1. Kryefaqe
  2. Pikëpamje
  3. ASNJERI NUK E DI TË NESËRMEN E VET

ASNJERI NUK E DI TË NESËRMEN E VET

image description
Bisedë në redaksinë e gazetës «Polet» me Ibrahim Rugovën, Veton Surroin dhe Zekeria Canën. 

POLET: Sipas mendimit tuaj zgjidhja e «nyjës kosovare a është e lidhur me formimin  dhe ekzistencën e skenës pluraliste politike në Kosovë, që, në të njëjtën kohë, do të thoshte edhe fundi definitiv i monopolit politik të LKJ-së?
 

RUGOVA: Po, kjo është një zgjidhje. Pluralizmin në Kosovë po e krijojmë në kushtet e masave të jashtëzakonshme, por përse të mos ketë pluralizëm. Në'qoftë se LK vazhdon një politikë të tillë, ky do të jetë ose fundi i monizmit politik ose dështimi i plotë i tij në Kosovë dhe kjo më parë se në republikat, pasi deri tani në mënyrë të papërgjegjshme ka sunduar popullin kosovar.

CANA: Nën kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të masave të jashtëzakonshme në Kosovë, pa dyshim, nuk mund të bëhet fjalë, të paktën tani për tani, për ndonjë pluralizëm, i cili supozon ekzistencën e të drejtave paraprake të përgjithshme qytetare në të gjitha fushat dhe ekzistencën e klimës politike demokratike. Një gjë të tillë në Kosovë nuk e kemi. Mendoj se «nyja kosovare* është një problem kompleks, me të cilën ndërthuren faktorë të ndryshëm dhe të gjitha forcat e mundshme të dukshme dhe të padukshme, të cilat nuk kanë dashur që në këtë pjesë të Jugosllavisë të krijohet një jetë e qetë. Me këto probleme janë ndeshur tri organizatat e formuara. Para tyre qëndron një rrugë e mundimshme dhe, sado që ato të veprojnë aktivisht dhe vendosmërisht, zgjidhja e «nyjës kosovare» mund të arrihet vetëm nëpërmjet pluralizmit politik. Këtu është e domosdoshme një përkrahje e madhe dhe e gjithanshme e të gjitha subjekteve të tjera dhe e forcave demokratike shoqërore nga të gjitha zonat e Jugosllavisë. Ato do të hapin rrugën dhe për falimentimin përfundimtar të monizmit politik të LKJ-së.

SURROI: Zgjidhja e krizës jugosllave qëndron në konstituimin demokratik të këtij vendi në bazë të sovranitetit të qytetarëve. Kriza kosovare, një nga segmentet më të ndjeshme dhe specifike të krizës jugosllave, gjithashtu duhet të gjejë zgjidhje në konstituimin demokratik. Pra zgjidhja e nyjës kosovare nuk është në formimin dhe në ekzistencën e shoqatave të tanishme, por në mënyrën, me të cilën do të bëhen përpjekje për të mposhtur monizmin e LKJ-së. Pikërisht ky monizëm në shoqërinë politike të centralizuar kosovare ka qenë dhe ka mbetur shkaku kryesor i realitetit traumatik kosovar.

POLET: Situata në të cilën po veproni është shumë e rëndë. Mbas formimit tuaj, si përgjigje nga komunistët (Jashari, Morina e të tjerë) morët kërcënime direkte apo indirekte. A mendoni ju se ekziston rreziku për eliminimin tuaj, apo për persekutimin administrativo-politik tuajin dhe të anëtarëve tuaj?

CANA: Shantazhet, kërcënimet direkte dhe indirekte (sa primitive, aq dhe brutale) janë bërë dukuri e zakonshmë në dramën tonë kosovare. Askush në Kosovë nuk është i sigurt se çfarë e pret atë nesër. Në kushtet e një represioni të përgjithshëm, e do të thosha të një terrori shtetëror, është e lejueshme gjithçka, madje edhe eliminimi i këshillit tonë dhe persekutimi politik i anëtarëve, por, pavarësisht se çfarë do të ndërmarrin, kjo do të jetë kundërproduktive dhe me këtë do të arrihen efekte krejtësisht të kundërta. Pra, jemi të dënuar t'I nënshtrohemi edhe aktit më të paqytetëruar, madje edhe të asaj që është më e keqe, të ndërgjegjshëm se me këtë ndajmë fatin e rëndë të kombësisë shqiptare, siç do të thoshte edhe kolegu im i ndjerë, akademiku Ali Hadri.

