Daily Alerts:

Kozmogoni dhe mite sovraniteti

Lufta e perëndive dhe mbretëria e Zeusit

Gjithuqishmëria e Zeusit

Nëna universale dhe kaosi

Në gjykatën e olimpit

Bota e qënjeve njerzore - Promete Finoku

Tifoni: kriza e pushtetit suprem

image description
Kozmogoni dhe mite sovraniteti
Politeizëm
Në historinë e njeriut fillesat zakonisht na shpëtojnë nga vëmendja. Sidoqoftë, nëse lindja e filozofisë, në Greqi, shënon rënien e mendimit mitik dhe fillimet e një dijeje të tipit racional, mund të saktësojmë datën dhe vendin e lindjes së arsyes greke, të përcaktojmë gjendjen e saj civile. Në fillim të shekullit VI, në Miletin Jonian, njerëz si Talesi, Anaksimandri, Anaksimeni përuruan një mënyrë të re të menduari lidhur me natyrën të cilën e marrin si objekt të një kërkimi sistematik e të çinteresuar, të një historie, dhe që e paraqesin atë në një tablo të përgjithshme, në një theoria. Për zanafillën e botës, për përbërjen, për organizimin e saj, për dukuritë meteorologjike, ata propozojnë shpjegime të çliruara nga çdo lloj figuracioni dramatik të teogonive e kozmogonive të vjetra: figurat e mëdha të Fuqive parësore tani u zhdukën; nuk ka më veprues të mbinatyrshëm, aventurat, luftërat, bëmat e të cilëve përbënin lëndën e miteve të gjenezës që flasin për ngjizjen e botës dhe vendosjen e rendit; madje as edhe një aluzion për zotat që feja zyrtare i lidhte, në besimet e në kultet, më forcat e natyrës.

Tek "fizikanët' e Jonisë paraqitja e fakteve menjëherë pushtoi tërësinë e qenies. Asgjë nuk ekziston jashtë natyrës,fysis. Njerëzit, hyjnorja, bota formojnë një univers të njësuar, homogjen, vendosur i gjithi në të njëjtin plan; ato janë pjesë apo aspekte të një fysis të vetme, e cila ngado vë në veprim të njëjtat forca, manifeston të njëjtën fuqi jete.

Rrugët se si kjo fysis ka lindur, është bërë e larmishme dhe e organizuar, janë plotësisht të kuptueshme për arsyen njerëzore: natyra nuk ka vepruar "në fillesë" ndryshe nga ç'bën tani, çdo ditë, kur zjarri than një teshë të qullur, apo kur, në një shoshë që tundim në dorë, pjesët më të mëdha, më të veçuara, bashkohen. Ashtu si ka një fysis të vetme,  që përjashton vetë nocionin etë mbinatyrshmes, ka edhe një kohësi të vetme. Zanafilla, parësorja zhvishen nga madhështia e misteri i tyre; ato kanë po atë karakter të zakonshëm e qetësues si edhe dukuritë e përditshme. Per mendimin mitik, përvoja e përditshme ndriçohet e merr kuptim në raport me veprat shembullore që janë kryer nga zotat "në gjenezë". Poli i krahasimit përmbyset tek jonianët. Ngjarjet kryesore, forcat që krijuan kozmosin janë konceptuar sipas imazhit të fakteve që shqyrtohen «ot dhe që varen nga një shpjegim i ngjashëm. Nuk është më fillesa që ndriçon e shfytyron të përditshmen; është e përditshmja që e bën fillesën të kapshme duke sjellë modele për të kuptuar se si është krijuar e rregulluar bota.

Ky revolucion intelektual paraqitet aq i menjëhershëm e i thellë sa është kujtuar si i pashpjegueshëm përsa i përket shkaqeve historike: është folur për një mrekulli greke. Në tokën e Jonisë, befas, logosi doli nga miti ashtu si ranë ciflat nga sytë e.-të verbërit. Dhe drita e kësaj arsyeje zbuluar njëherë e përgjithmonë, nuk do të reshtte më së ndriçuari progreset e mendjes njerëzore. "Filozofët jonianë, shkruan Byrne, kanë hapur atë rrugë që më pas shkencës iu desh vetëm sa ta ndiqte." Dhe diku tjetër saktëson: "Do të ishte e gabuar të kërkonim zanafillat e shkencës joniane në ndonjë pikëpamje mitike."

Këtij interpretimi i kundërvihet katërçipërisht ai i F. M. Konfordit. Sipas tij, filozofia e parë qëndron më afër ngrehinës mitike sesa teorisë shkencore. Fizika joniane nuk ka asgjë të përbashkët, si në frymëzim, ashtu edhe në në metoda, me atë që ne e quajmë shkencë; veçanërisht ajo as që e di se ç'është eksperimenti. Ajo, gjithashtu, nuk është produkt i një refleksioni naiv e spontan të arsyes mbi natyrën. Ajo zhvendos, në një formë të laicizuar e me një fjalor më abstrakt, botëkuptimin e përpunuar nga feja. Kozmologjitë rimarrin dhe zhvillojnë temat kryesore të miteve kozmogonike. Ato u sjellin përgjigje të njëjtit tip pyetjesh; ato nuk kërkojnë, siç bën shkenca, ligjet e natyrës; ato pyesin veten, së bashku me mitet, si është vendosur rregulli, si kozmosi mundi të dalë nga kaosi. Nga mitet mbi gjenezën milezianët huazojnë jo vetëm imazhin e universit, por edhe gjithë materialin konceptual  dhe skemat shpjeguese: pas "elementëve" të fysisit përvijohen hyjnitë e vjetra të mitologjisë. Duke u kthyer në natyrë, elementët zhveshën aspektin e perëndisë të individualizuar; por ata mbetën fuqi aktive e të gjalla dhe ndiheshin akoma si hyjni Jysisi, kur vepron, është e gjitha e përshkuar nga urtia e drejtësia që ishin pronë e Zeusit. Bota e Homerit rregullohej nëpërmjet shpërndarjes mes zotave të mëdhenj të fushave e funksioneve: Zeusit drita verbuese e qiellit (aitheri), Hadit terri i mjegullt (aeri), Poseidonit elementi i lëngshëm, i të treve së bashku Gaja, toka, ku jetojnë, bashkë me njerëzit, të gjitha krijesat e vdekshme që janë të rendit të përzierjes. Kozmosi i jonianëve organizohet nga ndarja e krahinave, e stinëve, mes fuqive kryesore që kundërvihen, ekuilibrohen, apo kombinohen. Nuk bëhet fjalë për një analogji të paqartë. Mes teogonisë së Hesiodit dhe filozofisë së një Anaksimandri, analiza e Kornfordit vë në dukje përqasje të mëdha. Sigurisht, njëri flet akoma për prodhime hyjnore aty ku tjetri përshkruan procese natyrore; kjo sepse ky i dyti nuk pranon të luajë me dykuptimet e termave si fuein dhzgenesis, që duan të thonë pjell edhe prodhoj, lindje dhe zanafillë. Për aq kohë sa këto kuptime të ndryshme mbetën të pandarë, qiund të flisje për krijimin me po ato terma si për bashkimin seksual, të shpjegoje një dukuri duke përmendur të atin e të ëmën, duke ndërtuar pemën e tij gjenealogjike. Gjithsesi, sado e rëndësishme që të jetë ky ndryshim mes fizikanit e teologut, ngrehina e përgjithshme e mendimit të tyre mbetet e njëjta. Ata, gjithashtu, vendosin në fillesë një gjendje amullie ku nuk dallohet ende asgjë (Kaos tek Hesiodi; Nuksy Erebi, Tartar, në disa Teogoni që u vishen Orfeut, Muzeut dhe Epimenidës, Apeiron, e përcaktuara, tek Anaksimandri). Nga kjo njësi parësore lindin, nëpërmjet dallimit dhe diferencimit progresiv, çifte të toindërtash - terri dhe drita, e ngrohta dhe e ftohta, e thata dhe e njoma, e dendura dhe e rralla, e larta dhe e ulëta... që do të përcaktojnë në botë realitete dhe hapësira të ndryshme: qiellin, të shndritshëm e të ngrohtë, ajrin e terrtë e të ftohtë, tokën e thatë, detin e lagësht, Këto të kundërta, që u krijuan duke u ndarë me njëra-tjetrën, mund të bashkohen e të përzihen për të prodhuar disa dukuri si lindja dhe vdekja e gjithçkaje që jeton - bimë, kafshë dhe njerëz.
Por, në thelb, nuk është ruajtur vetëm skema e përgjithshme. Deri në imtësitë, simetria e zhvillimeve, përputhja e disa temave shënojnë vazhdimin, në mendimin e fizikanit, të paraqitjeve mitike që nuk e kanë humbur aspak forcën e tyre sugjestionuese.1 Riprodhimi seksual, veza kozmike, pema kozmike, ndarja e tokës me qiellin shquhen si në filigramë pas shpjegimeve "ftzike" të një Anaksimandri mbi formimin e botës: nga Apeironi u sekretua (apokrinesthai) një farë (gonimon), në gjendje të lindë të ngrohtën e të ftohtën; në qendër të kësaj fare qëndron e ftohta, në formë aeri; nt periferi, duke qarkuar të ftohtën, e ngrohta zhvillohet (perifuenai) si një guaskë zjarri njëlloj si lëvorja (floios) rreth një peme. Vjen një moment kur kjo mbulesë sferike e zjarrtë ndahet (aporregnusthai) nga bërthama me të cilën që lidhur dhe, si një guaskë, thyhet, shperthen në rrathë zjarri të cilët janë yjet. 

Vihet re përdorimi i termave embriologjike që të kujtojnë, duke i racionalizuar, termat e riprodhimit seksual dhe të hierogamisë: gonimon, apokrinesthai, aporregnusthai,floios, që vjen ngafleo, folje që lidhet me idenë e riprodhimit e që mund të tregojë membranën e embrionit, guaskën e vezës, lëvoren e pemës, e në mënyrë më të përgjithshme, çdo lëkurë që mbështjell, si një vello, organizmin vegjetal apo shtazor gjatë rritjes së tij.

Sidoqoftë, megjithë këto analogji e reminishenca, mes mitit dhë filozofisë nuk ka vërtet vazhdimësi. Filozofi nuk mjaftohet duke përsëritur nga këndvështrimi i fysis atë që teologu kishte shprehur nga këndvështrimi i Fuqisë hyjnore. Ndryshimit të regjistrit, përdorimit të një fjalori profan, i korrespondon një mënyrë e re të menduari, një klimë intelektuale e ndryshme. Me milezianët, për herë të parë, zanafllla e rendi i botës morën formën e një problemi të shtruar haptazi për zgjidhje, të cilit i duhej dhënë një përgjigje pa mistere, që të mos kapërcente mençurinë njerëzore, që të mund të shtrohej e të debatohej publikisht, para tërësisë së qytetarëve, ashtu si edhe çështjet e tjera të jetës së përditshme. Kështu, afirmohet një funksion njohjeje i zhveshur nga çdo lloj preokupimi i rendit ritual. "Fizikanët", qëllimisht, nuk e përfillin botën e fesë. Kërkimi i tyre nuk ka aspak të bëjë me procedurat e mitit me të cilat miti, pavarësisht nga autonomia e tij relative, mbetej më pak apo më shumë i lidhur.

Çshenjtërimi i dijes, dalja e një tipi të menduari jashtë fesë këto nuk janë dukuri të izoluara e të pakuptueshme. Për nga forma, filozofia lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me universin shpirtëror që na u duk se përcakton rendin e qytetit dhe që pikërisht karakterizon Iaicizimin, racionalizimin e jetës shoqërore. Por vartësia e filozofisë në raport me institucionet e Polisit vërehet gjithashtu edhe në përmbajtje. Nëse është e vërtetë që milezianët huazuan nga miti, ata, gjithashtu, e shndërruan thellësisht pamjen e universit, ata e integruan në një kuadër hapësinor, e rregulluan sipas një modeli më gjeometrik. Për të ndërtuar kozmologjitë e reja, ata përdorën nocionet që mendimi moral e politik kishte përpunuar tashmë, ata drejtuan mbi botën e natyrës këtë konceptim të rregullit e të ligjit që, duke triumfuar në qytet, e kishte bërë botën e njeriut një kozmos.

Teogonitë dhe kozmogonitë greke, si edhe kozmologjitë që pasuan, përmbajnë rrëfime të gjenezës ku tregohet krijimi progresiv i një bote të rregulluar. Por ato janë gjithashtu, madje ato janë, para së gjithash, tjetër gjë: mite sovraniteti. Ato ekzaltojnë fuqinë e një zoti që mbretëron mbi gjithë universin; ato rrëfejnë lindjen e tij, luftërat, triumfin. Në të gjitha fushat - natyrore, shoqërore, rituale -, rregulli është rezultat i fitores se zotit sovran. Nëse bota nuk është më pre e paqëndrueshmërisë dhe e ngatërresës, kjo sepse në fiind të betejës që zotit iu desh të kryente kundër kundërshtarëve të vet dhe kundër përbindëshave, epërsia e tij paraqitet e siguruar njëherë e përgjithmonë dhe tashmë asgjë nuk e trondit dot më. Teogonia e Hesiodit paraqitet, kështu, si një himn për lavdinë e Zeusit mbret. Disfata e Titanëve dhe ajo e Tifonit, që të dy mundur nga biri i Kronit, nuk janë vetën për të kurorëzuar, si përfimdimi i saj, ngrehinën e poemës. Çdo episod rimerr dhe përmbledh gjithë arkitekturën e mitit kozmogonik.

