1. Kryefaqe
  2. Ilirët
  3. Iliria nën kërcënimin Maqedonas

Iliria nën kërcënimin Maqedonas

image description
Është e sigurt që Iliria e Jugut del mjaft e dobësuar nga kjo ndërhyrje e shpejtë romake më 219, e cila tregon se asgjë që ndodh atje nuk i shpëton vëmendjes së Romës: Demetër Fari e pa se deri në çpikë i toleronte Roma shkeljet e traktatit dhe e provoi rreptësinë e ndëshkimit. Por Roma nuk është i vetmi fqinjë i rrezikshëm për ilirët, Maqedonia që është fare pranë mund të bëhet tepër e rrezikshme në një kohë kur një sovran i ri dinamik zë vendin e të urtit Antigon Doson. Gjatë kohës që Roma do të përballet me të tmerrshmen luftë të dytë punike, kemi dy përpjekje në drejtim të kundërt me njëra tjetrën: nga njëra anë, kemi një orvatje të guximshme të Skerdilaidit për të ribashkuar Ilirinë e Jugut, dhe nga ana tjetër, synimin e Filipit V për t'iu rikthyer politikës së Kasandrit, një shekull më parë, duke siguruar një dalje të lirë në detin Adriadik. Këto dy përpjekje zhvillohen në një kontekst ndërkombëtar mjaft të trazuar, se pari nga prania e Hanibalit në Itali, por edhe nga lufta e aleatëve kundër Etolisë, pastaj nga lufta e parë e Maqedonisë e cila ve përballë maqedonasit dhe romakët që përfaqësoheshin kryesisht nga aleatët e tyre etolë. Në këtë zhvillim vëmendja jonë do të përqendrohet vetëm në atë se çfarë do të bëhet me Ilirinë e Jugut, pa qenë nevoja t'i rikthehemi këtu përshkrimit të këtyre konflikteve ndërkombëtare.

Në verën e vitit 219, pikërisht gjatë ekspeditës romake në Dimal dhe në Far, Filipi V informohet për përgatitjet e dardanëve për të sulmuar Maqedoninë (81) dhe, duke u larguar nga Akarnania, ai takon Demetrin, në gjirin e Ambrakisë, i cili i shpëtoi rrezikut gjatë fitores romake, duke u larguar nga Fari. Kthimi i mbretit në Pella mjafton që dardanët të heqin dorë nga ekspedita e tyre, në një kohë kur ata ishin fare pranë Maqedonisë. Në luftën e aleatëve kundër etolëve këta të fundit grabisin sanktuarin e Dodonës, dhe, vitin që pason (218), Filipi V drejton një ekspeditë kundër Kefalenisë pastaj një ekspeditë tjetër kundër Ihërmit: në të parën figurojnë,  përkrah kontingjenteve epirote, akarnane dhe mesenase, pesëmbëdhjetë lemboi të dërguara nga Skerdilaidi: kjo ishte vetëm gjysma e asaj që ai ishte zotuar të dërgonte, kur hyri në aleancën e përbashkët, por Polibi e justifikon këtë reduktim duke shpjeguar se "Skerdilaidit iu desh të mbante për vete pjesën më të madhe të flotës së tij për shkak të situatës së trazuar që intrigat e dinastëve (polidynastaikishin krijuar në Iliri". Pa diskutim, lufta e dytë e Ilirisë e ka lënë Ilirinë në anarki të plotë, ku çdo lokalitet ka prijësin e tij, që mbështetet në klientelën e tij, dhe që nuk njeh më asnjë autoritet qendror, as atë të mbretit Pin as atë të Skerdilaidit.

