1. Kryefaqe
  2. Socializmi/Komunizmi
  3. Çfarë është socializmi, kapitulli II.

Çfarë është socializmi, kapitulli II.

image description
Qytetërimi ynë, sipas Çestërtonit, i ka themelet te qymyri, gjë të cilën arrin ta kuptosh vetëm pasi ndalesh e mendon për të. Makineritë që na mbajnë në jetë e ato që prodhojnë pajisje të ndryshme, të gjitha, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, varen nga qymyri. Në metabolizmin e botës perëndimore minatori vjen i dyti, pas atij që plugon dheun. Ai ngjan me një lloj figure femre të paraqitur në trajtën e një shtylie supet e së cilës mbajnë thuajse gjithçmos që nuk është e ndotur. Ndaj, pikërisht për këtë arsye ia vlen të këqyret nga afër ecuria përmes së cilës nxirret qymyri i gurit, në rast se merr rrezikun në sy dhe je i gatshëm të marrësh mundimin ta bësh këtë.

Kur zbret në ndonjë minierë qymyrguri rëndësi ka që të rrekesh të arrish të gjesh shtresë qymyrguri ndërkohë që «mekanizmat mbushës» janë në punë. Kjo nuk është e lehtë, sepse kur në minierë punohet, vizitorët janë një kokëçarje e vërtetë, andaj ata nuk janë të mirëpritur; por në shkofsh në ndonjë orar tjetër, atëherë ka shumë mundësi që të largohesh me një përshtypje krejtësisht të gabuar. 

Për shembull, të dielave minierat duken shumë të qeta. Koha e duhur për të vajtur atje është kur pajisjet ushtojnë e ajri është i zi nga pluhuri i qymyrgurit, e kur ti ke mundësi të shohësh vërtetë se çfarë janë duke bërë minatorët.
Në kësi rastesh vende të tilla janë një skëterrë e njëmendtë ose, sidoqoftë, ky është përfytyrimi që unë kam për të. Pjesa më e  madhe e gjërave të cilat mund të përfytyrohen që ndodhin në skëterrë janë: nxehtësia, zhurma, tollovia, terrina, ajri i rëndë dhe, mbi të gjitha, hapësira tmerrësisht e ngushtë. Atje ka gjithçmos me përjashtim të zjarrit, sepse për zjarr as që bëhet fjalë, përveç llambave me vaj të minatorëve dhe llambat elektrike të cilat zor se arrijnë të depërtojnë në retë me pluhur qymyri.

Kur në fund ia del mbanë të shkosh atje - pasi kjo është punë më vete, gjë të cilën do t'jua shpjegoj në çast - ti ecën këmbadoras nëpër galerinë e fundit të siguruar me trarë mbështetës dhe përpara ke një mur të zi të shndritshëm tri a katër këmbë i lartë.