Fitorja e Zeusit, çdo herë, është një krijim i botës. Rrëfimi i betejës që  hedh njërin kundrejt tjetrit dy breznitë kundërshtare të Titanëve dhe Olimpikëve, evokon në mënyrë mjaft të qartë kthimin e universit në gjendjen fillestare të amullisë e çrregullimit. Të tronditur nga beteja, fuqitë parësore, Gaja, Urani, Pitoni, Oqeani, Tartari, që më përpara qenë shkëputur nga njërkjetri e kishin zënë një vend të tyren, përzihen sërish. Gaja dhe Urani, ndarjen e të cilëve e ka rrëfyer Hesiodi, duket se takohen e bashkohen rishtazi sikur po shemben njëri mbi tjetrin. Të vjen të besosh se bota e nëndheshme del në dritë: universi që shihet, në vend që të skalisë dekorin e tij të qëndrueshëm e të rregulluar mes dy shtyllave të patundshme që e kufizojnë, poshtë toka, vendqëndrimi i njerëzve, larte qielli ku kanë selinë zotat, rifitoi aspektin primitiv të kaosit: një greminë e terrtë e marramendëse, një e çarë pa fund, humnera e një hapësire pa kahje ku enden nga t'u vijë për mbarë vorbulla ere që fryjnë nga të katër anët. Fitorja e Zeusit rivendos gjithçka në vendin e vet. Titanët, ktonianët, u dërguan nxitimthi, të lidhur me zinxhirë, në fund të Tartarit ku fryjnë erëra të fofta. Tanimë, në humnerën e nëndheshme ku Toka, Qielli dhe Deti ngulin thellë e më thellë rrënjët e tyre të përbashkëta, stuhitë mund te fryjnë pa fund e pikë rregulli. Poseidoni vulosi pas Titanëve portat që mbyllin përgjithmonë banesën e Natës. Kaosi nuk ka më rrezik të dalë në dritë për të përmbytur botën që shihet.

Beteja kundër Tifonit (është fjala për një ndërfutje që i takon pa dyshim fundit'të shekullit VII) rimerr tema të ngjashme. Nëpërmjet një paraqitjeje sugjestionuese, Kornfordi ka mundur të përqasë. Këtë episod me betejën e Mardukut kunder Tiamatit. Si edhe Tiamati, Tifoni përfaqëson fuqitë e ngatërresës dhe çrregullit, kthimin në paformësi, në kaos. Çfarë e priste botën nëse përbindëshi me mijëra zëra, biri i Gjeas dhe i Tartarit, do t'ia kishte dalë mbanë të mbretëronte në vend të Zeusit mbi zotat e mbi njerëzit, merret me mend lehtë: nga kufoma e tij lindin erëra të cilat, në vend që të fryjnë gjithmonë në të njëjtin kah, në mënyrë të rigulmët e të rregultt (siç bëjnë Noti, Boreu dhe Zefiri), vërtiten si stuhi të çmendura, si t'u vijë për mbarë, andej nga s'i pret, herë këtu e herë atje. Titanët u mundën, Tifoni u godit nga  rrufeja, Zeusi i shtyrë nga zotat e tjerë, mbajti për vete sovranitetin dhe u ul në fronin e të pavdekshmëve; pastaj ndau mes Olimpikëve detyrat dhe nderet (timai). Po kështu, i shpallur mbret nga zotat, Marduku vrau Tiamatin, e ndau më dysh kufomën e tij, hodhi në ajër gjysmën që formonte qiellin; pastaj, ai rregulloi vendin dhe lëvizjen e yjeve, përcaktoi vitin dhe muajt, vuri rregull në kohë e hapësirë, krijoi racën njerëzore, ndau privilegjet dhe fatet.

Këto ngjashmëri mes teogonisë greke dhe mitit babilonas të Krijimit nuk janë të rastit. Hipoteza, e formuluar nga Kornfordi, mbi një huazim është vërtetuar, por edhe i janë dhënë ngjyrime të ndryshme e është plotësuar nga zbulimi kohët e fundit të një serie të dyfishtë dokumentesh: nga njëra anë të tabelave fenikase të Ras Shamrasë (fillimi i shekullit XIV para J.-K.), nga ana tjetër të teksteve hitite në kuneiform që rimarrin një sagë të vjetër hurrite të shekullit XV. Ringjallja pothuajse e njëkohshme e këtyre dy tërësive teogonike nxori në dritë një seri pikëprerjesh të reja që shpjegojnë praninë, në lëndën e rrëfimit hesiodik, të imtësive që dukeshin si pa vend apo të pakuptueshme. Problemi i ndikimeve orientale mbi mitet greke të gjenezës, të shtrirjes e kufizimeve të tyre, ai i rrugëve e datës së depërtimit, kështu, shtrohen në mënyrë të saktë e të qëndrueshme.

Në teogonitë orientale, si edhe në ato të Greqisë për të cilat shërbyen si model, temat e gjenezës mbeten të integruara në një epope të gjerë mbretërore që vë përballë, për sundimin e botës, breznitë e njëpasnjëshme të zotave dhe fuqive të ndryshme të shenjta. Vendosja e pushtetit sovran dhe krijimi i rregullit paraqiten si dy aspektet, e pan- darë, të së njëjtës dramë hyjnore, synimi i së njëjtës luftë, fryti i së njëjtës fitore. Ky tipar i përgjithshëm shënon vartësinë e rrëfimit mitik në raport me disa rituale mbretërorë, element dhe shoqërim gojor i të cilave është. Poema babilonase mbi Krijimin, Enuma elis, kështu, këndohej çdo vit në ditën e katërt të festës mbretërore të Krijimit të Vitit të Ri, në muajin Nizan, në Babiloni. Në atë datë mendohej se koha e kishte mbyllur ciklin e saj: bota rikthehej në pikënisje. Ky ishte një moment kritik ku rregulli i tërë vihej në pikëpyetje. Gjatë festës, mbreti imitonte, kundër një dragoi, një betejë rituale. Në këtë mënyrë ai  përsëriste çdo vit bëmën që kishte kryer Marduku kundër Tiamatit në zanafillë të botës. Prova dhe fitorja mbretërore kishin një domethënie të dyfishtë: në të njëjtën kohë që vërtetonin fuqinë dhe sovranitetin e monarkut, ato merrnin vlerën e një rikrijimi të rendit kozmik, stinor, shoqëror. Falë fuqisë fetare të mbretit, ngrehina e universit, pas një periudhe krize, rinovohej e ruhej për një cikël të ri kohor.

Nëpërmjet ritit dhe mitit babilonas shprehet një konceptim i veçantë i raporteve të sovranitetit dhe rregullit. Mbreti nuk sundon vetëm hierarkinë shoqërore; ai ndërhyn, gjithashtu, edhe në ecjen e dukurive natyrore. Drejtimi i hapësirës, krijimi i kohës, rregullimi i ciklit stinor paraqiten të integruara me veprimtarinë mbretërore; janë aspekte të funksionit të sovranitetit. Natyra e shoqëria meqë mbeten të pleksura në mënyrë të padallueshme qartë, rregulli, në të gjitha format e tij e në të gjitha fushat, vendoset nën vartësinë e Sovranit. As në grupin njerëzor, as në univers, ai nuk është konceptuar ende në mënyrë abstrakte, në vetvete e për vetveten. Ai, për të ekzistuar, ka nevojë të vendoset diku, për të ekzistuar në kohë, të mbahet nga dikush; ai gjithmonë nënkupton një veprues rregullues, një fuqi krijuese të aftë që ta nxisë. Në kuadrin e këtij mendimi mitik, niik mund të përfytyrojmë dot një fushë të pavarur nga natyra, as një ligj ,organi- zimi që t'i përkasë vetë natyrës së universit.

Në Greqi jo vetëm Teogonia e Hesiodit, në përvijimin e saj të përgjithshëm, rregullohet sipas së njëjtës perspektivë, por edhe kozmogoni të mëvonshme e me të përpunuara, si ajo e Feresidit të Siros, të cilin Aristoteli e rendit mes teologëve, në radhët e atyre që me mitin ditën të përziejnë edhe filozofinë. Bashkëkohës i Anaksimandrit, Feresidi, edhe nëse ruan figurat e hyjnive tradicionale, u ndryshon megjithatë emrat duke luajtur me etimologjinë për të sugjeruar apo nënvizuar aspektin e tyre si fuqi natyrore. Kroni bëhet Chronos, Koha; Rhea, Re, që të sjell ndër mend një vërshim, rrjedhje; Zeusin e quan ZaSy ndoshta për të shprehur intensitetin e Fuqisë. Por miti nuk mbetet i përqendruar mbi temën e luftës për mbretërimin e universit.

Nga sa mundet të gjykojmë nga fragmentet që na kanë ardhur, Feresidi rrëfente betejën e Kronit kundër Ofionit, përplasjen mes dy ushtrive  të tyre, rënien e të mundurve në Oqean, mbretërimin e Kronit në qiell; pastaj duhej të ndërhynte sulmi i Zeusit, marrja e pushtetit, lidhja e tij solemne me Ktonian me ndërmjetësinë apo me ndihmën e Erosit.

Gjatë hiero gamos të Zeusit mbret me perëndeshën nëntokësore, ndodhi krijimi i tokës që shihet, ndërkohë që përcaktohej për herë të parë modeli i ritit martesor të Anakalupterias, të "zbulimit". Nga fuqia e kësaj martese, Ktonia e errët u shndërrua. Ajo u mbështoll me vellon që Zeusi kishte endur e qëndisur për të, e ku përvijoheshin detet e format e kontinenteve. Duke pranuar dhuratën që Zeusi i ofronte si dëshmi e prerogativës së saj të re (geras)} perëndesha e errët nëntokësore u bë Gjea, toka që shihet. Zeusi u ndau, atëhere, hyjnive të ndryshme riskun e tyre, moirën e tyre, duke caktuar për secilin atë racion të kozmosit që i takonte. Ai degdisi në Tartar, nën mbikëqyrjen e rërave e tufaneve, fuqitë e çrregullit e të hybrisit.

Problemi i gjenezës në kuptimin e ngushtë të fjalës, mbetet pra, në teogonitë në mos plotësisht i nënkuptuar, të paktën në plan të dytë. Miti nuk shtron pyetjen se si doli toka e rregulluar nga kaosi; ai i përgjigjet pyetjes: Kush është zoti sovran? Kush ia ka dalë mbanë të mbretërojë (anassein, basileuein) mbi universin? Në këtë kuptim, funksionimi i mitit është të vendosë një dallim dhe një si distancë mes atij që është i pari nga pikëpamja kohore dhe atij që është i pari nga pikëpamja e pushtetit, mes parimit që është kronologjikisht në zanafillë të botës dhe parimit që kryeson rregullimin e saj aktual. Miti krijohet në këtë distancë; ai, madje, e bën atë objekt të rrëfimit të vet, duke përvijuar, përmes një vargu breznish hyjnore, shndërrimet e sovranitetit deri në momentin kur një supremaci, kësaj here definitive, i jep fund përpunimit dramatik të dynasteias. Duhet nënvizuar se termi arhe, që do të bëjë karrierë në mendimin filozofik, nuk i përket fjalorit politik të mitit.

Jo vetëm miti mbetet i lidhur me shprehje më kryesisht "mbretërore"; por edhe fjala arhe, duke treguar pa bërë dallim zanafillën në një seri kohore dhe përparësinë në hierarkinë shoqërore, fshin këtë distancë mbi të cilën bazohej miti. Kur Anaksimandri do të adoptojë këtë term duke i dhënë për herë të parë kuptimin e vet filozofik si parim kryesor, kjo risi nuk do të shënojë vetëm flakjen që i bën filozofi fjalorit "monarkik", tipik i mitit; ajo do të përçojë gjithashtu synimin për të afruar atë që teologët në mënyrë të domosdoshme e ndanin, do të njësojë aq sa do të jetë e mundur më shumë atë që është i pari krbnologjikisht, atë nga e cila u krijuan gjërat, me atë që sundon, që qeveris universin. Për.fizikanin, në fakt, rendi i botës nuk mund të jetë vendosur në një moment të dhënë nga fuqia e një vepruesi të vetëm: në vetë natyrën e fysisit, ligji i madh që rregullon universin duket, tashmë, të qe i pranishëm në një farë mënyre në elementin fillestar nga doli bota pak e nga pak. Duke folur për poetët e vjetër dhe për "teologët", Aristoteli do të vërë në dukje, tek Metafizika, se, për ata, nuk janë hoiprotoi - fuqitë fillestare - Nuksi, Oqeani, Kaosi, Urani por një i mëvonshëm, Zeusi, që ushtron mbi botën arhenë dhe basileian. Në të kundërt, Anaksimandri shtron se asgjë nuk është arhe në raport me apeironin (meqenëse ky ka ekzistuar gjithmonë), por se apeironi është arhe për të gjithë pjesën tjetër, se ai mbështjell (periehein) dhe qeveris (kybernan) gjithçka.