Në ekspeditën kundër Thermit, figurojnë edhe ilirë, që luftojnë në këmbë, pra jo ata që kishte dërguar Skerdilaidi, e që sidoqoftë nuk ishin mercenarë. Polibi i atribuon, që nga kjo datë, një rol shumë të madh Demetër Farit që duket se është bërë këshilltari më i afërt i Filipit V, por që njëkohësisht i sillte ngatërresa: është pikërisht ai, dhe jo Arati i Sikynit që Polibi kërkon ta shfajësojë, shkaktari i plaçkitjes së Thermit, si dhe i paudhësive të maqedonasve në Meseni. Është përsëri ai që e shtyn Filipin V t'i japë fund menjëherë luftës së Aleatëve, ndërkohë që ky i fundit sapo ka marrë vesh në garat e Nemeas për fitoren e kartagjenasve në liqenin e Trazimenit; ai e nxit mbretin t'i japë fund konfliktit të tij me etolët, gjë që u arrit me nënshkrimin e paqes në Naupakt më 217, për t'u marrë me punët e Ilirisë dhe me përgatitjen e një zbarkimi në Itali. 

Lidhur me këtë personazh, dy gojëdhëna kundërshtojnë njëra tjetrën për rolin që ai ka luajtur gjatë viteve të fundit të jetës së tij. Sapo thamë që Polibi i atribuon atij një vend të rëndësishëm në rrethin ngushtë të Filipit V dhe vdekjen e tij e daton më 214 kur ai po rrethonte Meseninë për llogari të Filipit V; Apiani {Illyrika, 8) dhe, pas tij, Zonaras (VIII, 20) flasin, përkundrazi, për një kthim të Demetrit në Iliri ku ai kapet dhe vritet nga romakët më 218. Duket mjaft e dyshimtë që një ekspeditë e dytë romake të jetë zhvilluar në Iliri, tamam një vit pas fitoreve në Dimal dhe në Far; ndërsa  vdekja e Demetrit që më 218 nuk përputhet me tregimin e Polibit rreth ndikimit që ky personazh ka mbi vendimet që Filipi V merr në Thermos dhe më vonë në Meseni. Tit Livi konfirmon ekzistencën e Demetrit tej vitit 218, meqënjë delegacion romak vjen të kërkojë dorëziitiin e tij, më 217.

Së paku, bazuar në gojëdhënën e Apianit, le të pranojmë se një kthim i Demetrit në Iliri dhe në brigjet e Adriatikut më 218, nuk është i pamundur; në këtë rast ai vetëm se do t'i ketë shtuar edhe më shumë turbullirat dhe intrigat e dinastëve që i kam përmendur tashmë duke iu referuar Polibit. Ndërsa roli që Polibi i atribuon atij pranë Filipit V është plotësisht i besueshëm dhe tregon se ai vazhdon të jetojë deri në vitin 214.

Në Iliri, Skerdilaidi nuk po e duron më aleancën me Maqedoninë dhe prishja midis tyre ndodh më 217, sipas Polibit (V,95) ngaqë Filipi nuk po paguante njëzet talentat* që kishte premtuar kur Skerdiiaidi hyri në aleancën e përbashkët. Prishja e marrëdhënieve shfaqet me rifillimin e piraterisë ilire: në Leukade, pesëmbëdhjetë lemboi- të e tij kapen me anë të litarëve me çengel pas disa anijeve maqedonase të drejtuara nga korinthas, ilirët i zënë këto anije dhe ia dërgojnë Skerdilaidit, më pas ata lëshohen në pirateri kundër anijeve tregtare në brigjet perëndimore dhe jugore të Peloponezit. Të lajmëruar për këtë rifillim piraterie, maqedonasit dërgojnë një flotë që të ndjekë lemboi-të, por kjo flotë mbërrin tepër vonë në kanalin e Korinthit. Në të njëjtën kohë, Filipi V pushton Bylazorën, në luginën e sipërme të Vardarit (Aksi), në juglindje të Shkupit, qyteti më i madh i Paionisë, sipas Polibit (V,97, 1) gjë që mbron Maqedoninë nga një rikthim ofensiv i dardanëve.