Kjo quhet shtresë qymyrgurore. Sipër kokës ndodhet tavani i lëmuar që përbëhet nga shkëmbi prej të cilit shkëputet qymyri; nën të ke prapë shkëmb, kështu që galeria në të cilën ndodhesh ka të njëjtën lartësi me shtresën xeherore, mbase jo më shumë se një jard. Përshtypja që krijon për gjithçmos, mbasi mposht çdo gjë tjetër për një hop, është ushtima e frikshme dhe shurdhuese që lëshon rripi i mbartjes së qymyrgurit. Nuk mund të shohësh shumë larg, ngase mjegulla e krijuar nga pluhuri i qymyrit të gurit t'i kthen pas rrezet e llambës por, në të dyja anët, mund të shohësh radhë burrash të përgjunjur gjysmë të zhveshur, ku secili gjendet katër a pesë jard nga tjetri, teksa i futin lopatat posht^ qymyrit të rënë përdhe dhe 1 flakin me vrullimë sipër supit të tyre të majtë. Në këtë mënyrë ata ushqejnë rripin e transmisionit, një rrip llastiku prej gome lëvizës disa këmbë i gjerë i cili punon një a dy jardë prapa tyre. Përposh këtij rripi rend pareshtur një lumë vezullues qymyrguri. Nëpër miniera të mëdha barten disa tonë të tilla çdo minutë. Ai i shpie nëpër depo të mëdha ku qymyrin e gurit e shtien në fuçi gjysmëtonëshe e paskëtaj i çojnë zvarrë nëpër ashensorë dhe i nxjerrin jashtë në ajër të pastër.
Nuk është e muridur të këqyrësh «mekanizmat mbushës» teksa punojnë pa u ndier pa të të kapluar daliga e smirës për fortësinë e tyre. Ata bëjnë një punë të jashtëzakonshme, punë gati-gati mbinjerëzore, matur me kutin e njeriut të zakonshëm.
Sepse ata jo vetëm që zhvendosin sasi të pabesueshme qymyrguri, por vetëm njëri prej tyre e bën këtë sa për dy a tre njerëz bashkë. Përgjatë gjithë kësaj kohe atyre u duhet të qëndrojnë të gjunjëzuar - sepse këtë s'e bëjnë dot pa përpjekur kokën pas tavanit – dhe nuk e ke aspak të vështirë të shohësh se ç përpjekje të stërmëdha nënkupton kjo. Heqja e qymyrit me lopatë është një punë deri-diku e lehtë kur je në këmbë, ngaqë njërin gju dhe kofshën mund ta përdorësh për ta mbushur lopatën, por kur përgjunjesh, atëherë gjithë mundimi kalon te krahu dhe muskujt e barkut. E kushtet e tjera nuk e lehtësojnë gjendjen. Pastaj, është edhe nxehtësia – ajo ndryshon, por në disa miniera është mbytëse - ndërsa pluhuri i qymyrit të zë fytin, vrimat e hundës dhe të mblidhet te qepallat, e sikur të mos mjaftojnë gjithë këto është edhe ajo rrapëllima e pareshtur e rripit të transmisionit, e cila në atë hapësirë të kufizuar ngjan krejt me atë të mitralozit. Por, mekanizmat mbushës duken dhe punojnë sikur të jenë prej hekuri. Ata duken vërtet si hekuri i marrë nga shtatoret e farkëtuara: nën petkun e lëmuar të pluhurit të qymyrit që u ngjitet nga maja e kokës gjer te këmbët. Vetëm pasi sheh minatorët e zhveshur poshtë në miniera e kupton se çnjerëz të mrekullueshëm janë ata. Më e shumta e tyre janë shtatpaktë (burrat trupmëdhenj nuk bëjnë për një punë të tillë), por pothuajse të tërë ata kanë trupa fisnikësh: shpatullat e gjera vijnë duke u ngushtuar në belin e hollë por të zhdërvjellët, e të ndenjurat e vogla që dalin në pah së toku me kofshë muskulore, ku asnjë grimë mish nuk u humbet asgjëkundi. Në minierat më të ngrohta ata veshin vetëm një palë mbathje të holla e mbathin nallane e gjunjëse, ndërsa në minierat e nxehta mbathin vetëm nallane dhe gjunjëse. Vështirë se mund të arrish të dallosh nëse ata janë të rinj a të vjetër në moshë. Mund të jenë nga gjashtëdhjetë deri në gjashtëdhjetë e pesëvjeçarë, por kur nxihen e janë lakuriq atëherë të gjithë ata ngjajnë njësoj. Kurrkush nuk do të mund ta bënte dot punën e tyre nëse nuk do të kishte trup prej të riu, dhe paraqitje që u shkon për shtat gardistëve; disa kilogramë  mish më shumë në bel e do ta kishin të pamundur të rrinin të përkulur vazhdimisht. Boll ta shihje një herë atë shfaqje dhe nuk do ta harroje kurrën e kurrës: karvani i përhitjeve të përkulura e të gjunjëzuara, plis i zi nga maja e kokës gjer te këmbët, duke futur lopatat në qymyr me një forcë dhe shpejtësi të mahnitshme.

Ata punojnë shtatë orë e gjysmë, teorikisht pa bërë pushim fare, sepse nuk ka të tillë. Ç'është e vërteta, ata arrijnë të grabitin çerek ore a diçka e tillë gjatë ndërrimit të ndërresës për të ngrënë bukën që kanë marrë me vete, zakonisht një fetë të madhe bukë, yndyrë dhe një shishe me çaj të ftohtë. Herën e parë që po shikoja «mekanizmat mbushës» në punë vura dorën te një send tmerrësisht i rrëshqitshëm që ndodhej mes pluhurit të qymyrit. Ishte topth duhani që përtypet në gojë. Thuajse të gjithë minatorët përtypin duhan, për të cilin thuhet se u bën mirë për etjen.

Siç duket puna, duhet të zbresësh disa herë me radhë në minierat e qymyrgurit derisa të arrish të kuptosh ecuritë që ndodhin rreth teje. Kjo pasi vetë përpjekjet për të vajtur nga njëri vend në tjetrin ta bëjnë të vështirë të vëresh gjësend tjetër. Kjo, deri-diku, është zhgënjyese, ose, pak së paku, ndryshon nga ajo që ke pritur. Futesh në ashensor, i cili është një kuti prej çeliku sa një kabinë telefonike e gjerë e dy deri në tri herë më e gjatë.