Le të përpiqemi, pra, të përcaktojmë në vija të trasha kuadrin në të cilin teogonitë greke përvijojnë imazhin e botës. Universi është një hierarki fuqish. I ngjashëm për nga struktura me një shoqëri njerëzore, ai nuk do të mund të paraqitej në mënyrë të drejtë nga një skemë thjesht hapësinore, as të përshkruhet si pozicion, distancë, lëvizje. Rregulli i tij, i ndërlikuar e i rreptë, shpreh marrëdhëniet mes vepruesve; ai përbëhet nga raporte forcash, shkallësh përparësie, autoriteti, dinjiteti, lidhjesh sundimi e nënshtrimi. Këto aspekte hapësinore - nivele kozmike dhe kahje të hapësirës – shprehin më pak veti gjeometrike sesa ndryshime funksionesh, vlere dhe rangu.

Ky rregull nuk zbulohet detyrimisht nga loja dinamike e elementëve përbërës të universit; ai është vendosur në mënyrë dramatike nga bëma e një vepruesi.

Bota sundohet nga fuqia e jashtëzakonshme e këtij vepruesi që  paraqitet unik e i privilegjuar, në një pian më të lartë në krahasim me zotat e tjerë: miti e vendos si sovran në krye të ngrehinës kozmike; është monarkia e tij që ruan ekuilibrin mes Fuqive përbërëse të Universit, që i përcakton secilit vendin në hierarki, i përcakton kompetencat, prerogativat, pjesën e nderit. Këto tre tipare janë solidarë; ato i japin rrëfimit mitik koherencën, logjikën e tij. Ato shënojnë gjithashtu lidhjen e tij, në Greqi dhe në Lindje, me konceptin e sovranitetit që vendos nën vartësinë e mbretit rregullimin e stinëve, dukuritë atmosferike, pjellorinë e tokës, të kopeve dhe të grave. Imazhi i mbretit zot i kohës, bërës i shiut, shpërndarës i pasurive natyrore - imazh që, në epokën mikenase, mundi të përçojë realitete shoqërore dhe t'u përgjigjet praktikave rituale shquhet ende në disa pasazhe të Homerit dhe të Hesiodit, në disa legjenda si ato të Salmoneut apo Eakut. Por, në botën greke, këto janë tashmë veçse mbeturina. Pas shembjes së mbretërisë mikenase, kur sistemi pallator dhe personazhi i anaksit u zhdukën, nga ritet e vjetra mbretërore mbetën vetëm ca gërmadha të cilave u kishte humbur kuptimi. Ishte fshirë kujtimi i mbretit që rikrijonte periodikisht rendin e botës; nuk duket më qartë lidhja mes bëmave mitike që i vishen një sovrani dhe organizimit të dukurive natyrore. Hedhja në erë e sovranitetit, kufizimi i fuqisë mbretërore gjithashtu dhanë ndihmesën e tyre për të shkëputur mitin nga riti ku ishte rrënjosur në fillim. I çliruar nga praktikat si kult, komenti gojor i të cilit ishte fillimisht, rrëfimi mundi të fitojë një karakter më të çinteresuar, më autonom. Ai, nga disa pikëpamje, mund të përgatisë e të paralajmërojë veprën e filozofit. Që tek Hesiodi, në disa pasazhe, rregulli kozmik paraqitet i shkëputur nga funksioni mbretëror, i zhveshur nga çdo lloj lidhje me ritin. Problemi i gjenezës, atëhere, shtrohet në mënyrë më të pavarur. Ngjizja e botës përshkruhet jo më si një bëmë, por si një proces ngjizjeje nga Fuqitë emri i të cilave të kujton në mënyrë të drejtpërdrejtë realitete fizike: qielli, toka, deti, drita, nata, etj.

Lidhur me këtë, është vënë në dukje theksi "natyralist" i fillimeve të Teogonisë (që nga 116 deri më 133), që bën kontrast frie vijimin e poemës. Por ajo që është ndoshta më domethënëse në këtë përpjekje të  parë për të përshkuar gjenezën e kozmosit sipas një ligji spontan zhvillimi, është pikërisht dështimi i saj, Megjithë përpjekjen për përcaktimin konceptual që vihet re aty, mendimi i Hesiodit mbetet i burgosur në kuadrin mitik. Urani, Gaja} Pitoni janë vërtet realitete fizike në aspektin e tyre konkret si qiell, tokë, det; por ata janë në të njëjtën kohë hyjni që veprojnë, çiftohen e riprodhohen sikundër edhe njerëzit. Duke luajtur në dy plane, mendimi fikson të njëjtën dukuri, për shembull ndarjen e tokës nga uji, njëherazi si një fakt natyror në botën që shihet dhe si një pjellje hyjnore në një kohë parësore. Për t'u shkëputur nga fjalori dhe nga logjika e mitit, Hesiodit i duhej një konceptim i përgjithshëm në gjendje të zëvendësonte skemën mitike të hierarkisë së Fuqive që sundohen nga një sovran. Ajo që i mungoi ishte mundësia për të përfytyruar një univers që i nënshtrohej mbretërisë së ligjit, një kozmos që do të organizohej duke u imponuar të gjitha palëve të njëjtin rend të izonomisë të përbërë nga ekuilibri, reciprociteti, simetria.

Jean-Pierre Vernant - Origjina e mendimit grek

image description
Lufta e perëndive dhe mbretëria e Zeusit
Politeizëm
Ja pra tek është vendosur dekori në teatrin e botës. Hapësira është liruar, koha rrjedh, brezat do të pasojnë njëri-tjetrin. Poshtë është bota e nëndheshme, pastaj toka e pamat, ujërat, rrjedha e Oqeanit që qarkon gjithçka, dhe lart një qiell i mbërthyer. Ashtu siç është toka një seli e qëndrueshme për njerëzit e kafshët, po ashtu, atje lart, qielli i etertë është një vendqëndrim i sigurt për hyjnitë. Titanët, që janë perënditë e para në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, bijtë e Qiellit, e kanë, pra, botën në dispozicion. Ata do të zënë vend lart, majë maleve të tokës, aty ku do të vendoset edhe selia e qëndrueshme e hyjnive të vogla, Najadave, Nimfave të pyjeve, Nimfave të maleve. Sekush zë vend që të veprojë.

Në kupë të qiellit gjenden hyjtë Titanë, ata që quhen Uranidë, bijtë e bijat e Uranit. Në krye të tyre qëndron më i vogli, më I riu nga perënditë, që është një hyj dinak, tinëzar, mizor. Eshtë pikërisht ai, Kroni, që nuk ngurroi t'i priste të atit organet seksuale. Duke guxuar të kryejë këtë veprim, ai zhbllokoi gjithësinë, krijoi hapësirën, i dha jetë një bote të diferencuar, të organizuar. Ky akt pozitiv ngërthen edhe një anë të errët, është njëkohësisht një gabim që kërkon shpagim. Sepse në çastin kur Qielli u tërhoq në vendin e vet përfundimtar, ai nuk ngurroi të lëshonte kundër të bijve, perëndive të para të individualizuara, një nëmë që më pas do të përmbushet, e marrë përsipër nga Erinitë e lindura nga gjaku i gjymtimit. Një ditë do të duhet që Kroni t'ua paguajë borxhin Erinive hakmarrëse të të atit.

Pra, pikërisht më i riu, por edhe më guximtari nga bijtë, ai që i dha krahun e vet dinakërisë së Gjeas për ta shkëputur Qiellin e për ta larguar prej saj, pikërisht Kroni do të bëhet mbreti i perëndive dhe i botës. Me të, përreth tij, qëndrojnë hyjtë Titanë, më poshtë se ai, por bashkëfajtorë me të. Kroni i ka çliruar, i ka nën mbrojtjen e vet.

Dy treshe të tjera personazhesh kishin lindur po ashtu nga përqafimet e Uranit dhe Gjeas; njëlloj si vëllezërit e tyre Titanët dhe ata kishin qenë të bllokuar në pëqi të Tokës. Këta janë tre Ciklopët dhe tre Hekatonkirët. Çfarë ngjet me ta? Gjithçka lë të hamendësohet se Kroni, ky hyj xheloz e i lig, gjithmonë në përgjim e në pritë, me frikën se mos po thurin ndonjë paudhësi kundër tij, i lidh ata me zinxhirë. Ai i lidh mirë e bukur me vargonj të tre Ciklopët, tre Hekatonkirët, e i degdis në botën e ferrit. Përkundrazi, Titanët dhe Titanidat, vëllezër e motra, do të bashkohen në marrëdhënie seksuale; sidomos Kroni me njërën prej tyre, Rean. Kjo e fundit shfaqet si një lloj Gjea e dytë. Rea dhe Gjea janë dy fuqi të kryehershme e të afërta. Megjithatë, diçka i dallon: Gjea ka një emër të qartë për çdo grek, Gjea quhet Tokë dhe është dheu. Ndërkohë që Rea është një person, i individualizuar, me një emër që nuk mishëron asnjë element natyror. Rea përfaqëson një aspect më antropomorf, më njerëzor, më të veçantë se Gjea. Por, në thelb, Gjea dhe Rea janë si nënë e bijë, janë shumë të përaferta, shumë të ngjashme.

Në plëndësin atëror

Kroni çiftëzohet me Rean dhe do të lindë, pra, edhe ai fëmijë, të cilët do të sjellin në jetë femijë të tjerë. Ata do të formojnë një brezni të re perëndish, brezninë e dytë të perëndive të individualizuara, me emrat, marrëdhëniet, fushat e veta të ndikimit. Mirëpo Kroni, mosbesues, mendjezi e në merak për pushtetin e vet, nuk ka besim te të bijtë. Ai u druhet, për më tepër se Gjea e ka paralajmëruar. Nënë e të gjitha hyjnive të kryehershme, ajo i di të gjitha të fshehtat e kohës, rrok e dallon atë çka, nga errësira e rrudhave të saj, del daiëngadalë në dritë.

Ajo e njeh që më parë të ardhmen. Gjea e ka paralajmëruar të birin se kishte rrezik që ai të binte vetë viktimë e njërit prej femijëve të tij. Njëri nga të bijtë, më i fortë se ai vetë, do ta zbresë nga froni. Si rrjedhojë, gjithëfuqia e Kronit është gjithë fuqi e përkohshme, prandaj ky, shumë i shqetësuar, merr masat e veta. Sapo i lind një fëmijë, e kullufit, e gllabëron, e gëlltit në barkun e vet. Të gjithë fëmijët e Kronit e të Reas janë përpirë kështu në plëndësin atëror.

Natyrisht, nga kjo gjë Rea nuk ndiehet më e kënaqur nga ç'qe ndjerë Gjea nga sjellja e Uranit, që nuk i linte fëmijët e saj të dilnin në dritë. Urani dhe Kroni, në njëfarë mënyre, e hedhin pjellën e vet në natën e paralindjes. Ata nuk duan që ajo të harliset në dritë, porsi një pemë që, duke buitur nga dheu, e çon jetën midis qiellit e tokës. Sipas këshillës së Tokës, Rea vendos të marrë masa për të shmangur sjelljen mizore të Kronit. Prandaj, ajo zë e vret mendjen për ndonjë dredhi, hile, mashtrim a gënjeshtër. Duke vepruar kështu, ajo i kundërvë Kronit po atë tipar që e përkufizon, sepse ai është perëndi e dinakërisë, hyj I mashtrimit dhe i dyfytyrësisë. Kur po lind i fundmi i fëmijëve, Zeusi (djali më i ri) - ashtu siç qe Kroni djali më i ri i Uranit - Rea shkon në Kretë ku lind në fshehtësi. Foshnjën ua beson disa qenieve hyjnore, Najadave, që marrin përsipër ta rrisin në një shpellë me qëllim që Kroni të mos ketë pikë dyshimi e të mos i dëgjojë të qarat e njomëzakut të sapolindur. Mandej, meqë britmat e fëmijës po rriteshin rrufeshëm, Rea u kërkoi disa hyjve meshkuj, Kuretëve, të qëndronin përpara shpellës, të hidhnin valle luftarake nie qëllim që vringëllima e armëve e zhurmëria tok me këngët ta mbysnin kumbimin e zërit të Zeusit njomëzak. Për rrjedhojë, Kroni nuk dyshon kurrgjë. Mirëpo, meqë ai e di mirë se Rea qe shtatzënë, pret të shohë vogëlushin e fundit që ajo ka lindur e që duhet t'ia tregojë. Atëherë, çfarë I çon ajo? Një gur. Një gur që e ka fshehur në pelena foshnjeje.

I thotë Kronit: "Ki kujdes, është i brishtë, është vocërrak" dhe hop, me një të gëlltitur, Kroni e kapërdin gurin e mbështjellë në shpërgënj. Kështu tani gjithë pjellat e tij e të Reas, ndodhen brenda barkut të Kronit, madje edhe guri. Ndërkaq, në Kretë, Zeusi po rritet e po bëhet i fortë. Kur mbërrin në moshën e pjekurisë së plotë, na i shkrep në kokë ta ndëshkojë Kronin për krimin që ka bërë karshi fëmijëve të vet, si dhe ndaj Uranit, të cilin e ka sakatuar si mos më keq.

