1. Kryefaqe
  2. Pikëpamje
  3. Historia dhe njerëzit

Historia dhe njerëzit

image description
Shpesh kanë thënë: "Historia është dija e së kaluarës". Për mendimin tim, kjo do të thotë të flasësh keq. Sepse, para së gjithash, vetë ideja që e kaluara, si e tillë, të mund të jetë objekt i dijes, është absurde. Si mund të bëheshin lëndë e një njohjeje racionale, pa një kullim paraprak, dukuri të cilat nuk kanë karakter tjetër të përbashkët përveç faktit se nuk kanë qenë bashkëkohore?

Për simetri, a mund të përfytyrohet një shkencë tërësore e Universit, në gjendjen e tij të tanishme? Pa dyshim, në zanafillat e historiografisë, analistët e vjetër nuk shqetësoheshin aspak nga këta skrupuj. Ata tregonin, ashtu siç u vinin, ngjarje që lidheshin njëra me tjetrën vetëm pse kishin ndodhur në të njëjtën kohë: eklipset, rëniet e breshërit, shfaqjen e habitshme të meteorëve me betejat, traktatet, vdekjet e heronjve dhe të mbretërve. Por në këtë kujtesë të parë të njerëzimit, të turbullt si perceptimi i një fëmije të vogël, një përpjekje e mbështetur në analizë ndërmori ca nga ca klasifikimin e nevojshëm. Është e vërtetë: gjuha, duke qenë thellësisht tradicionaliste, e ruan me shumë dëshirë emrin e historisë nga çdo studim për një ndryshim në kohë. Ky zakon është i parrezikshëm, sepse nuk gënjen kurrkënd. Në këtë kuptim, ekziston një histori e sistemit diellor, përderisa yjet që e formojnë atë nuk kanë qenë gjithmonë kështu siç i shohim. Ajo është në kompetencat e astronomisë. Ekziston një histori e shpërthimeve vullkanike që, siç jam i bindur, paraqet interesin më të gjallë për fizikën e globit. Ajo nuk i përket historisë së historianëve.

Ose, të paktën, ajo mund t'i përkasë asaj vetëm atëhere kur, ndoshta, vrojtimet e saj përmes rrugësh të tërthorta do të mund të mbërrinin shqetësimet specifike të historisë sonë, të historianëve. Por si kryhet në praktikë ndarja e detyrave? Një shembull, pa dyshim, do të na e bëjë më të qartë për ta kuptuar më mirë këtë, se sa shumë fjalime.

Në shekullin X të erës sonë bregu flamand mbyllej nga një gji i thellë, Zwini. Më pas ai u mbath me rërë. Në cilën ndarje të njohjes çon studimi i kësaj dukurie? Kushdo, menjëherë, do të tregojë gjeologjinë. Mekanizmi i aluvioneve, roli i rrymave detare, mbase dhe ndryshimet në  nivelin e oqeaneve: a nuk është krijuar dhe nxjerrë në dritë gjeologjia për të trajtuar të gjitha këto? Me siguri. Sidoqoftë, po t'i shohim nga afër, gjërat nuk janë dhe kaq të thjeshta.

Para së gjithash, mos është fjala të shqyrtohen zanafillat e shndërrimit? Ja, pra, gjeologu ynë, i shtrënguar të shtrojë pyetje, të cilat nuk i përkasin ngushtësisht disiplinës së tij. Sepse, pa dyshim, në të mirë të mbushjes kanë ndikuar ndërtimet e digave, ndryshimi i rrjedhjes së kanaleve, bonifikimet: pra të gjitha ato veprime të njëriut, që lindin nga nevojat kolektive dhe I mundëson vetëm një strukturë e sigurtë shoqërore.

Në skajin tjetër të zinxhirit shfaqet një problem i ri: ai i pasojave. Në një largësi të vogël nga fundi i gjirit po ngrihej një qytet. Ishte Bruges-i. Ai lidhej me gjirin përmes një kalimi të shkurtër lumor. Nëpërmjet ujrave të Zwinit qyteti merrte ose dërgonte pjesën më të madhe të mallrave, të cilat, duke ruajtur të gjitha përmasat, e bënin atë të ishte Londra ose Nju Jorku i asaj kohe. Erdhën pastaj, çdo ditë e më të ndjeshme, përparimet e mbushjes. Me tërheqjen e sipërfaqes së mbuluar nga uji, Bruges-i i shtynte gjithnjë më larg, drejt grykëderdhjes, portet e përparuara; dalëngadalë skelat zunë të binin në gjumë. Sigurisht, ky nuk ishte aspak shkaku kryesor i rënies së tij. A mund të veprojë, vallë, faktori fizik mbi atë shoqëror nëse veprimi i tij nuk është i përgatitur, I ndihmuar ose i lejuar nga të tjerë faktorë, të cilët, nga ana e tyre, vijnë nga njeriu? Por në vargun e valëve shkakore, ky shkak llogaritet, të paktën askush s'do ta vinte në dyshim këtë, midis shkaqeve më me ndikim.

