1. Kryefaqe
  2. Lutërat e ilirëve me Romën 230-167 p.e.s
  3. Periudha e ndërhyrjes romake ne Iliri

Periudha e ndërhyrjes romake ne Iliri

image description
Një epokë e re hapet në historinë e Ilirisë së Jugut duke nisur nga viti 230, pas një heshtjeje të gjatë nga lufta e Mytilit kundër Aleksandrit II të Epirit, rreth vitit 270, deri në ndërhyrjen ilire në Medion të Akarnanisë. Është e kotë të përpiqemi të rindërtojmë historinë e këtyre dyzet vjetëve, të cilat bëjnë pjesë në këtë fushë të gjerë rrënojash, siç janë burimet e lashta letrare rreth shek. III; duhet pritur Polibi dhe përshkrimi që ai u bën luftërave të Ilirisë për të pasur të dhëna për atë se çfarë u bë me këtë rajon; . sidoqoftëvarfëria e informacioneve tona nuk kufizohet vetëm në Iliri, ajo faktikisht prek të gjithë botën e lashtë greke të së njëjtës periudhë. Supozohet që shteti ilir ka "përjetuar një periudhë turbullirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk i dime, dihet fare pak për pasardhësit e tij: Monuni dhe Mytili, që disa, bazuar mbi prova numizmatike, kanë dashur t'i shohim të lidhur ngushtësisht me Dyrrahun, me sa duket nuk bëjnë pjesë ndër këta pasardhës. Ajo që është më e sigurt, është prania e mbretërve aiakidë në pjesën jugore të Ilirisë, deri në Shkumbin ose edhe më në veri deri në Dyrrah. Kjo do të thotë se një entitet shtetëror ilir nuk mund të krijohet veçse më në veri, rreth Skodrës, siç është Lisi. Për këtë periudhë në qendër të interesit do të jetë pikërisht eksplorimi i këtij shteti te ri.

Ky shtet krijohet dhe zhvillohet në dinamikë të plotë, në një kontekst ndërkombëtar: në vitet para 232 shteti epirot dobësohet shumë për shkak të rënies së dinastisë, që ka Deidamenë si përfaqësuese të fundit në Ambraki, për shkak të intensifikimit të luftërave ndërmjet mbretërve maqedonas dhe shteteve federale greke {koinon-it etolas, koinon-it aheas), rrethana në të cilat këta dy kundërshtarë, të sfilitur në luftëra të padobishme, detyrohen të kërkojnë mbështetje nga jashtë, edhe deri në Iliri, në një kohë kur, përtej detit Adriatik, Roma arrin të mposhtë kundërshtarët e saj të Italisë Qendrore dhe të shtrijë autoritetin e saj deri në brigjet perëndimore të këtij deti, duke përfshirë, për pasojë, shumë qytete të Magna Grecia-s vatrat e interesit të së cilës janë natyrisht në bregun lindor. Për Romën, deti Adriatik nuk është më një kufi por një urë, një lidhje midis dy brigjeve të familjarizuara prej kohësh me shkëmbimin e prodhimeve dhe popullsive të tyre.

Kjo fqinjësi me botën romake ndikon në historinë ilire, qysh nga viti 230, dhe bën që rrjedha e saj normale të ndryshojë në mënyrë rrënjësore.