Kuadri historik

image description
Në fillim të mijëvjeçarit II, Mesdheu nuk përbënte ende, nga njëri breg te tjetri, një ndarje mes Lindjes dhe Perëndimit. Bota egjease dhe gadishulli grek lidheshin pa ndërprerje, si popullatë dhe si kulturë, nga njëra anë me rrafshnaltën anadollake, me arkipelagun e Sikladeve dhe të Sporadeve, dhe në tjetrën, nëpërmjet Rodit, Sicilisë, Qipros e bregut verior të Sirisë, me Mesopotaminë dhe Iranin. Kur Kreta doli nga periudha Sikladike, gjatë së cilës dominuan marrëdhëniet me Anadollin dhe u ndërtua në Faistos, Mali dhe Knosos qytetërimi i parë pallator (2000-1700), ajo u orientua drejt mbretërive të mëdha të Linjes së Afërt.

Mes pallateve kretezë dhe atyre që u zbuluan në kërkimet e fundit në Alalakh, në unazën e Orontit dhe në Mari, përgjatë rrugës së karvaneve që lidhnin Mesopotaminë me detin, ngjashmëritë janë aq të dukshme sa që mund të trajtohen si vepra të së njëjtës shkollë arkitektësh, pik torësh e afreskistësh . Nëpërmjet bregut sirian kretezët hynin në kontakt gjithashtu edhe me Egjiptin e Perandorisë së Re, influenca e të cilit megjithëse nuk ishte aq vendimtare mbi ta sa mendohej në epokën e Evansit, megjithatë është e vërtetuar mirë.

Rreth viteve 2000 dhe 1900 para K. një popullatë e re u dynd në Greqinë kontinentale. Shtëpitë, sëpatat e luftës, armët prej bronzi, veglat, qeramika - kjo poçari e hirtë minuane aq karakteristike - janë mjaft tipare këto që shënojnë ndarjen me banorët e qytetërimit dhe epokës së mëparshme, Helladën e vjetër. Pushtuesit, minuanët, përbënin pararojën e fiseve që me valë të herëpashershme, do të vinin e do të nguleshin në Helladë, do të vendoseshin në ishujt, do të kolonizonin bregdetin e Azisë së vogël, do të shtyheshin në drejtim të Mesdheut perëndimor e të Detit të Zi, për të themeluar botën greke ashtu siç e njohim në epokën historike. Se zbrisnin nga Ballkani, apo se vinin nga fushat e Rusisë së Jugut, këta paraardhës të njeriut grek i përkisnin popujve indoevropianë, tanimë që dalloheshin nga gjuha dhe që flisnin një dialekt arkaik. Shfaqja e tyre në brigjet e Mesdheut nuk përbënte një dukuri të izoluar. Një dyndje paralele u shfaq rreth së njëjtës epokë nga ana tjetër e detit me mbërritjen e hititëve indoevropianë në Azinë e vogël dhe me përhapjen e tyre në rrafshnaltën anadollake. Në bregdet, në Troadë, vazhdimësia kulturore dhe etnike që ishte ruajtur për rreth një mijëvjeçari që nga Troja I deri tek Troja V (fillimi i Trojës I: rreth viteve 3000 dhe 2600), papritur shkatërrohet. Populli që ndërtoi Trojën VI (1900), qytet princor më i pasur e më i fuqishëm se kurrë, ishte fis I afërt me minuanët e Greqisë. Ai prodhonte të njëjtën poçeri të hirtë, të punuar në torno dhe të pjekur në furra të mbyllura, që ishte përhapur në Greqinë kontinentale, në ishujt jonianë, në Tesali dhe Shalsidikë. Një tipar tjetër i qytetërimit që nënvizon afritë e dy popujve në.të dy brigjet e Mesdheut ishte se pikërisht me banorët e Trojës VI kali shfaqet për herë të parë në Troadë. "E pasur me kuaj" ky është epiteti, në stilin e formulësimeve, që Homeri e huazoi nga një traditë gojore shumë e vjetër e që na kujton bollëkun e vendit dardan. Fama e kuajve të Trojës, si edhe ajo e pëlhurave, pa dyshim që luajti rolin e.vet në interesin që akenjtë tregonin ndaj kësaj krahine edhe para ekspeditës luftarake që, duke shkatërruar qytetin e Priamit (Troja VII), shërbeu si zanafillë për legjendën epike. Si edhe minuanët e Trojës, edhe ata të Greqisë e njihnin kalin: ata duhej ta kishin rritur në stepat ku kishin qëndruar para se të vinin në Greqi. Prehistoria e perëndisë Poseidon tregon se para se të mbretëronte në det, një Poseidon kalë, Hipos ose Hipios, shoqëronte, në mendjen e helenëve të parë si dhe të popujve të tjerë indoevropianë, kalin me një kompleks të tërë mitik: kali-element i lagësht, kali-ujra nëntokësore, botë ferri, pjellori; kali-erë, shtrëngatë, re, stuhi Vendi, rëndësia, prestigji i kalit në një shoqëri  varet në një masë të madhe nga përdorimi i tij për qëllime ushtarake.

