Lufta e parë e Ilirisë

image description
Sukseset e shpejta të ilirëve janë, me sa duket, shkaku I ndërhyrjes së drejtpërdrejtë romake në punët e Ilirisë dhe sigurisht duhet shtruar pyetja se cilat ishin motivet që një forcë e madhe përshkoi detin Adriatik. Por megjithatë më parë është me vend të rikujtojmë se të dy brigjet e Adriatikut nuk mund ta injoronin njëri-tjetrin, për shkak se kanali është i ngushtë, nga Otranto në ishullin e Sazanit, në ujrat e brigjeve të Vlorës, dhe se, për një kohë të gjatë, të dy brigjet  flisnin greqisht, për shkak të vendosjes shumë të hershme të kolonistëve grekë në bregdetin e gadishullit të Salentos, të cilët komunikonin lehtësisht me Korkyrën dhe me portet e bregdetit ilir si Oriku, Apollonia, Epidamn-Dyrrahu.

Shkëmbime të shpeshta i çonin banorët e bregut lindor drejt bregdetit italian dhe banorët e Magna Grecia-s drejt bregdetit lindor; risia në shek.III është mbërritja e autoritetit romak në bregun e Adriatikut, në çastin kur pavarësia e Magna Grecia-s merr fund me tërheqjen e garnizonit epirot nga Tarenti më 272; kemi vendosjen në Brindizi rreth vitit 264 dhe themelimin e kolonisë më 244. Para se të flasim për këtë aksion ushtarak romak në Iliri, duhet përmendur edhe dërgimi i delegacionit të apolloniatëve në Romë: një tekst i Valer-Maksimit që e rigjejmë edhe në një fragment të Dion Kasit, thotë se banorët e Apollonisë kanë dërguar një delegacion në Romë; të dërguarit u fyen nga dy senatorë të rinj dhe Senati ua dorëzon apolloniatëve fajtorët duke u kujdesur që një nga kuestorët ta shoqërojë delegacionin deri në Brindizi. M.Holleaux e ka studiuar me kujdes këtë episod dhe është përpjeltur t'ia zvogëlojë rëndësinë duke theksuar se nisma vinte nga apolloniatët dhe jo nga romakët, se nuk ka bazë të flitet për traktat miqësie apo për aleancë; pra M.Holleaux nuk sheh aspak në këtë tregim provën që Greqia të jetë bërë tashmë objekt i preokupimeve ambicioze të politikave të Romës; dhe ai me të drejtë rikujton se më 229 apolloniatët e kërcënuar nga ilirët iu luten për ndihmë aheasve dhe etolëve, dhe aspak romakëve.

Ky tregim i paraqitur nga Valer-Maksimi shtron shumë pyetje që janë të lidhura me njëra tjetrën: për datën e dërgimit të këtij delegacioni të apolloniatëve në Romë, për motivet e këtij misioni dhe për natyrën e marrëdhënieve të këtij qyteti kolonial me mbretërinë e Aleksandrit II të Epirit.

M.Holleaux e vendos këtë mision rreth vitit 266, por saktëson se është fjala për një datë të përafërt dhe shton: "Ka mundësi që të ketë një farë lidhjeje midis këtyre dy ngjarjeve të njëkohëshme: pushtimit të Brindizit nga romakët dhe  ardhjes në Romë të përfaqësuesve të Apollonisë". Sipas E.Pats dhe J.Bayet, Brindizi ishte pushtuar midis viteve 269 dhe 264 nga kolonistët romakë, para se të bëhej koloni latine rreth vitit 244. J.G.Droysen gjykonte se misioni u dërgua më 270 dhe se ai erdhi si rezultat i kërcënimit të Apollonisë nga mbreti ilir Mytili. G.Hirshchfeld  gjithashtu i përmbahet vitit 270; B.Niese është për vitin 266, por ka shumë rezerva lidhur me rëndësinë që i duhet dhënë këtij tregimi. H.Ceka mendonte gjithashtu se misioni kishte për qëllim të kërkonte ndihmë kundër Aleksandrit II.