Ai mund të mbajë deri në dhjetë persona, mirëpo ata ngjishen si sardelet në konservë, kështu që një burrë shtatgjatë aty nuk mund të rrijë me trupin drejt. Dera prej çeliku mbyllet sipër teje, e dikush vë në punë çikrikun për të të futur kështu në zbrazëti.

Në bark të fillojnë të përzierat kalimtare dhe ndjesia sikur do të shpërthesh në kabinën e ashensorit, por kurrfarë ndjesi lëvizjeje derisa më në fiind zbret në dyshemenë e galerisë, kur kafazi ngadalëson shpejtësinë kaq befas sa ti beson se ai ka për t'u ngritur rishtas. Ka shumë mundësi që ashensori në mes të rrugës zbret me gjashtëdhjetë milje në orë; në disa galeri më të thella shpejtësia e tij është edhe më e madhe. Kur ecën këmbadoras në tabanin e minierës mbase ndodhesh katërqind jard nëntokë. 
Domethënë,  sipër teje ke një mal me madhësi të zakonshme; qindra jard me shkëmb të fortë, eshtra kafshësh të zhdukura, nëntruall, strall, rrënjë bimësh e pemësh, bar i blertë dhe lopë që kullotin sipër tij: të gjitha këto rrinë pezull sipër teje dhe i mbajnë mbështetëse prej druri sa kocka e pulpës të trasha. Por, për shkak të shpejtësisë me të cilën ashensori të ka zbritur dhe errësirës së thellë nëpër të cilën ke udhëtuar, ti zor se beson që ndodhesh më poshtë se kanali që kalon nën sheshin Pikadili.

Nga ana tjetër, gjëja që të habit janë Iargësitë horizontale të stërmëdha që duhen përshkuar nëntokë. Përpara se të zbritja në ndonjë minierë përfytyroja ashtu vagullt se fill sapo dilje nga kafazi i ashensorit i futeshe punës në një shtresë qymyrguri disa jard larg.

Nuk e kuptoja që para se minatori të nisë të punojë i duhet të zvarritet nëpër kalime të gjata sa rruga që lidh Urën e Londrës me Cirkun e Oksfordit. Doemos që, në fillim, pusi i minierës është i zhytur diku afër ndonjë damari qymyrguri. Por, ndërkohë që ky shfrytëzohet dhe. gjenden damarë të tjerë, shfrytëzimi i tyre i largohet gjithnjë e më shumë fundit të pusit të minierës. Nëse largësia që ndan pusin e minierës me damarin e qymyrit është një milje, atëherë kjo është më se e zakonshme; thuhet se në ca miniera largesa në fjalë shkon deri në pesë milje. Porse, largësi të tilla as që kanë të krahasuar me largësitë mbi tokë, sepse në një a tri milje, sado qofshin ato, si zor që veç galerisë kryesore apo tië fare pak vende, ndokush mund të qëndrojë me trupin drejt.

Pasojat e kësaj i dallon vetëm mbasi të kesh bërë disa jard. Nisesh, duke u përkulur lehte, poshtë në galerinë e ndriçuar mugët, e cila është tetë deri në dhjetë këmbë e gjerë e gati pesë këmbë e lartë, muret e së cilës janë ngritur me rrasa shisti, bash si muret prej guri të Derbishirit. Çdo një a dy jardë ka mbështetëse të drunjta që mbajnë trarët dhe qeprat8); disa prej këtyre të fundit janë shtrembëruar duke përftuar lakore nga më të çuditshmet  poshtë të cilave duhej të përkulesh për të kaluar. Në përgjithësi, s'është mirë të ecësh përdhe për shkak të pluhurit të trashë a copave të mëdha të dhëmbëzuara të rreshpeve e në disa miniera me ujë balta shkon deri në gju njësoj si në oborret e fermave. Ka edhe një rrugë në të cilën kalojnë gypat e bartjes së qymyrit, porsi një hekurudhë e zvogëluar me traversa një a dy këmbë larg njëra- tjetrës, në të cilën kapitesh duke ecur. Gjithçka është e hirtë për shkak të pluhurit të rreshpeve; kundërmimi i pluhurit zjarrmor duket se nuk ndryshon në asnjërën nga minierat. Syri të zë pajisje të mistershme të cilave kurrë nuk ke për t'ua mësuar qëllimin, tufa me vegla të varura nëpër tela, e ndonjëherë ndodh që minjtë t'ua mbathin këmbëve nga rrezet e llambave. Çuditërisht, ata janë të zakonshëm, sidomos në minierat ku ka pasur a ka kuaj. Do të qe me interes të mësohej se si u futën fillimisht këtu, ndoshta kanë rënë nga kafazi i ashensorit, sepse thonë se miu mund të bjerë nga çfarëdo largësie pa u vrarë aspak për shkak se sipërfaqja është tmerrësisht më e madhe në krahasim me peshën e tij. Ti ngjishesh pas murit që t'u bësh vend radhëve të vagonëve me qymyr të cilët tunden ngadalë drejt kullës së ashensorit, tërhequr nga një kabllo e pafundme prej çeliku e cila vihet në punë në sipërfaqen e tokës. Zvarritesh nëpër perdet prej thasësh pëlhure dhe dyerve të trasha prej druri të cilat, kur hapen, lejojnë shpërthime ajri të papërmbajtshme. Këto dyer janë pjesë e rëndësishme e sistemit të ajrimit. Ajri i varfëruar thithet riga njëri prej gypave nëpërmjet ajruesve, kështu që ajri i pastër hyn nëpërmjet gypit tjetër. Por, sikur ajri të mos trazohet atëherë ai do të përhapet përqark duke ndjekur rrugën më të shkurtër, duke i lënë kështu galeritë më të thella të minierës të paajruara; andaj, gjithë kalimet e shkurtra duhen ndarë me tërthore.
Në fillim, të nisësh të ecësh i kërrusur është veçse shaka, por shaka që shuhet sa hap e mbyll sytë. E keqja ime është se unë jam tmerrësisht i gjatë, por kur çatia është katër këmbë e lartë kjo është një punë e vështirë për gjithkënd, me përjashtim  të xhuxhëve a fëmijëve. Jo vetëm që të duhet të palosesh fare, por ndërkaq je i detyruar ta mbash kokën lart në mënyrë që të shohësh trarët dhe shtyllat mbështetëse anësore e t'i shmangësh kur i rastis ato. Kësisoj, të zë gjithnjë ngërçi në qafë, por kjo ska të krahasuar me dhembjet e forta që ndien te gjunjët dhe kofshët.