Gjatë këtyre viteve 218-217, Skerdilaidi i nis anijet e tij drejt jugut por ai vetë mbetet në Iliri dhe pa dyshim atij i duhet njohur një aktivitet i madh, të cilin asnjë autor i lashtë nuk e përshkruan; ai duket se ia ka dalë mbanë në dy vjet të marrë një territor të gjerë, ngaqë zotëron një pjesë të bregdetit dhe të porteve për flotën e tij, dhe nuk është fjala për qytetet e mëdha koloniale si Dyrrahu dhe Apollonia, por më tepër për portet që ndodhen më në veri, si Skodra, Ulqini; ai zotëron gjithashtu territore në brendësi përderisa ai mund të veprojë në Dasareti, në Pelagoni dhe në kufirin maqedonas. Atij diihet t'i ketë shërbyer shumë disfata e Demetrit përballë romakëve për të krijuar një principatë në pjesën më të madhe në kurriz të tij, pa e privuar Pinin nga domeni i tij. 

Rimëkëmbja dhe fuqizimi i Ilirisë kalon nga rimarrja e trevave lindore që u ishin nënshtruar maqedonasve: në këtë perspektivë Skerdilaidi orvatet të çlirojë nga zgjedha maqedonase Dasaretinë si dhe krahina fqinjë si Pelagoninë: sipas Polibit, ai plaçkit qytetin e vogël {polismd) të Piseut në Pelagoni, pastaj me anë kërcënimesh dhe premtimesh shtie në dorë qytetet dasarete si Antipatrea (me sa duket Berati), Krysondyonën dhe Gertuatin (vendndodhja e të cilave nuk është përcaktuar ende) dhe avancon më tej duke kryer sulme në krahinën maqedonase fqinjë (90), pra kuptohet në Orestidë. M.Holleaux mendonte se romakët e nxisnin Skerdilaidin kundër Filipit V në një kohë kur ata vetë nuk mund të vepronin drejtpërdrejt për arsye të luftës kundër Hanibalit; paqja e Naupaktit e çlironte Maqedonasin nga çdo telash në Greqi, ndaj dhe Roma kishte arsye të druhej se mos ai kërkonte aleancë me Kartagjenasin dhe, i shtyrë nga Demetër Fari, vërsulej mbi protektoratin romak në Iliri.

Në fakt, e vërteta është se pavarësisht nga telashet që i sjell lufta kundër Hanibalit, Roma është e pranishme në bregun lindor të Adriatikut: e kemi përmendur tashmë dërgimin e një delegacioni romak pranë Filipit V, që duket se është kontakti i parë diplomatik ndërmjet dy shteteve, më 217, për të kërkuar dorëzimin e Demetrit; një tjetër delegacion romak shkon pranë mbretit Pin për t'i kërkuar pagesën e një haraçi të vonuar, çka tregon një aspekt të traktatit të vitit 219: mbretëria ilire e Pinit duhet t'i paguante, çdo vit, një haraç romakëve. Kjo përmendje e emrit të mbretit Pin është e fundit që njihet dhe ka mundësi që ai të ketë vdekur  pak kohë më pas. A është zëvendësuar ai, që nga ky moment, nga Skerdilaidi si mbret ? Siç nënvizon M. Holleaux, vetëm në vitin 212 e shohim të thirret mbret bashkë me birin e tij Pleurat, por ai mund ta ketë marrë titullin mbretëror shumë më parç. Tit Livi nuk thotë asgjë për marrëdhëniet e Skerdilaidit me Romën dhe Polibi (V, 110, 8-9) aludon për të vetëm në dimrin e 217/216, kur Skerdilaidi u kërkon ndihma romakëve për t'i bërë ballë flotës së lemboi-vz të Filipit V; ka mundësi që ky afrim të jetë më i hershëm : "marrëdhëniet e para midis tyre i përkasin natyrisht një date më të hershme, d.m.th. gjatë vitit 217" shkruan M.Holleaux, në të njëjtin shënim. Ka të ngjarë që delegacionet romake të dërguara pranë Filipit V dhe Pinit, në verën e vitit 217, të kenë shoqëruar fillimin e marrëdhënieve midis romakëve dhe Skerdilaidit: është momenti kur ai ndërron kamp dhe kur fillon sulmet në Pelagoni dhe Dasareti. Nuk përjashtohet aspak mundësia që Roma ta ketë konsideruar Pinin si një princ jo aktiv dhe të ketë dashur zëvendësimin e tij me një mbret dinamik, të aftë t'u bëjë ballë maqedonasve. Por mundet gjithashtu që ilirët, me vendin e tyre të dobësuar, të kenë dashur t'ia besojnë fatin e tyre një udhëheqësi të aftë për t'i komanduar dhe që rridhte nga familja mbretërore e Agronit.

