1. Kryefaqe
  2. Periudha 1912-1924
  3. Aleanca Turko - Bullgare dhe komploti i Beqir Grebenesë

Aleanca Turko - Bullgare dhe komploti i Beqir Grebenesë

image description
Gjendja në Ballkan, trupat greke në Jug të Shqipërisë si dhe ndarja e vendit në dy qeveri lokale nga njëra anë, KNK dhe rivaliteti i dy Fuqive të Mëdha Italisë dhe Austro - Hungarisë në anën tjetër, çoi në zgjidhjen urgjente të çështjes së drejtuesit te vendit.

Kanditatë të shumtë u paraqitën nga Fuqitë e Mëdha. Krahas tyre edhe Perandoria Osmane e cila kishte hequr dorë me pahir nga sovraniteti i sulltanit mbi Shqipërinë, kishte paraqitur në Konferencën e Bukureshtit një propozim që në fronin shqiptar të vihej nje princ me origjinë myslimane ndoshta nga dinastia otomane . Në pranverën e vitit 1913, Turqia synonte të kishte një Shqipëri të fortë, por aleatë për të përballuar rritjen e Serbisë dhe Greqisë.

Për këtë qëllim qeveria e Stambollit, në mënyrë të veçantë, grupi unionistëve vuri në qarkullim idenë e vendosjes së një princi Turk [mysliman] në krye të shtetit shqiptar duke gjetur si kandidat të përshtatshëm ish-ministrin Turk të luftës Izet pashën, i cili ishte me origjinë shqiptare. Për ta përhapur këtë kandidaturë që ti kundërvihej asaj të princ Vidit të caktuar nga Fuqitë e Mëdha, në Shqipëri erdhën emisarë turq dhe oficerë xhonturq me origjinë shqiptare. Ata ishin me banim në Turqi, dhe disa prej tyre ishin anëtarë të partisë xhonturke qysh në fillesat e saj si: Arif Hikmeti, Xhenabi Adil etj. 
Gjatë gjithë vjeshtës së vitit 1913 në territorin shqiptar hynë e dolën shumë ushtarakë pjesë e grupeve xhonturke, të cilët po bëheshin pjesë e aleancës revanshiste Turko-Bullgare, kundër Greqisë dhe Serbisë. Kjo aleancë ka lidhje me konventën e  nënshkruar më 25 janar 1914 . Aleanca erdhi si pasojë e rritjes së territoreve të Greqisë dhe Serbisë pas mbarimit të Luftës së dytë Ballkanike. Hapi i parë për t'ia arritur qëllimit të saj, ishte të krijonin kushtet për sjelljen e një princi mysliman Turk në fronin e Shqipërisë. Meqenëse princi nuk ishte caktuar akoma nga Fuqitë e Mëdha, emisarët xhonturq, të kryesuar nga major Beqir Grebeneja e të përkrahur nga pasuesit e tyre shqiptarë, filluan të organizonin një lëvizje në favor të një princi turk. Esat Pashë Toptani, i cili kishte qenë deputet i parlamentit osman dhe që kishte njohje me xhonturqit, gjeti shumë shpejt një gjuhë të përbashkët me oficerët e ardhur turq, veçanërisht me Beqir Grebenenë që e priti si mik në shtëpinë e tij.

Nëpërmjet Beqir Grebenesë, ai synonte të likujdonte qeverinë e Vlorës. Beqir Grebeneja, nga ana e tij, nuk ndante të njëjtat mendime. Ai hyri në bisedime, jo vetëm me Esat Toptanin, por edhe me Ismail Qemalin të cilit i kërkoi "bashkëpunimin për të ndihmuar lëvizjen autonome në Maqedoni, për ta çliruar atë nga grekët dhe serbët. Bullgaria bashkëpunonte me lëvizjen. Rrethet e çliruara do të bashkoheshin me Shqipërinë" .

Shqipëria, e cila ishte në një gjendje kritike për mbijetesë mund të përfitonte nga kjo aleancë, e cila mund ti hapte dritën jeshile që të bashkonte përsëri tokat e saj të cilat ishin lënë jashtë kufijve amtarë pas vendimeve të Konferencës së Londrës. Ishte kjo arsyea që i tërhoqi vëmendjen Ismail Qemalit, i cili mendohej se po e mbështeste lëvizjen shtyrë nga konçensionet që do të fitonte qeveria e tij. Për këto arsye, ai, pranoi të hynte në bisedime të fshehta me Turqinë dhe Bullgarinë. Meqenëse Shqipëria e kishte të ndaluar përzierjen në traktate dhe konventa si shtet asnjanës gjatë Luftës Ballkanike i'u kërkua nga ana e xhonturqve që të kalonin nëpër territorin e saj çeta bullgare dhe turke, me pretekst për të sulmuar prapavijat serbe e greke. Si shpërblim xhonturqit i premtuan se në përfundim të luftës ata do t'i jepnin Kosovën dhe Çamërinë, madje nga burimet diplomatike mendohet se Ismail Qemali e pranoi marrëveshjen e fshehtë . Arsyea tjetër ndoshta ishte ndikimi tek Ismail Qemali i disa 
prej bashkëpunëtorëve të tij, të cilët vazhdonin të mbanin akoma kontakte dhe lidhje të fshehta me turqit e rinj si pjesë e strukturave ushtarake turke.