Duket se është e kotë të kërkohen shpjegime politiko-ushtarake dhe të thuhet se është fjala për një thirrje për ndihmë kundër këtyre apo atyre, ndaj së cilës Roma do ta ketë bërë veshin të shurdhër. Shpjegimi më i thjeshtë dhe më i besueshëm është ai i M.Holleaux: mbërritja dhe vendosja e kolonistëve romakë në bregun tjetër të Adriatikut ka sjellë si pasojë zhvillimin e shkëmbimeve përmes ngushticës dhe ka nxitur apolloniatët që të hyjnë në kontakt me fqinjin e tyre të ri; ndryshimet e situatës politike në Magna Grecia mbas tërheqjes epirote më 272 dhe zhvillimi i bisedimeve midis Romës dhe Tarentit, mund t'i kenë ndryshuar kushtet e shkëmbimeve tregtare midis Apollonisë dhe bregdetit italian dhe të kenë bërë të nevojshme një përçapje nga ana apolloniatëve në Romë, pa qenë doemos fjala për një thirrje për ndihmë.

Marrëdhëniet ndërmjet qytetit të Apollonisë dhe mbretërisë aiakide të Aleksandrit II nuk kanë asnjë arsye për të qenë të këqija; qysh nga koha e Pirros, ky qytet është i përfshirë në territorin e kontrolluar prej epirotëve; natyra e marrëdhënieve që lidhin qytetin me mbretërinë mund të jetë e tillë që t'u japë apolloniatëve lirinë për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike me anë të një përfaqësie të dërguar pranë romakëve, pa e mënjanuar mbretin. Përkundrazi, begatia e qytetit dhe e portit të tij, është e mirëpritur nga mbreti aiakid, duke parë që Apollonia është dalje e natyrshme e pjesës veriore  të mbretërisë, në një periudhë kur ajo shtrihet të paktën deri në luginën e Shkumbinit. Asnjë burim nuk përmend një përçapje të ngjashme nga ana e qytetit të Dyrrahut dhe ka shumë të ngjarë që ky port i madh të ketë qenë po ashtu i interesuar për të pasur marrëdhënie të mira me shtetin e ri që kontrollon bregun perëndimor të detit Adriatik.


Sidoqoftë, ishte e udhës të përmendej ky kontakt i parë zyrtar midis Romës dhe Apollonisë, por është e qartë se kjo përçapje nuk ishte iniciativë romake. Situata është shumë e ndryshme më 230/229, në muajt para ndërhyrjes ushtarake romake në lindje të Adriatikut. M.Holleaux (51) ka bërë një paraqitje, që ka shërbyer si pikë referimi për një kohë të gjatë, të shkaqeve të luftës së parë të Ilirisë: duke hedhur poshtë çdo ide, sipas të cilës Senati romak ka vepruar me paramendim, ai gjykon se lufta ka "lindur papritur nga një shkak fare rastësor, nga harbimi i patolerueshëm i ilirëve dhe nga fyerjet e mbretëreshës së tyre, Teuta", dhe se "lufta e Ilirisë nuk ka qenë aspak vepër e pushtetareve romakë. Nuk ka asnjë provë të dukshme që të tregojë se ata e kanë dëshiruar këtë luftë; është e sigurt që ata nuk e kanë kërkuar. Ata nuk kanë dashur por kanë qenë të detyruar ta bëjnë; ajo iu është imponuar".

