1. Kryefaqe
  2. Periudha 1912-1924
  3. TRASHËGIMIA OSMANE NË SHQIPËRI 1912-1918

TRASHËGIMIA OSMANE NË SHQIPËRI 1912-1918

image description
Shpallja e Pavarësisë dhe qëndrimi i Turqisë

Shpërthimi i Luftës së Parë Ballkanike nga shtetet aleate të Ballkanit kundër
Turqisë në tetor 1912, shënon një etapë të re dhe vendimtare të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, kur ajo orientohet përfundimisht drejt shpalljes së Pavarësisë.
Lufta e parë Ballkanike filloi më 8 tetor të vitit 1912 dhe përfundoi më 30 maj
të vitit 1913. Kjo luftë filloi sipas një skenari klasik, ku u gjetën casus belli dhe
precedentët për nisjen e saj.

Në fund të shtatorit kundërshtarët e Perandorisë Osmane, [Greqia, Serbia,
Bullgaria, Mali i Zi] shpallën një mobilizim të përgjithshëm në vendet e tyre. Pas këtij
veprimi edhe ushtria osmane mori të njëjtat masa. Shtetet ballkanike nëpërmjet
forcave ushtarake të tyre kishin epërsi të plotë në numër, në armatime, dhe pajisjet
ushtarake ndaj forcave osmane. Ushtria turke numëronte në radhët e saj më pak se
300 000 veta, që do t'iu kundërviheshin, të paktën 800 000 bullgarëve, serbëve,
grekëve dhe malazezëve.

Përveç kësaj, duhet theksuar se trupat e tri vendeve aletate ishin të stërvitura
mirë dhe të pajisura me mjete luftarake. Nga ana tjetër, solidariteti i njësive ushtarake
osmane ishte i tronditur nga rekrutimi, në regjimin e turqve të rinj, i burrave që kishin
të njëjtën fe dhe racë me armikun. 

Një fakt që binte në sy ishte se trupat osmane ishin të pastërvitura mirë, të
pajisura keq dhe vështirësitë e transportit që hasnin, e bënin dërgimin e përforcimeve
të trupave ndihmëse, nga Azia e Vogël, shumë të ngadaltë.

Ushtritë e aleatëve korrën fitore të shpejta ndaj saj. Vetëm në fazën e parë të
luftës tetor - dhjetor 1912, aleatët pushtuan pjesën më të madhe të zotërimeve të saj në
Ballkan, me përjashtim të qyteteve kala të Shkodrës, Janinës dhe Edrenesë
(Adrianopoja) po bënin me sukses rezistencë, ndërkohë që trupat e Andollit në linjën
e Çatallxhas po mbronin kryeqytetin e Perandorisë.

Pushtimi i Shkodrës dhe i ultësirës rreth saj qe për Malin e Zi një çështje
jetike, si politikisht dhe ekonomikisht. Forcat ushtarake të Malit të Zi iu afruan qytetit
të Shkodrës nëpërmjet Tivarit dhe përgjatë Liqenit të Shkodrës. Trupat osmane ishin
duke u përgatitur në parim për operacione mbrojtjeje në veri të Shqipërisë. Shkodra,
mbrohej nga një ushtri osmane prej rreth 14.000 vetësh nën komandën e Hasan Riza
Pashës  Detyra e tyre ishte të mbronin pozicionet e forcave të armatosura osmane sa
më gjatë që të ishte e mundur. Forcat e Hasan Riza Pashës mbështeteshin prej një
brigade kufitare, nga trupat e Xhavit Pashës në Novipazar dhe prej redifëve të Esat
Pashë Toptanit.

Deri nga mesi i nëntorit, ushtria osmane u shkatërrua plotësisht dhe ushtritë e
aleatëve kishin pushtuar pothuasje gjithë sanxhakët e Turqisë evropiane. Qeveria
osmane e Qamil Pashës duke ndjekur me vëmendje situatën politike në Ballkan i
kishte të qarta, pasojat e ngjarjeve që në fillim të muajit nëntor. Më 3 nëntor kjo
qeveri u bëri thirrje Fuqive të Mëdha për të ndërmjetësuar dhe më 13 nëntor qeveria
xhonturke u shprehu aleatëve gatishmërinë e saj për të negociuar . Veprimet luftarake
u ndërprenë me 3 dhjetor 1912 me vendosjen e një armëpushimi ndërmjet Perandorisë
Osmane dhe Bullgarisë. 

Ismail Qemali duke e ndjekur situatën politike të krijuar në Ballkan dhe
gjendjen në të cilën ndodhej Perandoria Osmane në kujtimet e t'ia shkruante: "Pasi
Aleatët Ballkanike i shpallën luftë Turqisë dhe kur trupat bullgare pushtuan
Kirklarelinë ndërsa serbët zunë Shkupin, kuptova se për shqiptarët kishte ardhur koha
për të marrë masa energjike për shpëtimin e tyre".

Me shpërthimin e Luftës Ballkanike, kur sundimi osman në Ballkan po merrte
fund dhe ushtritë ballkanase kishin pushtuar shumicën e trojeve shqiptare,
udhëheqësit dhe veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare shqiptare parashtruan si detyrë të
ngutshme shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Përpara tyre u rrit në
mënyrë më serioze çështja e fatit të vendit, e qëndrimit që duhej mbajtur dhe e
mjeteve për ta shpëtuar Shqipërinë nga gjendja katastrofike që po kërcënonte
Perandorinë. Qysh në fillim të tetorit gazeta "Liri e Shqipërisë", e cila përfaqësonte
opinionin e kolonisë shqiptare të Sofjes u drejtohej shqiptarëve me thirrjen të "marrim
armët dhe të mbrojmë kufijtë e mëmëdheut tonë duke kërkuar autonominë e
Shqipërisë". Po kjo gazetë u drejtohej shqiptarëve t'u përmbaheshin udhëzimeve të
Sami Frashërit në veprën "Shqipëria ç'ka qenë ç'është dhe çdo të bëhet" domethënë
t'i jepnin një goditje të fortë perandorisë për të mos u rrokullisur së bashku me të në
greminë".

Kërkesa e shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, që ishte bërë
tanimë e përgjithshme, u parashtrua në fillim në vendimet e mbledhjes që udhëheqësit
kosovarë mbajtën në Shkup më 14 tetor 1912. Kjo mbledhje u realizua me nismën e
"Shoqërisë së zezë për shpëtim" e të degës "Pështimi" (Shpëtimi-Shkup).
Në proklamatën që doli prej saj, dërguar Fuqive të Mëdha u vu theksi në dy
aspekte të zgjidhjes shqiptare; së pari, do të veçoheshin qartë interesat e Shqipërisë
nga ato të Perandorisë Osmane, duke theksuar se "Shqipëria i ka kap armët jo për me
forcue sundimin e Turqisë në Ballkan, por me i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së
Shqipërisë ; së dyti, përcaktohej organizimi i ardhshëm i Shqipërisë, theksohej se, 
pavarësisht nga rezultatet e luftës, "shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajetet
veçse një formë politike e një formë sundimi".

