1. Kryefaqe
  2. Periudha 1912-1924
  3. Çështja e statusit të Shqipërisë pas luftës Ballkanike

Çështja e statusit të Shqipërisë pas luftës Ballkanike

image description
Konferenca Ambasadorëve në 17 dhjetor 1912, vendosi që të themelohej një Shqipëri autonome nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit, si dhe nën garancinë dhe kontrollin ekskluzive të gjashtë Fuqive të Mëdha. Shqipëria u shpall shtet asnjanës.

Ky vendim u mor në bazë të dy propozimeve atij të Rusisë që kërkonte krijimin e një shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e sulltanit, dhe propozimit austriak që kërkonte një Shqipëri autonome nën suzerenitetin e sulltanit . Kjo shënoi një hap prapa në lidhje me arritjen e popullit shqiptar shpalljen e pavarësisë dhe njëkohësisht një hap para në raport me kërkesat e shteteve fqinje për të
mos lejuar ekzistencën e shtetit shqiptar në Ballkan.

Vendimi i Konferencës së Londrës hasi në kundërshtimin e rreptë të qeverisë osmane. Sipas saj, Konferenca e Ambasadorëve kishte të drejtë të shfrytëzonte vetëm kërkesat e monarkive ballkanike që kishin fituar luftën. Kërkesa e palës shqiptare, nuk kishte bazë politike dhe juridike, pasi shqiptarët ishin nënshtetasit e saj, si rrjedhim marrëdhëniet e tyre me të ishin çështjet e brendshme të perandorisë. Edhe argumenti që paraqiti Porta e Lartë, për të kundërshtuar shpalljen e pavarësisë nuk ishte pa baza juridike.

Njohja e pavarësisë së plotë të Shqipërisë nënkuptonte për Portën, jo vetëm cënimin e sovranitetit, por edhe gjymtimin territorial të Perandorisë Osmane. Sipas tyre, Fuqitë e Mëdha nuk kishin të drejtë të kryenin operacione që i shkëpusnin Perandorisë Osmane territore në favor të një shteti të sapo shpallur dhe të vetshpallur, siç ishte Shqipëria, me të cilën shteti osman nuk kishte qenë në luftë të armatosur dhe nuk ishte mundur prej tij. 

Përkundrazi, në rrethanat e Evropës së "dinastive" që sundonte në kohën e Luftës së parë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha i japin të drejtën vetes që ta detyronin kur  ishte e nevojshme cilindo shtet pra edhe Perandorinë Osmane, për t'i dhënë një province të saj autonominë. Kjo për arsye se autonomia nuk e prekte integritetin territorial, as e eleminonte, por vetëm e kufizonte sovranitetin e një shteti .

Pavarësisht këtyre argumenteve, kundërshtimet që ndeshi vendimi i ambasadorëve nga Porta e Lartë dhe Qeveria e Përkohëshme e Vlorës kishin karaktere krejt të ndryshme. Stambolli, kërkoi anullimin e vendimit, për ti lënë viset shqiptare nën statusin e mëparshëm, pra nën zgjedhën shekullore osmane. Ndërsa, Qeveria e Vlorës kërkoi anullimin e vendimit duke ngulur këmbë për shkëputjen e plotë të saj nga perandoria, dhe duke kërkuar njohjen e pavarësisë së plotë të Shqipërisë.

Çështja Shqiptare në arenën ndërkombëtare nuk ishte e qartë. Qeverisë së Vlorës i duhej të përballonte, jo vetëm kundërshtimin e rreptë të fqinjëve ballkanike, por edhe atë të vetë Perandorise Osmane prandaj ajo u mundua të ruante ekuilibrat me të dyja palët.
 