M.Holleaux e bazon të gjithë ekspozenë e tij mbi dëshminë e Polibit (II, 8-12,3) dhe ai bën kujdes që të mënjanojë burimet e tjera, Apianin dhe Dion Kasin. G.Walser u përpoq, më 1953-54, të argumentonte se tregimi i Polibit duhet parë me dyshim, se i gjithë prezantimi, që ai i bën fuqisë së ilirëve, ka për synim të nënvizojë se me ç'kundërshtarë të rrezikshëm do të kenë të bëjnë romakët dhe deri në ç'pikë këta të fundit kanë qenë shpëtimtarët e qyteteve greke: sipas Polibit, lufta vjen si pasojë e ankesave që tregtarët italianë i kanë drejtuar Senatit; sipas Apianit dhe Dion Kasit lufta vjen si rezultat i kërkesës për ndihmë që qyteti i Isas u ka drejtuar romakëve, që pasohet nga dërgimi i një misioni për hetim dhe vrasja e të dërguarit; Polibi përqafon interpretimin e Fabius Piktor lidhur me politikën e jashtme të Romës, sipas të cilit Roma nis një luftë vetëm në rast mbrotjeje të ligjshme, kurse Apiani  ka përdorur një tregim grek që i lidhte së bashku ngjarjet e Greqisë së Veriut dhe ato të Adriatikut.


Duhet kuptuar dëshira e M.Holleaux për të reaguar, në kohën e tij, kundër teorive që i atribuojnë prerazi synime imperialiste Senatit romak, qysh në një periudhë të hershme, por ndoshta ai ka shkuar shumë larg në besnikërinë e tij ndaj Polibit; pa u ndalur gjatë mbi një çështje që ka të bëjë me jetën e brendshme politike të Romës, duhet thjesht të vihen në pah disa pista të mundshme kërkimi: së pari, është e sigurt që nuk duhet parë mendimi politik i Senatit romak si absolutisht monolit; ai merr formë, në realitet, përmes një ballafaqimi tendencash të ndryshme, të ushqyera nga interesa që nuk përputhen, madje dhe kontradiktore;

Përparimi i kërkimeve arkeologjike në vendet përkatëse do të bëjë të mundur që të përcaktohet më me saktësi niveli i shkëmbimeve midis të dy brigjeve të Adriatikut dhe të detit Jon, të përcaktohet, nëpërmjet studimit të qeramikës, cilat janë në Itali krahinat eksportuese dhe drejt cilave zona në bregun tjetër të Adriatikut i çojnë prodhimet e tyre: do të donim veçanërisht të dinim nëse shkëmbimet midis Italisë dhe Isas ishin zhvilluar në mënyrë të veçantë para vitit 230, apo ato kishin njohur një zhvillim të tillë vetëm pas ndërhyrjes romake;

Së fundi, do të ishte në interesin më të lartë që të mund  të saktësohej se nga vijnë tregtarët dhe prodhimet italiane në Epir dhe në Iliri dhe, pas këtij saktësimi, të kërkohet të njihet ndikimi politik i këtyre qarqeve eksportuese mbi politikën e jashtme romake, pa thënë, megjithatë, se shkaqet ekonomike janë ato që mbizotërojnë në zgjedhjen e një politike.


Duke u kthyer përsëri tek ilirët e Teutës, duhet të nënvizohet dinamizmi i tyre i madh qysh prej fitores së tyre në Medion, edhe pse radha e operacioneve të tyre nuk mund të përcaktohet me siguri të plotë për shkak të kontradiktave midis të dhënave të Polibit dhe të dy burimeve të tjera, Apianit dhe Dion Kasit: ilirët kapin në befasi dhe plaçkisin Foiniken,  dhe njëkohësisht ata veprojnë edhe në brigjet e Elidës dhe të Mesenisë; ka mundësi që edhe Isa të ketë qenë objekt i operacioneve detare të ilirëve, kur ishte gjallë Agroni, pra më 231, sipas Apianit, apo me urdhër të Teutës në muajt e fundit të vitit 230, sipas Polibit (II, 8, 5) dhe ky autor saktëson: "Ilirët, edhe në kohët e mëparshme, i bezdisnin në mënyrë të vazhdueshme lundërtarët e ardhur nga Italia, dhe, gjatë kohës që po rrethonin Foiniken, njësi edhe më të shumta të flotës së tyre sulmiian një numër të madh tregtarësh, disa prej të cilëve i plaçkitën, disa të tjerë i masakruan dhe morën skllevër një pjesë të mirë të atyre që kishin zënë robër".