Ky formulim në të vërtetë shprehte në thelb kërkesën e bashkimit të vilajeteve
shqiptare e të njësimit të qeverisjes së tyre, që do të arrihej vetëm me formimin e një
shteti kombëtar.

Por aksioni më i rëndësishëm politik, i cili do të çonte në shkëputjen e
Shqipërisë nga Perandoria Osmane e në themelimin e shtetit të pavarur ishte ai që do
të ndërmerej jashtë vendit, më 5 nëntor të vitit 1912, nga Ismail Qemali, Luigj
Gurakuqi dhe veprimtarët e shoqërive patriotike të Rumanisë, në mbledhjen e
Bukureshtit, . Në këtë takim u vendos të thirrej një Kuvend i Përgjithshëm Kombëtar
me përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. Ndërkaq, idea për mbledhjen e një kuvendi në
Shqipëri, do t'u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur
përkrahjen e qeverisë së Austro- Hungarisë. Në takimin që u bë në Vjenë, Ministri i
Jashtëm Austro-Hungarez, Berthold, e njoftoi Ismail Qemalin se Vjena ishte për një
Shqipëri autonome.

Autonomia tashmë në kuadrin e Perandorisë nuk kishte më asnjë kuptim. Ajo
ishte kapërcyer si nga pikëpamja e zhvillimit të situatës ushtarake në Ballkan dhe
veçanërisht në tokat shqiptare [forcat osmane ishin kudo në tërheqje], ashtu edhe nga
ngjarjet brenda vendit. Në këto kushte zgjidhja më e drejtë e çështjes shqiptare ishte
shpallja e pavarësisë. Idea e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së
Kuvendit Kombëtar në Vlorë u pritën me entuziazëm të madh në Shqipëri. Shqiptarët,
intelektualë dhe atdhetarë e kishin përgaditur terrenin për këtë hap madhor.
Në fillim të nëntorit doli parashikimi i Syrja Bej Vlorës: vendet aleate të
Ballkanit filluan të përparonin në mënyrë të pandalshme dhe pushtuan pothuajse të
gjitha trojet shqiptare. Paria e vendit dhe intelektualët konstatuan me dhimbje, se tani
kishte ardhur vërtetë momenti kritik, në të cilin shqiptarët duhej të vendosnin nëse do 
ta ndërtonin të ardhmen e tyre me Perandorinë Osmane, apo në mënyrë të pavarur prej
saj? 

Në ditët e para të nëntorit, paria e Vlorës vendosi që në atë qytet të mblidhej
Kuvendi Kombëtar dhe të thirrej Ismail Qemali. Aty u formua edhe një komision
përgaditor për organizimin e mbledhjes . Më 19 nëntor, gjatë rrugës për në atdhe,
Ismail Qemali ndaloi në Trieste14, aty ai do t'i deklaroi shtypit italian se "me të
mbërritur në atdhe do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë dhe do të formohej Qeveria e
Përkohëshme, për ta vënë Evropën para faktit të kryer ." Nga Trieste ai nisi
telegrame në çdo skaj të Shqipërisë, në të cilën shprehej se kishte ardhur momenti që
duhej të realizoheshin aspiratat tona kombëtare e cila ishte shpallja e pavarësisë. Në
qytetet kryesore shqiptarët i'u përgjigjën thirrjes së Ismail Qemalit dhe të komiteteve
lokale  duke shpallur njëri pas tjetrit pavarësinë. Këto veprime u kryen për t'i vënë
përpara faktit të kryer ushtrinë serbe dhe greke të cilat kishin nisur depërtimin në
brendësi të trojeve shqiptare. Atdhetarët ngritën flamurin kombëtar si në Shqipërinë e
Mesme, e të Jugut dhe njëkohësisht zgjodhën edhe delegatët për në Asamblenë
Kombëtare e cila duhej të mblidhej pa vonesë.

Më 19 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali u kthye nga Evropa në Durrës. Në
mënyrë që të ndalonte përparimin e trupave serbe nga veriu dhe atyre greke në jug
vendosi që të mbante një kongres kombëtar në Durrës me qëllim shpalljen e
pavarësisë Qamil Pasha, veziri i madh i osmanëve në atë kohë e urdhëroi ministrin e
brendshëm të qeverisë së tij që të mos lejonte kryerjen e këtij veprimi . Kongresi nuk
duhej lejuar të mbahej, meqenëse qeveria osmane donte ti ruante lidhjet me 
Shqipërinë . Duke mos qenë në gjendje për ta mbajtur kongresin në Durrës, sepse atij
po i afroheshin shumë serbët, kjo ide u kundërshtua edhe nga peshkopi grek Jakovi, i
cili tha që njihte dhe nderonte vetëm një flamur atë të Osmanëve. Kjo ide e mbajtjes
së kongresit pati kundërshtar edhe Mahmud Mahir Efendiun, Mytesarifin e Durrësit, i
cili ishte i kandisur nga një grup bejlerësh shqiptarë.

Duke parë gjendjen e krijuar dhe meqë serbët po i afroheshin Durrësit, Ismail
Qemali e shpërnguli bazën e veprimeve në Vlorë, ku i biri, Et'hemi u kishte bërë
thirrje ndërkohë përfaqësuesve të qyteteve nga e gjithë Shqipëria për tu mbledhur në
Vlorë në një kuvend mbarëkombëtar. Karvani i tij po përparonte në kushte të
pafavorshme, jo vetëm nga koha por edhe nga ndërprerja që i bëri Kara Said Pasha
komandanti i pjesës tjetër të ushtrisë së Vardarit. Ai gjendej i tërhequr me trupat e tij
midis Lushnjës dhe Beratit dhe kishte marrë një urdhër arresti për Ismail Qemalin dhe
përkrahësit, por këtë veprim ai nuk e kreu.

Ismail Qemali dhe pasuesit e tij arritën më 27 nëntor në Vlorë dhe pas një
takimi të shkurtër me delegatët dhe patriotët që kishin ardhur nga krahina të ndryshme
të vendit u mor vendimi që të nesërmen të shpallej pavarësia. Ky vendim besoj se
erdhi edhe nga fakti se shteti fqinj jugor Greqia kishte tentuar të priste lidhjen
telegrafike Vlorë-Otranto e cila pretendohej se përdorej nga nënpunësit osmanë për të
transmetuar lajme të rëndësishme ushtarake.

