Lufta iliro-epirote (230)

image description
Tre burimet që japin mundësi të ripërshkruhet kjo luftë e parë ilire ndryshojnë në disa pika dhe kryesisht lidhur me momentin e vdekjes së Agronit dhe zëvendësimit të tij nga e shoqja, Teuta: Polibi (II, 4, 6-7) e daton këtë vdekje dhe ardhjen në fron të Teutës shumë shpejt mbas fitores në Medion, d.m.th. në vjeshtën e vitit 231; Apiani (Illyrika, 7) ia atribuon mbretërimit të Agronit edhe sulmin ndaj Isas, dërgimin e një përfaqësie romake dhe vrasjen e të dërguarit të Romës, ndërsa Dion Kasi (fragmenti 49, 1-3 ; Zonaras VIII,) bën një interpretim të ndërmjetëm: Isa kërkon mbrojtjen romake qysh kur Agroni ishte ende gjallë, por delegacioni romak mbërrin pas vdekjes së Agronit; ka të ngjarë që burimi ku janë bazuar dy autorët e fixndit të ketë një "shkarje", siç thotë N.Vuliç, duke e zhvendosur disi vdekjen e Agronit, në një kohë që është e ndryshme tek Apiani dhe Dion Kasi.

Pra mund t'i përmbahemi Polibit dhe ta datojmë vdekjen e Agronit qysh në vjeshtën e vitit 231 duke pranuar se është mbretëresha Teuta, mëkëmbëse e Pinit të vogël, ajo që i lë piratët ilirë të bastisin brigjet e Elidës e të Mesenisë dhe të sulmojnë Foiniken. Ky qytet i Kaonisë, i ndërtuar në majën e një kodre të stërzgjatur që ngrihet mbi luginën e Bistricës, pranë fshatit të sotëm të Finiqit, është bashkë me Antigonenë një nga dy qytetet e mëdha të Kaonisë ku organizohen takime midis të dërguarve romakë dhe rriaqedonas, për arsye të pozicionit të saj pranë detit si nga porti i Onhezmit (Saranda e sotme), ashtu edhe nga Butroti dhe liqeni me të njëjtin emër.

Vështirë të mësohet se ku kanë zbarkuar ilirët në verën e vitit 230, në Onhezëm apo në fund të liqenit të Butrotit. Operacioni, këtë herë, ishte përgatitur falë lidhjeve të vendosura me mercenarët keltë, rreth tetëqind vetë, që mbanin garnizonin në Foinike, dhe si pasojë, që në sulmin e parë, qyteti bie në duart e ilirëve. Një ushtri përforcuese vjen në ndihmë të epirotëve dhe zë pozicion në bregun jugor të Bistricës, duke u kujdesur ndërkaq, siç saktëson Polibi, të çmontojë urën; në këtë kohë epirotët mësojnë për mbërritjen e një regjimenti ilir prej 5 000 burrash të komanduar nga Skerdilaidi, që është ndoshta vëllai i të ndjerit Agron, dhe me  siguri anëtar i familjes mbretërore; këto forca kanë ardhur në rrugë tokësore, përgjatë Aoosit, deri në Tepelenë, pastaj janë futur në luginën e Drinos nëpër grykat që ruajnë hyrjen e fushës së Dropullit, pra tokën e Antigonesë shumë më në jug dhe që mbrohet nga fortesa e Leklit, mbi këto gryka të Drinos; nga këto gryka, ilirët e Skerdilaidit mbërrijnë në Foinike duke kaluar nga bregu i majtë i një dege të Drinos, në luginën e Kardhiqit, që çon në qafën e Skërficës, dhe prej andej në fushën e Delvinës dhe në Foinike. Kuptohet atëherë fare qartë tregimi i Polibit sipas të cilit epirotët dërgojnë një detashment për të mbrojtur qytetin e Antigonesë.


Tashmë të shumtë në numër, ilirët kalojnë gjatë natës lumin Bistrica dhe, të nesërmen, fitojnë mbi epirotët, të mbijetuarit e të cilëve gjejnë strehim në Atintani. Epirotët iu drejtuan për ndihmë të dy koina-ve, etolasve dhe aheasve, që dërguan një ushtri, e cila zë pozicion përballë ilirëve, por këta të fundit thirren nga një i dërguar i Teutës, për shkak të vështirësive që janë shfaqur tanimë në kufirin dardan. Pasi plaçkiti Epirin, pra pjesën perëndimore të Kaonisë, Skerdilaidi nënshkroi një armëpushim me epirotët: në këmbim të një pagese epirotët sigurojnë lirimin e nënshtetasve të lirë dhe të qytetit të Foinikes, ndërsa ilirët ngarkojnë në lemboi-të e tyre skllevërit dhe gjithë plaçkën që i kanë marrë armikut; një pjesë e ushtrisë kthehet nëpërmjet detit, ndërsa pjesa dërrmuese e saj, me Skerdilaidin, kthehet në rrugë tokësore, në brendësi të territorit. Epirotët nuk vonojnë të bëjnë një përmbysje aleancash: ata dërgojnë një delegacion pranë mbretëreshës Teuta dhe nënshkrojnë një aleancë {symmachid) me ilirët; akarnanët që kanë rindërtuar një shtet në veriperëndim, bashkohen me këtë aleancë.

Bilanci është i jashtëzakonshëm për mbretërinë e Teutës, që ka përmbysur papritur situatën e vendosur qysh nga koha e Pirros. Në fakt, depërtimi i Skerdilaidit, më një ushtri të madhe, përmes gjithë Ilirisë së Jugut, përgjatë luginës së Aoosit, tregon shpërbërjen e pranisë epirote në gjithë zonën që ishte ndërmjet luginës së Shkumbinit dhe Tepelenës. Nuk ka  asnjë të dhënë që të tregojë që kjo ka ndodhur më 232, gjatë revolucionit të Ambrakisë dhe rënies së dinastisë aiakide, apo më 230 gjatë ofensivës së Skerdilaidit. Sidoqoftë, rezultati është i qartë: papritmas, e gjithë Iliria e Jugut braktiset nga epirotët që ishin vendosur atje para vitit 280, pra të paktën qysh prej një gjysmë shekulli, çka do të shtrojë problemin e riorganizimit të këtyre trevave në planin politik. Përtej këtyre trojeve të amantinëve dhe të atintanëve, tani janë ilirët ata që depërtojnë në Epir deri sa marrin një nga qytetet më të mëdha të këtij shteti, Foiniken: ilirët e Teutës të kujtojnë trimëritë e Bardhylit që mundi molosët më 385.

Më në fund, Ilirët i bindin fqinjët e tyre të hyjnë në aleancë me ta: kjo do të thotë se në momentin kur Demetri është i zënë tërësisht me punët e Dardanisë, influenca ilire shtrihet deri në Akarnani dhe etolët mund t'ia kenë frikën këtij kundërshtari që i ka poshtëruar, një vit më parë, para mureve të Medionit. Është e kuptueshme kënaqësia e Teutës, "që është mrekulluar, thotë Polibi  nga sasia dhe bukuria e plaçkës së luftës". Ajo ka të drejtë të mrekullohet edhe me avancimet e shpejta të realizuara nga mbretëria e saj në pak vite: kjo vihet re në mënyrë të veçantë drejt jugut por duket qartë që mbretëria e Agronit dhe Teutës ka avancuar edhe drejt veriut, ngaqë kur Teuta ndërmerr rrethimin e Isas, ky është i vetmi qytet në këtë trevë që i reziston autoritetit të saj.