Megjithatë, e gjithë kjo veprimtari zhvillohet në një kohë kur Teutës i duhet të përballojë trazirat e brendshme, të lidhura ndoshta me kërcënimin dardan që kishte motivuar thirrjen e Skerdilaidit nga Foinike; rebelët nënshtrohen shpejt. Teuta e ka mirë në kontroll mbretërinë e saj dhe, sipas Polibit, nuk ka dyshim që ajo e përdor piraterinë si një burim përfitimesh për bashkësinë, edhe pse, para të dërguarve të Romës, ajo flet për të drejtën e qytetarëve që të merren me pirateri në interes të tyre.

Vlen të nënvizohet mirë kjo fuqi e shtetit ilir drejtuar nga Teuta, sepse kjo shpjegon edhe përmasat e ekspeditës romake, pas dështimit të misionit të të dërguarve Romës, një prej të cilëve u vra para së të linte tokën ilire. Tani casus belli është gjetur dhe Roma përgatit një ekspeditë të fuqishme: 200 anije, 20 000 këmbësorë, 2000 kuaj, sipas Polibit (II, 11, 1 dhe 7). M.Holleaux ishte i mendimit se "nuk ishte nevoja për kaq armatime për të mundur Teutën... Ka më shumë mundësi që Roma, e cila në atë moment nuk e njihte sa duhej situatën mjaft të turbulluar në Maqedoni, trembej se mos kjo u vinte në ndihmë ilirëve".

Ky interpretim shpjegohet nga një përcaktim jo i saktë i vendndodhjes së Atintanisë që autori e lokalizon në luginën e Drinos, e cila është kaone, dhe nuk është me vend të thuhet se romakët nuk janë të informuar mirë për situatën në Ballkan dhe veçanërisht në Maqedoni, në një kohë kur janë të shumtë  tregtarët italianë që qarkullojnë në këto rajone dhe mund të japin informacione të sakta; gjithashtu nuk është e korrekte të minimizohet rreziku ilir dhe, sigurisht, romakët e kanë kuptuar mirë këtë rrezik. Duke u nisur nga mendësitë e grekëve të asaj kohë, E.Badian (57) e ka krahasuar këtë rrezik me atë që paraqiste invazioni kelt më 279. E vetmja forcë që mund të duket e ekzagjeruar është flota prej 200 anijesh të cilat nuk janë për transportimin e trupave sepse Polibi i dallon mirë operacionet e drejtuara nga kjo flotë dhe operacionin e mëvonshëm të konsullit L.Postumi me 20 000 trupat e tij. Mund të mendohet që ilirët nuk e kishin idenë sa të efektshme ishin anijet e mëdha romake në krahasim me lemboi-vi e tyre të brishtë, dhe anasjelltas romakët nuk kishin fare dijeni për brishtësinë e anijeve ilire, çka do të konfirmonte që ilirët nuk kanë qenë aktivë për një kohë të gjatë në detin Adriatik. Kjo ekspeditë e fuqishme romake nuk synon të frikësojë maqedonasit, por thjesht të mposhtë ilirët e Teutës, të cilët njihen si luftëtarë të frikshëm që as etolët, as epirotët nuk kanë mundur t'i përmbajnë.


