesi e të gjithë ata që vuajnë nga mushkëritë nuk e kanë të gjatë në ajrin që gëlon nga pluhuri, por sëmundja industriale tipike që i prek është ngërçi i syvel4). Kjo sëmundje është e tillë  që sytë i lëkund në një mënyrë të çuditshme kur dalin në dritë.

Me sa duket ajo shkaktohet nga puna që bëhet në gjysmerrësirë, e nganjëherë shkakton verbëri të plotë. Minatorët që gjymtohen kështu a në ndonjë mënyrë tjetër dëmshpërblehen nga shoqëria tregtare, ndonjëherë me një dorë të hollash, ndërsa herë tjetër me pension javor. Ky nuk e kalon asnjëherë shumën prej njëzet e nëntë shilingash në javë; nëse shuma bie poshtë pesëmbëdhjetë shilingave atëherë i paafti për punë merr diçka nga ridihma e të papunëve ose nga K.N.B.-ja. Po të isha minator i paaftë për të punuar do të parapëlqeja shumën e të hollave që jepej vetëm një herë dhe në dorë, sepse kështu, gjithsesi, do të arrija t'i merrja të hollat e mia. Pensionet e të gjymtëve nuk sigurohen nga asnjë fond i përqendruar, prandaj nëse shoqëria tregtare minerare falimenton kjo shënon edhe fundin e pensionit të minatorit të paaftë për të punuar, sido që ai llogaritet gjatë falimentimit të kompanisë mes kreditorëve të tjerë të saj.

Në Uigan ndenja një copë herë me një minator që vuante nga ngërçi i syve. Ai nuk arrinte të shihte matanë dhomës. Kishte nëntë muaj që merrte dëmshpërblimin prej njëzet e nëntë shilingash në javë, mirëpo tani shoqëria tregtare minerare po mendonte t'i jepte «dëmshpërblimin e pjesshëm» prej katërmbëdhjetë shilingash në javë. Gjithçka varej nëse doktori e vinte në «krye» të listës për punë të lehtë. Është e kotë të thuhet, por edhe sikur doktori ta bënte këtë, punë të lehtë nuk ka; gjithsesi ai mund të tërhiqte ndihmën për të papunët ndërsa shoqëria tregtare minerare do t'i kursente vetes pesëmbëdhjetë shilinga në javë. Duke parë atë njeri të shkonte të tërhiqte dëmshpërblimin te shoqëria tregtare minerare, më lanë përshtypje të thellë dallimet që ende bëhen nga statusi.

Atje ndodhej dikush që ishte gjysmë i verbuar si pasojë e njërës prej punëve më dobiprurëse dhe merrte pensionin që i takonte me plot të drejtë, si kushdo tjetër. Megjithatë, ai nuk e kërkonte dot atë, si të thuash, për shembull ai nuk mund ta tërhiqte dotkur dhe si ta donte. Ishte i detyruar të shkonte një herë në javë në minierë në orarin e caktuar nga vetë shoqëria tregtare e, kur të shkonte aty i duhej të priste për orë të tëra në thëllim. Me sa di, prej tij pritej që të cekte kapelën dhe të tregonte mirënjohje ndaj kujtdo që e paguante; sidoqoftë, atij i duhej të humbte një pasdite të tërë dhe të shpenzonte gjashtë pensë për tarifën e autobusit.Sa ndryshe është puna me një anëtar të borgjezisë, madje edhe me një anëtar fare të mbaruar si puna ime. Edhe kur jam në zgrip të urisë unë gëzoj disa të drejta që kanë lidhje me statusin tim prej borgjezi. Ndonëse nuk fitoj më shumë se minatori, së paku banka më paguan si zotëri e unë mund të tërheq të holla kurdo që të dua prej saj. Edhe kur llogaria më shteron, punonjësit e bankës më trajtojnë deri diku me mirësjellje.

Kjo puna e të priturit që shkakton veç mërzitje dhe poshtërim të madh, për shkak të së.cilës s'duhet të lësh gjë pa bërë vetëm e vetëm për t'u ardhur pas fijes njerëzve të tjerë, është pjesë e pandashme e jetës së klasës punëtore. Ndikimet e panumërta i detyrojnë pareshtur anëtarët e kësaj shtrese të luajnë rolin e të nënshtruarve. Ata nuk veprojnë, por i detyrojnë të sillen siç duan të tjerët. E ndiejnë veten skllevër të një pushteti të mistershëm dhe kanë bindjen e patundur se «ata» nuk do t'i lejojnë kurrë të bëjnë këtë, atë, apo gjësend tjetër. Një herë tek po mblidhja kulpra pyeta vjelësit e djersitur (ata fitojnë diçka më pak se gjashtë pensë në orë) se përse nuk ngrinin një sindikatë. Përnjëherë, m'u tha se «ata» nuk do t'ua lejonin kurrën e kurrës një gjë të tillë. Po kush ishin «ata», xhanëm? - pyeta unë. Nuk dukej ta dinte kush, por, si duket, «ata» qenë të plotpushtetshëm.

Një person me prejardhje borgjeze e çon jetën me shpresën për të marrë atë çfarë do, brenda caqeve të arsyeshme. Prandaj, në  kohë të liga njerëzit «e arsimuar» kanë prirjen t'u dalin në ballë vështirësive, paçka që nuk janë më të zotë se të tjerët dhe «arsimimi» i tyre është krejt i padobishëm në vetvete; gjithsesi ata janë mësuar që t'u bëhet njëfarë nderimi dhe, si pasojë, kanë sy e faqe të urdhërojnë. Që ata u dalin në ballë vështirësive, merret si diçka e zakonshme, gjithmonë e gjithkund. Te «Historia e Komunës» të Lissagaray ka një pjesë interesante që përshkruan pushkatimet që u bënë mbas shtypjes së Komunës. Pushteti pushkatonte krerët e lëvizjes dhe, meqë nuk kishte si ta dinte se kush mund të qenë krerët në fjalë, atëherë ai i zgjidhte nisur nga parimi se krerët duhej të ishin ata të një shtrese më të lartë. Një oficer kalonte në revistë të burgosurit në rresht dhe, prej tyre përzgjidhte tipat që ngjanin si të tillë. Njërin prej tyre e pushkatuan ngaqë mbante një sahat, një tjetër ngase «kishte fytyrë prej të zgjuari». Unë për vete nuk do të doja të më pushkatonin për një arsye të tillë, por njëmendohem se gati në çdo revoltë udhëheqësit kanë prirjen të flasin gjuhën zyrtare.