RUGOVA: Jam dakord me ju. Këtu kemi masa të jashtëzakonshme represion, konfuzion. Nuk na japin lokale për mbajtjen e mbledhjeve. Të gjithë punojmë në një hapësirë prej 60 m2 të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që e shfrytëzojnë alternativasit pasi unë jam ende kryetar i kësaj shoqate. Pengesa të drejtpërdrejta edhe nuk kemi, por indirekte kemi. Komiteti i LK të Prishtinës do të shprehë gjykimin e vet gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa Komiteti Krahinor kërkon që lëvizjet të jenë «socialiste». Një qëndrim të ngjashëm ka edhe udhëheqja serbe. Ne jemi paraqitur për t'u regjistruar si organizatë në rrugë të rregullt dhe nuk dëshirojmë, të paktën, tani për tani, të veprojmë nën kujdestarinë e Lidhjes Socialiste. Në Kosovë këto çështje ende nuk janë rregulluar me ligj, ndërsa politikisht janë deklaruar për monizmin pluralist (mendohet për LK). Ndoshta mund të shkohet edhe në eliminimin e këtyre lidhjeve nën pretekse të ndryshme. Jemi të ndërgjegjshëm se mund të ketë persekutim administrativ të anëtarëve, siç është praktika në Kosovë. Për këtë arsye jemi shumë të kujdesshëm. Kjo ndihet edhe te njerëzit që frikësohen e pyesin. Mendojnë se LK është organizata, e cila, për shkak të gabimeve më të vogla të natyrës njerëzore të kufizon të drejtën për të menduar, për të punuar, të drejtën për të jetuar ndryshe. Në Kosovë gjithçka është e mundshme. Gazetat në gjuhën shqipe nuk na krijojnë asnjë mundësi që të paraqesim programin tonë. Ato janë nën një censurë të rreptë. Shtypi, sidomos ai i Beogradit e korrespondentët e tij nga Prishtina, na quajnë nacionalistë, separatistë, apeliste... dhe e gjithë kjo nën etiketën e një nacionaliteti që vret në Kosovë. Por këta njerëz duhet të pranojnë realitetin se populli që përbën shumicën në Kosovë ka të drejtë të organizohet mbi baza demokratike, që nuk dëmtojnë të tjerët. Programet tona janë të hapura për të gjithë. Duhet të shkohet edhe më tej. Bota nuk pret më asnjë njeri, aq më tepër Evropa, pjesë e së cilës jemi.

SURROl: Rreziqe të tilla ekzistojnë. Megjithatë, Rubikoni i pluralizmit është mposhtur në Kosovë. Në fakt, qëndrimi ndaj organizatave alternative nuk varet shumë nga vetë strukturat politike kosovare, por në radhë të parë nga ato në Serbi. Në qoftë se dikush vendos të ndalojë çfarëdolloj organizate apo të arrestojë anëtarët e saj, atëherë ky vendim do të merret në kuadrin e «Shtabit për Kosovën» të Beogradit, të një grupi jozyrtar politikanësh në pushtet që koordinojnë politikën në Kosovë. Në qoftë se arrihet kjo, atëherë dhe alternativasit në Serbi duhet të shqetësohen, para së gjithash vetë pushteti. Në qoftë se në Beograd do të ndalohet ndonjë organizatë e veçantë që gëzon simpatinë e qarqeve të Akademisë Serbe të Shkencave e të Arteve dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë pushteti me këtë akt do t'u prekë pikën e dobët dhe faktikisht do të presë një nga degët më të trasha, në të cilën është ulur.

POLET: Çfarë keni bërë konkretisht deri tani dhe në ç'mënyrë do të veproni në të ardhmen?

SURROI: Dega e re e porsaformuar e Shoqatës së Iniciativës Demokratike Jugosllave ka për qëllim, si edhe të tjerat në vend, që të veprojë në anë të tribunave dhe propozimeve drejtuar organeve të kuvendit. Në këtë kuptim, do të organizojmë diskutime për tema të rëndësishme shoqërore, duke u përpjekur që në to të përfshihet një numër sa më i madh intelektualësh. Përveç kësaj mënyre veprimi, mendojmë që se shpejti t'u dërgojmë ankesa kolektive organeve më të larta në Kosovë, duke kërkuar ndryshime radikale të sistemit politik në kuadrin e manifestit tonë, d.m.th. të sovranitetit të qytetarëve. Më tej, në qoftë se kjo do të jetë e mundur, së shpejti do të dalim dhe me botimet tona.

RUGOVA: Për një javë përgatitëm librezat e anëtarësisë. Po përgatit botimin e një buletini me informacionet më të domosdoshme për ne. I kemi dërguar një letër të hapur Presidencës së shtetit, me anë të së cilës kërkojmë heqjen e masave të jashtëzakonshme. Edhe në të ardhmen do ti drejtohemi opinionit publik me komunikata përderisa të konsolidohemi. Do të ketë tribuna, diskutime etj.