Si t'ia bëjë? Zeusi është fill i vetëm. Ai do që ta bëjë Kronin të nxjerrë nga goja, të vjellë atë mori fëmijësh që ka në bark. Përsëri, falë dredhisë, do t'ia dalë mbanë, dredhisë që grekët e quajnë meëtis, domethënë ajo lloj zgjuarsie që di të sajojë që më parë gjithfarë marifetesh, për ta mashtruar njeriun që ke përballë. Dredhia e Zeusit synon t'i japë Kronit rififarmakon, një bar për të cilin do t'i thonë se është një porcion magjik, por që në të vërtetë, është një bar që shkakton vjellje. Këtë ia jep Rea. Me ta gëlltitur, Kroni nis të vjellë gurin, pastaj vjell Hestian, që është e para, pastaj gjithë morinë e perëndive dhe perëndeshave në kahun e kundërt të moshës. Më i madhi në moshë është në fund, kurse më e reja është fill pas gurit. Duke i nxjerrë jashtë, Kroni përsërit, sipas mënyrës së vet, lindjen e të gjithë fëmijëve që Rea kishte sjellë në jetë.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit

image description
Gjithuqishmëria e Zeusit
Politeizëm
Ja pra, tek janë mbledhur tok një grup hyjsh e hyjneshash, që vijnë e vihen në radhë përbri vëllait të tyre, Zeusit. Fillon kështu ajo që mund të quhet lufta e perëndive, domethënë përballja e tyre në një përleshje, së cilës për shumë kohë nuk i dihet fati e që zgjat përafërsisht plot dhjetë "mote të gjatë" (domethënë me mizëri vitesh, meqë moti i gjatë zgjat njëqind, madje një mijë vjet). Nga njëra anë, në krah të Kronit, mblidhen perënditë e tjera Titane, nga ana tjetër, përreth Zeusit, qëndrojnë ata që quhen Kronidë apo Olimpias, nga që banojnë në malin e Olimpit Secili e ka ngritur vendqëndrimin, kampin e tij, në majë të një mali e të gjithë luftojnë gjatë, përderisa fitorja nuk anon qartas as nga njëri krah, as nga tjetri. Pra, teatri i botës jo vetëm që është ngritur, por, ndërkaq është pushtuar, është copëtuar nga kjo luftë që s'ka të sosur midis brezit të parë të perëndive dhe fëmijëve të tyre. Edhe këtu hyn dredhia. Ka shumë përleshje në këtë betejë të çuditshme midis fuqish hyjnore. Është e sigurt që fitorja do t'i përkasë kampit që do të ketë jo vetëm forcën e vrazhdë, por edhe zgjuarsinë e hollë. Rolin vendimtar në këtë betejë fatpaprerë nuk e luajnë dhuna e epërsia e forcës, por dredhia dhe dinakëria. Prandaj, që të arrijë fitoren Zeusi ka nevojë të lidhë aleancë me një tjetër personazh, Prometeun (që do të quhet edhe Titan, paçka se i përket brezit të dytë - ai është i biri i Titanit Japet); Prometeu do të sjellë në krahun e Zeusit pikërisht çfarë i mungon ende, domethënë dinakërinë. Kjo metise, mendja e zgjuar e dinake, mundëson para së gjithash kurdisjen paraprake të ngjarjeve, në mënyrë që ato të ndodhin pikërisht ashtu siç na i ka ënda.

Gjea, ajo nënëmadhe sa e zymtë aq edhe ndriçuese, memece e veçanërisht fjalëshumë, i shpjegon Zeusit që, për të fituar, ai duhet të bëjë për vete ca qenie të një gjaku me Titanët por që nuk janë në kampin e Titanëve. E ka fjalën për tre Ciklopët dhe tre Hekatonkirët. Sepse këta hyj Titanë janë perëndi të kryehershme, që kanë ende gjithë ashpërsinë e fuqive natyrore dhe, për t'i mposhtur e nënshtruar fuqitë e pështjellimit, duhet përvetësuar forca e pështjellimit. Qeniet që janë kryekëput të arsyeshme e të rregullta nuk do t'ia dilnin dot mbanë. Zeusi ka nevojë për aleatë që mishërojnë fuqitë e vrazhdësisë së dhunshme e të çrregullsisë me pasion, që Titanët përfaqësojnë.

Prandaj, Zeusi i zgjidh, i çliron Ciklopët dhe Hekatonkirët që, qysh nga ai çast, janë gati t'i vijnë në ndihmë. Por, megjithatë, konflikti nuk merr fund me kaq. Për t'i pasur aleatë besnikë, Zeusi duhet t'u japë atyre jo vetëm lirinë e Iëvizjes, pasi i ka nxjerrë nga biruca e errët, ku Kroni i mbante të fshehur, por edhe sigurinë se, nëse luftojnë përkrah tij, do të gëzojnë të drejtën për nektar dhe ambroz, domethënë për një ushqim pavdekësie.

Këtu shfaqet përsëri ajo tema e ushqimit që ka luajtur tashmë një rol të madh: Kroni, me oreks të papërmbajtshëm, kullufiste të bijtë, i hante si ushqim. Aq shumë e kishte merak ta mbushte plëndësin, saqë, edhe kur i dhanë në vend të foshnjës një gur, e kapërdiu edhe atë. Hekatonkirët dhe Ciklopët, që janë të të njëjtit brez me Titanët, Zeusi i bën perëndi të vërteta olimpase duke u dhënë privilegjin e një ushqimi pavdekësie. Sepse ajo çka karakterizon hyjtë olimpas është se, ndryshe nga kafshët që hanë çfarëdo, ndryshe nga njerëzit që do të ushqehen me bukë, verë e mish të bërë fli sipas ritit, perënditë s'kanë nevojë të ushqehen, e thënë më saktë, ato thithin një shujtë pavdekësie që i shkon për shtat gjallërisë së tyre të brendshme që, ndryshe nga gjallëria e njerëzve, nuk shter kurrë e nuk e njeh lodhjen.

Pas një pune, njerëzit kanë uri dhe etje, atyre u duhet t'i mbushin përsëri bateritë. Perënditë nuk e kanë këtë hall të vazhdueshëm. Përkundrazi, ato kanë një formë ekzistence të vazhdueshme. Duke iu dhënë Hekatonkirëve e Ciklopëve nektar dhe ambroz, vërtetohet se ata bëjnë vërtet pjesë te perënditë, në kuptimin e plotë të fjalës. Kështu pra, nga njëra anë kemi dredhinë dhe dinakërinë, nga ana tjetër forcën e egër, dhunën dhe shpërthimin e pështjellimit, duke përdorur Ciklopët dhe Njëqindkrahëshët kundër hyjve Titanë që i mishërojnë. Më në fund, pas dhjetë 'motesh të gjatë' përleshjesh që s'vendosin asgjë, krahët e peshores do të anojnë nga Zeusi dhe olimpasit e tjerë.

Cilët janë Ciklopët? Si ia sjellin ata fitoren Zeusit? Duke I dhënë një armë të papërballueshme, rrufenë. Gjea, që vazhdon të jetë e pranishme, u jep atyre mjetet për ta prodhuar, ashtu siç kishte nxjerrë nga gjiri i saj metalin e bardhë çelik të draprit që Kroni përdori për të tredhur të atin. Edhe këtu, ajo e jep materialin. Ciklopët me një sy, si farkëtarë, variante të Hefestit para se ky të ekzistonte, zotërojnë rrufenë dhe do t'ia vënë atë në dispozicion Zeusit për ta përdorur si të dojë. Në dorën e Zeusit, ajo ka një fuqi të pabesueshme, duke qenë një ngjeshje e fortë drite e zjarri. Është e kuptueshme përse Ciklopët kanë vetëm një sy: ngaqë vetë syri është si zjarr. Për të Moçmit – ata që i kanë menduar këto histori - vështrimi është thelbi i dritës që ka një njeri brenda vetes, që del nga syri. Por drita që do të shpërthejë nga syri i Zeusit është pikërisht rrufeja. Sa herë që të jetë vërtet në rrezik, syri i tij do t' i godasë kundërshtarët me rrufe.

Ciklopi pra ka syrin, ndërsa Hekatonkirët, këta përbindësha me shtat të hatashëm e një fuqi të qindfishuar, kanë krahët (ose, siç do të thoshin grekët që nuk e bëjnë dallimin, duart, heires). Hekatonkirët me njëqind duar janë grushti, fuqia. Pra me këto dy karta në duar, syrin e Ciklopit që shkrep rrufe dhe fuqinë e krahut që bën zap, Zeusi bëhet vërtet i pathyeshëm.

Ka një pikë kulmore në këtë betejë. Në kulmin e betejës midis fuqive hyjnore, kur Zeusi hedh rrufetë dhe Hekatonkirët u sulen Titanëve, bota kthehet në një gjendje e saj kaotike. Malet shemben, toka plasaritet dhe nga thellësia e Tartarit, aty ku mbretëron Nata, befas shihet të ngrihet nga zgafëllet mjegulla. Qielli shembet përmbi dhe gjërat kthehen sërish te gjendja e Kaosit, në gjendjen e kryehershme të pështjellimit zanafillor, ku asgjë nuk kishte ende trajtë. Fitorja e Zeusit nuk është vetëm një mënyrë për të mundur kundërshtarin e të atin, Kronin, por dhe një mënyrë për të rikrijuar botën, për të ribërë një botë të rregullt, duke u nisur nga një Kaos, nga një Golle ku asgjë nuk duket, ku gjithçka është rrëmujë.

Duket shumë qartë që njëra nga fuqitë e Zeusit, qoftë dora e Njëqindkrahëshve apo syri i Ciklopëve, qëndron në aftësinë për ta bërë zap kundërshtarin, për f i imponuar zgjedhën e vet. Epërsia e Zeusit është epërsia e një mbreti që zotëron magjinë e lidhjeve. Kur një kundërshtar do të ngrejë krye përballë tij, Zeusi do ta fshikullojë me kamxhikun e shndritshëm të vështrimit të vet dhe do ta rrethojë me rrufe. Forcë nga syri, forcë nga krahu, kundërshtari bie zap. Në çastin e kësaj apoteoze të kobshme të fuqisë së Zeusit, që kërkon si etapë të domosdoshme një kthim të përkohshëm te Kaosi, Titanët flaken në tokë. Zeusi i rrëzon me fshikullima rrufeje dhe me dorën e hekurt të Hekatonkirëve. Ata bien përdhe dhe Njëqindkrahëshit u hedhin përsipër një mal me gurë të mëdhenj, poshtë të cilëve Titanët nuk lëvizin dot më. Këta hyj, fuqia e të cilëve shfaqej me lëvizshmëri e prani të vazhdueshme, shndërrohen në asgjë, të mbërthyer e të shtrënguar nën një grumbull të madh gurësh, nga ku s'dalin dot. Forca e tyre s'u shërben dot më për asgjë.

Njëqindkrahëshit - Koti, Briareu, Gigu - i marrin e i çojnë në botën e nëndheshme. Titanët nuk mund të vriten sepse janë të pavdekshëm, por ata dëbohen në Kaosin e nëndheshëm, në Tartarin mjegullor, ku asgjë nuk dallohet, ku nuk ka drejtim, golle e hapur në fund të tokës. Që të mos ngjiten dot prapë në sipërfaqe, Poseidoni ngarkohet të ndërtojë një ledh përreth kësaj gryke që, në thellësinë më të madhe të tokës, formon shtegun e ngushtë për në botën e nëndheshme e të mugullt të Tartarit. Nga kjo grykë, si nga gryka e një qypi, futen thellë të gjitha rrënjët që toka hedh në skëterrë për të siguruar qëndrueshmërinë e saj. Pikërisht aty, Poseidoni ngre një mur të trefishtë tunxhi dhe i cakton Njëqindkrahëshit roje besnike të Zeusit. Me bllokimin e kësaj vrime, merren të gjitha masat e duhura që ky brez titanësh të mos dalë dot më në dritë.

Ja pra, tek mori fund akti i parë. Zeusi është tashmë fitimtari. Ai ka marrë mbështetjen e Ciklopëve dhe të Njëqindkrahëshve, por edhe përkrahjen e disa prej titanëve, në veçanti, atë të perëndeshës Stiks, që përfaqëson gjithçka që bota e nëndheshme, bota e ferrit, si dhe bota e ujit mund të mbartin si fuqi të rrezikshme. Ajo rrjedh në thellësi të tokës, kalon nëpër Tartar, pastaj papritmas del në sipërfaqe. Uji i Stiksit është kaq i fuqishëm, saqë çdo vdekatar që dëshiron të pijë nga ky ujë, bie menjëherë pa jetë. Gjatë betejës, Stiksi vendos të lërë kampin e Titanëve, të cilit i përket nga prejardhja, e të kalojë në anën e Zeusit. Duke u radhitur pranë tij, ajo merr me vete dy fëmijët e saj, njëri quhet Krat, tjetra Bie. Krati përfaqëson aftësinë sunduese, aftësinë për të nënshtruar dhe për t'iu imponuar kundërshtarëve. Bieja mishëron dhunën e vrazhdë që është e kundërta e dredhisë. Pas fitores së tij ndaj Titanëve, Zeusi i mban ata vazhdimisht me vete: Kratin, fuqinë e dominimit universal dhe Bienë, mundësinë për të lëshuar një forcë të papërballueshme. Sa herë që Zeusi zhvendoset e kudo që shkon, Krati dhe Bieja i rrinë pranë, të vendosur në të djathtë e ne te majte te tij.

Duke parë këtë gjë, perënditë e Olimpit, vëllezërit e motrat e tij, vendosin që skeptri t'i kthehet Zeusit. Titanët e kanë paguar çmimin e poshtërsisë së tyre dhe tashmë Zeusi merr përsipër të ushtrojë sovranitetin. Ai i ndan përsëri midis perëndive nderet dhe privilegjet. Themelon një gjithësi hyjnore e cila është hierarkike, me rend, e organizuar dhe që, për rrjedhojë, do të jetë e qëndrueshme. Teatri i botës është ngritur, dekori është vendosur. Në majë mbretëron Zeusi, rregulluesi i një bote të dalë në zanafillë nga Kaosi.