Nga përfaqësuesit e huaj pranë KNK-së mendohej se qëllimi i ardhjes së oficerëve xhonturq ishte përgatitja e terrenit për të sjellë në fron një princ mysliman si dhe për të përgatitur një lëvizje antigreke, ndoshta edhe antiserbe në rast të një konflikti greko-turk .

Por, komploti i organizuar nga Beqir Grebeneja u zbulua nga K.N.K-ja . Sipas Eqerem bej Vlorës i cili ngjarjen e përshkruan në kujtimet e tij, tregon se K.N.K-së i dërgoi letër një punonjës i Lloidit austriak. Në datën 7 janar 1914, anija "Meran" do të sillte ushtarë dhe oficerë të pajisur me pasaporta turke si tregtarë dhe ushtarë shqiptarë. Ato do të vinin në atdhe me pretekstin se lufta kishte mbaruar.
Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit me të marrë lajmin urdhëroi që prej oficerëve holandezë të cilëve u ishte besuar rregullimi i xhandarmërisë dhe i policisë të kontrollohej anija. Pas kontrollit të ushtruar u gjet një listë me emrat e 202 personave, dhe një shumë e konsiderueshme aridhe dinamiti. Atëherë pas zbulimit të këtij komploti, 202 ushtarët u kthyen mbrapsht me të njëjtën anije për në Trieste, ndërsa 6 oficerët midis tyre dhe Beqir Grebeneja i njohur me pseudonimin Besim Elbasanli Efendiu u arrestuan dhe u dënuan me vdekje.
 
Ndërsa Syrja Bej Vlora në kujtimet e tij tregon se këtë "lajm të zi", në lidhje me komplotin xhonturk, Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit i'a tregoi Myfid Bej Libohova i cili ishte përfaqësuesi shqiptar pranë këtij komisioni. Letrat që i'u gjetën Beqir Grebenesë, provojnë përfshirjen e qeverisë osmane. Beqir Grebeneja i dërgoi një telegram me udhëzimet e Vezirit të Madh konsullit të Perandorisë Osmane në Brindizi. Në këtë letër thuhej se duhej organizuar një takim midis Izet Pashës dhe Ismail Qemalit diku në Evropë, për këtë kërkohej një përgjigje nëpërmjet konsullit Turk në Brindizi, i cili mendohet se e ka transmetuar mesazhin e  tij të koduar . Krahas saj edhe telegrami i dërguar nga ambasadori Gjerman në Stamboll, përfaqësuesit të shtetit tij Winckel, pranë KNK-së tregonin se komploti ishte organizuar nga Stambolli . Hetimi i thellësishëm nga KNK-ja i dokumentave dhe veprimeve tregonte me fakte se sipas tyre Beqir Fehmi Efendiu ishte agjenti
kryesor i turqve të rinj në misionin e ngarkuar dhe se kishte takuar edhe Ismail Qemalin, me të cilin ai kishte arritur një marrëveshje.

Menjëherë kundërshtarët e Ismail Qemalit filluan të hapnin fushatë shpifjesh kundër figurës se tij, sikur kryetari i qeverisë kishte thirrur forca turke për një grusht shteti, që të sillte në fron një princ Turk dhe që ta bënte përsëri Shqipërinë, pjesë të Turqisë. Kjo çështje e detyroi Ismail Qemalin të japë dorëheqjen. Administrata e vendit kaloi në duart e KNK-ës. E njëjta gjë i'u kërkua nga KNK-ja edhe kryetarit të
Senatit te Durrësit Esat Pashës, i cili e pranoi me kusht që të shkonte në krye të delegacionit shqiptar në Noivid për ti ofruar kurorën e vendit, Princ Vidit.