Kjo ishte edhe më e nevojshme dhe urgjente kur reagimi maqedonas ndaj veprimeve të Skerdilaidit po bëhej jashtëzakonisht i vrullshëm dhe efikas: para fundit të vjeshtës 217, Filipi V rimerr tre qytetet e Dasaretisë, merr Krenonin dhe Geruntin, edhe këto në Dasareti, çka konfirmon se më parë një pjesë e Dasaretisë nuk ishte në duart e maqedonasve dhe lokalitete të tjera pranë liqenit të Ohrit, si Enhelanën dhe të tjera sipas Polibit (V, 108, 8). Pas ndërtimit, në dimrin e vitit 217/216, të njëqind lemboi-ve në Maqedoni, sipas modelit ilir, Filipi V i ra rrotull Peloponezit, në pranverën e vitit 216, dhe donte të shkonte në Apolloni; lajmi i rremë se disa anije pesërremëshe romake do t'i vinin në ndihmë Skerdilaidit, kur ai kishte mbërritur në gjirin e Vlorës, pranë ishullit të Sazanit, e detyroi atë të urdhërojë që anijet të  ktheheshin mbrapsh me shpejtësi, gjë që i shpëtoi brigjet ilire nga një kërcënim tepër real: siç e thekson Polibi (V, 110, 10- 11) ai humbi "rastin më të bukur për t'u bërë zot i Ilirisë".

Kjo ekspeditë e dështuar shënon kthesën e vërtetë të politikës së jashtme maqedonase, e cila bëhet anti-romake: sigurisht pikësynimi i parë është të shtjerë në dorë protektoratin romak, por ajo që e shtyn Filipin V të ndërmarrë këtë ndërhyrje të drejpërdrejtë në Adriatik është tentativa e Skerdilaidit për rimëkëmbjen e Ilirisë së Jugut.

Viti 215, në Ilirinë e Jugut, është më i qetë se ai pararendës, por ai është viti i përfundimit të traktatit midis Hanibalit, nga njëra anë, dhe Filipit, maqedonasve dhe aleatëve nga ana tjetër, pra ky traktat përfshin të gjithë anëtarët e symmachia-s së helenëve: kjo konventë parashikon që mbas fitores së Kartagjenës mbi Romën "romakët nuk do të jenë zotër as të korkyrasve, as të apolloniatëve, as të epidamnasve, as të Farit, as të Dimalit, as të parthinëve, as të Atintanisë; dhe ata do t'i dorëzojnë Demetër Farit të gjithë përkrahësit e tij që janë në territorin e romakëve". Kjo i jep sigurinë Filipit V se do të arrijë të marrë në rrugë diplomatike atë që nuk mundi ta realizonte gjatë fushatës detare të vitit 216, pra, të shtinte në dorë protektoratin romak në Iliri, të siguLronte dalje në portet e mëdha të Adriatikut, në Epidamn-Dyrrah, Apolloni, Orik.

