Lufta e dytë e Ilirisë

image description
Traktati i imponuar nga Roma e pati jetën të shkurtër në Iliri; atje situata ndryshon menjëherë si rezultat i veprimeve të zhdërvjellta dhe të matura të Demetër Farit, i cili nuk nguron të ndërrojë aleancë që të forcojë pushtetin e tij dhe t'i rikthejë popullit burimet e të ardhurave nga të cilat ai kishte qenë i detyruar të hiqte dorë për shkak të traktatit, veçanërisht duke rifilluar sulme të befasishme dhe bastisje të kryera rrufeshëm që nga lemboi-të. Ky ndërrim aleance favorizohet nga konsolidimi i mbretërisë maqedonase, pas vdekjes së papritur të Demetrit II dhe ardhjes në pushtet të Antigon Dosonit, në fillim si regjent dhe pastaj si mbret; ai diti t'i japë fund pa vonesë luftës dardane, me sa duket me humbje për Maqedoninë, përderisa, më vonë Filipi V ripushton Paioninë veriore; por ky traktat, ndonëse jo shumë i favorshëm, i jepte mundësi Dosonit të rifillonte një politikë më aktive në Greqi, në momentin kur Athina po rifitonte pavarësinë dhe më pas kur Sparta nxitur nga Kleomeni III, po orvatej përsëri të ringrinte trupin e saj qytetar dhe fuqinë e saj përballë një koinon-i aheas gati të bashkonte tërë Peloponezin.

Vetëm Dion Kasi (fragmenti 53) na tregon se Demetër Fari arrin, para vitit 222, të bashkojë nën autoritetin e tij të dy pjesët e mbretërisë së Teutës të ndara nga traktati i vitit 228; ai ngarkohet me kujdestarinë e Pinit, pasi ka marrë për grua nënën e mbretit të vogël, Triteutën; sigurisht, i gjithë protektorati romak mbetet jashtë zotërimeve të Demetrit që është kufizuar në pjesën veriore dhe në brendësi të Ilirisë; por domeni i tij fuqizohet përsëri dhe nëse Roma nuk reagon kjo duket se ndodh ngaqë ajo është tepër e zënë me vështirësitë që has me galët. Nxitur nga ky sukses i parë, Demetri vazhdon  avancimin e tij në dy drejtime, por nuk është shumë e lehtë që ato të klasifikohen saktë në rendin e tyre kronologjik, pasi Polibi dhe Apiani kanë mendime të ndryshme. Duket se midis viteve 224 dhe 222, Demetër Fari arrin t'i bindë atintanët të shkëputen nga romakët, sipas Apianit (Illyrika, 8), që do të thotë cënim i zonës së influencës së romakëve, edhe pse ky cënim nuk sjell reagim të menjëhershëm nga ana e tyre. Jam i prirë të besoj që pikërisht gjatë kësaj ndërhyrjeje të Demetrit në Atintani bylinët përfitojnë nga ndihma e gjeneralit epirot Krison, meqë koinon-i i bylinëve duket se dëshiron të ruajë autonominë e sapofituar.