Teuta i nis operacionet, në pranverën e vitit 229, sipas Polibit, duke sulmuar Korkyrën dhe duke u përpjekur të zërë në befasi Epidamn-Dyrrahun, por banorët arrijnë t'i zmbrapsin agresorët; tregimi i Apianit (58) është i ndryshëm, sepse, sipas tij, Agroni ishte bërë tashmë zot i Korkyrës, i Epidamnit dhe i Farit, si edhe i pjesës së Ilirisë të zotëruar nga Pirroja dhe pasardhësit e tij. Nuk është e mundur të bëhet, këtu, një zgjedhje midis këtyre dy prezantimeve të ndryshme, dhe duket metodë e gabuar që të supozohet se ka pasur marrje të këtyre qyteteve nga Agroni, pastaj çlirim të tyre dhe përsëri një rrethim të tentuar nga Teuta. Është e njëjta histori por e raportuar në dy data disi të ndryshme.

Sipas tregimit të Polibit, Apollonia, Epidamni dhe Korkyra e rrethuar u drejtohen dy koina-ve, ahease dhe etolase, (ashtu siç kishin vepruar tashmë epirotët pas pushtimit të Foinikes). Në betejën e ishujve Paksos u vënë përballë njëra-tjetrës dhjetë anije katafrakte* të aheasve me shtatë anijet katafrakte  të akarnanëve të mbështetura nga lemboi-të e ilirëve: këta të fundit mbytën një anije pesërremëshe dhe zunë katër anije katërremëshe kurse pjesa tjetër e flotës ahease mori arratinë.


Duke qenë të rrethuar, banorët e Korkyrës preferojnë të hyjnë në bisedime me ilirët dhe pranojnë një garnizon ilir të komanduar nga Demetër Fari, me sa duket një grek i kolonise së Farit, në shërbim të mbretëreshës Teuta. Ekspedita romake mbërrin tepër vonë për të shpëtuar Korkyrën; por shkëmbime mesazhesh midis Demetër Farit dhe konsullit duhet të jenë bërë para mbërritjes së flotës romake; në marrëdhënie jo të mira me regjenten, Demetri tradhëton Teutën dhe lë garnizonin ilir të Korkyrës në duart e romakëve: Korkyra hyn kështu në "besën (pistis) të romakëve" sipas shprehjes së Polibit. Apollonia pëson pastaj të njëjtin fat, duke u vënë "nën tutelën (ëpitrope)" e Romës; pastaj është radha e Epidamnit të hyjë "në besën e romakëve", pasi ka shpëtuar nga rrethuesit ilirë, të kthyer për herë të dytë; prej andej romakët depërtojnë në brendësi të Ilirisë dhe, thotë Polibi, (11,11, 10) nënshtrojnë ardianët: kjo shprehje duhet qartësuar, sepse, siç e vë në dukje F.W.Walbank, nuk mund të bëhet fjalë për një nënshtrim të gjithë këtij fisi; kjo është aq e vërtetë sa, në traktatin e luftës dhe në përkufizimin e protektoratit romak, ardianët nuk figurojnë si të tillë, çka bën që E.Badian të shtrojë pyetjen se çfarë u bë me ta, iu aneksuan parthinëve (çka nuk duket aspak e besueshme) apo iu nënshtruan autoritetit të Demetër Farit, çka është më e mundshmja. Gjatë këtyre operacioneve, romakët presin delegacione të ndryshme, dy prej të cilave janë përmendur me emër: delegacionin e parthinëve, që vihen nën tutelën e Romës dhe përfitojnë miqësinë e saj (philia:), si dhe delegacionin e atintanëve.

Anijet romake shkojnë nga Epidamni në Isa që hyn në besën (pistis) e fituesit, mbasi ilirët hoqën rrethimin e qytetit. Fundi i fushatës nuk është shumë i qartë: romakët pësojnë humbje të mëdha në luftime përballë fortesave bregdetare, nga të cilat vetëm një është zënë në gojë nga Polibi me emrin  Nutria (61), ndërsa Dion Kasi flet për kepin e Aturionit, emra të cilat nuk mund të vendosen me siguri në hartë.