Dokumentet e para greke që hedhin dritë mbi këtë çështje i përkasin shekullit XVI: në gurët e varreve të zbuluara në rrethin e varreve me gropa në Mikenë (1580-1500), paraqiten skena lufte apo gjuetie ku figuron një luftëtar në këmbë në karron e vet të tërhequr nga kuaj të lëshuar në galop. Në atë epokë, minuanët, të përzierë fort me pop- ullsinë vendase me prejardhje aziatike, ishin vendosur prej kohësh në Greqinë kontinentale ku kishte zënë fill jeta qytetare në rrëzë të fortesave, rezidenca të kryetarëve. Ata kishin hyrë në kontakt me Kretën minoene, në zhvillim të plotë pas rinovimit që pasoi rindërtimin e pallateve që për herë të parë u shkatërruan aty rreth 1700-ës. Kreta u zbuloi atyre një mënyrë të jetuari dhe të menduari plotësisht të re. Tanimë kishte filluar ai kretizim masiv i botës mikenase që, pas 1450-ës, do të çonte në një qytetërim pallator të përbashkët në ishull dhe në Greqinë kontinentale. Por karro e luftës, karro e lehtë e tërhequr nga dy kuaj, nuk mund të ishte një kontribut kretez. Në ishull, kali shfaqet në Minoenin e I-rë të vonët (1580-1450). Nëse bëhet fjalë per huazim, në këtë fushë minoenët duhej të ishin më tepër huamarrës. Në të kundërt, karroceria nxjerr në pah rishtazi përqasjet mes botës, në konsolidim e sipër, të mikenasve ose akenjve dhe mbretërisë së hititëve, të cilët e bënë të tyren këtë taktikë luftimi duke ua huazuar fqinjëve lindorë, hurritëve të Mitanisë, popullatë jo indoevropiane por që ishte nën varësinë e një dinastie indoiraniane. Popujve që e njihnin rritjen e kuajve, karroceria duhet t'u ketë krijuar probleme të reja përzgjedhje dhe stërvitjeje. Jehonën e kësaj e gjejmë në një traktat hipologjie të hartuar nga një farë Kikulu, nga vendi i Mitanisë, dhe që u përkthye në gjuhën hitite. Në marrëdhëniet që u vendosën në fillim të shekullit XIV mes hititëve dhe atyre që ata i quanin ahaioi (akenjtë ose mikenasit) shqetësimet për kuajt do të luanin rolin e tyre. Në arkivat mbretërore hitite të Hatusës, në rastet e ndryshme kur përmendet Ahijauai (Ahaia), përmenden gjithashtu edhe qëndrimet e princave akenj, ndër të cilët Tauagalauasi (Eteokli?), të cilët venin në oborr për t'u përfeksionuar në përdorimin e karros. A mos duhet përqasur emri i mbretit hitit Myrsilis me atëtë stallierit të Enomait, Mirtili, të cilit ia njohim  rolin në legjendën e Pelopit, paraardhës të dinastisë së atridëve, mbretër të Mikenës?

Enomai mbretëronte në Pizë në Eulidi. Ai kishte një vajzë, Hipodaminë. Kush donte të martohej me të duhej ta fitonte në një garë me karro kundër të atit. Humbja donte të thoshte vdekje. Qenë paraqitur shumë mëtues. Të gjithë qenë mundur nga mbreti, kuajt e të cilit qenë të pamposhtshëm, dhe kokat e tyre zbukuronin muret e pallatit.

Me ndihmën e Hipodamisë, Pelopi siguroi bashkëpunimin e stallierit të mbretit, Mirtilit: në mes të garës, karroja e Enomait u prish pasi qe sabotuar boshti i rrotës. Pelopi triumfoi kështu në garën me karro, që do të thoshte se fitoi edhe vajzën zbutëse të kuajve, edhe mbretërinë.

Përsa i përket Mirtilit, stallierit tepër të shkathët e të hëdhur, Pelopi do ta hiqte qafe kur t'i vinte koha. Perënditë do ta kthenin në qiellin e natës në yllësinë e Aurigës.

Ky rrëfim i marrjes së pushtetit vendos provën e karros nën patronazhin e Poseidonit, perëndisë së vjetër kalë, e cila paraqitet në atë periudhë të qytetërimit mikenas jo më në aspektin e vet baritor, por si një zot i karros, luftëtar e aristokratik. Në fakt ishte altari I Poseidonit në Korint (një Poseidon Hipios e Damaios), i cili qe zgjedhur si mbërritje dhe ku u kurorëzua fituesi. Pelopi, nga ana tjetër, në Iegjendën e tij është i lidhur mjaft ngushtë me Poseidonin. Kur djaloshi rilindi, pasi vdiq i copëtuar në kazanin atëror gjatë provës që ky u bëri perëndive, ai menjëherë u "grabit" nga Poseidoni. Perëndia e bëri atë "pazhin" e tij, sipas një praktike, rkaizmi i së cilës është ruajtur në disa nga shoqëritë luftëtare të Kretës dhe që Straboni na e bën të njohur duke cituar Eforin:  grabitja i bindej një protokolli të rreptë, me dhurata që i ofroheshin rrëmbyesit me të cilin adoleshenti do të kalonte jetën gjatë dy muajve. Me çlirimin e tij, djali mori një sasi dhuratash siç e kërkonte rregulli: uniformën e tij të betejës, një ka, një gotë. Poseidoni i bëri Pelopit edhe një dhuratë që simbolizonte dhuntitë që djaloshi fitoi gjatë qëndrimit pranë perëndisë: një karro. 