Manifestimi i dytë i ndryshimit të qëndrimit nga Demetër Fari, është prania e tij përkrah Antigon Dosonit në Lidhjen Helene që po organizohet, që nga momenti i afrimit të Aratit të Sikyonit me mbretin maqedonas, përballë mbretit spartan Kleomeni III. Duke bërë prezantimin e ushtrisë së Antigonit, Polibi (II, 65, 4) përmend, midis aieatëve të tij (symmachot)> përkrah kontigjenteve beotase, epirote, akarnanase, "një mijë e gjashtë qind ilirë, nën komandën e Demetër Farit" ; kam shkruar tashmë se nuk ishte fjala për mercenarë ilirë, por për aleatë. Duhet hequr dorë nga idea e M.Holleaux që shihte te kjo aleancë një inisiativë maqedonase, të drejtuar kundër romakëve, dhe te kjo aleancë duhet parë më shumë dëshira e Demetrit, i cili nuk e ka respektuar traktatin e 228- tës, për të gjetur një mbështetje në Lindje. Ta konsiderosh Demetrin një mercenar në shërbim të Antigon Dosonit, kjo nuk mund t'i përshatet atij që udhëheq, në emër të Pinit, një mbretëri ilire, që në një pjesë të mirë është rikthyer si në kohën e Agronit dhe të mbretëreshës Teuta, me përjashtim të parthinëve por jo plotësisht përderisa Dimali është qendra e rezistencës ndaj romakëve gjatë luftës së dytë të Ilirisë. Në një artikull të kohëve të fundit S.Le Bohec (72) këmbëngul për të treguar se Demetër Fari nuk është një aleat personai i mbretit maqedonas, por një anëtar i Lidhjes Helene, njëlloj si shtetet fqinjë të cilat i përkasin bashkësisë së helenëve (epirotë, akarnanas, beotë, etj.).

Kjo është një mundësi, edhe  pse disi e habitshme meqë ilirët përbëjnë një trup të huaj në një aleancë e cila grupon helenët, por është e vërtetë që fjalori grek përdor vetëm termin symwiuchoi> aleatë, term që lë vend për të gjithë vullnetarët pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

Por ilirët e Demetër Farit që marrin pjesë në betejën e Selasias, kur u vjen rasti, dinë të veprojnë edhe për llogari të tyre: në një datë që teksti i Apianit (Illyrika, 8) nuk jep mundësi të përcaktohet me saktësi, Demetri ndërhyn në Istria, në veri të Adfiatikut; Polibi (IV 16, 6-9) e paraqet, në verën e vitit 220, në një ekspeditë së bashku me Skerdilaidin, një tjetër sundimtar ilir, anëtar i familjes mbretërore: Skerdilaidi ofron dyzetë lemboi dhe Demetri pesëdhjetë: ata shkojnë përkrah njëri-tjetrit " përtej Lisit, në kundërshtim me traktatin e bërë me romakët" dhe ky është dhunimi i dytë i rëndë i paqes së përfunduar në vitin 228, pas bashkimit të dy pjesëve të Ilirisë dhe ndërhyrjes në Atintani. Është me sa duket e saktë, siç e paraqet S.L.Bohec, se kjo ekspeditë nuk duhet të shihet si një veprim që bie ndesh me aleancën aheo-maqedonase ku ai bën pjesë. Kemi të bëjmë më shumë me një rikthim në veprimtarinë e tyre normale nga ana e piratëve ilirë, të cilët kërkojnë të bëjnë plaçkë: tregimi i Polibit është shumë i qartë: "Ata u ankoruan në fillim në Pylos dhe ndërmorën disa sulme që dështuan. Pas kësaj, Demetri me pesëdhjetë lemboi u drejtua drejt ishujve dhe, duke lundruar midis Cikladeve, në disa prej tyre ai vilte para, në të tjerët i plaçkiste. Kurse Skerdilaidi, rrugës në kthim, u ndal në Naupakt me dyzetë anije, duke iu përgjigjur ftesës së Amynas (me sa duket Aminandri), mbret i atamanëve, një i afërm i tij nga krushqia.

Ky bashkëpunim i shkurtër i dy sundimtarëve ilirë nuk ka sjellë ndonjë përfitim kushedi çfarë, meqë mesenasit e rajonit të Pylosit duket se qëndronin vazhdimisht syhapur: pastaj ata ndahen, Demetri me flotën e tij grabit dhe bën plaçkë në ishujt Ciklade, ndërsa Skerdilaidi, duke vepruar për llogari të vet, vihet përkohësisht në shërbim të etolëve, gjë që është në kundërshtim me Lidhjen Helene,  por ai përfaqëson atë pjesë të ilirëve që nuk ka detyrim t'u përmbahet vendimeve politike të Demetër Farit: edhe këtë herë, ilirët nuk flasin me një zë të vetëm: Demetri përfaqëson sigurisht pjesën më të madhe të tyre, por Skerdilaidi vepron si sundimtar i pavarur dhe të tjerë shërbejnë si mercenarë, p.sh. në Kretë po në vitin 220.