S'e teproj po të them se mbas një gjysmë miljeje kjo shndërrohet në hekë të padurueshme. Fillon të pyesësh veten nëse do të shkosh deri në fund, madje kjo punë nuk merr fund me kaq, pasi vret mendjen se si dreqin do të arrish të kthehesh. Të ecurit sa vjen e të ngadalësohet gjithnjë e më shumë. Futesh në një ngushticë dyqind jardë të gjatë, lartësia e së cilës është tmerrësisht e ulët kështu që të duhet të punosh galiç. Atëherë, befas tavani ngrihet në një lartësi të mistershme - skena e rrëzimës së vjetër të ndonjë shkëmbi - dhe për njëzet jardë pa ndërprerje ti ke mundësi të rrish me trupin drejt. Lehtësimi që përjeton është mbytës. Por, mbas kësaj, vjen një tjetër grykë e ulët njëqind jardë e gjatë e paskëtaj një vargan trarësh poshtë të cilëve duhet të kalosh zvarrë.

Zbret sa me këmbë e sa me duar; edhe kjo eshtë lule në krahasim me pozicionin galiç që t'u desh të rrije para kësaj. Por, kur shkon në fund të trarëve mbështetës dhe orvatesh të ngrihesh sërish në këmbë, sheh se puna t'i ka mpirë gjunjët dhe nuk pranon që nuk pranon të të lërë të ngrihesh. Gjithë turp, ti thërret «ndal!» dhe thua se ke qejf të çlodhesh për një a dy minuta. Ai që të heq udhën, i cili është minator, është mirëkuptues. E di që nuk i ke muskujt si të tijtë. «Na kanë mbetur vetëm katërqind jardë të tjerë», - të thotë ai për të të dhënë zemër; ty të duket sikur ai thotë edhe katërqind milje të tjera. Por, në fund, ti bën si bën dhe shkon osh e zvarrë te shtresa me qymyr. Ke përshkuar një milje dhe koha që t'u desh ta bëje këtë qe gati një orë; minatori këtë do ta bënte për jo më shumë se njëzet minuta. Pasi mbërrin atje, të duhet të shtrihesh sa gjatazi e gjerazi që të marrësh fuqi për disa minuta derisa të jesh në gjendje të kuptosh punën që është duke u kryer.

Kthimi është ku e ku më keq se nisja sepse, jo vetëm që je i sfilitur fare, por edhe ngaqë rruga e kthimit për te kulla e ashensorit vjen paksa përpjetë. Vendet e ulëta i kalon me çapin e breshkës, e tani nuk të vjen aspak turp të thuash «ndalo!» kur nuk të mbajnë më gjunjët. Te rëndet edhe vetë Uamba që mban e me sa duket kur qëllon të pengohesh atë e përflak tutje; e nëse është llambë me naftë atëherë ajo shuhet përnjëherë. Kalimi poshtë trarëve me kryet ulur sa vjen e bëhet një rrekje më e vështirë, e ngandonjëherë rastis që të harrosh të ulësh kokën. Mundohesh të ecësh me kokën ulur njëlloj siç bëjnë edhe minatorët, por atëherë të kërcet peshku i kurrizit. Kjo u ndodh shpesh edhe vetë minatorëve. Pikërisht për këtë arsye në minierat tejet të nxehta, ku nevoja e lyp të ecësh gjysmë i zhveshur, shumica dërrmuese e minatorëve kanë ato që ata i quajnë «kopsa poshtë në kurriz, domethënë, kore në secilën prej rruazave të peshkut të kurrizit.