Çfarë do të merrte Demetër Fari, në një rast të tillë? A do të merrte ai një territor të gjerë ilir ? Vështirë të mendohet që Filipi V të ketë dashur të krijojë në krahun e tij perëndimor një shtet që mund t'i bëhej pengesë dhe ta linte pa një dalje të lirë në detin Adriatik. Fati i Skerdilaidit do të ishte ai i një armiku. Kjo do të thotë që Iliria e Jugut tani është mes dy kundështarësh të rrezikshëm: fitorja kartagjenase shkonte në favor të maqedonasve të Filipit V dhe e linte Ilirinë në mëshirën e këtij mbreti, i cili do ta ndante atë në një zonë që i aneksohej drejtpërdrejt mbretërisë maqedonase dhe në një shtet vasal që i besohej Demetër Farit. Alternativa tjetër, ajo e pavarësisë, të paktën për momentin, ishte ajo e Skerdilaidit, tepër i vendosur për të luftuar kundër sundimit maqedonas,  qofitë edhe duke i kërkuar ndihmë Romës, e cila dukej një kërcënim më i largët. Por më vonë, një fitore romake, në luftën e dytë punike, çonte në shtrirjen e protektoratit romak mbi gjithë Ilirinë, ose në një konflit të ri. Situatë delikate për Skerdilaidin dhe përkrahësit e tij, që duhet të mësojnë nga politika e matur, si një lundrim jashtëzakonisht i kujdeshëm, që ndjek po në këtë periudhë, një farë Karops i Vjetri në Epirin republikan fqinjë.

Ky traktat çon në fillimin e luftës së parë të Maqedonisë, por kjo gjendje lufte midis romakëve dhe maqedonasve nuk e ndryshon shumë situatën e ilirëve. Në verën e vitit 214, Filipi V përsërit operacionin detar të vitit 216: duke iu ngjitur rrjedhës së Aoosit nga grykëderdhja e saj me 120 lemboi, ai vjen të vendosë rrethimin përballë Apoilonisë, dhe me një sulm të shpejtë pushton Orikun.  

Ky operacion ushtarak maqedonas është ndoshta i koordinuar me atë të kartagjenasve kundër Tarentit, gjë që e mbron flotën maqedonase nga një ndërhyrje e mundshme e flotës romake të Brindizit. Por kjo situatë nuk zgjat shumë: i lajmëruar prej disa të dërguarve nga Oriku, ndoshta dhe nga Apollonia, pretori M.Valer Levini përshkon me shpejtësi ngushticën, rimerr pa shumë vështirësi Orikun që ruhet nga një garnizon i vogël maqedonas. Apolloniatët, të cilët e vazhdojnë rezistencën, sigurojnë nga pretori dërgimin e 2000 ushtarëve romakë të cilët arrijnë të hyjnë në qytet gjatë natës pa u vënë re nga maqedonasit; natën tjetër, romakët zënë në befasi kampin e Filipit V, duke vrarë apo zënë rob gati 3000 kundërshtarë; Filipi kris e ikën me anijet e tij, por pretori rrethon grykën e lumit dhe mbreti detyrohet të djegë anijet e tij e të kthehet në Maqedoni në rrugë tokësore, kurse flota romake dimëron në Orik". Ky tregim i Tit Livit qesëndis Filipin V; ndoshta dëmi nuk ka qenë i madh për maqedonasit, por megjithatë kjo ishte për ta një tjetër disfatë. Për Ilirinë, e vetmja çështje mbi të cilën duhet hedhur dritë, është nëse Filipi i ka tashmë në kontroll rrugët e komunikimit midis vendit të tij dhe territorit të Apollonisë: N.G.L.Hammond mendon se  një pjesë e efektivave të angazhuar nga mbreti maqedonas kishte ardhur në rrugë tokësore, Plutarku e tregon Filipin "duke kaluar në Epir"; shprehja nuk duket se ka të bëjë me një kalim nëpër Ilirinë e Jugut, d.m.th. nga pellgu i Korçës dhe nga Dasaretia apo nga lugina e Shkumbinit, por më shumë nga qafa e Metsovës dhe nga territori molos dhe kaon.

Për tërheqjen e tij, nuk ka më shumë informacion se kaq: Tit Livi thotë, pa koment, se Filipi u kthye në Maqedoni nga toka. Ka mundësi që kjo ushtri maqedonase të ketë përshkuar Ilirinë e brendshme, çka do të provonte dobësinë e mbretërisë që Skerdilaidi përpiqet të rimëkëmbë.