Ky dallim midis veprimeve të grupeve të ndryshme ilire jep mundësi të kuptohen më mirë ato që mund të duken si përmbysje krejt të pakuptimta aleancash. Në fund të vitit 220, Skerdilaidi rreshtohet përkrah etolëve: Polibi (IV, 16, 10) thekson : "Skerdilaidi përfundoi me etolët, me ndërmjetësinë e Agelaut, një marrëveshje për ndarjen e plaçkës së luftës dhe ai premtoi të pushtojë me ta Ahaian; shumë shpejt pas kësaj, etolët dhe iiirët pushtojnë Ahaian.

Më tej Polibi (IV, 25, 4) informon për të gjitha dëmet e shkaktuara nga ky pushtim i Ahaias i drejtuar nga etolët, me ndihmën e ilirëve. Kjo marrëveshje e Skerdilaidit dhe etolëve zgjat shumë pak, sepse zotimet e marra nuk mbahen nga etolët: "Ata i kishin premtuar Skerdilaidit që t'i jepnin një pjesë nga plaçka e luftës nëse ai do ta sulmonte me ta Ahaian. Ai u bind dhe kështu u bë. Por, pasi qytetin e Kynethës dhe morën shumë robër dhe shumë kokë bagëti, etolët nuk i dhanë Skerdilaidit asgjë nga plaçka që zunë. Pas kësaj, atij nuk i delte inati, dhe Filipit nuk iu desh veçse t'ia rikujtonte paksa për t'a nxitur atë të merrte pjesë në aleancën e përbashkët [koinë symmachia): ai pranoi me kusht që të merrte njëzet talenta në vit dhe me tridhjetë lemboi ai do të sulmonte etolët nga deti. Mbreti i ri maqedonas, Filipi V, përgatit atëherë luftën kundër etolëve dhe kërkon të përforcojë aleancën, pa e shpërfillur mbështetjen e ilirëve të Skerdilaidit, edhe pse i duhej paguar atij një haraç vjetor derdhur nga maqedonasit: Skerdilaidi rreshtohet në krah të maqedonasve dhe të aleatëve të tyre jo për ideal por nga shpresa e një përfitimi të majmë: ai u largua nga etolët për shkak se ata refuzuan të ndajnë plaçkën e premtuar; dëshira e tij është të lidhë aleancë me Philipin V, por derdhja e  menjëhershme e 20 talentave është një argument bindës, si një paradhënie për plaçkën që do të vijë. Skerdilaidi mund të shihet si një kryebandit që lidhet me atë që i ofron më shumë; është e sigurt se lemboi-të, të shumtë dhe të shpejtë, megjithë brishtësinë e tyre, përbëjnë një armë të çmuar dhe se ilirët kanë kështu atë që u duhet për t'u treguar kërkues ndaj atyre që u drejtohen për ndihmë.


Gjatë kësaj kohe, në Romë, Senati ishte i shqetësuar nga avancimi i kërcënimit kartagjenas në Spanjë dhe donte më parë të vinte në vijë punët në Iliri, sepse parashikonte një luftë të gjatë dhe të vështirë kundër kartagjenasve. Polibi (III, 16) rikujton këtu shkeljen e traktatit të vitit 228 për të cilën fajësohet Demetër Fari dhe prezantimi i të cilit nuk është i papajtueshëm me atë të bërë nga Apiani: "Ai kishte filluar të plaçkiste e të shkretonte ato qytete të Ilirisë që u ishin nënshtruar romakëve; për më tepër, në kundërshtim me traktatet, ai kishte lundruar përtej Lisit me pesëdhjetë anije dhe kishte shkretuar shumë ishuj të Cikladeve. Duke parë këtë dhe si dhe begatinë e mbretërisë maqedonase, romakët menduan fillimisht të forconin pozitat në lindje të Italisë, me bindjen se do të kishin kohë të ndreqnin marrëzinë e ilirëve nga njëra anë dhe nga ana tjëtër të qortonin e të ndëshkonin Demetrin për mosmirënjohjen dhe guximin e tepruar.