Më 28 nëntor 1912 u hap në Vlorë, Kuvendi Kombëtar. Kuvendi zgjodhi si
kryetar Ismail Qemalin, shkrues (sekretar) të parë Luigj Gurakuqin dhe shkrues të
dytë Shefqet Daiun . Ismail Qemali e filloi fjalimin e tij duke folur për të kaluarën e
Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e
tyre. Duke kaluar në ngjarjet e Luftës Ballkanike, ai tha: "Shqiptarët të cilët kishin
marrë pjesë në luftë më fort se si ushtarë, si të zotët e vendit për të shpëtuar veten e
tyre, kur e panë se ushtria e Turqisë u mund se mbretëria nuk mund të qëndronte më,
vrapuan të merrnin masat që koha kërkonte...". Pasi vuri në dukje se në rrethanat e
krijuara nga Lufta Ballkanike "e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga
Turqia", se çështja shqiptare kishte gjetur përkrahjen nga ana e Fuqive të Mëdha. 
Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar. U shpall Pavarësia e
Shqipërisë dhe u formua Qeveria e Përkohëshme e Vlorës. Krahas tyre u vendos të
zgjidhej një pleqësi për ndihmë dhe kontroll të qeverisë e të dërgohej një komision për
të mbrojtur çështjen shqiptare përpara Fuqive të Mëdha.

Që në ditën e parë të saj, në emër të Qeverisë së Vlorës dhe popullit shqiptar
Ismail Beu filloi përçapjet në fushën e politikës së jashtme.
Akti i parë diplomatik që ndërmori Ismail Qemali, menjëherë pas shpalljes së
pavarësisë është telegrami i datës 28 nëntor drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së
Lartë. Në këtë telegram fjalët e shkruara ishin; "Asamblea Kombëtare e përbërë nga
delegatë të çdo ane të Shqipërisë pa dallim feje. E mbledhur sot në qytetin e Vlorës,
shpalli pavarësinë politike të Shqipërisë dhe formoi qeverinë e Përkohëshme, të
ngarkuar me mision të mbrojë të drejtat e popullit shqiptar, të kërcënuar për zhdukje
nga ana e ushtrisë serbe e të çlirojë tokën kombëtare të pushtuar nga forcat e huaja. 
Pasi njoftohet shpallja e pavarësisë dhe formimi i një qeverie të përkohëshme
kërkohej njohja e këtij ndryshimi në jetën politike të kombit shqiptar. Duke i njoftuar
shkëlqesis tuaj këtë ngjarje kam nderin të kërkoj njohjen e ndryshimit në jetën politike
të shtetit shqiptarë .

Kjo ishte një kërkesë për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar, ashtu edhe për
njohjen e qeverisë së parë kombëtare. Ismail Qemali e shprehu qartë këtë kërkesë me
anë të letrave që u drejtoi më 29 nëntor konsullatave të Austro - Hungarisë, Italisë dhe
Rusisë në Vlorë; ai kërkonte që konsullatat të merrnin autorizimin e nevojshëm për të
vendosur marrëdhënie zyrtare me qeverinë e re kombëtare . Kurse në telegramin
dërguar Portës së Lartë kërkohej që qeveria osmane ta njihte shkëputjen e plotë të
Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ai do të theksojë vijën kryesore të politikës së
jashtme, që do të ndiqte qeveria e kryesuar prej tij. "Shqiptarët - nënvizonte ai ndjekin
vetëm një qëllim, të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet ballkanike dhe të bëhen aty
një element ekuilibri". Lidhur me këtë shqiptarëve u bënte thirrje të mbronin kombin
e tyre nga çdo sulm dhe nga çdo copëtim territorial.

Qëndrimi i asnjanësisë synonte ta mbante larg luftës Shqipërinë, për ta
shpëtuar nga rënia drejt greminës së bashku me Perandorinë Osmane, por edhe nga
oreksi i shteteve të Ballkanit të cilët përpiqeshin ta lidhnin politikën e tyre edhe me
tokat shqiptare. Nga vendet e Ballkanit të vetmit që i'u përgjigjën mirë shpalljes së
pavarësisë ishin rumunët.

Pas fillimit të Luftës së parë Ballkanike në fund të tetorit, Ismail Qemali u nis
për në Shqipëri. Ai ishte i shoqëruar prej Luigj Gurakuqit, një personalitet i shquar i
cili do t'i qëndronte gjithnjë afër Ismail Qemalit në të gjitha ngjarjet e mëdha që u
zhvilluan në vitin e pavarësisë.

Në Stamboll, Veziri i Madh Qamil Pasha, i cili ishte mik i Ismail Qemalit, e
kishte nxitur atë të qëndronte në krah të tij, madje ai i kishte ofruar edhe një post në 
qeverinë e tij. Ismail Qemali, këtë ofertë nuk e kishte pranuar dhe ishte përgjigjur "që
në rrethana të tjera do ta kisha pritur me kënaqësi por një detyrë më e lartë me detyron
të mos ta pranoj. Vendi im nuk është më këtu dhe unë duhet t'i ofroj shërbimet
atdheut tim". Qamil Pasha në fund e kishte pranuar dëshirën e mikut të tij.

Në atë kohë shkruante Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali u mundua t'i mbushë
mendjen qeverisë se ne shqiptarët jemi shpëtimi i Turqisë e të nxjerrë nga ajo, në mos
tjetër, njohjen zyrtare të kombësisë dhe të gjuhës sonë, edhe në kuadrin e një
autonomie brenda Perandorisë.

Refuzimi i propozimit të Qamil Pashës nuk ishte rastësi. Ismail Qemali nga
ana e tij e njihte mirë politikën "e vjetër të intrigave", prandaj vendosi që të ardhmen
e tij politiko- personale të mos ta lidhte më me fatin e Perandorisë, por ta ndërtonte
jashtë saj.

Nga ana tjetër, Qamil Pasha, ishte i njohur në dhomën e deputetëve osmanë
[Meclisi Mebusan] si mbrojtës i shqiptarëve, po kështu edhe në qeverinë e Ahmet
Muhtarit si mbrojtësi numër një i shqiptarëve, të cilët ai i shikonte si "bebja e syrit" .
Qeveria e Qamil Pashës i kishte ndjekur dhe vazhdonte ti ndiqte me vëmendje
ngjarjet që po ndodhnin në Shqipëri dhe në Ballkan. Informacionet Porta e Lartë i
merrte nga komanda e trupave të saj që ende ndodheshin në territoret shqiptare. Madje
në datën 25 nëntor Esad Pasha [komandanti i korparmatës së Janinës] i drejtonte një
telegram shtabit të përgjithshëm të ushtrisë perandorake. Në këtë telegram ai i bënte
me dije, se "Ismail Qemali kishte mbërritur në Durrës me 14 shokë dhe disa të huaj.
Ai kishte deklaruar se çështja shqiptare është e siguruar në planin politik, prandaj ka
thirrur në Vlorë të shkojnë përfaqësues nga krahina të ndryshme. Meqenëse për arsye
të gjendjes së luftës ështe i ndaluar çdo tubim ose mbledhje, u kemi kumtuar atyre se
duhet të heqin dorë nga mbajtja e kuvendit që ata kanë në plan. Megjithëkëtë,
meqenëse Ismail Qemal Beu ka ardhur nga Stambolli, duhet që qeveria perandorake 
të ketë pak a shumë dijeni mbi nismën që ka marrë ai dhe të ketë dhënë gjer diku
pëlqimin e saj lidhur me këtë nismë. Prandaj presim urdhrin tuaj".