Kur rastis që rruga të jetë tatëpjetë kodrës atëherë minatorët nganjëherë ngrënë nallanet, të cilat përposh janë të zgavërta, dhe i varin tek teli i vagonëve dhe zënë të rrëshqasin. Në ato miniera ku «udhëtimi» është në gjendje tmerrësisht të keqe tërë minatorët pa përjashtim marrin me vete shkopinj dy këmbë e gjysmë të gjatë të zgafulluar poshtë te doreza. Në vende të zakonshme ti dorën e vë te maja e bastunit ndërsa poshtë saj dorën e rrëshqet te zgavra.

Këta shkopinj janë një ndihmë e vërtetë, kurse kokoret mbrojtëse prej druri - një shpikje kjo deri diku aty shpejti - dhuratë nga Zoti. Ato përngjajnë krejt me kokore frënge a italiane prej çeliku, por bëhen me palcë pemësh dhe janë jashtë mase të lehta, e kaq të forta sa edhe sikur të të heqin ndonjë të goditur të fortë mbi to, ti prapëseprapë nuk e ndien fare. Kur, më në fund, kthehesh në sipërfaqe, pasi ndoshta ke qëndruar tri orë nëntokë e ke përshkuar vetëm dy milje, je më i kapitur sikur të kishe ecur njëzet e pesë milje sipër në tokë. Për një javë rresht kofshët i ke kaq të ngrira sa zbritja e shkallëve përbën një mundim të vërtetë; je i detyruar të manovrosh në një mënyrë të pazakontë anash, pa i përkulur gjunjët. Shokëve të tu të punës u bie në sy ecja jote e ngadaltë e  për pasojë të shpotitin. (Sa t'pëlqeka të punosh poshtë në galeri, hë?  Madje edhe një minator me përvojë që është shkëputur prej kohësh nga balli i punës - si rrjedhojë e ndonjë sëmundjeje, për shembull - kur kthehet rishtas në galeri, ditët e para heq të zitë e ullirit derisa të mësohet.

Mund të duket sikur unë po e teproj ca, paçka se kurrkush nuk është futur në ndonjë minierë të vjetër (e shumica e minierave në Angli janë të tilla) dhe të ketë vajtur deri te shtresa me qymyr guri, mund të thotë dikush. Por, dua të theksoj këtë: në vende të tilla puna bëhet duke ecur këmbadoras nga njëri vend në tjetrin gjë që, në vetvete, për çdo person të zakonshëm, është një punë e përditshme e lodhshme; dhe nuk bën pjesë fare në punën e minatorit, është veçse angari, bash si ata që shkojnë ditë për ditë në metro. E minatori e bën një udhëtim të atillë poshtë e përpjetë e, pastaj, i duhet të punojë qençe për shtatë orë e gjysmë. Për vete smë ka rënë asnjëherë rasti të udhëtoj më shumë se një milje gjer te shtresa e qymyrit, por, në më të shumtën e rasteve, ajo eshtë tri milje, gjë që as unë e as shumica e minatorëve nuk do të arrinin askurrë atje. Këtë punë kushdo është i prirë të mos e kryejë dot.

Kur mendon për një galeri miniere atëherë përfytyron: theilësi, nxehtësi, terrinë dhe pamje njerëzish të nxirosur që ndukin qymyrguri; jo medoemos të shkon mendja për gjithë ato milje që të duhet t'i përshkosh duke u zvarritur tutje-tëhu. Pastaj, është edhe puna e kohës. Ndërresa prej shtatë orësh e gjysmë që bëjnë minatorët mund të mos duket edhe aq e gjatë, por kësaj shtoji së paku një orë e, shpesh, dy a ndonjëherë gjer në tri orë «udhëtim» ditë mbas dite. Afërmendsh që «udhëtimi» nuk llogaritet në punë andaj minatori nuk paguhet për të, por gjithsesi nuk ka asnjë ndryshim nga puna që bëhet në minierë. Nuk është e vështirë të thuhet se minatorit nuk i bëhet vonë për të. Sigurisht, ata. E kanë më të lehtë se ne. Kanë qysh fëmijë që e bëjnë një punë të këtillë, muskujt u janë forcuar nga puna dhe lart e poshtë nën tokë mund të lëvizin me një shkathtësi befasuese, në mos të  frikshme fare. 