Meqenëse kërkon një stërvitje të vështirë, teknika e karros duhet të ketë thelluar specializimin e funksioneve luftarake, tipar karakteristik i organizimit shoqëror dhe i mentalitetit të popujve indoevropianë.

Nga ana tjetër, nevoja e zotërimit të një sasie të madhe karrosh për t'i përqendruar në sheshin e betejës, nënkupton një shtet të përqendruar, të shtfirë e të fuqishëm në një masë të mjaftueshme, ku drejtuesit e karrove, cilado që të ishin privilegjet e tyre, i qenë nënshtruar një autoriteti të vetëm.

Në fakt, e tillë duhet të ketë qenë fuqia ushtarake e mbretërisë mikenase, e cila, që prej vitit 1450 - këtë e kemi mësuar nga deshifrimi i linearit B - mundi të dominojë Kretën, të bëhet zot i paliatit të Knososit dhe ta mbajë deri në shkatërrimin e tij përfundimtar më 1400, nga zjarri i vënë ndoshta nga ndonjë revoltë e popullsisë vendase. Përhapja mikenase, e cila vazhdoi nga shekulli XIV deri në shekullin XII, bëri që akenjtë në Mesdheun lindor t'u zënë vendin kretezëve të cilët i zëvendësuan thuajse ngado, sipas vendit, në kohë të ndryshme. Që në agim të shekullit të XIV, ata kolonizuan Rodin.

Ndoshta pikërisht në këtë ishull, të mbrojtur nga sulmet e kontinentit, duhet vendosur mbretëria e Ahijauasë, monarku i së cilës u trajtua nga mbreti hitit si i barabartë. Nga Rodi mbreti i Ahaiesë mund të kontrollonte ato pika të bregut anadollian ku kishin zbritur e qenë vendosur njerëzit e tij. Prania e akenjve është vërtetuar në Milet (Milaunda ose Mitauata hitite), në Kolofon, në Klaros, më në veri, në Lesbos, sidomos në Troadë, me të cilën marrëdhëniet qenë mjaft të ngushta, e së fundi, në bregun jugor, në Sicili e Pamfili. Po në fillim te shekullit XV mikenasit u veindosën me forcë gjithashtu në Qipro dhe ndërtuan në Enkomi një fortesë të ngjashme me atë të Argojidës. Që andej ata dilnin në bregun sirian, rrugë kalimi për në Mesopotami e Egjipt. Që në shekullin XV, në Ugarit, i cili bënte tregti bakri me Qipron, një koloni kreteze i kishte lënë gjurmët e saj në kulturën e deri në arkitekturën e qytetit. Në shekullin që pasoi, ajo i la vendin një popullate mikenase aq të shumtë në numër sa zinte një lagje të tërë të qytetit. Në po atë periudhë, Alalakhi, në Oront, Dera e Eufratit dhe e Mesopotamisë, u bë një qendër e rëndësishme e akenjve. Më në jug, akenjtë depërtuan  deri në Fenisi, në Biblos dhe në Palestinë. Në gjithë këtë krahinë zuri fill një qytetërim i përbashkët qipro-mikenas, në të cilin elementët minoenë mikenas dhe aziatikë ishin gërshetuar fort me njëri-tjetrin dhe që përdorte një shkrim të prejardhur, si edhe ai rrokjesor mikenas, nga lineari A, Egjipti, i cili kishte ruajtur, veçanërisht gjatë shekullit XV, një tregti të vazhdueshme me kretezët, u hap ndaj mikenasve të cilët i priti Iirisht gjatë 1400-ës dhe 1340-ës. Edhe aty, keftiutët, kretezët, u eliminuan sërish pak e nga pak në favor të konkurrentëve të tyre; Kreta pushoi së luajturi atë rol ndërmjetës që kishte patur në periudhën e mëparshme. Ndoshta një koloni mikenase ishte e pranishme në EI-Amarna kur Amenhotepi i VI, i njohur me emrin Akhenaton, u vendos aty mes 1380-ës dhe 1350-ës, duke braktisur kryeqytetin e vjetër, Tebën.

Kështu, në të gjitha krahinat ku i çoi shpirti i tyre aventurier, mikenasit u paraqitën të Iidhur ngushtë me qytetërimet e mëdha të Mesdheut Lindor, të integruar në këtë botën e Lindjes së Afërt e cila, me gjithë ndryshimet në gjirin e saj, për nga gjerësia e lidhjeve, e shkëmbimeve, e komunikimeve përbënte një tërësi të vetën.