Lidhur me këtë situatë të krijuar nga ardhja e Ismail Qemalit në Shqipëri, me
datën 26 nëntor është nisur kopja e këtij telegrami Ministrisë së Luftës, ku njoftohet
se përmbajtja e këtij telegrami, kërkon vëmendje të veçantë, dhe se priten udhëzime të
veçanta lidhur me këtë rast.

Po në datë 27 nëntor në Janinë thirret një mbledhje e j ashtëzakonshme e
këshillit administrativ të vilajetit nga valiu osman, i cili i nervozuar kishte thënë:
"Këtu ështe tokë otomane dhe ka vetëm otomanë. Kërkesat e shqiptarëve nuk mund të
plotësohen. Para se të realizohet kjo ngjarje nuk do të mbetet gur mbi gur. Por edhe
sikur të realizohej ideali i nacionalistëve dhe të krijohej një principatë shqiptare, këtë
nuk do ta lejonte Greqia fqinje"  Pra kuptohet se shkëputja nuk do të pritej mirë dhe
se nuk do të ishte e lehtë të arrihej, sepse tokat në perëndim të Ballkanit do t'i
shkëputeshin trungut të perandorisë. Në një telegram shifër dërguar më 28 nëntor,
përmbajtja ishte: "Ismail Beu me shokët e tij erdhi në Vlorë dhe mbajti kuvendin për
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërise". Presim përgjigjen tuaj.

Më 2 dhjetor përsëri ministri i luftës Nazim Pasha, i nisi një telegram Ismail
Qemalit, dërguar nëpëmjet komandantit të Armatës së perëndimit ku theksohej: "Po
merren lajme se ju keni marrë nisjativën për të bërë një Kuvend në Vlorë me qëllim
që të shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Jemi duke marrë masat për të themeluar në
Shqipëri, një administratë e një autonomi të lidhur me qeverinë autonome, ku të
përfshiheshin të gjitha ato vende të banuara prej shqiptarësh, ashtu siç ka qenë më
parë. Kjo ështe forma më e sigurt sesa në formimin e një Shqipërie të pavarur, ku 
rreziku është në shesh. Nuk ka mundësi aspak të sigurohet jeta e vazhdueshme në rast
se Shqipëria shpallet e pavarur".

Në përgjigjen dërguar qeverisë së vilajetit të Janinës nga Këshilli i Ministrave
osmane [Meclisi Vukela], më 30 nëntor të muajit të kaluar lidhur me armëpushimin e
afërm i bëhej një lutje Ismail Qemalit, ku theksohej: "Perandoria ka marrë përsipër që
e gjithë Shqipëria të organizohet si një administratë autonome, pa pranuar që ajo të
ndahet [nga perandoria]".

Porta nuk do ta pengojë atë nëqoftëse ai e shpall autonominë e Shqipërisë nën
protektoratin e Perandorisë Osmane. Por në të kundërt, Qeveria Osmane nuk mund ta
pranojnë përzierjen në këtë mendim të Fuqive të Mëdha, veçanërisht sugjerimet
Austriake dhe Italiane . Më tej theksohej se Porta njihte vetëm autonominë e saj me
një princ mysliman në krye. Përsa kohë vazhdonte Lufta Ballkanike, Portës së Lartë si
interesonte konflikti me Shqipërinë.

Sipas një telegrami sekret të datës 29 nëntor që i dërgohej qeverisë Ruse nga
ambasadori i saj Girs, theksohej se Ministri i Punëve të Jashtme të Perandorisë
Osmane Gabriel Beu theksonte se: "Shqipëria do të vihej në varësi vasaliteti kundrejt
Perandorisë Turke dhe do të qeveriset nga një princ prej familjes së Sulltanit . Edhe
në telegramin e mësipërm u pa qartë se qeveria osmane përpara se ti kthente
përgjigjen Qeverisë së Vlorës, e kishte marrë tashmë vendimin e saj në lidhje me
çështjen e njohjes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare. Asaj i
interesonte më shumë vetëm fati i Luftës Ballkanike dhe çështja e armëpushimit sesa
fati i shqiptarëve.

Lidhur me këtë në kujtimet e veta Ismail Qemali shkruan: "Porta e lartë - me
të marrë njoftimin tonë mbi pavarësinë e vuri veten në kundërshtim me aspiratat 
tona  . Kështu Qamil Pasha, Veziri i madh, në përgjigje të një telegrami të Ismail
Qemalit theksonte: "Shqipëria mund të shpëtojë vetëm po të bëhet vasale e
Perandorisë Osmane me një princ nga familja perandorake në krye të saj". Këtë
mendim i'a kishte thënë edhe Pallavaçinit ambasadorit të Austrisë në Stamboll, disa
ditë më parë se shqiptarët të shpallnin pavarësinë.

Pyetjes së Vezirit se ku shpresonte të mbështetej Shqipëria tek Austria apo
Italia, Ismail Qemali iu përgjigj se "Shqipëria nuk do të mbështetej as tek Italia as tek
Austria por në të drejtën e shqiptarëve për të ekzistuar si komb me vete, për të
ekzistuar dhe për të patur shtetin e tyre, si dhe detyrimin që kanë Fuqitë e Mëdha për
të respektuar kombësinë". 