Minatori ul kokën dhe ecën me të shpejtë, me hap të madh e të zhdërvjellët, nëpër vende që mua vetëm sa do të më merreshin këmbët. Në punë ata i shikon duke ecur këmbadoras, duke shmangur trarët mbështetës të galerive si të ishin ngjala. Por, gabon rëndë në pandehsh se u pëlqen puna që bëjnë. Përkundrazi, kam folur me sa e sa minatorë të cilët, pa përjashtim, e pranojnë se. «udhëtimi» është punë e rëndë; kurdoherë që i dëgjon të fjalosen për ndonjë galeri mes tyre, «udhëtimi» zë gjithnjë vend të parë. Sipas të thënave punëtorët e ndërresës që e lënë punën kthehen më shpejt se ata të ndërresës që e marrin atë; megjithatë, minatorët, nga i pari e deri tek i fundit, thonë se kthimi mbas një dite të vështirë pune është veçanërisht i mundimshëm. Kjo është pjesë e punës që bëjnë e ata ia kanë marrë dorën, por doemos që kjo është kapitëse. Mbase është njëlloj si të ngjitësh një kukumal para dhe pas pune.

Vetëm pasi të kesh zbritur në një a dy galeri minierash arrin të kuptosh çështjet që ndodhin nëntokë. (Meqë ra fjala, më duhet të them se unë smarr erë fare nga ana teknike e shfrytëzimit të minierave: thjesht po përshkruaj atë çka kam parë). Qymyri ndodhet në damarë të hollë midis shtresave vigane shkëmbore kështu që, në thelb, ecuria e nxjerrjes së tij ngjason me heqjen e gozhdës që gjendet në mes dy gozhdësh. Dikur motit minatorët e kishin zakon që, me kazma e qysqi, të shkonin drejt e te qymyri - punë tmerrësisht e ngadaltë sepse, qymyri kur është i paprekur, është i fortë gur. Ndërsa sot punën paraprake e kryen makineria qymyrgërryese elektrike e cila, në parim është një sharrë shirit e fuqishme dhe e fortë, e cila punon horizontalisht në vend se vertikalisht, ndërsa dhëmbëzat i ka disa inç të gjatë e gjysmë inçi a një inç të trasha. Kur vihet në punë ajo mund të lëvizë para ose mbrapa, kurse njerëzit që e drejtojnë atë mund ta lëvizin majtas ose djathtas. Me raste ajo bën një nga zhurmat më shurdhuese që më ka rënë rasti të kem dëgjuar ndonjëherë dhe lëshon re pluhur qymyrguri të cilat e pamundësojnë krejt shikimin më shumë se  dy a tri këmbë matanë tyre dhe e ke pothuajse të pamundur të marrësh frymë. Makineria ecën në drejtim të shtresës qymyrgurore duke depërtuar në taban të saj dhe gërmon deri në pesë apo pesë këmbë e gjysmë thellë nën të; paskëtaj, qymyrin nuk është edhe aq e vështirë ta nxjerrësh nga thellësia e gërmuar. Megjithatë, aty ku vërtet është «e vështirë nxjerrja e tij», atëherë kjo arrihet përmes lëndëve shpërthyese. Dikush me pistoletë elektrike, si ato pistoletat më të vogla që përdoren për ndreqjen e rrugëve, çel vrima herë pas here te qymyri, fut barut minash, e tapos me deltinë, shkon mbas qoshes me shkathtësi të madhe (mendohet që ai të shkojë në një largësi deri në njëzet e pesë jardësh) dhe mbushjen e shpërthen me anë të rrymës elektrike. Kjo nuk bëhet për ta nxjerrë qymyrin por, përkundrazi, për ta shkolitur atë.