Të tjera pyetje shtrohen. Urani dhe Kroni ishin qenie të ngjashme në shumë drejtime. Që të dy karakterizohen nga fakti që nuk donin të shihnin që të bijtë t'u zinin vendin. Si njëri dhe tjetri i penguan pasardhësit e vet të dilnin në dritë. Këto perëndi të hershme përfaqësojnë një shtresë hyjnore, e cila nuk pranon që një tjetër shtresë hyjnore t'ia zërë vendin në pasimin e breznive. Por, përveç këtyre analogjive, personazhi i Uranit nuk ka të bëjë fare me personazhin e Kronit nga pikëpamja e fabulës dhe e tregimit. Urani, i lindur nga Gjea, më pas çiftëzohet me të pafundësisht. Qëllim i tij i vetëm është si e si të bashkohet seksualisht me atë që e ka lindur, në një çiftëzim të pandërprerë. Urani nuk ka dredhi, është i pambrojtur. Atij s'I shkon ndër mend për asnjë çast që Gjea mund të dojë të marrë hak ndaj tij.

Ndryshe nga Urani, Kroni nuk i ngec trashëgimtarët e tij në barkun e nënës, por në barkun e vet. Urani i bindet instinktit të tij primitiv të Erosit që e ka paralizuar, të ngulur sipër Gjeas. Ndërsa për Kronin, gjithçka që bën është përcaktuar nga vul lneti i tij për të ruajtur pushtetin, për të mbetur sovrani. Kroni është politikani i parë. Ai është jo vetëm mbreti i parë i perëndive, mbreti i parë i gjithësisë, por dhe i pari që mendon në mënyrë dinake e politike, nga frika se mos i rrëmbejnë skeptrin.

Me Zeusin merr formë një gjithësi shumë e ndryshme. Janë të barabartët me të ata që vendosin ta bëjnë mbret. Ai I ndan me drejtësinë më të madhe nderet që meriton secili. Ua lë privilegjet edhe disa fuqive titanike që i zotëronin ato para se të vinte ai në pushtet e që nuk u rreshtuan qartas në njërën a në tjetrën anë të konfliktit të perëndive. Kështu, Oqeani, Okeanos, ky lum që qarkon botën, nuk u shpreh as për Titanët, as për Olimpiasit. Mirëpo, paçka se qëndroi asnjanës, ai do të vazhdojë të vigjilojë në kufijtë e jashtëm të botës, duke e shtrënguar në qerthullin e tij të lëngshëm.

Zeusi ia ruan, madje edhe ia zgjeron të gjitha privilegjet Hekatës, një hyjni femërore e cila nuk hyri as ajo në sherr. Eshtë e vërtetë që, në ndarjen e pushteteve që urdhëron Zeusi, Hekata zë një vend të veçantë. Kjo hyjni nuk është veçanërisht qiellore a tokësore, por përfaqëson në një botë hyjnore mashkullore, të organizuar me shumë rreptësi, një trajtë loje, kënaqësie të këndshme, rastësie. Ajo mund ta favorizojë dike ose, përkundrazi, ta dëmtojë, pa ndonjë arsye të qartë. Hekata fal sipas qejfit lumturinë a fatkeqësinë. Në ujë, është ajo që bën ose jo që të gëlojnë peshqit, në qiell zogjtë e në tokë bagëtia.

Ajo mishëron një element tekanjoz në botën hyjnore dhe fut aty një grimë rastësie. Zeusi dhe Gjea e zotërojnë kohën, ata e dinë qysh më parë se si do të rrjedhin gjërat. Hekata i lyen ingranazhet me ca vaj, çka bën që bota të funksionojë në mënyrë më të lirë, duke lënë pak shteg për të papriturat. Privilegjet e saj janë mjaft të mëdha.

Mund të mendohej se tashmë gjithçka është në vendin e vet, por natyrisht s'është kështu. Brezi i ri hyjnor ka mbërritur. Në krye të tij gjendet Zeusi, mbreti i perëndive, që jo vetëm e ka zëvendësuar Kronin, por që është e kundërta e tij. Kroni ishte mosdrejtësia, ai i shpërfillte aleatët, ndërsa Zeusi e bazon sundimin e tij mbi njëfarë drejtësie, me një merak për barazinë në mënyrën se si sillet me hyjnitë e tjera. Ai i ndreq ato element të sundimit të Kronit që kishin qenë të njëanshëm, vetjak, të dëmshëm dhe vendos një formë sovraniteti më të matur, më të ekuilibruar.

Koha rrjedh. Zeusi bëhet me fëmijë e, afërmendsh, këta fëmijë shpejt rriten e bëhen shumë të fortë e të fuqishëm. Mirëpo, ka diçka në mënyrën sesi funksionon bota që përbën një kërcënim për gjithësinë hyjnore. Për t'u bërë madhore, qeniet duhet të rriten dhe koha kërkon haraçin e vet nga çdo gjë: dhe vetë Zeusi dikur qe një foshnjë e vogël e mbështjellë në pelena, që qante në shpellën ku qe fshehur, i mbrojtur me roje. Tani është në lulen e moshës, por a nuk do të vijë edhe për të e tatëpjeta? Mos nuk vjen vallë dhe për perënditë, ashtu si për njerëzit, një çast kur mbreti plak e ndien që nuk është më pikërisht ai që ka qenë, kur sheh përbri të birin riosh që dikur mbronte, të bëhet më i fortë se ai vetë e t'ia dalë mbanë atje ku ai tani dështon? A nuk do t'i ngjasë kjo edhe vetë Zeusit? Ashtu siç shfronësoi Kroni të atin, Uranin, e më pas Zeusi babanë e vet, Kronin, a do të shfronësohet edhe vetë Zeusi nga ndonjë bir? E ata po, kjo është e mundur, madje duhet të ngjasë. Eshtë si e shkruar qysh më parë në radhën e kohës. Gjea e di. Edhe Rea e di. Dhe Zeusi, i paralajmëruar, duhet të marrë masa për t'i dalë përpara kësaj të papriture. Rregulli që ka vendosur ai, duhet të jetë i tillë që të mos vihet më në pikëpyetje nga ndonjë luftë për trashëgimin e fronit. Me t'u bërë mbret i perëndive.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit

image description
Nëna universale dhe kaosi
Politeizëm
Kështu pra, merr fund lufta e perëndive. Titanët janë mposhtur, olimpasit ngadhënjyes. Në të vërtetë, asgjë nuk është zgjidhur, sepse pas fitores së Zeusit, në çastin kur duket se bota ka rënë më në fund në paqe, sikur mbretëron një rend përfundimtar, i qëndrueshëm e i drejtë, pikërisht në atë çast Gjea sjell në jetë një qenie tjetër më të re që quhet herë Tife, herë Tifon. Ajo e ngjizi duke rënë në dashuri, me nxitjen e "Afërditës së artë", siç e thonë traditat, me një personazh mashkull që quhet Tartar. Është vetë ai hon që, në vetvete, thellë brenda saj, një lloj pasardhësi, jehonë e Kaosit të kryehershëm.

I nëndheshëm, mjegullor, i mugët si nata, Tartari i përket një fisi krejt të ndryshëm nga fuqitë qiellore që janë perënditë olimpase, a madje edhe Titanët. S'ka shumë që kur Titanët u përzunë nga qielli, duke i degdisur në fund të Tartarit, për të qëndruar aty të ngujuar përgjithmonë, që Gjea zgjedh pra, për të lindur një tjetër fëmijë dhe të fundit, të bashkohet pikërisht me këtë Tartar mbretëria e të cilit gjendet në skajin e kundër të qiellit. Gjea gjendet, si dysheme e botës, në gjysmë largësi midis qiellittë shndritshëm dhe Tartarit të mugët. Po të lëshoje nga zgripi i qiellit një kudhër tunxhi asaj do t'i duheshin nëntë ditë e nëntë net që të mbërrinte në tokë ditën e dhjetë. Dhe të njëjtës kudhër, po të binte nga toka poshtë, do t'i duhej po aq kohë për të mbërritur gjer në Tartar. Duke krijuar Uranin, që pastaj të bashkohej me të seksualisht, Gjea lindi gjithë fisin e perëndive qiellore. Si mëmë e gjithësisë, ajo ngjiz gjithçka, parasheh gjithçka. Ajo zotëron dhunti orakulli dhe një trajtë parashikimi që i lejon, për shembull, në kohë lufte, t'u tregojë të zgjedhurve të saj mënyrën e fshehtë, dredharake sesi mund të arrihet fitorja. Mirëpo, Gjea është edhe dheu i zi, toka e mjegullt. Brenda saj vazhdon të mbetet diçka kaotike, primitive. Ajo s'ndjehet plotësisht mire midis atyre perëndive që banojnë në eterin e ndritshëm, aty ku nuk shfaqet kurrë ndonjëherë as reja më vocërrake. Ajo nuk ndihet as aq e respektuar sa ç'e meriton nga ata personazhe që, nga maja e Otrisit ne majën e Olimpit, përleshen pa mëshirë për të sunduar botën.

Në fillim, e mbajmë mend që ishte Kaos. Pastaj Gjea, mëma e gjithësisë, është në fakt e kundërta e Kaosit, por, në të njëjtën kohë, ajo ka një farë ngjashmërie me Kaosin. Jo vetëm ngaqë thellë brenda saj, me Tartarin, me Erebin, ka një element kaotik, porse sepse ajo doli në jetë fill pas tij. Sikur të mos qe ajo, në kozmos s'do ekzistonte gjë tjetër përveç Kaosit.

Qenia që ajo do të krijojë e që do të vërë në pikëpyetje jo vetëm Zeusin, por gjithe sistemin hyjnor olimpas, është një qenie ktonike, apo "tokësore": Ktoni është termi për token në anën e saj të zymtë, kanosëse dhe jo toka si nënë, truall I sigurt për të gjitha qeniet që ecin dhe mbështeten në të. Kjo figurë e përbindshme që mbrujti Gjea, është një krijesë krejt e pazakontë: gjigant, i kryehershëm, me cilësi njerëzore e jo njerëzore njëkohësisht. Me një forcë të tmerrshme, ai ka fuqinë e Kaosit, të primitives, të pështjellimit. Gjymtyrët i ka po aq të fuqishme sa ato të Njëqindkrahëshve, krahë i varen pas shpatullave me një fuqi, zhdërvjelltësi e forcë të tmerrshme.

Këmbët e tij mbështeten fort në tokë, janë të palodhshme e gjithmonë në lëvizje. Është qenie veprimi, lëvizjeje. Nuk është si ata përbindëshat e disa miteve të Lindjes së Aferme, një masë e rëndë dhe e amullt, që vetëm në disa çaste rritet e që vepron vetëm si fuqi kundërshtuese, duke rrezikuar të zërë gjithë hapësirën mes tokës e qiellit. Jo, Tifoni është gjithë kohës në lëvizje, duke goditur e frushkulluar gjatë tërë kohës këmbët e shalët. Ka njëqind koka gjarpri, por njëqind koka gjarpri secila me nga një gjuhë të zezë që u del nga goja. Dhe këto njëqind kokë kanë secila nga një palë sy që lëshojnë flakë përvëluese, një flakërimë që i ndriçon këto koka gjarpri e që në të njëjtën kohë tret gjithçka aty ku hedhin vështrimin.

Por çfarë rrëfen, ky përbindësh i llahtarshëm? Ai përdor shumë zëra: nganjëherë flet gjuhën e perëndive, herë të tjera atë të njerëzve. Në raste të tjera, ai lëshon klithmat e të gjitha kafshëve të egra që mund të përfytyrohen: vrumbullit porsi luan, pëllet si dem. Dhe zëri i tij, mënyra se si flet merr po aq forma të ndryshme e të larme sa edhe vetë pamja e tij krejt groteske. Qenia e tij përfaqëson shumë më pak një thelb të veçante sesa një përzierje të ngatërruar të të gjitha gjërave, një bashkim te një individ i vetëm të tipareve më të kundërta dhe të papajtueshme. Sikur ky përbindësh, kaq kaotik në pamje, në të folur, në vështrim, në lëvizshmëri e fuqi, do të ngadhënjente, atëherë rendi i Zeusit do të kishte marrë fund.

Pas luftës mes perëndive dhe mbërritjes se mbretërisë së Zeusit, lindja e Tifeut a Tifonit përbën një rrezik serioz për rendin olimpas. Fitorja e tij do të kishte shënuar kthimin e botës në gjendjen e kryehershme dhe kaotike. Çfarë do të kishte ngjarë? Lufta e gjatë e perëndive kundër njëra-tjetrës do të qe fshirë. Bota do të kthehej përsëri në një lloj kaosi. Jo duke u kthyer sërish te kaosi i kryehershëm i fillimit, sepse nga ky kishte dalë një botë e organizuar, por duke rënë në një rrëmujë të përgjithshme.