Në Ballkan i cili po ziente si fuçi baruti, Turqia nuk mund të ishte tjetër veçse
një avokate e dobët e të drejtave të kombësive dhe Shqipëria preferonte ti mbronte
vetë të drejtat e saj, dhe nga ana tjetër në çastin e zgjidhjes përfundimtare nuk do të
kishte pengesa për të vendosur marrëdhënie të mira me Portën e lartë . Vendimi
motivohej me izolimin e Shqipërisë dhe me pazotësinë e Turqisë për ta mbrojtur
Shqipërinë nga armiqtë e jashtëm. Ai e siguronte Qamil Pashën se Shqipëria ka për
t'u përpjekur që të mbajë lidhjet fetare me kalifatin dhe të zgjedhë një organizim
politik, i cili ti përshtatet sa më mirë edhe interesave të perandorisë turke. Fjala
pavarësi në këtë telegram ishte evituar me kujdes 
Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës i cili e njihte mirë politikën
evropiane, interesat dhe kontraditat që ekzistonin midis Fuqive të Mëdha, i'u përgjigj
se Pavarësia e Shqipërisë mbështetej, në faktorin e brendshëm, te dëshira dhe vullneti
i patundur i shqiptarëve për të mbrojtur atdheun e tyre, për ta shpëtuar territorin dhe
kombësinë. Por krahas saj mbështetej dhe në faktorin e jashtëm që e favorizonin
krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Këta faktorë të jashtëm qenë sipas tij: 1)
Perandorisë Osmane i interesesonte të kishte një Shqipëri të fortë prapa armëve të
shteteve ballkanike; 2) Fuqive të Mëdha, kishininteres për të gjithë palët ruajtjene
ekuilibrit në Ballkan; 3) Dy prej fuqive të mëdha, Italia dhe Austro-Hungaria ishin 
direkt të interesuara, për të ruajtur ekuilibrin në Adriatik dhe mos lejimin e Serbisë të
kishte dalje në det 4) Parimi i kombësisë i njohur nga të katër shtetet ballkanike në
prag të shpalljes së luftës dhe pas fitores së tyre, për ti mbajtur territoret e pushtuara,
parim i cili meqë ishte njohur nga fuqitë, "na nxit të shpresojmë theksonte Ismail
Qemali se do të mund të përfitojë prej tij për pavarësinë e vet edhe kombi yne më i
lashti Ballkanit" . Në fund të telegramit ai shprehu bindjen se shqiptarët janë
plotësisht të zot për të qëndruar dhe qeverisur më vete.

Pse u mbajt ky qëndrim dhe pse osmanët nuk e pritën mirë shkëputjen e
Shqipërisë dhe mëvetësimin e saj, mendoj se tre ishin shkaqet kryesore:
Së pari, njihet rëndësia që ka patur Shqipëria nga pikëpamja gjeopolitike për
shtetin osman, sepse ishte pika më nevralgjike e saj si dhe lidhja e drejtpërdrejtë me
Evropën, nëpërmjet portës së saj të madhe, detit Adriatik.

Së dyti, sepse qeveria osmane mbeti shumë e pakënaqur me këtë rrjedhë që
morën ngjarjet. Ata kishin frikë se mos pavarësia e Shqipërisë do të paralajmëronte
telashe të tjera për vetë perandorinë. Ishte më e pëlqyeshme autonomia e saj nën
suazën e Perandorisë Osmane sesa shpallja e pavarësisë së plotë të Shqipërisë. Forcat
osmane ende mbanin të pushtuara Shkodrën dhe Janinën, dy fortesat historike të saj.
Së treti, që nga viti 1908 deri në disfatën përfundimtare të Perandorisë
Osmane më 1918, unionistët ose anëtarët e "Komitetit Bashkim e Përparim" përbënin
pjesën kryesore në qeverisjen e Perandorisë. Në këtët qeverisje ka patur edhe
përjashtime intervalesh të shkurtra drejtimi ndryshe [rreth 7 muaj], vetëm në kohën e
kabinetit të Ahmet Muhtar Pashës dhe të Qamil Pashes kur unionistët, ishin sunduesit
në politikë. Shqetësimi kryesor dhe i dëshpëruar i Turqve të rinj ishte mbijetesa e
perandorisë, e cila tani ishte në rrezik të dukshëm, ata besonin se shteti dhe shoqëria
otomane kishin nevojë për përmirësime rrënjësore, për ti shpëtuar kalbëzimit të tyre
nga brenda dhe sulmeve nga jashtë.

Kështu krahas vendimit zyrtar qëndrim u mbajt edhe nga historianë të kohës të
cilët në veprat e tyre botuan mendimet që kishin për Shpalljen e Pavarësisë së
Shqipërisë. Ata do të mbronin interesat e shtetit të tyre dhe jo ato të popullit shqiptar.  
A.B.Kuran, e qorton gabimin që bënë shqiptarët . Në periudhën e fundit 30 vjeçare
para Luftës së Ballkanit dhe më pas duke i'u mbështetur dokumentave të botuara
rreth kryengritjeve shqiptare, thekson se para Luftës së Ballkanit më saktë para
politikave të forta që zbatoi "Komiteti Bashkim dhe Përparim" në Shqipëri, as në
mendimet e të parëve të Shqipërisë dhe as në mendimet e bashkësive të popullit
shqiptar [shqiptarët e trojeve etnike] nuk kishte pasur ndonjë ide që ata të ndaheshin
nga perandoria. Edhe pse shqiptarët e ndritur ishin të varur nga patriotizmi dhe për
më tepër synonin të përqafonin parimet e çlirimit duke marrë parasysh nivelin e
përfshirjes së popullit të tyre, ata ishin larg mundësisë për ta mbrojtur pavarësinë. Pas
shpalljes së kushtetutës sipas politikës së ndjekur nga turqit e rinj me lënien pa
mbështetje ushtarake, pa mbështetje morale dhe materiale në minutat e fundit
nëqoftëse kërkuan këtë zgjidhje vazhdon ai, nuk kemi të drejtë të kërkojmë
shpjegime, "fara e mbjellë ka nxjerrë filiza".

Ahmet Hamdi shkruante: "shqiptarët as që mendonin për pavarësi vetëm në
jug të Shqipërisë kishte disa atdhetarë që kërkonin pavarësi por edhe këto atdhetarë
nuk e kanë pasur mbështjetjen e shqiptarëve të tjerë, duke pasur në mendje ide të tilla
se: "nuk ekziston një komb por një sundim ata nuk mund ta pranonin të jepnin
verdiktin e tyre për pavarësinë e Shqipërisë".

Por lufta ballkanike që vazhdonte në trojet shqiptare e vuri Qeverinë e
Përkohëshme në një gjendje të vështirë. Asaj i duhej të luftonte jo vetëm me armë
kundër ushtrive të Aleancës Ballkanike por edhe me diplomaci në arenën
ndërkombëtare për të mbrojtur çështjen e statusit të saj.

Ndërsa autori Necip Alpan, e ka nënvizuar më së miri luftën e shqiptarëve
lidhur me momentin e Shpalljes së Pavarësisë. Për shqiptarët thekson ai kishte ardhur
koha: "Ose ata të jetonin, si skllevër nën shtypjen e armikut, ose të vazhdonin luftën
deri sa të fitohesh liria dhe pavarësia". 

2. Çështja e statusit të Shqipërisë pas luftës Ballkanike

Konferenca Ambasadorëve në 17 dhjetor 1912, vendosi që të themelohej një
Shqipëri autonome nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit, si dhe nën garancinë
dhe kontrollin ekskluzive të gjashtë Fuqive të Mëdha. Shqipëria u shpall shtet
asnjanës.