Mirëpo vepra e një shoqërie që rimodelon sipas nevojavë të veta tokën mbi të cilën jeton, e këtë kushdo e  ndien me instinkt, është një fakt shumë "historik". Njëlloj si peripecitë e një qendre të fuqishme shkëmbimesh. Ja, pra, nga njëra anë, përmes një shembulli mjaft karakteristik të topografisë së dijes, një pike takimi ku lidhja midis dy disiplinave shfaqet e domosdoshme në çdo orvatje për të shpjeguar: nga ana tjetër, një pikë kalimi në të cilën, kur është raportuar një dukuri dhe vetë ndikimet e saj tash e tutje vihen në diskutim, në njëfarë mënyre ajo dukuri kalohet përfundimisht nga një disiplinë në një tjetër. Çfarë ka ndodhur sa herë është dashur të thirret me domosdo ndërhyrja e historisë? Është shfaqur pikërisht aspekti njerëzor.

Në të vërtetë, prej shumë kohësh, vëllezërit tanë më të rritur, të mëdhenjtë Michelet apo Fustel de Coulanges, na kishin mësuar ta njihnim këtë fakt: objekti i historisë nga natyra është njeriu. Thënë më mirë: njerëzit. Shumësi, që është mënyra gramatikore e relativitetit, i përshtatet një shkence të së ndryshmes më mirë se njëjësi, që është i dobishëm për abstraksionin. Pas vijave të ndjeshme të një peizazhi (veglat ose makinat), pas shkrimeve më të akullta dhe institucioneve më mospërfillëse ndaj atyre që i kanë ndërtuar, historia kërkon të kapë njerëzit. Çdo orvatje që nuk e arrin këtë, në rastin më të mirë do të mbetet kurdoherë thjesht një manovër për erudicion. Historiani I mirë i ngjan lubisë së legjendës. Ai e di se atje ku nuhat mishin njerëzor, atje është dhe gjahu i tij.

Nga karakteri i historisë si njohje e njerëzve rrjedh edhe pozicioni i saj i veçantë përkundrejt problemit të shprehjes. A është ajo një "shkencë"? Apo është një ''art"? Rreth  viteve 1800, stërgjyshërve tanë u pëlqente rëndshëm të merreshin me këtë. Më vonë, nga vitet 1890, u pane specialistë të metodës, të zhytur në një atmosferë pozitivizmi pak të thjeshtëzuar, që fyheshin rëndë kur publiku i jepte një rëndësi, sipas tyre të tepruar, asaj që ata e quanin "formë". Art kundër shkencës, formë kundër thelbit.

Grindje pas grindjesh, që meritojnë të mbyllen në dosjen e procesit të skolastikës. Nuk ka më pak bukuri në një ekuacion të saktë se sa në një fjali të drejtë. Por çdo shkencë ka një estetikë gjuhe që i përket vetëm asaj. Faktet njerëzore, në thelb, janë dukuri tepër të brishta, shumica e të cilave i shpëtojnë masës matematikore. Për t'i shkoqitur më mirë ato, rrjedhimisht, për t'i depërtuar mirë (sepse, a mund të kuptohet ndonjëherë krejtësisht ajo që s'dihet të thuhet? janë të nevojshme një finesë e madhe gjuhe, një ngjyrim i drejtë në tonin e të folurit. Atje ku është e pamundur të llogaritesh, imponohet këshillimi. Ndryshimi midis shprehjes së realiteteve të botës fizike dhe asaj të realiteteve të shpirtit njerëzor, në fund të fundit është i njëjtë me ndryshimin midis punës së një frezatori dhe një mjeshtri violinash. Të dy ata punojnë me imtësinë më të madhe, por frezatori përdor instrumente mekanike të saktësisë, ndërsa mjeshtri i violinave drejtohet para së gjithash me anë të ndjeshmërisë së veshit dhe gishtave. Nuk do të ishte e mirë as që frezatori të kënaqej me empirizmin e mjeshtrit të violinave, as që mjeshtri i violinave të pretendonte të imitonte frezatorin. A mund të mohohet se ekziston një prekje me fjalë, njëlloj si prekja me dorë?