Tifoni: kriza e pushtetit suprem

Tifoni sulmon Zeusin. Beteja është e llahtarshme. Si në kohën e luftës së Titanëve dhe olimpasve, Zeusi fiton me anë të një lloj tërmeti, përmbysjeje të elementeve. Dallgët i sullen tokës, malet shemben në çastin kur Zeusi bubullon duke dashur ta thyejë, ta bëjë zap përbindëshin me rrufenë e vet. Në vetë gjirin e Hadit, honi i të vdekurve dhe i natës, gjithçka përzihet, gjithçka është e stërhapur. Lufta e Tifonit kundër Zeusit është lufta e përbindëshit me qindra sy flakërues kundër vetëtimës së vështrimit hyjnor. Afërmendsh, syri shkreptimtar i Zeusit, me dritën që lëshon, do t'i mposhtë flakët që lëshojnë njëqind kokat prej gjarpri të përbindëshit. Sy më sy. Fiton Zeusi.

Një anekdotë tregon sesi njëherë Zeusi bëri gabim duke e ulur vigjilencën duke dremitur në pallatin e vet, ndërkohë që gjithsesi, duhej ta mbante syrin të çelët pa reshtur, Tifoni I qaset vjedhurazi, pikas vendin ku Zeusi ka vendosur rrufenë, orvatet ta kapë, mirëpo, pikërisht në çastin kur ai shkon të vërë dorën te arma e fitores, Zeusi hap sytë dhe aty për aty e godet me rrufe armikun. Dy fuqi i kundërvihen njëra-tjetrës, Kaosi dhe Olimpi: cila ndër to do t'ia kalojë tjetrës, për nga syçelësia dhe mprehtësia? Më në fund, edhe këtë herë, Tifoni mundet.

Dejtë e krahëve dhe të këmbëve, gjithçka që mishëron tek ai forcën jetësore të anës luftarake, munden nga rrufeja. Kështu, i paralizuar, i varrosur nën shkëmbinj, hidhet përsëri në Tartarin plot mjegull ku e ka zanafillën.

Rrëfime të tjera disi të çuditshme e shprehin ndryshe karakterin e përbindshëm të Tifeut. Këto rrëfenja janë treguar në periudha të mëvonshme, në shekullin II të erës sonë. Midis Tifeut të Hesiodit, të shekullit VII para erës sonë, dhe atij për të cilin do të bëhet fjalë tani, dallimet kanë të bëjnë kryesisht me ndikime orientale.

Në një prej tyre, për shembull, Gjea, e lodhur nga perënditë olimpase, çiftohet me Tartarin dhe lind përbindëshin Tifeu. Ky i fundit përshkruhet si një kolos shumë i madh, me këmbët e mbështetura fuqimisht në tokë dhe i pajisur me një trup që s'ka të sosur, aq sa balli i prek qiellin. Kur i shtrin krahët në trajtë kryqi, njëra dorë i çik skajin lindor, dora tjetër i prek skajin perëndimor. Nga vetë natyra e tij, ai bashkon e ngatërron të poshtmen me të sipërmen, qiellin me tokën, të djathtën me të majtën, Lindjen me Perëndimin. Kjo masë kaotike hidhet në mësymje të Olimpit. Kur e shohin olimpasit, të mbërthyer nga një tmerr i papërballueshëm, shndërrohen në zogj e ia mbathin. Zeusi, i mbetur fillikat, i bën ballë kësaj shtaze të stërmadhe, të lartë sa bota dhe të gjerë sa gjithësia. Rrufeja e tij e godet Tifeun, duke e detyruar të tërhiqet. Atëherë Zeusi merr harpenë, draprin, dhe rreket t'i japë fund, por ai e sulmon trup me trup e kësaj here fiton Tifeu, sepse falë madhësisë trupore ai m ia del mbanë ta kapë rrokas Zeusin dhe ta mbërthejë. Tifeu ia pret më pas mbretit dejtë e krahëve e të këmbëve. Pastaj niset me trupin e Zeusit në shpinë dhe e vendos në një shpellë të cilicisë, në Azinë e Vogël. Përbindëshi i fsheh ndërkohë dejtë dhe rrufenë e Zeusit.

Mund të pandehet se gjithçka ka marrë fund e se, kësaj here, fiton gjithësia e pështjellimi i plotë. Në fakt shtaza rri aty, plotësisht i bindur dhe i lumtur që e ka ngujuar Zeusin e gjorë në atë shpellë, të pazotin të lëvizë, pa pikë fuqie, me dejtë e krahëve e këmbëve të prerë, pa rrufenë e vet.

Mirëpo, ashtu si dhe më parë, në anën e Olimpasve e të Zeusit, ngadhënjejnë dredhia, marifeti, gënjeshtra, mashtrimi, zgjuarsia. Dy personazhe, Hermesi dhe Egjipani, ia dalin mbanë t'ia kthejnë dejtë Zeusit, pa e marrë vesh këtë gjë Tifoni. Zeusi i vë në vend ashtu siç mbërthehen askitë dhe e rrëmben përsëri rrufenë. Kur zgjohet Tifoni dhe sheh se Zeusi nuk është më në shpellë, dyluftimi rifillon edhe më ashpër, por përfundon tanimë me disfatën përfundimtare të përbindëshit.

Të tjera versione të ngjashme tregojnë se si Zeusi mundet për një çast, zihet rob, mbetet pa fuqi e pa rrufe. Po planet e përbindëshit i prish pikërisht miku tij, Kadmi dinak. Tifoni, që pandeh se ndërkaq gjithçka është ndrequr, e shpall veten mbret të gjithësisë dhe deklaron se do t'i kthejë përsëri në pushtet perënditë e kryehershme. Ai ka ndërmend të çlirojë Titanët dhe ta fshijë mbretërimin e Zeusit. Mbret i jashtëligjshëm, mbret çalash, Tifoni është mbreti i pështjellimit që shfronëson Zeusin, mbretin e drejtësisë. Pikërisht atëherë Kadmi fillon t'I bjerë fyellit. Tifoni e adhuron muzikën. E dëgjon e pastaj kotet qetë-qetë dhe e zë gjumi i thellë. I vijnë ndërmend rrëfenjat ku flitet se si Zeusi i rrëmben disa vdekatarë që ata ta magjepsnin me muzikë dhe poezi. Dëshiron të bëjë të njëjtën gjë dhe I propozon Kadmit të bëhet rapsodi i tij, pra të mos këndojë më për rendin olimpas, por për kaosin e Tifonit. Kadmi pranon me kusht që të ketë një vegël më të mirë muzikore, që ta lejojë gjithashtu të këndojë. "Çfarë të nevojitet? pyet Tifoni. - Do të më duheshin ca teia për lirën. - Kam unë ç'të të dojë e bardha  zemër, tela të hatashëm", kumton Tifoni, që shkon menjëherë të marrë dejtë e Zeusit. Kadmi nis të luajë në mënyrë tejet të mrekullueshme. Tifonin e zë gjumi dhe, duke përfituar nga ky fat i madh, Zeusi i merr përsëri teiat e lirës, a më mirë dejtë e vet, i vendos sërish në vend, rrok rrufenë dhe bëhet përsëri gati për përleshje. Kur zgjohet Tifoni, kundërperëndia, kopja kallpe e monarkut të gjithësisë, Zeusi mund ta sulmojë përsëri i pajisur me të tëra mjetet e veta. Dhe ta mposhtë.

Ka dhe një rrëfenjë tjetër, ku dredhia luan në të njëjtën mënyrë, por ku Tifoni nuk shihet më si një kafshë shumëtrajtëshe a kolos, por si kafshë ujore, si një balenë e tmerrshme që zë gjithë hapësirën detare. Tifoni jeton në një shpellë deti ku është e pamundur ta luftosh, meqë rrufeja e Zeusit nuk mbërrin deri në fund të detit. Përsëri, një dredhi e përmbys situatën.

Meqë është kafshë me shumë babëzi, Hermesi, mbrojtësi I peshkatarëve - qe ai vetë që i mësoi të birit, Panit, sesi zihet peshku - Hermesi, pra, përgatit një vakt me peshk për të joshur përbindëshin e detit. Dhe Tifoni del nga strofulla e vet dhe e mbush aq shumë plëndësin saqë, kur do të kthehet përsëri në strehë, nuk mundet dot, aq shumë është fryrë. I ngecur në breg, ai përbën një shënjestër të përkryer për Zeusin, që s'e ka të vështirë ta lërë shakull përdhe.

Këto rrëfenja, paksa të çuditshme ndoshta, mbartin të gjitha të njëjtin mësim. Në atë çast, kur mbizotërimi duket përfundimisht i vendosur, ia beh një krizë e pushtetit suprem. Një fuqi që përfaqëson tamam atë kundër së cilës është vendosur rendi I ri - kaosin, konfuzionin, pështjellimin - ia beh dhe kërcënon të zotin e botës. Zeusi duket i çarmatosur. Për t'u kthyer në fron, I duhet t'u bëjë thirrje ca personazheve dytësore. Pa ta mbushur syrin, në dukje pak të rrezikshëm, këta nuk i trembin forcat e pështjellimit, të cilat nuk u druhen. Por ama, falë dinakërisë së tyre, këta hyj më të vegjël, apo thjesht vdekatarë, i lejojnë Zeusit të rivendosë epërsinë e të ruajë pushtetin suprem.

Fundja, a e ka fituar përfundimisht Zeusi hegjemoninë? Ende jo. Në të vërtetë, historia e vendosjes së epërsisë së plotë të Zeusit mbart ende një zgjatje në trajtën e një përleshjeje me personazhe që quhen Gigantes, Gjigantët.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit

image description
Në gjykatën e olimpit
Politeizëm
Pas fitores ndaj Gjigantëve, mund të thuhet më në fund se mbretërimi i Zeusit është siguruar plotësisht. Perënditë që kanë luftuar përbri tij i kanë për jetë e mot privilegjet që kanë fituar. I tyri është qielli, një vend që njeh vetëm dritën, dritën e kulluar. Në pjesën e poshtme të botës, është nata, terri, është Tartari a Hadi: aty banojnë perënditë e mundura, përbindëshat bërë zap, Gjigantët katandisen në ngujim, të lidhur a të vënë në gjumë si Kroni. Ata janë nxjerrë më së shumti jashtë loje, jashtë kozmosit. Përveç perëndive, në botën e mesit jetojnë dhe kafshët dhe njerëzit, krijesa që përjetojnë njëherësh natën dhe ditën, të mirën e të keqen, jetën dhe vdekjen. Jeta e tyre është lidhur me vdekje, si ushqimet që hanë.

Duke vëzhguar shtjellimin e kësaj historie, të lind ideja: që të ekzistojë një botë e tillë e diferencuar, me hierarkitë dhe organizimin e vet, u desh një akt i parë rebelimi, ai që kreu Kroni kur trodhi Uranin. Atë çast, Urani mallkoi të bijve, një nëmë që i ngarkoi me një krim që duhej shpaguar, një tisis. Kështu, rrjedha e kohës është rrjedhë me përplasje, ku ka vend për të keqen dhe hakmarrjen, Erinitë që bëjnë të shpaguhen krimet, Kerëve. Qenë pikat e gjakut që ranë nga organi I tredhur i Uranit ato që ngjizën forcat e dhunës në mbarë botën.

Por gjërat janë më të ngatërruara, më të dykuptimta. Midis forcave të errëta që e rrethojnë gjithësinë për shkak të aktit të parë themelues të një kozmosi të organizuar - gjymtimi I Uranit - dhe forcave të mirëkuptimit, ekziston një lloj lidhjeje. Nga njëra anë, Erinitë, Gjigantët dhe Nimfat e luftës dhe, nga ana tjetër, Aferdita.

Kaosi lindi Natën dhe Nata solli në jetë gjithë forcat e së keqes. Këto forca të këqija janë vdekja, Parkat, Kerët, vrasja, gjakderdhja, kërdia, soji dhe gjithë fatkeqësitë e tjera: Vuajtja, Uria, Lodhja, Grindja, Pleqëria. Midis mjerimeve që rëndojnë në gjithësi janë, Apate-ja, mashtrimi, dhe Filotes-i, Lidhja seksuale. Të cilat Nata i lindi krahas Vrasjes dhe Gjakderdhjes.

Të gjitha këto forca të errëta femërore i sulen gjithësisë duke e kthyer botën nga një vend i harmonishëm, në një vend tmerresh, krimesh, hakmarrjeje e falsiteti. Por, nëse shohim anën e fares së Afërditës, përbri fuqive pozitive gjejmë forca të këqija.

Këto janë Erosi dhe Himerosi, Dëshira dhe Ëmbëlsia nga kjo anë, gjithçka shkon mirë - por edhe gënjeshtra e mashtrimi, exapatai-të, kurthet e joshjes që fshehin çuçurimat e vajzave rioshe dhe, përsëri, lidhja erotike, Filotes.

Mes botës së Aferditës dhe forcave të bashkimit, të marrëveshjes, fisnikërisë dhe bijve të forcave të errëta, që pjellin gjithë fatkeqësitë e mundshme, ekzistojnë kryqëzime, shkrirje e dyzime. Ndër femijët e Natës gjen dhe biseda lozonjare dhe bashkimi sëksual, njëlloj si dhe ndër pasardhësit e Afërditës gjen buzëqeshjen magjepsëse të një vajze krahas gënjeshtrave në bashkimin dashuror. Burri i futur në kllapë, vihet në lojë dhe mund të gjejë aty belanë. Pra asgjë s'është e bardhë në njërën anë dhe e zezë në anën tjetër. Kjo gjithësi është përjetësisht pjellë e një përzierjeje të kundërtash.