Ky vendim u mor në bazë të dy propozimeve atij të Rusisë që kërkonte
krijimin e një shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e sulltanit, dhe propozimit
austriak që kërkonte një Shqipëri autonome nën suzerenitetin e sulltanit .
Kjo shënoi një hap prapa në lidhje me arritjen e popullit shqiptar shpalljen e
pavarësisë dhe njëkohësisht një hap para në raport me kërkesat e shteteve fqinje për të
mos lejuar ekzistencën e shtetit shqiptar në Ballkan.

Vendimi i Konferencës së Londrës hasi në kundërshtimin e rreptë të qeverisë
osmane. Sipas saj, Konferenca e Ambasadorëve kishte të drejtë të shfrytëzonte vetëm
kërkesat e monarkive ballkanike që kishin fituar luftën. Kërkesa e palës shqiptare, nuk
kishte bazë politike dhe juridike, pasi shqiptarët ishin nënshtetasit e saj, si rrjedhim
marrëdhëniet e tyre me të ishin çështjet e brendshme të perandorisë. Edhe argumenti
që paraqiti Porta e Lartë, për të kundërshtuar shpalljen e pavarësisë nuk ishte pa baza
juridike.

Njohja e pavarësisë së plotë të Shqipërisë nënkuptonte për Portën, jo vetëm
cënimin e sovranitetit, por edhe gjymtimin territorial të Perandorisë Osmane. Sipas
tyre, Fuqitë e Mëdha nuk kishin të drejtë të kryenin operacione që i shkëpusnin
Perandorisë Osmane territore në favor të një shteti të sapo shpallur dhe të vetshpallur,
siç ishte Shqipëria, me të cilën shteti osman nuk kishte qenë në luftë të armatosur dhe
nuk ishte mundur prej tij. 

Përkundrazi, në rrethanat e Evropës së "dinastive" që sundonte në kohën e
Luftës së parë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha i japin të drejtën vetes që ta detyronin kur 
ishte e nevojshme cilindo shtet pra edhe Perandorinë Osmane, për t'i dhënë një
province të saj autonominë. Kjo për arsye se autonomia nuk e prekte integritetin
territorial, as e eleminonte, por vetëm e kufizonte sovranitetin e një shteti.
Pavarësisht këtyre argumenteve, kundërshtimet që ndeshi vendimi i
ambasadorëve nga Porta e Lartë dhe Qeveria e Përkohëshme e Vlorës kishin karaktere
krejt të ndryshme. Stambolli, kërkoi anullimin e vendimit, për ti lënë viset shqiptare
nën statusin e mëparshëm, pra nën zgjedhën shekullore osmane. Ndërsa, Qeveria e
Vlorës kërkoi anullimin e vendimit duke ngulur këmbë për shkëputjen e plotë të saj
nga perandoria, dhe duke kërkuar njohjen e pavarësisë së plotë të Shqipërisë.
Çështja Shqiptare në arenën ndërkombëtare nuk ishte e qartë. Qeverisë së
Vlorës i duhej të përballonte, jo vetëm kundërshtimin e rreptë të fqinjëve ballkanike,
por edhe atë të vetë Perandorise Osmane prandaj ajo u mundua të ruante ekuilibrat me
të dyja palët.
 
Inaktiviteti i trupave osmane në tokat shqiptare,  toni këshillues, që
përshkonte telegramet e kryeministrit Qamil Pasha drejtuar Ismail Qemalit , flisnin
për një trashëgimi të përbashkët osmane e cila nuk mund të largohej me lehtësi. Nga
ana tjetër vendimi i ndërkombëtarëve, për ta shpallur Shqipërinë provincë autonome
nën sovranitetin e Portës së Lartë, konfirmonte se sovraniteti osman ishte ende në fuqi
në viset shqiptare dhe varësinë nga Perandoria Osmane. Si provincë autonome
Shqipëria nuk mund të ishte subjekt më vete në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Padyshim kemi të bëjmë me një status të ri të Shqipërisë në të drejtën ndërkombëtare,
e cila nga një province e thjeshtë e Perandorisë Osmane bëhet një njësi autonome e
saj . Ajo, duhej të përfaqësohej nga shteti suzeren, pra Perandoria Osmane.
Rrjedhimisht, Shqipëria duhej ta ndiqte perandorinë në çdo situatë juridike, pra edhe 
në gjendjen e luftës, me të gjitha pasojat që rridhnin prej saj. Kjo pozitë juridike e
shtetit shqiptar lejonte edhe praninë e forcave osmane në territorin e tij.

Fillim i vitit 1913, Shqipërinë, e gjeti në gjendje të vështirë e cila erdhi duke u
përkeqësuar. Më 2 janar të vitit 1913, delegacioni shqiptar i paraqiti një memorandum
kryetarit të Konferencës së Londrës, Eduart Grejit . Nëpërmjet tij u kërkua që
"Shqipërisë së ardhshme t'i jepej një formë e jashtme homogjene". "Populli shqiptar,
- thuhej në këtë dokument, - si grupimi etnik më kompakt, më homogjen dhe më i
rëndësishëm në Gadishullin Ballkanik, ka të drejtë të ketë shtetin e vet të bashkuar
kombëtar". Qeveria e Vlorës u kërkoi Fuqive të Mëdha, që krahas me pavarësinë e
plotë t'i njiheshin Shqipërisë homogjeniteti i saj i jashtëm, kufijtë e saj natyrorë, që
diktohen sa nga rrethanat etnike të kohës së sotme, aq edhe nga të drejtat që i takonin
popullit shqiptar si banues i hershëm i këtyre territoreve", si dhe ti ktheheshin e t'i
liheshin Shqipërisë të gjitha trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia, nga Mali i Zi e
nga Greqia, siç ishin Kosova, Dibra e trevat e tjera lindore të Shqipërisë dhe Çamëria
në jug të vendit.

Nëpërmjet këtij memorandumi rivendikoheshin kufij të tillë të cilat përbënin
pa dyshim variantin maksimal të programit territorial të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Kjo pikëpamje u përforcua më tepër edhe në shtesën që delegacioni
shqiptar i paraqiti Konferencës më 25 janar 1913.

Kjo shtesë përmbante të dhëna statistikore të bazuara mbi kriteret etnike
veçanërisht për popullsinë në Veri dhe Jug të vendit. E gjithë kjo ishte llogaritur nga
Qeveria e Vlorës, për t'u dalë përpara pretendimeve të fqinjëve, të cilët nëpërmjet
luftës Ballkanike kishin shfaqur dhe po përpiqeshin që ta vinin në zbatim. Prandaj,
kompromisi që mendohej se ishte llogaritur për t'u dalë përpara pretendimeve të
fqinjëve, krijonte në këtë mënyrë një marzh të mjaftueshëm për lëshime dhe 
kompromise të pashmangshme . Bashkëpunimi shqiptaro-osman u bë një alternativë
imponuese sidomos pas zyrtarizimit të pretendimeve greke për viset jugore shqiptare.
Lufta e parë Ballkanike, [shtator - tetor 1912] që u zhvillua në trojet shqiptare,
në Maqedoni dhe Thrakë, përfundoi me humbjen e Perandorisë Osmane. Bullgarët
kishin zaptuar Edirnenë, dhe po arrinin në Çatallxha. Manastiri, u kaloi serbëve, dhe
Selaniku ra në duar të grekëve. Shteti Osman kishte humbur territoret e fundit në
Ballkan, që në të vërtetë ishin tokat e para, që kjo perandori kishte pushtuar në
Rumeli.