Inaktiviteti i trupave osmane në tokat shqiptare,  toni këshillues, që përshkonte telegramet e kryeministrit Qamil Pasha drejtuar Ismail Qemalit , flisnin për një trashëgimi të përbashkët osmane e cila nuk mund të largohej me lehtësi. Nga ana tjetër vendimi i ndërkombëtarëve, për ta shpallur Shqipërinë provincë autonome nën sovranitetin e Portës së Lartë, konfirmonte se sovraniteti osman ishte ende në fuqi në viset shqiptare dhe varësinë nga Perandoria Osmane. Si provincë autonome Shqipëria nuk mund të ishte subjekt më vete në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Padyshim kemi të bëjmë me një status të ri të Shqipërisë në të drejtën ndërkombëtare, e cila nga një province e thjeshtë e Perandorisë Osmane bëhet një njësi autonome e saj . Ajo, duhej të përfaqësohej nga shteti suzeren, pra Perandoria Osmane. Rrjedhimisht, Shqipëria duhej ta ndiqte perandorinë në çdo situatë juridike, pra edhe  në gjendjen e luftës, me të gjitha pasojat që rridhnin prej saj. Kjo pozitë juridike e shtetit shqiptar lejonte edhe praninë e forcave osmane në territorin e tij.

Fillim i vitit 1913, Shqipërinë, e gjeti në gjendje të vështirë e cila erdhi duke u përkeqësuar. Më 2 janar të vitit 1913, delegacioni shqiptar i paraqiti një memorandum kryetarit të Konferencës së Londrës, Eduart Grejit . Nëpërmjet tij u kërkua që "Shqipërisë së ardhshme t'i jepej një formë e jashtme homogjene". "Populli shqiptar, - thuhej në këtë dokument, - si grupimi etnik më kompakt, më homogjen dhe më i rëndësishëm në Gadishullin Ballkanik, ka të drejtë të ketë shtetin e vet të bashkuar kombëtar". Qeveria e Vlorës u kërkoi Fuqive të Mëdha, që krahas me pavarësinë e plotë t'i njiheshin Shqipërisë homogjeniteti i saj i jashtëm, kufijtë e saj natyrorë, që diktohen sa nga rrethanat etnike të kohës së sotme, aq edhe nga të drejtat që i takonin popullit shqiptar si banues i hershëm i këtyre territoreve", si dhe ti ktheheshin e t'i liheshin Shqipërisë të gjitha trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia, nga Mali i Zi e nga Greqia, siç ishin Kosova, Dibra e trevat e tjera lindore të Shqipërisë dhe Çamëria
në jug të vendit.

Nëpërmjet këtij memorandumi rivendikoheshin kufij të tillë të cilat përbënin pa dyshim variantin maksimal të programit territorial të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kjo pikëpamje u përforcua më tepër edhe në shtesën që delegacioni shqiptar i paraqiti Konferencës më 25 janar 1913.

Kjo shtesë përmbante të dhëna statistikore të bazuara mbi kriteret etnike veçanërisht për popullsinë në Veri dhe Jug të vendit. E gjithë kjo ishte llogaritur nga Qeveria e Vlorës, për t'u dalë përpara pretendimeve të fqinjëve, të cilët nëpërmjet luftës Ballkanike kishin shfaqur dhe po përpiqeshin që ta vinin në zbatim. Prandaj, kompromisi që mendohej se ishte llogaritur për t'u dalë përpara pretendimeve të fqinjëve, krijonte në këtë mënyrë një marzh të mjaftueshëm për lëshime dhe  kompromise të pashmangshme . Bashkëpunimi shqiptaro-osman u bë një alternativë imponuese sidomos pas zyrtarizimit të pretendimeve greke për viset jugore shqiptare. Lufta e parë Ballkanike, [shtator - tetor 1912] që u zhvillua në trojet shqiptare, në Maqedoni dhe Thrakë, përfundoi me humbjen e Perandorisë Osmane. Bullgarët kishin zaptuar Edirnenë, dhe po arrinin në Çatallxha. Manastiri, u kaloi serbëve, dhe Selaniku ra në duar të grekëve. Shteti Osman kishte humbur territoret e fundit në
Ballkan, që në të vërtetë ishin tokat e para, që kjo perandori kishte pushtuar në Rumeli.

