1. Kryefaqe
  2. Pikëpamje
  3. Labirinti Komunist

Labirinti Komunist

image description

Jeta po bëhet gjithmonë dhe më e vështirë dhe komunizmi gjithmonë dhe më i ndërlikuar. Për ta ndjekur duhet të jesh kompetent në shkencën ose mashtrimin e ri që quhet psikanalize dhe që ka për baba profesorin vjenez Freud. I marrim gjërat me radhë. Në Internacionalen e Tretë, pra në organizatën politike të komunizmit, u dalluan tre, mund t’i quajmë drejtime, fraksione apo rryma. E djathta, qendra, e majta. E djathta në një moment përfaqësohej nga Kameneffi dhe Zionovieffi. Nuk është shumë e qartë ku përfundoi. Mund të supozohet se u kthye në stallë. Qendra personifikohet nga Stalini, domethënë pasardhësi i tanishëm i Leninit.  Fraksioni i qendrës është ai që ka në duar pushtetin në Rusi dhe në Internacionalen e Tretë, dhe duket se nuk ka aspak ndër mend ta lëshojë apo ta ndajë me të tjerët. E majta komuniste, deri para pak kohësh përfaqësohej nga Trotzky, të cilin Sovjetët e kanë internuar në një fshat turk. 

Vazhdojmë t’i marrim gjërat me radhë. Nga fraksioni «trockist» i së majtës u shkëput një fraksion i vogël italian, i cili kishte në krye, deri pak vite më parë, inxhinierin Amadeo Bordiga nga Napoli. Ky nënfraksion boton, jashtë shtetit, një gazetë që quhet Prometeu, ku fraksionistët quhen edhe «prometeas» ose «bordigistët». Por «prometeasit» u ndanë edhe ata në fraksion të vogël (shkuan pesë deri tani!), i cili ka zgjedhur moton «Pour la renaissance communiste» dhe shpërndan një publikim të shaptilografuar, i cili ka mbërritur deri në tavolinën tonë, dhe që drejtohet nga një farë z. Rousseau me banim në Paris. Lexim i lodhshëm, për shkak të cilësisë së dobët të shtypjes, por shumë interesant.

Shfletojmë me kujdes të madh të njëzetenjë faqet, të gjitha të mbushura me polemika të zjarrta. Pas pohimit të fraksionit mbizotërues (stalinist) se Gramsci është themeluesi i Partisë Komuniste Italiane, «reinassance communiste» vendos pikat mbi “i”:

«Qendra na e paraqet shokun Gramsci si themeluesin e Partisë Komuniste Italiane, si udhëheqës të proletariatit revolucionar italian dhe për këtë është e detyruar të falsifikojë paturpësisht realitetin historik. Gramsci themelues i PKI-së? Qendra bën shaka. Gramsci ishte për ndërhyrje. Besonte në luftën e demokracisë kundër imperializmit të Kaiserit. Gramsci, vallë, përgatiste themelimin e PKI-së duke bërë propagandë nacionaliste? Vetëm pas luftës Gramsci u afrua me lëvizjen revolucionare. Vallë Gramsci përfaqësonte proletariatin revolucionar italian gjatë themelimit të PKI-së? Sigurisht që jo. Tendenca historike revolucionare e proletariatit italian u pohua në tezat e Romës, teza në të cilat u bashkëngjit dhe i nënshkroi dhe Gramsci. Tezat e Romës të cilat Gramsci ka nënshkruar janë demaskuar nga qendra, e cila sot shpall dënimin e Bordigas dhe të së majtës italiane me qëllim ngritjen e Gramscit në rolin e “themeluesit” të PKI-së....»

Il Popolo d’Italia, N. 153, 19.6.1933, XX (w 1)  

Opera Omnia 26: 11-12.