1. Kryefaqe
  2. Pikëpamje
  3. DUHET TË THELLOHEN TË GJITHA PROCESET DEMOKRATIKE

DUHET TË THELLOHEN TË GJITHA PROCESET DEMOKRATIKE

image description
Demonstratat prodemokratike që u zhvilluan këto ditë në Prishtinë kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik brenda dhe jashtë Kosovës. Lidhur me ngjarjet e fundit në atë krahinë shkrimtari kosovar dhe sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jusuf Buxhovi, dha këtë intervistë:

Zoti Buxhovi, çfarë qëndrimi mban Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ndaj tubimeve prodemokratike, që u organizuan këto ditë në Prishtinë?

Qëndrimi i LDK-së është për atë se duhet të thellohen të gjitha proceset demokratike, të gjitha ato kërkesa që kanë të bëjnë me heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, që tash për tash në Kosovë është pengesa kryesore për demokraci, në mënyrë që të pengohet politika represive. Po ashtu LDK është për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe për forcimin e demokracisë. Kështu, pra, kërkesat e LDK-së u dëgjuan edhe këto ditë. Kjo nuk do të thotë se ne e kemi organizuar këtë tubim, por ne do të përkrahim të gjitha kërkesat që janë prodemokratike.

A mund të na 'jepni disa hollësi lidhurme platformën e Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Synojmë demokracinë, pluralizmin politik, zgjedhjet e lira, një shtet juridik që u garanton të drejtat të gjitha pjesëve të Jugosllavisë. Natyrisht, në këtë kontekst ne kërkojmë që Kosova të jetë subjekt i barabartë i Federatës dhe ajo të mbajë barrën e përgjegjësisë për çdo formulim të saj të ri, që do të thotë se jemi të barabartë me të gjithë të tjerët që e përbëjnë këtë shtet.

Tash për tash ne veprojmë si organizatë politiko-shoqërore. Janë krijuar të gjitha kushtet që LDK të shndërrohet në parti politike. Kemi mbi 100 mijë anëtarë. Në LDK bëjnë pjesë të gjitha shtresat e popullatës së Kosovës, pasi programi i saj është shumë demokratik dhe shkon kah niveli i demokracisë evropiane. Në të ka anëtarë edhe nga kombësitë e tjera që jetojnë në Kosovë dhe në Jugosllavi. Kjo tregon se programi i LDK-së është aq demokratik saqë e pranojnë edhe të tjerët dhe i dëmton thashethemet e të tjerëve rreth destabilizimit politik. Kjo për arsye se dikushi dëshiron që qysh në start ta diskualifikojnë LDK-në se gjoja ajo është një nacionale, është separatiste etj., etj. Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për demokraci dhe barazi, ku e tërë popullata e Kosovës të mund të thotë fjalën e vet në mënyrë të barabartë etj.

A parashikoni mundësinë e bashkëpunimit me udhëheqësit e Lidhjes së Komunistëve?

LK e Kosovës duhet të mendojë mirë se politika që ajo ka zhvilluar këto vitet e fundit ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve ka qenë joproduktive, ka qenë madje kundërproduktive dhe ky është shkaku që tash një pjesë e madhe e popullsisë së Kosovës nuk dëshiron t'i besojë Lidhjes së Komunistëve. Këtu duhen shtuar proceset e diferencimit, proceset e largimit nga puna dhe të gjitha burgosjet e gjërat e tjera, te cilat janë bërë vetëm me firmën e partisë. Sepse partia e ka pasur dhe e ka ende monopolin, pra, ajo është ligji këtu te ne. Për sa i përket pyetjes se a do të bashkëpunojmë tash e tutje me ta,  ky është një faktor i rëndësishëm këtu në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, i cili do të varet nga zhvillimi i mëtejshëm i situatës. Ne Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë e shikojmë si partner kryesor, sie shikojmë edhe të gjitha partitë e tjera. Ne mund të bisedojmë me të, por vetëm në pozita të barabarta.


Disa persona kanë shfaqur frikë nëse në një sistem demokratik shumëpartish shqiptarët do të mbizotëronin dhe kështu të drejtat e serbëve do të kërcënoheshin.

Unë mendoj se kurrfarë frike nuk duhet të ketë prej demokracisë e pluralizmit dhe gjithë sa thuhet se në qoftë se legalizohet sistemi shumëpartiak në Kosovë, do; të krijoheshin parti njënacionale, kur ne jemi të apostrofuar gjithnjë, janë të pabaza. Lidhja Demokratike e Kosovës, natyrisht, do të marrë pjesë në garën për pushtet, por kurrsesi nuk ka mundësi që në situata të caktuara të vazhdohet me ndonjë hakmarrje kundër serbëve dhe të tjerëve.... Mendoj se vlen të përmendet edhe vetëdija e psikologjia, si dhe morali i popullit shqiptar, i cili gjithmonë i ka pranuar të tjerët si pjesë e vetvetes. Prandaj kjo do të sjellë një tolerancë edhe më të madhe. Toleranca për popullin shqiptar është pjesë historike e vetëdijes kolektive. Për shembull, dihet se kanë ekzistuar tri fe dhe asnjëherë në baza fetare nuk ka ndodhur kurrfarë konflikti. Po ashtu shqiptarët kanë jetuar me të tjerët, duke lënë anash konfliktet me demokracitë dhe me hegjemonitë. Populli shqiptar nuk ka pasur konflikte në histori, gjë që përbën garanci se populli shqiptar edhe në të ardhmen nuk do të ketë kurrfarë konfliktesh me popujt e tjerë. Çdo gjë tjetër përbën insinuata me qëllime të caktuara për të na diskredituar. Toleranca ekziston, pra, dhe ajo duhet të jetë pjesë e sjelljeve tona.

Këtë mund ta ilustroj edhe me shumë e shumë shembuj të historisë, me të cilët mund të krenohet popuili ynë, i cili asnjëherë nuk ka sulmuar popujt e tjerë, asnjëherë nuk i ka pushtuar popujt e tjerë, asnjëherë nuk ka bërë luftë kundër popujve të tjerë. Dhe kur një popull i ka këto karakteristika historike, patjetër që ai mund të sillet në mënyrë mjaft demokratike dhe me demokraci.