Suksesi i madh i Filipit V u arrit në vitin 213 dhe ai konfirmon brishtësinë e mbretërisë së Skerdilaidit: ai arrin deri në brigjet e Adriatikut të cilat i pushton dhe vendoset atje për një kohë jo të shkurtër. Duke hequr dorë nga operacionet detare me të cilat nuk i ka ecur, për më tepër që flota romake ka qendruar në Orik, Filipi V udhëheq ofensivën e tij në rrugë tokësore. Mbasi ka përfimduar pushtimin e Dasaretisë dhe ka nënshtruar parthinët, atintanët dhe Dimalin, ai arrin të pushtojë pjesën më të madhe të protektoratit romak, duke u lënë romakëve vetëm qytetet e Apollonisë dhe të Dyrrahut dhe territorin e tyre si dhe rajonin e Orikut dhe të Maleve Akrokeraune. I inkurajuar nga sukseset, ai e çon ushtrinë e tij deri në Lis dhe ia del, me dinakëri, të marrë qytetin dhe Akrolisin, duke e lënë kështu Skerdilaidin pa portin i tij kryesor, në grykëderdhje të Drinit, dhe duke e ndkrë atë nga romakët.

Përballë këtij suksesi maqedonas kemi përfundimin e aleancës etolo-romake dhe formimin e një koalicioni të tërë anti-maqeddnas, ku marrin pjesë Skerdilaidi dhe biri i tij, Pleurati të cilin Tit Livi (103) e cilëson si "Thracum et Illyriorum reges. Për të siguruar prapavijat e tij, para se t'u kthehet etolëve në Greqi, Filipi V nis një operacion mbi territorin e Orikut dhe të Apollonisë, dhe apolloniatët strehohen brenda mureve të qytetit për t'iu shmangur një luftimi, të cilin druheshin se nuk do ta fitonin; gjatë tërheqjes, Filipi shkreton pjesën e Ilirisë më pranë Maqedonisë dhe bën të njëjtën gjë në Pelagoni dhe kundër dardanëve.

Për shkak të mosangazhimit romak duke filluar nga viti i  210 pesha e luftës bie tërësisht mbi shpatullat e etolëve, në Greqi. Por do të ishte gabim të mos vëzhgonim të tjera vatra operacionesh ushtarake në Ballkan të cilat kontribuojnë mjaft në dobësimin e mbretërisë maqedonase dhe që dëshmojnë në të njëjtën kohë për rimëkëmbjen e jashtëzakonshme ilire nën drejtimin e Skerdilaidit dhe birit të tij, Pleuratit. Më 209, kur një forcë detare kartagjenase vjen deri në Korkyrë, Filipi V detyrohet të tërhiqet urgjent nga Greqia Qendrore kur merr lajmin se një ofensivë e gjerë nga ana e ilirëve dhe e dardanëve po kërcënonte zotërimet e tij dhe territorin maqedonas: Tit Livi nuk flet shumë lidhur me këto ngjarje, por ato pak të dhëna gjeografike që ai jep tregojnë për përmasat e ofensivës: është një farë Aeropi i cili arrin të pushtojë Lyhnidin (Ohrin e sotëm) në sajë të tradhëtisë së garnizonit maqedonas dhe komandantit të tij, dhe të nënshtrojë një numër fshatrash (vici) dasarete ; dardanët bashkohen me lëvizjen, kalojnë përmes Orestidës dhe zbresin ne rrafshinën e Argos së Orestidës, d.m.th. në pellgun e Kosturit. I gjithë kufiri veriperëndimor i Maqedonisë ra, siç nuk kishte ndodhur kurrë që nga koha kur Filipi II e kishte ndërtuar atë, një shekull e gjysmë më parë. Burimet e lashta nuk flasin për këtë, por ka shumë mundësi që në të njëjtin moment, mbretërit ilirë Skerdilaidi dhe Pleurati, të cilët janë projektuesit e sulmit të këtij Aeropi, ta kenë rimarrë Lisin. Forcat maqedonase të vendosura në Adriatik kanë humbur përkohësisht lidhjet me bazat e tyre maqedonase. Sipas Justinit (106), i cili jep ndoshta një shifër të ekzagjeruar, dardanët kanë kapur 20 000 robër. Kur, pak kohë më parë etolët kërkonin, si kusht të domosdoshëm për një paqe me Filipin, që Atintania t'u kthehej romakëve dhe ardianët t'i ktheheshin Skerdilaidit dhe Pleuratit, ata nuk e imagjinonin dot që këta dy mbretër nuk do të vononin t'i rimerrnin me forcat e tyre popullsitë që Filipi i kishte nënshtruar në 213/212. Ka mundësi që Filipi V të  ketë ripushtuar Orestidën dhe të ketë rivendosur nëpërmjet Atintanisë lidhjet me trupat e tij në Ilirinë perëndimore, por humbjet në jetë njerëzish, shkatërrimet materiale kanë qenë të konsiderueshme dhe suksesi i një ofensive të tillë ka nxjerrë në pah brishtësinë e mbretërisë maqedonase, ushtria e së cilës është tepër e angazhuar me operacionet ushtarake në Greqinë Qendrore për të qenë në gjendje të mbikqyrë kufijtë e mbretërisë.