Ndonjëherë ndodh që, kur ka shumë lëndë shpërthyese, atëherë ajo jo vetëm nxjerr qymyrin por shemb edhe tavanin e galerisë. Pasi është kryer shpërthimi, atëherë «lopataxhinjtë» rrëzojnë qymyrin, e copëtojnë dhe, me lopata, e hedhin te rripi i transmisionit. Fillimisht, ai është në copa aq të mëdha, sa ato mund të peshojnë pa frikë deri në njëzet tonë secila. Rripi i transmetimit i shpie ato nëpër depo të mëdha e, prej andej i çojnë në një kanai të madh dhe nëpërmjet një kablloje prej çeliku që duket sikur s'ka të sosur, përfundojnë drejt e në ashensor. Më pas i ngrenë sipër mbi tokë, i shoshitin dhe, nëse është e nevojshme, edhe i pastrojnë me ujë. Brenda mundësive «pisllëkun» - domethënë, rreshpet - e përdorin për ndërtimin e rrugëve nëntokë. Materialin e papërdorshëm e çojnë sipër në tokë dhe e derdhin duke përftuar kështu pirgje mbeturinash; kjo krijon «pirgjet sterile» nga minerali, të cilat, si male të hirta të lerosura, përftojnë pamjen karakteristike të zonave qymyrgurore. Kur qymyri nxirret nga thellësia, gjë e cila kryhet nëpërmjet makinerisë, shtresa e qymyrgurit është ngrënë me pesë këmbë thellësi. Trarët mbështetës vendosen për të mbajtur çatinë e sapondërtuar dhe, gjatë ndërresës tjetër, rripi i transmisionit zbërthehet pjesë-pjesë, lëvizet pesë këmbë përpara  dhe mbërthehet përsëri. Për aq sa e lejojnë mundësitë, tri veprimet - e prerjes, shperthimit dhe e nxjerrjes së qymyrgurit – zhvillohen në tri ndërresa: pasdite prerja, natën, shpërthimi (ka një ligj, edhe pse nuk zbatohet gjithnjë, që e ndaloh këtë kur ka njerëz rrotull), ndërsa «mbartja» e materialit në ndërresën e mëngjesit, e cila fillon nga ora gjashtë deri në orën një e gjysmë pasdreke.

Edhe kur vëzhgon ecurinë e nxjerrjes së qymyrgurit, ka shumë mundësi që këtë e bën për një kohë të shkurtër, e vetëm pasi nis të bësh disa përllogaritje atëherë e kupton se sa punë të madhe arrijnë të bëjnë «vagonët». Zakonisht, çdo minatori i duhet të pastrojë një hapësirë prej katër a pesë jardësh të gjerë.

Presa e ka gërmuar qymyrin e gurit deri në pesë këmbë thellësi, kështu që nëse damari me qymyrgur është tri a katër këmbë i lartë, atëherë i bie që çdo minatori i duhet të presë, thyejë dhe ngarkojë te rripi sasinë që shkon nga shtatë deri dymbëdhjetë jardë kub me qymyr. Domethënë, duke qenë se një jard kub është baras me dymijë e shtatëqind funte angleze, atëherë i bie që secili minator të ngarkojë qymyr me shpejtësinë e dy tonëve në orë.

Kam aq përvojë sa të di se ç'është puna me kazmë e lopatë, sa ta kuptoj se ç'nënkupton kjo. Kur çel kanale në kopshtin tim, nëse arrij të zhvendos deri në dy tonë dhë pasdite, e ndiej që do të më qerasin me çaj. Por, mbitoka përbëhet prej materiali të butë në krahasim me qymyrin e gurit, kësisoj unë nuk jam i detyruar të punoj i përgjunjur, njëmijë këmbë nën dhë, me nxehtësi mbytëse dhe duke kapërdirë pluhur qymyrguri sa herë që marr frymë; as më duhet të eci një milje i palosur më dysh derisa te nis punën.

Zeja e minatorit është po aq jashtë mundësive të mia sa ç'do të ish po të luaja në një trapez fluturues a të fitoja Çmimin e Madh Kombëtar. Unë nuk jam punëtor krahu e, falë Zotit, s'kam për t u bërë ndonjëherë i tillë, por ka disa punë krahu që mund t'i  bëj nëse më shtrëngojnë. Shumë-shumë, mund të jem veçse një fshesar i zakonshëm a ndonjë kopshtar i paaftë ose madje fusharak i dorës së fundit. Por, sado përpjekje dhe stërvitje të madhe të më jepet, unë nuk mund të bëhem kurrë minator, pasi një punë e tillë do të ma merrte shpirtin brenda pak javësh.

