1. Kryefaqe
  2. Pikëpamje
  3. Koha historike

Koha historike

image description
Thamë "shkenca e njerëzve". Kjo është diçka ende shumë e turbullt. Duhet shtuar "e njerëzve në kohë". Historiani nuk mendon si qenie "njerëzore". Atmosfera ku mendimi i tij merr frymë natyrshëm është kategoria kohë. 

Sigurisht, vështirë të mund të përfytyrohet një shkencë, cilado qoftë ajo, që të mos e mbajë parasysh kohën. Megjithatë, për shumë prej atyre që, me marrëveshje, e ndajnë atë në pjesë artificialisht homogjene, koha përfaqëson vetëm një masë. Përkundrazi, duke qenë një realitet i gjallë dhe konkret, në pakthyeshmërinë e vrullit të saj koha e historisë është plazma ku zhyten dukuritë, si vendi i kuptueshmërisë së tyre. Numri i sekondave, viteve ose shekujve, që i duhen një trupi radioaktiv për t'u shndërruar në një tjetër trup, është për atomistikën një e dhënë themelore. Por, që kjo apo ajo metamorfozë të ketë ndodhur dje ose sot, ose që ajo duhet të ndodhë nesër, një konsideratë e tillë, pa dyshim, do t'i interesonte gjeologut sepse gjeologjia, në mënyrën e saj, është disiplinë historike; ajo e lë fizikanin krejtësisht të ftohtë. 

Në të kundërt, asnjë historian nuk do të kënaqej vetëm duke konstatuar se Qezarit iu deshën tetë vjet për të pushtuar Galinë dhe se Luter-it iu deshën pesëmbëdhjetë vjet për t*u shndërruar nga ai shkollari ortodoks i Erfurtit në reformator të Vitembergut. Atij i intereson edhe më shumë t'i caktojë pushtimit të Galisë vendin e saj të saktë kohor në tronditjet e shoqërive europiane; dhe pa mohuar aspak atë çka mund të ishte e përjetshme në një krizë shpirtërore si ajo e murgut Martin, ai do të mendojë t'i bëjë asaj një vlerësim të drejtë vetëm pasi të ketë përcaktuar me përpikmëri mbi kurbën e fateve njëherazi momentin e njeriut që përfaqësonte heroin dhe momentin e qytetërimit që ishte klima e kësaj krize.
Mirëpo kjo kohë e vërtetë për nga natyra është vazhdueshmëri. Është, gjithashtu, ndryshim i përhershëm. Nga antiteza e këtyre dy vetive vijnë problemet e mëdha të hulumtimit historik. Atij hulumtimi që para së gjithash vë në dyshim deri dhe arsyen e qënies së punimeve tona.

Qoftë dhe dy periudha të njëpasnjëshme të këputura në vazhdën e dy epokave të pandërprera. Në çfarë mase – edhe nëse lidhja që vendos midis tyre fluksi i kohës fiton ose jo mbi pangjashmërinë e lindur të vetë kësaj kohe – duhet mbajtur si e nevojshme apo e kotë njohja e më s'ë vjetrës për njohjen e më së resë?