Duke vënë ne lëvizje zemërimin e fuqive hakmarrëse, Nata ndihmon në rikthimin e qartësisë së një rendi që gabimet e kishin errësuar. Nga ana e vet, Afërdita e larë në dritë, Afërdita e praruar, ka si të kundërtën e vet një Afërditë të zezë, Melainis, një Afërditë nate, të turbullt, që i kurdis dredhitë e saj në errësirë.

Duke vendosur rregullin në gjithësi, Zeusi përkujdeset të mënjanojë nga bota hyjnore natën, terrin, konfliktin. Ai krijon një mbretëri ku, nëse perënditë grinden, zënka e tyre nuk mund të përfundojë në konflikt të hapur. Ai e ka përzënë luftën nga territori hyjnor duke e dërguar atë te njerëzit. Të gjitha forcat e liga që Zeusi i ka përzënë nga bota olimpase do të formojnë tisin e përditshëm të jetës njerëzore. Ai i kërkoi Poseidonit të ndërtonte një ledh të trefishtë tunxhi, me qëllim që porta e Tartarit të mbetej e mbyllur dhe që Nata e fuqitë e së keqes të mos ngjiten dot më gjer në qiell. Sigurisht, ato ekzistojnë në botë, por Zeusi i mori masat e veta mbrojtëse.

Kur plas një grindje mes perëndive, që mund të përfundojë keq, ja tek ftohen menjëherë të gjithë në një gosti të madhe. Thirret aty edhe Stiksi që mbërrin me një ibrik floriri të mbushur me ujin e lumit të Hadesit. Të dyja fuqitë hyjnore që kanë hyrë në konflikt e marrin këtë ibrik, derdhin pak ujë përdhe, bëjnë një blatim, madje dhe pinë e bëjnë be e rrufe me përbetim se nuk janë fajtore për zënkën, se kanë të drejtë. Natyrisht, njëra prej palëve gënjen. Por me të pirë një gllënjkë nga uji hyjnor, ajo bie në kllapi, në një lloj letargjie të plotë. Gjendet në një gjendje që i ngjan asaj të perëndive të mundura. Porsi Tifoni a Titanët, asaj nuk i mbetet më as frymë, as vrull, as gjallëri.

Nuk është e vdekur, meqë perënditë nuk vdesin, por ka humbur gjithçka që lidhet me natyrën e saj hyjnore: Nuk është në gjendje të lëvizë, nuk ushtron dot më pushtetin e vet, është jashtë loje. Në një farë mënyre, ajo del jashtë kozmosit, e mbyllur në një letargji që e nxjerr nga jeta hyjnore. Qëndron në këtë gjendje për një kohë shumë të gjatë që grekët e quajnë "mot i madh".

Kur zgjohet nga kllapia, ajo nuk ka ende të drejtë të marrë pjesë në gosti, as të pijë nektar e ambroz. Kjo fuqi hyjnore nuk është as vdekatare as kryekëput e pavdekshme, është në një gjendje të ngjashme me atë të Titanëve, Gjigantëve a të Tifonit. Është e përjashtuar.

E thënë ndryshe, në këtë botë hyjnore, të shumëfishtë, të ndryshme, Zeusi i ka paraparë rreziqet e një konflikti. Për t'I dalë përpara çdo të keqeje, ai ka themeluar jo vetëm një rend politik, por edhe një rend pothuajse juridik, me qëllim që, po të shpërthejë ndonjë grindje, ajo të mos ketë mundësi të tronditë kolonat e botës. Hyjnitë fajtore zbohen nga Olimpi gjersa ta kenë shlyer fajin. Mandej, ato zgjohen nga letargjia, por nuk kanë ende të drejtë për nektar, as për ambrozë. Duhet të bëjnë durim për një periudhë sa dhjetë herë kohëzgjatja e dënimit të tyre. Ky është rregulli te perënditë, por jo te njerëzit.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit

image description
Bota e qënjeve njerzore - Promete Finoku
Politeizëm
Qi do ndahen vendet midis perëndive dhe njerëzve? Këtu përdorimi i dhunës brutale as që mund të çohet nëpër mend. Qeniet njerëzore janë tejet të dobëta. Mjafton një çokitje e dy gishtave për t'i kthyer në hiç. Por as të pavdekshmit nuk mund të negociojnë me vdekatarët, si mes të barabartësh.

Atëherë, duhet gjetur një zgjidhje që të mos varet as nga forca e tepërt, as nga ndonjë mirëkuptim mes të barabartësh. Për të arritur një rregullim të tillë, medoemos të bërë shpejt e shpejt, Zeusi thërret një personazh që quhet Promete. Edhe ai vetë ka lidhje me mënyrën e çuditshme që do të përdoret për të ndarë perënditë nga njerëzit, për të sajuar garën midis tyre. Përse është Prometeu zgjedhja e duhur për situatën? Sepse në botën e perëndive, ai ka një status të dykuptimtë, të papërkufizuar mire e paradoksal. E quajnë Titan. Në të vërtetë ai është bir i Japetit, vëllait të Kronit. Pra, i ati është Titan. Por vetë Prometeu nuk është vërtet i tillë, por nuk është as banor i Olimpit, sepse ai nuk i përket të njëjtës prejardhje. Ai ka natyrën e një Titani, si I vëllai Atlasi i cili, gjithashtu, do të dënohet nga Zeusi. 

Prometeu ka një shpirt rebel, është i zgjuar dhe i pabindur dhe gjithnjë i gatshëm të gjejë gabime. Përse Zeusi e ngarkon të ndreqë këtë punë? Sepse, duke qenë Titan, edhe pse jo plotësisht, Prometeu nuk ka luftuar me Titanët kundër Zeusit.

Ai mbajti një qëndrim asnjanës dhe s'mori pjesë në përleshje. Në fakt, sipas shumë traditave, thuhet madje se Prometeu e ndihmoi Zeusin dhe se, pa këshillat që i dha ai - sepse është finok e dredharak - ky i fundit nuk do t'ia kishte dalë dot mbanë. Në këtë kuptim, ai është aleat i Zeusit. Një aleat, por jo njësh me të. Ai nuk është në kampin e Zeusit, është i pavarur, për hesap të vet.

Zeusi dhe Prometeu kanë mjaft tipare të përbashkëta përsa i takon zgjuarsisë e mendësisë. Që të dy karakterizohen nga një mendje të hollë, dinake, nga ajo cilësi që Athinaja do ta përfaqësojë te perënditë dhe që Odiseu e mishëron te njerëzit, finokëria. Finoku arrin të dalë nga bataku atëherë kur situate duket plotësisht e dëshpëruar, të gjejë një shteg aty ku gjithçka duket e mbyllur dhe, për të përmbushur synimet e veta, të mos ngurrojë të gënjejë, të ngrejë kurthe për të zënë në grackë kundërshtarin e të vërë në përdorim të gjitha djallëzitë që ia pret mendja. Zeusi është i këtillë e Prometeu gjithashtu. Ata kanë të njëjtën cilësi. E megjithatë, mes tyre është një hendek i gjerë. Zeusi është mbret, një sundimtar që ka në duar gjithë fuqinë. Në këtë vështrim, Prometeu nuk është aspak në rivalitet me Zeusin. Titanët ishin rivalët e olimpasve, Kroni ishte rivali i Zeusit, duke dashur të mbetej i gjithëfuqishëm, kur Zeusi kishte ndër mend të bëhej i këtillë në vend të tij. Kurse Prometeu as që e çon kurrë ndër mend të jetë mbret. Për asnjë çast ai s'është në garë me Zeusin për këtë. Bota që ka krijuar Zeusi, kjo botë e shpërndarjes së pushtetit, kjo botë hierarkike, e rregulluar sipas rangut, dallimeve në status e nder, është edhe bota e Prometeut, por ai zë aty një vend mjaflt të vështirë për t'u përkufizuar. Kjo bëhet edhe më e ndërlikuar kur Zeusi më pas do ta dënojë, duke dhënë urdhër ta lidhin me zinxhirë, para se ta lirojë e të pajtohet me të, çka në fatin e tij vetjak shënon një luhatje ecejakesh midis armiqësisë e harmonisë. Me dy fjalë, mund të thuhej se në këtë gjithësi të rregulluar Prometeu shpreh kundërshtimin e brendshëm. Ai nuk dëshiron t'i zërë vendin Zeusit, por, në rendin që ka themeluar ky, Prometeu është zëri vocërrak i kundërshtimit, porsi një rebelim i majit 68 në Olimp, brenda botës hyjnore.

Marrëdhëniet e Prometeut me njerëzit janë marrëdhënie bashkëpunimi e bashkënatyrësie. Statusi që ai ka është i afert me atë të qenieve njerëzore, sepse edhe këto janë krijesa të dykuptimta, që mbartin diçka hyjnore, sepse më parë jetonin krah më krah me perënditë, por njëherësh kanë diçka kafshërore, shtazërie. Kështu si te Prometeu, ashtu dhe te njerëzit ka elementë kontradiktorë.

Një lojë shahu

Ja skena: Perënditë dhe njerëzit janë mbledhur si zakonisht. Zeusi është aty, në lozhat e para dhe e ngarkon Prometeun të bëjë ndarjen e të mirave dhe privilegjeve mes perëndive dhe njerëzve. Si do të veprojë vallë Prometeu? Ai sjell një gjedh të madh, një ka të mrekullueshëm, të cilin e ther, e më pas e ndan në dy pjesë e jo në tri. Ashtu siç i kish bërë gati Prometeu, secila nga këto pjesë do të shprehë dallimin e statusit midis perëndive e njerëzve. Domethënë, në vijën e prerjes do të përvijohet ajo që ndan njerëzit nga perënditë.

Si vepron Prometeu? Ashtu siç veprojnë zakonisht grekët në flijime: theret kafsha, i rripet lëkura, pastaj nis copëtimi. Në veçanti, veprimi i parë lidhet me qërimin e kockave të gjata, ato të gjymtyrëve të parme e të pasme, ostea leuka, derisa në to të mos mbetet më mish. Me t'u kryer kjo punë, Prometeu I grumbullon të gjitha kockat e bardha të kafshës. I lidh bashkë dhe pastaj i mbështjell me një shtresë të hollë dhjami të bardhë oreksndjellës. Ky është porcioni i parë. Pastaj, nis të përgatisë të dytin. Te kjo, Prometeu vendos të gjitha krea-1, tulet e mishit, gjithçka që hahet dhe këtë mish të ngrënshëm e mbështjell me lëkurën e kafshës. Pakoja, me lëkurën që mbështjell të gjithë ushqimin e ngrënshëm të kafshës, vendoset, gjithashtu, në gaster-in e kafshës, apo stomakun e kaut, në plëndësin veshtullor, të shëmtuar me pamje të neveritshme.

Pra ndarja bëhet si vijon: nga njëra anë, dhjamë i bardhë oreksndjellës, me të cilin janë mbështjellë vetëm kocka të bardha, të brejtura, nga ana tjetër, një plëndës aspak i këndshëm në të parë, që ka brenda gj ithçka të mirë për t'u ngrënë. Prometeu i vendos këto dy pjesë në një tryezë përpara Zeusit. Zgjedhja e mbretit do të përcaktojë se cili është kufiri që ndan njerëzit me perënditë. Zeusi i sheh këto hise dhe thotë: "Ah! Promete, je kaq dinak, kaq finok, por nuk paske bërë aspak një ndarje të barabartë". Prometeu e vështron me një buzagaz të lehtë.

Zeusi, sigurisht, e ka kuptuar dredhinë, por ai i pranon rregullat e lojës. Atij i propozohet të zgjedhë i pari, gjë që pranon. Me një pamje plot besim, pra, ai merr pjesën më me dukë, pakon me dhjamë të bardhë oreksndjellës. Të gjithë e vështrojnë. Hap pakon dhe zbulon kockat e bardha, krejt të qëruara. Atëherë Zeusi bëhet si i tërbuar kundrejt atij që ka dashur t'ia hedhë. Kështu përfundon akti i parë i kësaj historie, që ka së paku tre të tillë. Në mbarim të këtij episodi, përcaktohet mënyra se si njerëzit hyjnë në lidhje me perënditë, përmes flijimit, si ai që kreu Prometeu duke therur kafshën. Në altarin jashtë tempullit, digjen erëza, që përhapin një tym aromatik. Pastaj përmbi degë vendosen kockat e bardha.

Pjesa që i takon perëndive janë kockat e bardha, lyer me dhjamë të shndritshëm, që ngjiten drejt qiellit në formën e tymit. Ndërkohë njerëzit marrin pjesën e mbetur nga kafsha, të cilën do ta hanë ose të pjekur në prush, ose të zier. Nëpër hej të gjatë hekuri a tunxhi, ata shkojnë copa mishi, sidomos mëlçitë si dhe pjesë të tjera të shijshme, që i pjekin drejt e mbi prush. Disa llokma të tjera mishi hidhen nëpër kusi të mëdha, për t'u zier. Disa thela piqen në prush, të tjera zihen: njerëzit ndërkaq duhet ta hanë mishin e kafshëve të flijuara dhe perëndive u dërgojnë pjesën që u takon, domethënë tymin erëmues. 

Ajo që është e çuditshme në këtë rrëfenjë është se duket sikur tregon sesi Prometeu ia doli t'ia hidhte Zeusit, duke u dhënë njerëzve pjesën më të mirë të flijimit. Prometeu u jep njerëzve pjesën që hahet, të fshehur si diçka të pështirë e të pangrënshme, ndërsa perëndive u jep pjesën që nuk hahet, edhe atë të fshehur tinëzisht poshtë cipës së një dhjami oreksndjellës e të ndritshëm. Sjellja e tij është mashtruese, sepse pamja e parë të gënjen... E mira fshihet poshtë të shëmtuarës dhe e keqja merr pamjen e së bukurës.