Përsa i përket çështjes së Beqir Grebenesë dhe vërtetësisë së saj, duke parë situatën e krijuar e gjykoj: Së pari duhen parë dokumentat austriake, franceze dhe angleze të KNK-së, relacionet e përfaqësueve të saj dërguar qeverive të tyre. Në këto relacione jepen me detaje të plota mënyra se si është inspiruar, planifikuar dhe hapat për tu realizuar komploti. Komploti sipas dokumentave britanike kishte nisur si agjitacion kundër njohjes së një Princi të krishterë në zonat më të thella të krahinave të Mokrës, dhe të Gollobordës. Krahas kësaj Talat Pasha dhe Xhemal Beu kishin dërguar në Shqipëri banditin Beqir Grebeneja me një numër të madh ndjekësish për të çuar më tej edhe idenë e një princi mysliman. Por qëllimi kryesor i turqve të rinj ishte ngritja e një lëvizje për autonomi në Maqedoni dhe si bazë për ta do të shërbente Shqipëria . Plani i tyre ishte zgjedhja e një personazhi me prestigj në popull.

E dyta, duke parë dëshminë që vetë Izet pashaj ka dhënë për këtë problem, Pallaviçinit ambasadorit Austriak në Stamboll. Përsëri besohet të kishte patur dy përpjekje, nga ana e shqiptarëve në Stamboll në lidhje me ofertat e bëra atij si person i njohur. Këto ide mbetën në mes të rrugës, nga mënyra e organizimit dhe dekonspirimi i lëvizjes së tyre, si edhe nga përkrahja e vakët që gjetë në terren. Izet Pasha, nga ana e tij deklaronte se "nuk mund të bënte asgjë në kundërshtim me vullnetin e Fuqive të Mëdha", e sidomos "pa pëlqimin e Austro - Hungarisë dhe Italisë ". Veç kësaj Izet Pasha, nuk pranoi të kishte patur asnjë kontakt të tillë, as me qeverinë turke dhe as me ndonjë tjetër, dhe nuk kishte të bënte fare me ngjarjet që ndodhën në Shqipëri, në të cilat ishte shpërdoruar emri i tij".

Së fundmi, në kujtimet e protagonistit kryesor Beqir Grebenesë me titull "Mefkure-i Vatari' [Atdheu ideal] , vetë ai do ta përshkruajë luftën e tij, si luftë që e ka zhvilluar në mënyrë idealiste për liri dhe atdhe [vatan] nën Perandorinë Osmane. Në kujtimet e tij, ai do të shkruante, qysh në fillimet e krijimit të komitetit "Bashkim dhe Përparim", ka qenë ndër të parët anëtarë të tij. Një ndër oficerët kryesorë të armatës së perëndimit, 17 dhjetori i vitit 1912 do ta gjente në krye të një kompanie prej 600 vetësh duke luftuar në krahinat afër Janinës. Pasi trupat e armatës së Vardarit u larguan nga vendi ynë në muajt qershor - gusht të 1913, nëpërmjet skelës së Semanit dhe pak nëpërmjet portit të Vlorës. Ai mendoi të shkonte në Bukuresht ku po mbahej Traktati i Paqes për përfundimin e Luftës së dytë
Ballkanike.

Së bashku me një tjetër oficer xhonturk u nis nga Vlora në drejtim të Brindisit, dhe më pas drejt Bukureshtit ku do ta shihte që ky traktat po e bënte më të fuqishme Perandorinë, kjo i dha shpresa atij dhe bashkëpunëtorëve të tij që siç morën Edrenenë, do të mund t'i kthenin tokat Shqipërisë të marra padrejtësisht nga shtetet fqinje, Serbia dhe Greqia. Këto arsye ai i'a kishte shprehur më parë, më 15 prill 1913, në Vlorë, Myfit Bej Libohovës.

Krahas kujtimeve, edhe në dokumentat franceze do të dëshmohet për një letër të nisur nga Myfit Beu që e uron për suksesin e Edrenesë dhe që i tregon se do të niset 
Syrja beu për në Stamboll, i cili do të bisedonte me të në emër të tij për "çështjet e njohura".

Komploti i Beqir Grebenesë ishte përkrahur edhe nga një personazh mjaft i njohur në Shqipëri në ato vite Esat Pashë Toptani. Madje ai në një telegram që kishte nisur për në Stamboll i shkruante bashkëpuntorëve të tij, se Italia dhe Austria kundërshtonin në lidhje me lëvizjen e çetave që ai do të drejtonte kundër Greqisë. Në gjyq, para dënimit Beqir Grebeneja hetuesit e pyetën se ku e kishte gjetur
përkrahjen? Kësaj pyetje ai i'u përgjigj se: "kishte krijuar bindjen që do të ndihmohesh nga shqiptarët gjatë qëndrimit në Durrës tek Esat Pasha, i cili ishte tërhequr në fund për shkaqe që vetëm ai i dinte" . Komploti i Beqir Grebenesë, pasi u zbulua, pati pasoja të rëndësishme në jetën politike të qeverisë së Vlorës. Zbulimi i tij e detyroi Ismail Qemalin të jepte dorëheqjen me 22 janar 1914, dhe t'ia dorëzonte
pushtetin KNK-së deri në ardhjen e princit.