Qortimi i parë ka të bëjë sigurisht me ndërhyrjen në Atintani dhe në Dimal, sepse askush nuk flet për agresion kundër qyteteve të mëdha të Epidamnit, Apollonisë, Korkyrës, apo të Isas; por nga ana tjetër, tek Polibi vihet re preokupimi për të bërë dallimin midis veprimit kundër ilirëve dhe veprimit që synon drejtpërdrejt Demetër Farin, sikur ky të mos ishte një ilir, por një prijës i ardhur nga jashtë që ka zënë një vend të jashtëzakonshëm në këtë trevë.

Demetër Fari i grumbullon forcat e tij ushtarake në dy pika shumë të largëta të domenit të tij: në Dimal, që ndodhet në perëndim të Beratit, mbi kalanë e Krotinës, dhe në Far. Dimali bie në duart e konsullit romak pas një rrethimi që zgjati vetëm shtatë ditë: "Kjo fitore i demoralizoi sakaq gjithë  armiqtë e tij. Ky është shkaku pse ata nuk vonuan të vinin nga të gjitha qytetet për t'u dorëzuar dhe për të hyrë në besën (pistis) e romakëve" (7.8): "shprehja greke është e qartë, ajo përkon me formulën latine in fidem populi romani venire, që do të thotë se është fjala për një kapitullim pa kushte, këta ilirë e lënë veten në duart e romakëve. Pas kësaj, konsulli rrethon me shpejtësi Farin dhe arrin ta pushtojë, ndërsa Demetri gjen strehim tek Filipi V. Qyteti u dëmtua rëndë, kjo është arsyeja pse L.Braccesi donte ta datonte në këtë periudhë mbishkrimin e bukur të publikuar nga L.Robert që aludon për nevojën për të restauruar Farin, në kohën që ky qytet ka dalë nga aleanca romake dhe i ka bërë thirrje metropolit të tij, Parosit, që ta ndihmojë për t'u rindërtuar; kurse L.Robert parapëlqente t'i referohej një date më të vonë, në shek. II, ndoshta në periudhën e mbretit Gent. Polibi (III, 19,12) është tej mase i paqartë lidhur me traktatin e imponuar nga Roma, në përfundim të kësaj fushate të shkurtër të cilësuar si lufta e dytë e Ilirisë: Roma ka pushtet mbi pjesën tjetër të Ilirisë dhe rregullon gjithçka sipas synimeve të veta. Është sigurisht e ekzagjeruar t'i atribuohet Romës një fashatë që do-t'i kishte lejuar të depërtonte thellë në Ilirinë e brendshme. Apiani CIllyrika, 8) është më i përpiktë kur saktëson se romakët i falën ilirët, për respekt të Pinit që i kishte pritur mirë. Ky traktat i vitit 219 duket se ka rimarrë shumë nga klauzolat e traktatit të vitit 228: konfirmim i protektoratit romak mbi Korkyrën, ApoIIoninë, Epidamnin, Isan, ethnë-1 e parthinëve dhe atintanëve ; vazhdimësi e mbretërisë së Pinit në brendësi të territorit; nga ana tjetër, nuk thuhet asgjë për pjesën që i është besuar Demetër Farit, qyteti i lindjes i të cilit sapo është shkatërruar; meqenë se Demetri i kishte bashkuar tashmë të dy pjesët e mbretërisë, a ia lë Roma zotërimet e tij Pinit? Sidoqoftë, Iliria mbetet shumë e përçarë dhe Skerdilaidi mbetet jashtë këtyre pjesëve, me sa duket bashkë me shumë dinastë të tjerë.