Vitin pasues, më 208, trysnia e ilirëve vazhdon dhe rritet, në atë pikë sa epirotët i drejtohen për ndihmë Filipit V, për rastin kur kërcënimi do të konkretizohej në kufijtë e tyre si në ato të Maqedonisë (109); Duket se Filipi V gj endet përballë një koalicioni të gjerë që rrethon territorin e tij dhe që është gati të vërsulet mbi mbretërinë e tij sapo ai të niset drejt Greqisë Qendrore; në veriperëndim, janë mbretërit ilirë Skerdilaidi dhe Pleurati, në lindje janë thrakët, ndërkohë që në jug etolët mbajnë Termopilet, dhe në veri Filipit i duhet të luftojë kundër dardanëve. Gjatë dy viteve që pasojnë, 207 dhe 206, burimet e lashta nuk flasin fare për situatën në Iliri dhe Filipi ka mundësinë që t'i detyrojë etolët të përfundojnë një paqe të veçuar, të cilëri Roma nuk ua fal.

Roma reagon tepër vonë dhe nuk arrin ta pengojë përfundimin e kësaj paqeje të veçuar; prokonsulli Publius Semproni zbarkon në Dyrrah me 10 000 këmbësorë, një mijë kalorës dhe tridhjetë e pesë anije lufte: menjëherë parthinët dhe të tjera ethnë fqinjë {gentes, thotë Tit Livi) ngrenë krye kundër maqedonasve ndërsa Dimali rrethohet nga romakët ashtu si gjatë luftës së dytë të Ilirisë. Përgjigja e Filipit V nuk vonon, ai niset drejt territorit të Apollonisë të cilin e shkreton përsëri; në atë moment Publius Semproni është në vështirësi për shkak të dërgimit të pesëmbëdhjetë anijeve dhe një pjese të trupave nën urdhrat e Letorit,që duhet të përpiqet të rigjallërojë luftën në krahun etolas; ai preferon të mos ndeshet dhe të mbyllet brenda mureve të Apollonisë; Filipi, nga ana e tij, mendon më shumë të negociojë sesa të nisë rrethimin e një qyteti që është i mbrojtur mjaft mirë. 