CANA: Këshilli ende nuk është regjistruar. Për një kohë relativisht të shkurtër kemi bërë mjaft. Shumë shpejt është grumbulluar dokumentacioni për shkeljen e të drejtave dhe lirive elementare të njeriut, për shpërdorimet flagrante të normave ligjore, për qëndrime brutale të organeve të sigurimit publik dhe për të gjitha dukuritë e tjera të shëmtuara. Këshilli edhe në të ardhmen do të botojë komunikata për opinionin jugosllav, do t'u dërgojë letra dhe ankesa të gjitha organeve shtetërore e krahinore, republikane e federative, do t'u dërgojë raporte këshillave të tjerë për të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë vendit, p.sh. Federatës Ndërkombëtare.

POLET: Çfarë lidhjesh keni me organizatat e ngjashme në vend?

CANA: Këshilli ditën e formimit të tij mori disa telegrame urimi nga organizatat e ngjashme dhe nga individë të ndryshëm. Me këtë, që në hapin e parë u vendosën kontakte. Kemi përpara një bashkëpunim më intensiv dhe një përkrahje në të gjithë vendin. Së pari filloi Sllovenia, më pas Kroacia e tani edhe republikat e tjera.

RUGOVA: Kemi simpatinë e alternativasve të Kroacisë dhe të Sllovenisë. Kemi marrë disa telegrame. Pa dyshim do të vendosim bashkëpunimin brenda vendit dhe me organizata të ngjashme jashtë shtetit.

SURROl: Fakti që ne jemi pjesë e një organizate jugosllave flet për kontaktet brenda saj. Megjithatë, mendoj se duhet të ekzistojnë edhe kontakte me organizatat e tjera, kështu qe në njoftimin tonë të parë për public këmbëngulëm që në nivel Jugosllavie të organizohet një forum opozitar gjithëjugosllav, në të cilin do të binin dakord për hapat e mëtejshëm për kalimin në sistemin pluralist. Megjithëse jemi vetëm në fillim, kemi filluar kontaktet me lëvizjet ekologjike në vend. Me to do të bashkëpunojmë edhe më tej nëpërmjet seksioneve tona ekologjike që do të formohen së shpejti.

POLET: Ta zëmë se do të ndodhë mrekullia dhe se këtë vit në Kosovë do të zhvillohen zgjedhje të lira, në  të cilat do të marrin pjesë komunistët dhe organizatat tuaja. Cilat do të ishin rezultatet e këtyre zgjedhjeve të përfytyruara?


RUGOVA: Në qoftë se Kosova orientohet nga pluralizmi shumëpartiak, kjo është diçka e pashmangshme. Do të duhet të bëhen edhe zgjedhje të lira si kusht paraprak i demokracisë, megjithëse Kosova dhe Serbia e kanë eliminuar këtë mundësi me zgjedhjet e parakohshme. Me siguri e kanë ditur se ç'i priste. E kam thënë edhe më parë, në këto zgjedhje LK do të mbetej një pakicë e parëndësishme ose do të dështonte plotësisht.

CANA: Kjo nuk do të ishte aspak mrekulli. Duhet të kemi parasysh faktin se në Kosovë, më tepër sesa kudo në Jugosllavi, njerëzve u ka ardhur shpirti në majë të hundës dhe durimi ka arritur kulmin. Janë të ngopur me çdo gjë. Fakti që në mënyrë kaq masive njerëzit kalojnë në anën e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është aspak rastësi. Si historian mund të parashikoj rezultatet e përafërta të këtyre zgjedhjeve të lira. Anëtarët e LK do të pësojnë dështim të plotë, në qoftë se këto zgjedhje do të jenë me të vërtetë të lira.

SURROI: Është plotësisht e sigurt se në zgjedhjet e lira LK e Kosovës do të pësojë dështim absolut duke marrë, sipas vlerësimit tim, midis 10-20 për qind të votave e kjo do të thotë se për LK nuk do të votojnë madje as shumë anëtarë të saj. Është shpejt të thuhet se cila nga organizatat alternative do të merrte më shumë vota. Megjithatë, është fakt se Kosova nuk është përgatitur për zgjedhjet e lira, nuk ka një ligj për zgjedhje të tilla, nuk ka parti politike (LK është vetëm emri tjetër politik i aparatit represiv), ndërsa alternativasit e tanishëm, objektivisht, nuk kanë mundësi që në një periudhë njëmujore të transformohen në parti politike. Mungon kultura e mjaftueshme politike e as nuk kemi liri minimale të shtypit. Blerim Shala, «Nitko ne znasvoje sutra», «Polet», Zagreb, 26 fanar 1990.