1. Kryefaqe
  2. Pikëpamje
  3. ÇËSHTJA NË KOSOVË ZGJIDHET VETËM ME DEMOKRACI

ÇËSHTJA NË KOSOVË ZGJIDHET VETËM ME DEMOKRACI

image description
Intervistë

Doktor Rugova, çfarë prisni ju nga punimet e Kongresit të jashtëzakonshëm të LKJ-së?

Nga punimet e këtij kongresi (siç e dini, dhe situata këtu ka qenë e ngarkuar, pastaj është edhe problemi i pluralizmit në Jugosllavi si çështje kyç e sistemit shumëpartiak të veprimtarizmit), unë nuk pres shumë veç asaj që LKJ-ja të marrë rolin e një partie mes partive të tjera. Ky proces është rezultati më i madh, sepse, tek e fundit, kjo parti do të jetë në konkurrencë me partitë e tjeta. Ky do të ishte suksesi më i madh. Por se si do të vendosin, nuk e di.

Si mund ta përshkruani gjendjen e tanishme politike në Kosovë?

Gjendja momentale ende është e tendosur. Ne kemi krijuar disa grupe alternative. Partia njëheri nuk po intervenon. Se si do të jetë, nuk e di.

Si po zhvillohet procesi i demokratizimit dhe i pluralizmit politik në Kosovë?

Ne deri më tani kemi formuar, siç dihet, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila do të ketë degët e veta  në Kosovë dhe në disa vise të tjera. Këto ditë kemi formuar edhe disa degë e qendra të tilla, si, për shembull, në Vuçiternë e në Pejë. Kemi paraqitje për rezistencë nga organet zyrtare, mirëpo po përgatitet edhe ligji i ri për pluralizmin e partive politike dhe të shoqatave të qytetarëve. Shpresojmë se do të kemi një legjitimitet në Kosovë dhe në Jugosllavi. Kemi sulme nga disa organe të shtypit se ne, udhëheqja, jemi nacionaliste, etj. Por këto nuk kanë bazë, për arsye se pluralizmi nënkupton edhe kundërshtarët, pra, kundërshtarët e mendimit, të ideve. Mendoj se edhe ne do ta gjejmë vendin tonë në të. Të shikojmë tash pas këtyre rrjedhjeve.

Kohët e fundit Lidhja Demokratike e Kosovës i dërgoi një peticion Kryesisë së Jugosllavisë. A mund të na jepni disa hollësi mbi përmbajtjen e këtij peticioni dhe nëse keni marrë ndonjë përgjigje?

Ne iu drejtuam Kryesisë që, në radhë të parë, të anulojë masat e j ashtëzakonshme në Kosovë. Disa janë anuluar, por disa ende kanë mbetur. Gjithashtu ne kemi bërë edhe një shtesë që të hiqet censura nga mjetet e informimit në gjuhën shqipe në Kosovë, që neve si organizatë politike të na jepet vend të shprehim mendimet tona, programin etj. Po ashtu i jemi drejtuar edhe Kongresit të 14-të të LKJ-së me qëndrimet tona si e shohim ne çështjen e Kosovës. Kemi paraqitur pikëpamjet tona se çështja në Kosovë zgjidhet vetëm me demokraci, me respektimin e vullnetit të lirë të shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë e kurrsesi me masa.

Cilat janë perspektivat e Kosovës në të ardhmen e afërt?

Perspektivat në të ardhmen e afërt janë ato që të fillojë procesi i demokracisë dhe i demokratizimit, i pluralizmit politik, pastaj të hymë në planin politik, të mos ndiqen njerëzit për shkak të mendimeve të ndryshme politike dhe, në anën tjetër, do të jetë programi i zhvillimit ekonomik dhe politik. Kjo do të ishte rrugëdalja e vetme tash për tash. Kështu mendoj.