Qeveria e Qamil Pashës nuk dëshironte të pranonte përgjegjësinë për pasojat e tmerrshme të humbjes së luftës që kishte shkaktuar dhe shpërbërjen e Konferencës në 6 janar 1913, ndaj dhe rriti presionin ndaj shteteve të mëdha për t'u pranuar kushtet e rezultuara nga lufta. Në Stamboll, kundërshtarët poltikë të qeverisë [unionistët të udhëhequr nga Talat dhe Enver], kryen një grusht shteti. Sulmi u krye mbi Portën e Lartë më 23 janar 1913.  Kjo ngjarje solli rënien e qeverisë së Qamil Pashës, dhe në postin e kryeministrit u vendos Mahmut Shevqet Pasha.

Më 31 mars, Fuqitë e Mëdha i'u drejtuan me një notë kolektive Stambollit, ku i kërkuan të pranonte që ato vetë të ndërhynin si ndërmjetëse midis perandorisë së mundur nga lufta dhe aleatëve ballkanikë fitimtarë për të vendosur paqe midis tyre. Paraprakisht Fuqitë e Mëdha u morën vesh me Portën e Lartë që Perandoria të lëshonte në favor të monarkive ballkanase territoret që ajo zotëronte në Ballkan, në perëndim të vijës tokësore Midje-Enos. Nga kjo hapësirë gjeografike përjashtohej vetëm Shqipëria, e cila nuk duhej të bënte pjesë në lëshimet territoriale në favor të
monarkive fituese. Kufijtë e Shqipërisë do të caktoheshin nga vetë Fuqitë e Mëdha.

Situata u bë e qartë për kryeministrin Mahmut Shevket pasha i cili s'kishte rrugë dalje tjetër por duhej të nënshkruante paqen, për të plotësuar dëshirat e qeverive aleate ballkanike . Sapo arriti në Romë më 2 prill 1913, Ismail Qemali mori vesh se një ditë më parë kryeministri osman Mahmut Shefqet Pasha , kishte pranuar personalisht  propozimin e notës kolektive të Fuqive të Mëdha. Me këtë pëlqim pranohej më në fund krijimi i Shqipërisë autonome nën suzerenitetin e sulltanit, të cilin Porta e Lartë deri atëherë e kishte kundërshtuar me këmbëngulje. Ky lajm u përhap edhe nga një
artikull i një gazete e cila theksonte se qëndrimin e Rusisë, Mahmut Shefqet Pasha e cilësonte një dëm të madh për Turqinë, dhe po aty flitesh edhe për një ndarje të plotë
të Shqipërisë nga Perandoria Osmane.

Në parim sipas historiografisë shqiptare kjo ngjarje ishte një fitore për Lëvizjen Kombëtare, sepse më në fund Perandoria Osmane për herë të parë në historinë e saj shekullore të marrëdhënieve me Shqiptarët, pranoi hapur krijimin e një shteti kombëtar shqiptar, qoftë edhe autonom.

Megjithë këtë fitore të arritur, Ismail Qemali përsëri nuk u kënaq. Pëlqimin që dha më 1 prill 1913 kryeministri osman, Mahmut Shefqet Pasha për një Shqipëri autonome nën suzerenitetin e sulltanit kishte karakter personal dhe jo zyrtar. Rrjedhimisht deklarata ishte e pamjaftueshme për Fuqitë e Mëdha, mbasi pëlqimi duhej të vinte nga vetë sulltani si drejtues legjitim i shtetit osman me një dekret të nënshkruar prej tij. Por sulltan Mehmet Reshati V, i cili ushtronte edhe funksionin e Kalifit islamik, e kishte tepër të vështirë të pranonte publikisht shkëputjen e shqiptarëve myslimanë, nga Kalifati i tij.

Opinioni publik i qarqeve politike dhe shoqërore në Turqi tani qe ndarë më dysh. Një pjesë filloi të pajtohej me realitetin dhe të pranonte, ndonëse me shumë vështirësi pamundësinë dhe paaftësinë e Turqisë për ta mbajtur nën zgjedhë Shqipërinë, këtë vend tashmë të largët dhe të shkëputur territorialisht nga trupi i Perandorisë Osmane.

Nga ana tjetër ishin qarqet konservatore islamike si dhe personalitetet e partisë xhonturke që e konsideronin këtë shkëputje të papranueshme. Madje aktivistët e kësaj  rryme menduan të organizonin një grusht shteti për të rrëzuar Mahmut Shefqet pashën, si kapitullues dhe të vinin në vend të tij si kryeministër Izet Pashën, një nga protagonistët e rrymës konservatore perandorake. Ndonëse grushti i shtetit nuk u krye gjendja në Stamboll mbeti e nderë.