Duke i parë xehetarët teksa punojnë, e kupton në çast se në ç'bote të ndryshme që banojnë njerëzit. Atje poshtë ku nxirret qymyr është një bote e ndryshme nga ajo ku jetojmë ne, ku e çojmë jetën pa e ditur që ajo ekziston. Megjithatë, ajo është e barasvlershmja e domosdoshme e botës tonë sipër tokës. Në të vërtetë, çdo gjë që bëjmë, nga ngrënia e akullit e deri te kaptimi i Atlantikut, nga pjekja e bukës e gjer te shkrimi i romaneve, përfshin përdorimin, drejtpërdrejt a tërthorazi, të qymyrit të gurit. Sepse të gjitha dredhitë e paqes ia kanë nevojën atij; në rast se shpërthen lufta, atëherë ai nevojitet edhe më shumë. Në kohë revolucionesh minatori duhet të vazhdojë të punojë, ndryshe revolucionet ndalin, ngase këto kanë po aq nevojë për qymyr guri sa edhe reaksionet e ndryshme. Çfarëdo që të ndodhë në faqen e dheut, nxjerrja dhe futja e qymyrit të gurit me lopatë nuk duhet të ndalë për asnjë çast, ose, sidoqoftë, pa reshtur për më shumë se disa javë, më e shumta. Në mënyrë që Hitleri të marshojë me hap të shtrirë, që papa të denoncojë bolshevizmin, që turmat e hijshme të mblidhen rreth zotërinjve, që poetët t ia krehin bishtin njëri- tjetrit, duhet nxjerrë gjithherë qymyrguri. Por, në përgjithësi, ne nuk jemi të vetëdijshëm për këtë; dimë pa përjashtim se «duhet të kemi qymyr guri», por rrallë apo askurrë nuk na shkon ndër mend se çfarë nënkupton kjo. Që, unë jam ulur duke shkruar përpara zjarrit bubulak me qymyrguri. Ndonëse është prill, unë prapëseprapë kam nevojë për zjarr. Në krye të dy javëve karroca e qymyrit ndalon te porta dhe punëtorët me zhguna lëkure e futin me thasë të fortë brenda shtëpisë qymyrin e gurit, i cili kundërmon era pisë dhe, e shtien gjithë zhurmë në depon poshtë shkallinave.

Ndodh shumë rrallë, kur mendjen e vë vërtet në punë, që unë bëj  lidhjen mes qymyrit të gurit me punën që bëhet në minierat e largëta. Është veçse qymyr, diçka që duhet ta kem: lëndë e zezë që mbërrin në mënyrë të mistershme jo nga ndonjë vend i veçantë, porsi mana vetëm se duhet ta paguash që ta kesh. Mund të lëvizësh fare lehtë me makinë nëpër veriun e Anglisë e të të mos shkojë asnjëherë ndër mend se qindra këmbë poshtë rrugës paska miniera që nxjerrin qymyrguri. Megjithatë, në njëfarë kuptimi, ata që e bëjnë të ecë përpara makinën tënde janë minatorët. Bota e tyre poshtë e ndriçuar me llamba është po aq e domosdoshme për botën e ndriçuar nga drita e diellit ashtu sikurse është rrënja për bimën.

S'ka kaluar shumë kohë dhe tani kushtet nëpër miniera janë më të mira se më parë. Ende rrojnë disa gra të thyera në moshë që në të ritë e viteve të tyre kanë punuar nëntokë, me vegla në brez e ndërkohë që këmbët i kishin të lidhura me zinxhir, ato zvarriteshin sa me duar e sa me këmbë duke tërhequr cisterna me qymyr guri. Këtë vazhdonin ta bënin edhe kur kishin mbetur shtatzëna. Bile edhe tani, sikur qymyri i gurit të mos arrihej të prodhohej dot pa gratë shtatzëna që ta bartnin sa para-mbrapa atë, jam i mendjes që ne do t'i shtynim ato ta bënin një gjë të tillë, në vend që të rrinim pa qymyr. Por, më të shumtën e kohës, do të kishim qejf të mos e kujtonim që ato e kanë bërë këtë. Po njësoj është edhe me punën e krahut: ajo na mban gjallë, por ne as na bie ndër mend për të. Minatori, ndoshta, më shumë se gjithkush tjetër, përfaqëson punëtorin e krahut, jo vetëm ngaqë puna që ai bën është tmerrësisht e frikshme, por edhe pse është më se e domosdoshme, prapëseprapë është kaq larg nga përvoja jonë, aq e padukshme, si të thuash, saqë ne e harrojmë njëlloj si me gjakun që na rrjedh nëpër damarë. Në njëfarë mënyre, madje, është poshtëruese t'i shikosh minatorët teksa punojnë. Kjo të  ngjall dyshime të atypëratyshme rreth statusit tënd si «intelektual» dhe si person që, në përgjithësi, qëndron më lart se ata. Sidoqoftë, ata ta sjellin qymyrin e gurit në shtëpi, ndërkohë që ti vetëm sodit, ndërsa minatorëve u bie bretku si e si që personat që vrasin lart të mos e ulin hundën. Unë, ju, botuesi i shtojcës, poetët, kryepeshkopi i Kanterbërit dhe shoku X, autor i «Marksizmit përfëmijët» - vërtet të gjithë ne që e bëjmë jetën, deri diku, të mirë, ua kemi borxh atyre mundqarëve të ngratë nëntokë, që deri edhe sytë u janë nxirë, që gurmazin e kanë plot e përplot me pluhur qymyrguri dhe që lopatat i ngrenë me muskujt prej çeliku të krahëve dhe barkut.