Paqja midis Teutës dhe romakëve u arrit në pranverën e vitit 228: mbretëria e Teutës u nda në tri pjesë :

Në veri, rajoni bregdetar i Farit dhe i Isas, me përjashtim të vetë Isas, i besohet Demetër Farit si shpërblim për tradhtinë e tij dhe Polibi (11,11,17) mendon se ai ka nën autoritetin e tij (dynasteia) numrin më të madh të ilirëve, që nuk është i ekzagjeruar po të përfshihen në të edhe gjithë ardianët;

Në jug, protektorati romak përfshin qytetet e Korkyrës, Apollonisë dhe Epidamnit dhe fiset e parthinëve dhe të atintanëve: në veri, këtij protektorati i shtohet ishulli i Isas;

Pjesa e brendshme e territorit i lihet Pinit, i cili merr në dorë pushtetin, në momentin kur Teuta, e mundur, heq dorë nga regjenca.

Ilirët angazhohen, nga ana tjetër, që të mos dërgojnë më shumë se dy lemboi njëkohësisht në jug të Lisit, dhe këto të jenë të çarmatosura, çka do të sigurojë lirinë e lundrimit midis dy brigjeve të Adriatikut. Polibi përmend gjithashtu një phorosy një haraç, që ilirët u paguajnë romakëve, por nuk dihet nëse është fjala për një dëmshpërblim lufte për të kompensuar dëmet e shkaktuara, apo për një haraç të rregullt që dëshmon për nënshtrimin e ilirëve ndaj fuqisë romake.

Dy pyetje lindin lidhur me këtë traktat: deri ku shtrihet protektorati romak dhe çfarë i jepet Pinit?

Për pyetjen e parë, përgjigjen na e jep harta, e cila tregon se romakët kujdesen të kontrollojnë dy rrugët që çojnë nga bregdeti adriatik drejt lindjes, pra drejt Maqedonisë: lugina e Shkumbinit është territori i parthinëve; Atintania është lugina e mesme e Aoosit, d.m.th. rruga që të çon drejt Epirit, por e cila mund të çojë, nëpërmjet Epirit, edhe drejt Thesalisë. Këto dy ethne kufizojnë, nga veriu dhe jugperëndimi, Dasaretinë, pjesa më e madhe e së cilës është nën autoritetin maqedonas.

Ky protektorat është përcaktuar në mënyrë të drejtë dhe tregon se romakët kanë një njohje mjaft të mirë të situatës në këtë pjesë të Ballkanit.

Pjesa e Pinit nuk duket shumë e shtrirë, sepse territori i tij kufizohet shumë shpejt në lindje nga ai i dardanëve, që është në ekspansion të plotë, dhe nga zotërimet maqedonase në Iliri të cilat shtrihen të paktën deri në liqenin e Ohrit dhe ndoshta deri në një pjesë të Dasaretisë.

Nocioni i "protektoratit" i përdorur nga M.Holleaux për zonën, jashtë autoritetit të ilirëve, që ka kaluar nën mbrojtjen romake, është praktik por ka nevojë të saktësohet, sepse ky term është i krijuar kohët e fundit dhe është huazuar nga fjalori kolonial i fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Sipas këtij nocioni institucionet vendëse vazhdojnë të mbeten, siç është sigurisht rasti në qytetet koloniale dhe në ethnë-1 e përfshira. Në gjuhën juridike romake, banorët e këtyre trevave u janë dorëzuar romakëve, ata janë dediticii, por, siç e thekson Ed.Will  këto "dediticii me siguri nuk e dinin se çfarë kuptimi kishte kjo".


Është e sigurt që nga ky traktat i 228-tës mbretëria e Agronit dhe Teutës ka pësuar një goditje jashtëzakonisht të rendë; kjo mbretëri ishte bërë në pak kohë një fuqi e frikshme; ndërhyrja romake e lë atë të coptuar në tri pjesë, dhe Roma, në pjesën që mbajti për vete, është e gatshme në çdo moment t'i dërgojë përsëri trupat që i tërhoqi menjëherë në këtë vit 228.