Përveç manifestime të egërsuara kundër shqiptarëve dhe kundër Mahmut Shefqet Pashës i cili mbeti i vrarë nga një atentat në qershor të 1913, doli në qarkullim një broshurë turqisht "Arnavutlar ne Yaptilar?" [Çfarë po bëjnë shqiptarët]? Ku kërkohej të mos lëshohej pe në drejtim të Shqipërisë. Sepse Shqipëria, ishte shkaktarja kryesore e humbjeve të tokave të Rumelisë69. Vrasja e Mahmut Shefqet Pashës, u pasua nga emërimi në postin e kryeministrit të Portës së Lartë, të kandidatit unionist Sait Halim Pashës.

Pikërisht në këto ditë të ndezura arriti në Londër delegacioni shqiptar. Në fillim delegacioni shqiptar kontaktoi privatisht me disa nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha. Pastaj ai u paraqit para Konferencës dhe mbrojti çështjen e pavarësisë shqiptare, duke përdorur argumentat që i kishte dhënë pak ditë më parë një gazete italiane, "Giornale d'Italia". Sipas argumentave paqja në rajon nuk mund të vendosej
pa njohur Pavarësinë e shqiptarëve dhe shkelja e të drejtave të shqiptarëve cënon, jo vetëm Shqipërinë, rajonin por edhe gjithë Evropën.

Por veprimtaria e delegacionit në Evropë do të minohej nga Esat Pashë Toptani. Në 22 prill 1913, qyteti i Shkodrës i'u dorëzua ushtrisë malazeze nga Esat Pasha. Në kujtimet e një ushtaraku osman, pjesëmarrës në mbrojtjen e këtij qyteti, përshkruhen me saktësi veprimet e kryera nga Esat Pashë Toptani nga data 20 prill deri në dorëzimin e kalasë së Shkodrës trupave të Princit Danilo.

Në muajin qershor ushtritë turke dhe serbe u larguan nga territori i Shqipërisë. Vetëm qeveria greke me pretekste të ndryshme vazhdonte të qëndronte përsëri në viset jugore. Shkodra, në muajin qershor të 1913 ndodhej nën administrimin e Fuqive të Mëdha, dhe më 29 korrik qyteti i kaloi plotësisht Shqipërisë.

Sipas zërave që kanë qarkulluar prej kohësh Ismail Qemali me mprehtësinë tij diplomatike arriti të tërheqë vëmendjen e ambasadorit gjerman në Londër, Kontit  Linchnovski, në favor të pavarësisë shqiptare me një sugjerim që goditi në shenjë. Ai i sugjeroi Lichnovskit, ti parashtronte perandorit të Gjermanisë Vilhelmit II, dëshirën që kishin shqiptarët për të pasur në krye të shtetit të tyre një "sovran" gjerman, "mbret" apo " princ" që ta caktonin Fuqitë e Mëdha i cili të mos kishte lidhje me sulltanin.

Duke marrë parasysh ndarjen fetare të popullit tonë ai besonte se vetëm një Sovran "protestan" do të ishte i favorshëm për vendin tonë. Menjëherë pas kësaj perandori gjerman Vilhelmi II, të cilit i pëlqeu mendimi, e shtyu atë, të merrej vesh me qeverinë Austriake, e cila do ta kishte më të lehtë të bënte propozimin duke qenë se shteti austriak mbizotërohej nga popullsi katolike. Diplomacia gjermane, duke patur relata më të favorshme miqësie me osmanët, i'u vu punës për të bindur sulltanin të pranonte pavarësinë e Shqipërisë. Kështu ambasadori Gjerman në Stamboll filloi të ndërhynte prane Portës së Lartë për ta bindur sulltanin që të pranonte sugjerimin e Fuqive të Mëdha. Krahas kësaj ambasadori gjerman i propozoi sulltanit edhe një shpërblim financiar për të cilën kishte shumë nevojë thesari perandorak.