Qeveria e Qamil Pashës nuk dëshironte të pranonte përgjegjësinë për pasojat e
tmerrshme të humbjes së luftës që kishte shkaktuar dhe shpërbërjen e Konferencës në
6 janar 1913, ndaj dhe rriti presionin ndaj shteteve të mëdha për t'u pranuar kushtet e
rezultuara nga lufta. Në Stamboll, kundërshtarët poltikë të qeverisë [unionistët të
udhëhequr nga Talat dhe Enver], kryen një grusht shteti. Sulmi u krye mbi Portën e
Lartë më 23 janar 1913.  Kjo ngjarje solli rënien e qeverisë së Qamil Pashës, dhe në
postin e kryeministrit u vendos Mahmut Shevqet Pasha.

Më 31 mars, Fuqitë e Mëdha i'u drejtuan me një notë kolektive Stambollit, ku
i kërkuan të pranonte që ato vetë të ndërhynin si ndërmjetëse midis perandorisë së
mundur nga lufta dhe aleatëve ballkanikë fitimtarë për të vendosur paqe midis tyre.
Paraprakisht Fuqitë e Mëdha u morën vesh me Portën e Lartë që Perandoria të
lëshonte në favor të monarkive ballkanase territoret që ajo zotëronte në Ballkan, në
perëndim të vijës tokësore Midje-Enos. Nga kjo hapësirë gjeografike përjashtohej
vetëm Shqipëria, e cila nuk duhej të bënte pjesë në lëshimet territoriale në favor të
monarkive fituese. Kufijtë e Shqipërisë do të caktoheshin nga vetë Fuqitë e Mëdha.
Situata u bë e qartë për kryeministrin Mahmut Shevket pasha i cili s'kishte
rrugë dalje tjetër por duhej të nënshkruante paqen, për të plotësuar dëshirat e qeverive
aleate ballkanike.

Sapo arriti në Romë më 2 prill 1913, Ismail Qemali mori vesh se një ditë më
parë kryeministri osman Mahmut Shefqet Pasha , kishte pranuar personalisht 
propozimin e notës kolektive të Fuqive të Mëdha. Me këtë pëlqim pranohej më në
fund krijimi i Shqipërisë autonome nën suzerenitetin e sulltanit, të cilin Porta e Lartë
deri atëherë e kishte kundërshtuar me këmbëngulje. Ky lajm u përhap edhe nga një
artikull i një gazete e cila theksonte se qëndrimin e Rusisë, Mahmut Shefqet Pasha e
cilësonte një dëm të madh për Turqinë, dhe po aty flitesh edhe për një ndarje të plotë
të Shqipërisë nga Perandoria Osmane.

Në parim sipas historiografisë shqiptare kjo ngjarje ishte një fitore për
Lëvizjen Kombëtare, sepse më në fund Perandoria Osmane për herë të parë në
historinë e saj shekullore të marrëdhënieve me Shqiptarët, pranoi hapur krijimin e një
shteti kombëtar shqiptar, qoftë edhe autonom.

Megjithë këtë fitore të arritur, Ismail Qemali përsëri nuk u kënaq. Pëlqimin që
dha më 1 prill 1913 kryeministri osman, Mahmut Shefqet Pasha për një Shqipëri
autonome nën suzerenitetin e sulltanit kishte karakter personal dhe jo zyrtar.
Rrjedhimisht deklarata ishte e pamjaftueshme për Fuqitë e Mëdha, mbasi pëlqimi
duhej të vinte nga vetë sulltani si drejtues legjitim i shtetit osman me një dekret të
nënshkruar prej tij. Por sulltan Mehmet Reshati V, i cili ushtronte edhe funksionin e
Kalifit islamik, e kishte tepër të vështirë të pranonte publikisht shkëputjen e
shqiptarëve myslimanë, nga Kalifati i tij.

Opinioni publik i qarqeve politike dhe shoqërore në Turqi tani qe ndarë më
dysh. Një pjesë filloi të pajtohej me realitetin dhe të pranonte, ndonëse me shumë
vështirësi pamundësinë dhe paaftësinë e Turqisë për ta mbajtur nën zgjedhë
Shqipërinë, këtë vend tashmë të largët dhe të shkëputur territorialisht nga trupi i
Perandorisë Osmane.

Nga ana tjetër ishin qarqet konservatore islamike si dhe personalitetet e partisë
xhonturke që e konsideronin këtë shkëputje të papranueshme. Madje aktivistët e kësaj 
rryme menduan të organizonin një grusht shteti për të rrëzuar Mahmut Shefqet
pashën, si kapitullues dhe të vinin në vend të tij si kryeministër Izet Pashën, një nga
protagonistët e rrymës konservatore perandorake. Ndonëse grushti i shtetit nuk u krye
gjendja në Stamboll mbeti e nderë.

Përveç manifestime të egërsuara kundër shqiptarëve dhe kundër Mahmut
Shefqet Pashës i cili mbeti i vrarë nga një atentat në qershor të 1913, doli në qarkullim
një broshurë turqisht "Arnavutlar ne Yaptilar?" [Çfarë po bëjnë shqiptarët]? Ku
kërkohej të mos lëshohej pe në drejtim të Shqipërisë. Sepse Shqipëria, ishte shkaktarja
kryesore e humbjeve të tokave të Rumelisë69. Vrasja e Mahmut Shefqet Pashës, u
pasua nga emërimi në postin e kryeministrit të Portës së Lartë, të kandidatit unionist
Sait Halim Pashës.

Pikërisht në këto ditë të ndezura arriti në Londër delegacioni shqiptar. Në
fillim delegacioni shqiptar kontaktoi privatisht me disa nga ambasadorët e Fuqive të
Mëdha. Pastaj ai u paraqit para Konferencës dhe mbrojti çështjen e pavarësisë
shqiptare, duke përdorur argumentat që i kishte dhënë pak ditë më parë një gazete
italiane, "Giornale d'Italia". Sipas argumentave paqja në rajon nuk mund të vendosej
pa njohur Pavarësinë e shqiptarëve dhe shkelja e të drejtave të shqiptarëve cënon, jo
vetëm Shqipërinë, rajonin por edhe gjithë Evropën.