Në këtë moment kur nisin bisedimet paraprake për paqen e Foinikes, e cila i jep fund më 205 luftës së parë të Maqedonisë, është e udhës të japim, sa është e mundur, një pasqyrë mbi fatin e Ilirisë së Jugut midis viteve 216-205, këtyre viteve të vështira që e kanë rraskapitur atë. Që nga vendosja e protektoratit romak më 228 dhe konfirmimi i tij më 219, duket se popullsitë e zonave të Orikut, Apollonisë dhe Dyrrahut i kanë ruajtur ndjenjat pro-romake që nuk vonuan t'i rishfaqin kur maqedonasit pushtuan Orikun apo kur tentuan të marrin Apolloninë duke e rrethuar. A lidhet kjo besnikëri e qyteteve të mëdha koloniale, si ajo e Korkyrës, me një armiqësi të rrënjosur ndaj sundimit maqedonas, që duket se karakterizon qëndrimin e të gjithë ilirëve ? Sigurisht ky është një element që mund të ketë luajtur rol, por kjo nukn do të thotë se kemi të bëjmë me një miqësi të palëkundshme për protektorin romak; interesa ekonomike, të lidhura me tregtinë në Adriatik, mund gjithashtu të kenë bërë që peshorja të anojë nga ana e Romës. 

Nga ana tjetër, Dimali si dhe territori i parthinëve dhe i atintanëve janë pushtuar nga maqedonasit, përderisa, pas paqes së Foinikes, dihet se Atintania mbetet në duart e maqedonasve, ndërsa parthinët dhe popujt fqinjë sapo janë parë të ngrihen në një kryengritje anti-maqedonase menjëherë pas lajmit të mbërritjes së përforcimeve romake.

Çfarë u bë, gjate këtyre viteve të vështira, me shtetet e jugut të Ilirisë, fqinjë me Epirin dhe Apolloninë, si me koinonin e bylinëve, Amantian, e ndofta edhe me Olympen dhe balaitajtë ? Ata sigurisht nuk u kanë shpëtuar trazirave, sidomos bylinët të vendosur në veri të rrjedhës së Aoosit, pra në rrugën që çon nga Atintania në territorin e apolloniatëve; Amantia dhe Olympe, në bregun e majtë, ka të ngjarë të kenë pasur të njëjtin fat si epirotët të cilët u kanë shpëtuar këtyre kalimeve tepër të shpeshta të ushtrive. Ndofta i takon kësaj lufte mbishkrimi i Bylisit, i gjetur në bazilikën paleokristiane të Ballshit që është një dedikim ndaj Zeus Tropaios dhe që shoqërohet nga disa fragmente të një skulpture që paraqet një helmetë dhe një mburojë, të dyja maqedonase. 

Mbretëria e Skerdilaidit dhe Pleuratit shtrihej kryesisht në veri të Dyrrahut, rreth Lisit, të cilin ajo e humbi midis viteve 213 dhe 209, dhe Skodrës, por kjo mbretëri kishte rizënë mirë vend në Ilirinë e brendshme, deri në liqenin e Ohrit, dhe madje edhe në Dasareti. Roli i saj ka qenë shumë i madh në luftën kundër Filipit V dhe, në fakt, Roma ia dedikonte përfundimin e një paqeje me nder më 205, qëndresës se etolëve por edhe vendosmërisë së paepur të ilirëve për të ruajtur pavarësinë e tyre dhe për të rindërtuar një shtet të fortë, pas një periudhe anarkie që karakterizohet nga shtimi i polidynastait.

Në paqen e Foinikes, protektoratit romak i shkëputet Atintania që i lihet mbretit maqedonas; ai përfshin, për pasojë, territorin e parthinëve, Dimalin, Bargulin dhe Eugenin, përveç qyteteve të Epidamnit, Apollonisë, Orikut dhe Korkyrës të cilat nuk përmenden në traktat ngaqë ato nuk janë shkëputur nga protektorati romak, edhe pse zyrtarisht janë të pavarura. Midis feoderi adscripti, d.m.th. shteteve "të përfshira në traktat" figuron Pleurati nga krahu i Romës, ndërsa ati i tij, Skerdilaidi, nuk përmendet; duket se ai ka vdekur mes viteve 208-205 dhe se i biri vazhdon detyrën të cilën e kishte kryer bashkë me të atin prej shumë vitesh. Asgjë nuk thuhet lidhur me ujditë territoriale midis ilirëve dhe maqedonasve përsa u përket krahinave të brendshme të cilat, në fakt, nuk paraqesin shumë interes për Tit Livin.