Argumentet e ambasadorit gjerman në Stamboll e bindën sulltanin Mehmet Reshadin e V, të lejojë delegacionin osman që së bashku me përfaqësuesit e shteteve të Fuqive të Mëdha, të nënshkruajë paqen. Më 30 maj 1913 në Londër, Turqia nënshkrojë Traktatin e Paqes për përfundimin e Luftës së parë Ballkanike me vendet e Ballkanit .

Si një akt ndërkombëtar që vuloste fatin e Turqisë evropiane, traktati nuk mund t'i shmangej problemit shqiptar. Në këtë traktat, në nenin e dytë thuhet se; Perandoria Osmane ua ngarkon Fuqive të Mëdha, kujdesin dhe çështjen e ardhshme të Shqipërise dhe ishujve në Egje. [Osmanli Devleti, ile Ege adalarinin geleceginin sahiplanmasi Buyuk Devletler'e birakacakti] .

Përsa i takon Turqisë, nga ana e saj ishte një akt renoncimi [dorëheqjeje]. Kjo u vu re pas qëndrimit refuzues që mbajti Porta e Lartëme rastin e shpalljes së  pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntor 1912. Traktati i Paqes, ishte i pari dokument zyrtar me anë të cilit ajo hiqte dorë zyrtarisht nga të drejtat sovrane mbi Shqipërinë. Porta e Lartë e zhvishte veten nga çdo lloj roli dhe kompetence lidhur me Shqipërinë dhe gjithë çështjen shqiptare i'a besonte një organi ndërkombëtar të formuar nga Fuqitë e Mëdha.

Pas arritjes së këtij konsensusi të madh nga "koncerti evropian" u përqendrua vëmendja në rregullimin e statusit dhe organizimit të brendshëm të saj. Sipas historiografisë turke vendimet e Konferencës së Londrës të 1913, shtetit osman i'u imponuan me forcën diplomatike nga shtetet evropiane dhe me dhunën ushtarake nga shtetet e Ballkanit .

Në konferencë u paraqit gjatë muajit korrik një projekt nga Austro -Hungaria dhe Italia. Projekti do të paraqiste krijimin e një komisioni kontrolli që do të mbikqyrte shtetin shqiptar 5-10 vjet. Mbi bazën e tij u arrit marrëveshja e 29 korrikut në Londër kur konferenca mori vendimin përfundimtar përsa i takon shtetit shqiptar.

Sipas kësaj marrëveshjeje; më 29 Korrik 1913, Shqipëria shpallej principatë autonome sovrane dhe e trashëgueshme, nën garancinë e 6 Fuqive të Mëdha. Princi do të caktohej nga 6 fuqitë. Përjashtohej, çdo lidhje suzereniteti me Turqinë, dhe shpallej shtet asnjanës. Detyruan, Serbinë dhe Mali e Zi të tërhiqnin trupat e tyre nga Shqipëria, tani që ishte vendosur paqja.

Por Ballkani, përsëri filloi të ketë përplasje interesash, të cilat i bënë shtetet e Ballkanit të futeshin në Luftën e dytë Ballkanike e cila zgjati rreth dy javë, dhe përfundoi me shpartallimin e Bullgarisë. Më 10 gusht 1913, u nënshkrua Traktati i Paqes në Bukuresht për përfundimin e Luftës së dytë Ballkanike. Një pjesë e konsiderueshme e territorit osman u fitua nga Bullgaria. Marrëveshja për paqe midis
Osmano-Bullgarëve u nënshkrua në Stamboll në 19 shtator 1913. Marrëveshje të tjera për paqen, u nënshkruan edhe me Greqinë [Traktati i Athinës, 14 nëndor 1913], ku përsëri pati rishikim të kufijve.

Në fillim të tetorit 1913 sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Shqipëri erdhën anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të cilët u vendosën  në Vlorë. Po më 12 tetor i mbështetur nga trupa vullnetare [redifë], Esat Pashë Toptani me synimin për të realizuar parimin e vetëqeverisjes, shpalli Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme me qendër Durrësin. Kështu u krijuan dy qeveri shqiptare të cilat ishin përballë KNK-së.