Por veprimtaria e delegacionit në Evropë do të minohej nga Esat Pashë
Toptani. Në 22 prill 1913, qyteti i Shkodrës i'u dorëzua ushtrisë malazeze nga Esat
Pasha. Në kujtimet e një ushtaraku osman, pjesëmarrës në mbrojtjen e këtij qyteti,
përshkruhen me saktësi veprimet e kryera nga Esat Pashë Toptani nga data 20 prill
deri në dorëzimin e kalasë së Shkodrës trupave të Princit Danilo.

Në muajin qershor ushtritë turke dhe serbe u larguan nga territori i Shqipërisë.
Vetëm qeveria greke me pretekste të ndryshme vazhdonte të qëndronte përsëri në
viset jugore. Shkodra, në muajin qershor të 1913 ndodhej nën administrimin e Fuqive
të Mëdha, dhe më 29 korrik qyteti i kaloi plotësisht Shqipërisë.

Sipas zërave që kanë qarkulluar prej kohësh Ismail Qemali me mprehtësinë tij
diplomatike arriti të tërheqë vëmendjen e ambasadorit gjerman në Londër, Kontit 
Linchnovski, në favor të pavarësisë shqiptare me një sugjerim që goditi në shenjë. Ai i
sugjeroi Lichnovskit, ti parashtronte perandorit të Gjermanisë Vilhelmit II, dëshirën
që kishin shqiptarët për të pasur në krye të shtetit të tyre një "sovran" gjerman,
"mbret" apo " princ" që ta caktonin Fuqitë e Mëdha i cili të mos kishte lidhje me
sulltanin.

Duke marrë parasysh ndarjen fetare të popullit tonë ai besonte se vetëm një
Sovran "protestan" do të ishte i favorshëm për vendin tonë. Menjëherë pas kësaj
perandori gjerman Vilhelmi II, të cilit i pëlqeu mendimi, e shtyu atë, të merrej vesh
me qeverinë Austriake, e cila do ta kishte më të lehtë të bënte propozimin duke qenë
se shteti austriak mbizotërohej nga popullsi katolike. Diplomacia gjermane, duke
patur relata më të favorshme miqësie me osmanët, i'u vu punës për të bindur sulltanin
të pranonte pavarësinë e Shqipërisë. Kështu ambasadori Gjerman në Stamboll filloi të
ndërhynte prane Portës së Lartë për ta bindur sulltanin që të pranonte sugjerimin e
Fuqive të Mëdha. Krahas kësaj ambasadori gjerman i propozoi sulltanit edhe një
shpërblim financiar për të cilën kishte shumë nevojë thesari perandorak.
Argumentet e ambasadorit gjerman në Stamboll e bindën sulltanin Mehmet
Reshadin e V, të lejojë delegacionin osman që së bashku me përfaqësuesit e shteteve
të Fuqive të Mëdha, të nënshkruajë paqen. Më 30 maj 1913 në Londër, Turqia
nënshkrojë Traktatin e Paqes për përfundimin e Luftës së parë Ballkanike me vendet e
Ballkanit.

Si një akt ndërkombëtar që vuloste fatin e Turqisë evropiane, traktati nuk
mund t'i shmangej problemit shqiptar. Në këtë traktat, në nenin e dytë thuhet se;
Perandoria Osmane ua ngarkon Fuqive të Mëdha, kujdesin dhe çështjen e ardhshme të
Shqipërise dhe ishujve në Egje. [Osmanli Devleti, ile Ege adalarinin geleceginin
sahiplanmasi Buyuk Devletler'e birakacakti].

Përsa i takon Turqisë, nga ana e saj ishte një akt renoncimi [dorëheqjeje]. Kjo
u vu re pas qëndrimit refuzues që mbajti Porta e Lartëme rastin e shpalljes së 
pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntor 1912. Traktati i Paqes, ishte i pari dokument
zyrtar me anë të cilit ajo hiqte dorë zyrtarisht nga të drejtat sovrane mbi Shqipërinë.
Porta e Lartë e zhvishte veten nga çdo lloj roli dhe kompetence lidhur me Shqipërinë
dhe gjithë çështjen shqiptare i'a besonte një organi ndërkombëtar të formuar nga
Fuqitë e Mëdha.

Pas arritjes së këtij konsensusi të madh nga "koncerti evropian" u përqendrua
vëmendja në rregullimin e statusit dhe organizimit të brendshëm të saj. Sipas
historiografisë turke vendimet e Konferencës së Londrës të 1913, shtetit osman i'u
imponuan me forcën diplomatike nga shtetet evropiane dhe me dhunën ushtarake nga
shtetet e Ballkanit.

Në konferencë u paraqit gjatë muajit korrik një projekt nga Austro -Hungaria
dhe Italia. Projekti do të paraqiste krijimin e një komisioni kontrolli që do të
mbikqyrte shtetin shqiptar 5-10 vjet. Mbi bazën e tij u arrit marrëveshja e 29 korrikut
në Londër kur konferenca mori vendimin përfundimtar përsa i takon shtetit shqiptar.
Sipas kësaj marrëveshjeje; më 29 Korrik 1913, Shqipëria shpallej principatë
autonome sovrane dhe e trashëgueshme, nën garancinë e 6 Fuqive të Mëdha. Princi do
të caktohej nga 6 fuqitë. Përjashtohej, çdo lidhje suzereniteti me Turqinë, dhe shpallej
shtet asnjanës. Detyruan, Serbinë dhe Mali e Zi të tërhiqnin trupat e tyre nga
Shqipëria, tani që ishte vendosur paqja.

Por Ballkani, përsëri filloi të ketë përplasje interesash, të cilat i bënë shtetet e
Ballkanit të futeshin në Luftën e dytë Ballkanike e cila zgjati rreth dy javë, dhe
përfundoi me shpartallimin e Bullgarisë. Më 10 gusht 1913, u nënshkrua Traktati i
Paqes në Bukuresht për përfundimin e Luftës së dytë Ballkanike. Një pjesë e
konsiderueshme e territorit osman u fitua nga Bullgaria. Marrëveshja për paqe midis
Osmano-Bullgarëve u nënshkrua në Stamboll në 19 shtator 1913. Marrëveshje të tjera
për paqen, u nënshkruan edhe me Greqinë [Traktati i Athinës, 14 nëndor 1913], ku
përsëri pati rishikim të kufijve.

Në fillim të tetorit 1913 sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në
Shqipëri erdhën anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të cilët u vendosën 
në Vlorë. Po më 12 tetor i mbështetur nga trupa vullnetare [redifë], Esat Pashë
Toptani me synimin për të realizuar parimin e vetëqeverisjes, shpalli Pleqësinë e
Shqipërisë së Mesme me qendër Durrësin. Kështu u krijuan dy qeveri shqiptare të
cilat ishin përballë KNK-së.