1. Kryefaqe
  2. Pikëpamje
  3. Zgjedhja e historianit

Zgjedhja e historianit

image description
Fjala histori është shumë e vjetër: aq e vjeter sa nganjëherë të lodh. Më të rrallë puna ka vajtur vërtet deri atje sa kanë dashur ta fshijnë fare nga fjalori. Sociologët e erës durkheimiane, nga ana e tyre, i bëjnë vend asaj. Por për ta degdisur në një qoshe të vogël e të mjerë të dijeve të njëriut: një lloj harrese kjo ose, duke i ruajtur sociologjisë gjithë sa që atyre u dukej e përshtatshme për një analizë racionale, ata hedhin poshtë faktet njerëzore, që i gjykojnë njëherazi më artificialet dhe më të rastësishmet.

Ne, përkundrazi, fjalës histori do t'i ruajmë këtu domethënien e saj më të gjerë. Ajo nuk ndalon të përparojë asnjë drejtim hetimi, qoftë ky i orientuar me parapëlqim për nga individi ose shoqëria, qoftë nga përshkrimi i krizave të çastit ose ndjekja e elementeve më jetëgjata; ajo nuk ngërthen në vetvete asnjë kredo; sipas etimologjisë së saj fillestare, ajo nuk merret me asgjë tjetër përveçse "hulumtimit". Pa dyshim, që nga koha kur fjala histori është  shfaqur në buzët e njerëzve, këtu e më se dymijë vjet të shkuar, përmbajtja e saj ka ndryshuar shumë. Është fati gjuhësor i të gjithë termave vërtet të gjallë. Sa pagëzime dhe sa kohë e harxhuar do t'i duheshin mbretërisë së akademive në qoftë se pas çdo fitoreje të tyre shkencat do të kërkonin një emërtim të ri! Duke i qëndruar paqësisht besnike emrit të saj të lavdishëm helen, historia jonë, gjithsesi, nuk do të jetë aspak krejt si ajo që shkruante Hekateu i Miletit, as si fizika e lordit Kelvin ose e Langevin-it, as si ajo e Aristotelit.

E megjithatë, ç'farë është ajo? Në krye të këtij libri, i cili përqendrohet rreth problemeve reale të hulumtimit, nuk do të kishte asnjë interes të ngrinim një përkufizim të gjatë e të ngurtë. Cili punëtor serioz është shqetësuar ndonjëherë nga dogma të tilla? Saktësia e tyre e hollë nuk lë vetëm të shpëtojë atë çka është më e mira në çdo vrull intelektual: kuptoni atë çka gjendet brenda tij në trajtë dëshirash të thjeshta për vrull drejt një dije ende të përcaktuar keq, por me fuqi për t'u shtrirë. Rreziku më i madh i këtyre dogmave është se ato përkufizojnë me aq kujdes vetëm e vetëm që të vënë më mirë kufij. "Ky subjekt", thotë* rojtari i termave të gjithpushtetshme, "ose kjo mënyrë për ta trajtuar atë, pa asnjë dyshim mund të jetë tërheqëse. Por, hap sytë, o efeb:kjo nuk është histori". A jemi ne, pra, një juri e kohëve të vjetra për të kodifikuar punët që u lejohen njerëzve të  mjeshtërisë, dhe me t'u mbyllur lista, ushtrimin e tyre t'ua ruajmë, me siguri, mjeshtërve tanë që janë pajisur me patenta? Fizikanët dhe kimistët janë më të urtë, me sa diunë, kurrë dhe kurrkush nuk i ka parë të grinden rreth tëdrejtave përkatëse të fizikës, të kimisë, të kimisë fizike, ose - duke supozuar që ky term ekziston - të fizikës kimike.

Nuk është më pak e vërtetë gjithashtu se përballë realitetit të pafund e të pështjelluar, historiani duhet detyrimisht të përcaktojë atje pikën e veçantë ku do të përdorë mjetet e tij; për rrjedhojë, të bëjë në këtë realitet një zgjedhje që, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë e njëllojtë, për shembull, me atë të një biologu ; që të jetë, mirëfilli, një zgjedhje historiani. Ky është një problem i vërtetë veprimi. Ai do të na ndjekë gjatë gjithë studimit tonë.