Lind pyetja: a u ka dhënë Prometeu vërtet njerëzve pjesën më të mirë? Këtu sërish gjërat bëhen të mjegullta. S'ka dyshim që njerëzit marrin atë pjesë që hahet prej kafshës së flijuar, dhe kjo, ngaqë vdekatarët kanë nevojë të ushqehen. Kushtet e tyre janë e kundërta e atyre të perëndive. Njerëzit kurrsesi nuk mund të jetojnë pa ngrënë, nuk janë të vetëmjaftueshëm.

Atyre u duhet të marrin burime energjie nga bota që i rrethon, pa të cilat ata marrin fund. Qeniet njerëzore dallohen ngaqë hanë bukën e mishin e flive dhe pinë verën e vreshtit. Perënditë nuk kanë nevojë të hanë. Ata nuk e njohin as bukën, as verën, as mishin e kafshëve të flijuara. Ata jetojnë pa ushqim, duke marrë vetëm pseudoushqime, si nektari dhe ambrozi, ushqimet e pavdekësisë. Gjallimi i perëndive është, pra, i një natyre krejt tjetër nga ai i njerëzve. Ky i fundit është një nëngjallim, një nënekzistencë, një nënfuqi: një energji me çastet e veta të eklipsit. Që ka nevojë vazhdimisht për rifurnizim. Sapo një qenie njerëzore përpiqet për diçka, ndihet e lodhur, e dërrmuar, e uritur. Me fjalë të tjera, në ndarjen e kryer nga Prometeu, pjesa më e mirë është pikërisht ajo që poshtë pamjes më oreksndjellëse fsheh kockat e zhveshura. Në të vërtetë, si te njeriu ashtu dhe te kafsha, kockat e bardha përfaqësojnë atë që ata kanë vërtet të çmuar, të pavdekshme. Kockat janë të patretshme, ato përbëjnë arkitekturën e trupit. Mishi zhbëhet, tretet, kurse skeleti përfaqëson elementin e përhershmërisë.

Te kafsha nuk hahet pikërisht ajo që nuk është vdekatare, e pandryshueshmja, ajo që, për rrjedhojë, i afrohet më shumë hyjnores. Për ata që i kanë krijuar këto rrëfenja, kockat janë edhe më të rëndësishme, ngaqë kanë brenda tyre palcën, atë lëng që sipas grekëve ka lidhje jo vetëm me trurin, por edhe me farën e mashkullit. Palca mbart gjallërinë e një kafshe në vijimësinë e vet në breza, siguron pjellorinë dhe trashëgueshmërinë.

Ajo është shenja që nuk jemi individë të veçuar, por mbartës femyesh.

Kështu, më së fundi, përmes maskaradës që sajon, perënditë marrin nga Prometeu pikërisht forcën jetësore të kafshës, ndërsa ajo çka marrin njerëzit, pra mishi, është vetëm kafsha e ngordhur. Njerëzit duhet të nginjen me një copë kafshe të ngordhur. Kjo ndarje i shënjon ata një herë e mirë si vdekatarë për nga natyra. Pra, këtej e tutje njerëzit janë krijesat vdekatare, të përkohshme, ndryshe nga perënditë, që janë të pavdekshme.

Nëpërmjet kësaj ndarjeje të ushqimit njerëzit janë damkosur me vulën e vdekshmërisë, ndërsa perënditë janë shënjuar me vulën e përjetësisë. Këtë gjë Zeusi e pa shumë mirë.

Nëse Prometeu do të kishte ndarë thjesht dy pjesë, në njërën anë kockat e në tjetrën mishin, atëherë Zeusi sërish mund të kishte zgjedhur kockat, pra forcën jetësore të kafshës.

Mirëpo, meqë gjithçka ishte shtrembëruar nga loja mashtruese, meqenëse mishi qe fshehur në gaster, dhe kockat ishin veshur me dhjamin e ndritshëm, Zeusi e pa që Prometeu donte t'ia hidhte. Pra, ai vendos ta ndëshkojë. Natyrisht, në këtë konflikt dredhish që ndizet midis Zeusit dhe Titanit', secili përpiqet t'ia hedhë tjetrit, sekush luan ndaj tjetrit si në një lojë shahu dhe jep goditje pas shpine, për ta hutuar kundërshtarin, për ta zënë mat. Më në fund, është Zeusi ai që fiton në këtë garë, por dhe ai e humbet disi drejtpeshimin nga manovrat e Titanit.


image description
Tifoni: kriza e pushtetit suprem
Politeizëm
Tifoni sulmon Zeusin. Beteja është e llahtarshme. Si në kohën e luftës së Titanëve dhe olimpasve, Zeusi fiton me anë të një lloj tërmeti, përmbysjeje të elementeve. Dallgët i sullen tokës, malet shemben në çastin kur Zeusi bubullon duke dashur ta thyejë, ta bëjë zap përbindëshin me rrufenë e vet. Në vetë gjirin e Hadit, honi i të vdekurve dhe i natës, gjithçka përzihet, gjithçka është e stërhapur. Lufta e Tifonit kundër Zeusit është lufta e përbindëshit me qindra sy flakërues kundër vetëtimës së vështrimit hyjnor. Afërmendsh, syri shkreptimtar i Zeusit, me dritën që lëshon, do t'i mposhtë flakët që lëshojnë njëqind kokat prej gjarpri të përbindëshit. Sy më sy. Fiton Zeusi.

Një anekdotë tregon sesi njëherë Zeusi bëri gabim duke e ulur vigjilencën duke dremitur në pallatin e vet, ndërkohë që gjithsesi, duhej ta mbante syrin të çelët pa reshtur, Tifoni I qaset vjedhurazi, pikas vendin ku Zeusi ka vendosur rrufenë, orvatet ta kapë, mirëpo, pikërisht në çastin kur ai shkon të vërë dorën te arma e fitores, Zeusi hap sytë dhe aty për aty e godet me rrufe armikun. Dy fuqi i kundërvihen njëra-tjetrës, Kaosi dhe Olimpi: cila ndër to do t'ia kalojë tjetrës, për nga syçelësia dhe mprehtësia? Më në fund, edhe këtë herë, Tifoni mundet.

Dejtë e krahëve dhe të këmbëve, gjithçka që mishëron tek ai forcën jetësore të anës luftarake, munden nga rrufeja. Kështu, I paralizuar, i varrosur nën shkëmbinj, hidhet përsëri në Tartarin plot mjegull ku e ka zanafillën.

Rrëfime të tjera disi të çuditshme e shprehin ndryshe karakterin e përbindshëm të Tifeut. Këto rrëfenja janë treguar në periudha të mëvonshme, në shekullin II të erës sonë. Midis Tifeut të Hesiodit, të shekullit VII para erës sonë, dhe atij për të cilin do të bëhet fjalë tani, dallimet kanë të bëjnë kryesisht me ndikime orientale.

Në një prej tyre, për shembull, Gjea, e lodhur nga perënditë olimpase, çiftohet me Tartarin dhe lind përbindëshin Tifeu. Ky i fundit përshkruhet si një kolos shumë i madh, me këmbët e mbështetura fuqimisht në tokë dhe i pajisur me një trup që s'ka të sosur, aq sa balli i prek qiellin. Kur i shtrin krahët në trajtë kryqi, njëra dorë i çik skajin lindor, dora tjetër i prek skajin perëndimor. Nga vetë natyra e tij, ai bashkon e ngatërron të poshtmen me të sipërmen, qiellin me tokën, të djathtën me të majtën, Lindjen me Perëndimin. Kjo masë kaotike hidhet në mësymje të Olimpit. Kur e shohin olimpasit, të mbërthyer nga një tmerr i papërballueshëm, shndërrohen në zogj e ia mbathin. Zeusi, i mbetur fillikat, i bën ballë kësaj shtaze të stërmadhe, të lartë sa bota dhe të gjerë sa gjithësia. Rrufeja e tij e godet Tifeun, duke e detyruar të tërhiqet. Atëherë Zeusi merr harpenë, draprin, dhe rreket t'i japë fund, por ai e sulmon trup me trup e kësaj here fiton Tifeu, sepse falë madhësisë trupore ai m ia del mbanë ta kapë rrokas Zeusin dhe ta mbërthejë. Tifeu ia pret më pas mbretit dejtë e krahëve e të këmbëve. Pastaj niset me trupin e Zeusit në shpinë dhe e vendos në një shpellë të cilicisë, në Azinë e Vogël. Përbindëshi i fsheh ndërkohë dejtë dhe rrufenë e Zeusit.

Mund të pandehet se gjithçka ka marrë fund e se, kësaj here, fiton gjithësia e pështjellimi i plotë. Në fakt shtaza rri aty, plotësisht i bindur dhe i lumtur që e ka ngujuar Zeusin e gjorë në atë shpellë, të pazotin të lëvizë, pa pikë fuqie, me dejtë e krahëve e këmbëve të prerë, pa rrufenë e vet.

Mirëpo, ashtu si dhe më parë, në anën e Olimpasve e të Zeusit, ngadhënjejnë dredhia, marifeti, gënjeshtra, mashtrimi, zgjuarsia. Dy personazhe, Hermesi dhe Egjipani, ia dalin mbanë t'ia kthejnë dejtë Zeusit, pa e marrë vesh këtë gjë Tifoni. Zeusi i vë në vend ashtu siç mbërthehen askitë dhe e rrëmben përsëri rrufenë. Kur zgjohet Tifoni dhe sheh se Zeusi nuk është më në shpellë, dyluftimi rifillon edhe më ashpër, por përfundon tanimë me disfatën përfundimtare të përbindëshit.

Të tjera versione të ngjashme tregojnë se si Zeusi mundet për një çast, zihet rob, mbetet pa fuqi e pa rrufe. Po planet e përbindëshit i prish pikërisht miku tij, Kadmi dinak. Tifoni, që pandeh se ndërkaq gjithçka është ndrequr, e shpall veten mbret të gjithësisë dhe deklaron se do t'i kthejë përsëri në pushtet perënditë e kryehershme. Ai ka ndërmend të çlirojë Titanët dhe ta fshijë mbretërimin e Zeusit. Mbret i jashtëligjshëm, mbret çalash, Tifoni është mbreti i pështjellimit që shfronëson Zeusin, mbretin e drejtësisë. Pikërisht atëherë Kadmi fillon t'I bjerë fyellit. Tifoni e adhuron muzikën. E dëgjon e pastaj kotet qetë-qetë dhe e zë gjumi i thellë. I vijnë ndërmend rrëfenjat ku flitet se si Zeusi i rrëmben disa vdekatarë që ata ta magjepsnin me muzikë dhe poezi. Dëshiron të bëjë të njëjtën gjë dhe I propozon Kadmit të bëhet rapsodi i tij, pra të mos këndojë më për rendin olimpas, por për kaosin e Tifonit. Kadmi pranon me kusht që të ketë një vegël më të mirë muzikore, që ta lejojë gjithashtu të këndojë. "Çfarë të nevojitet? pyet Tifoni. - Do të më duheshin ca teia për lirën. - Kam unë ç'të të dojë e bardha  zemër, tela të hatashëm", kumton Tifoni, që shkon menjëherë të marrë dejtë e Zeusit. Kadmi nis të luajë në mënyrë tejet të mrekullueshme. Tifonin e zë gjumi dhe, duke përfituar nga ky fat i madh, Zeusi i merr përsëri teiat e lirës, a më mirë dejtë e vet, i vendos sërish në vend, rrok rrufenë dhe bëhet përsëri gati për përleshje. Kur zgjohet Tifoni, kundërperëndia, kopja kallpe e monarkut të gjithësisë, Zeusi mund ta sulmojë përsëri i pajisur me të tëra mjetet e veta. Dhe ta mposhtë.

Ka dhe një rrëfenjë tjetër, ku dredhia luan në të njëjtën mënyrë, por ku Tifoni nuk shihet më si një kafshë shumëtrajtëshe a kolos, por si kafshë ujore, si një balenë e tmerrshme që zë gjithë hapësirën detare. Tifoni jeton në një shpellë deti ku është e pamundur ta luftosh, meqë rrufeja e Zeusit nuk mbërrin deri në fund të detit. Përsëri, një dredhi e përmbys situatën.

Meqë është kafshë me shumë babëzi, Hermesi, mbrojtësi I peshkatarëve - qe ai vetë që i mësoi të birit, Panit, sesi zihet peshku - Hermesi, pra, përgatit një vakt me peshk për të joshur përbindëshin e detit. Dhe Tifoni del nga strofulla e vet dhe e mbush aq shumë plëndësin saqë, kur do të kthehet përsëri në strehë, nuk mundet dot, aq shumë është fryrë. I ngecur në breg, ai përbën një shënjestër të përkryer për Zeusin, që s'e ka të vështirë ta lërë shakull përdhe.

Këto rrëfenja, paksa të çuditshme ndoshta, mbartin të gjitha të njëjtin mësim. Në atë çast, kur mbizotërimi duket përfundimisht i vendosur, ia beh një krizë e pushtetit suprem. Një fuqi që përfaqëson tamam atë kundër së cilës është vendosur rendi I ri - kaosin, konfuzionin, pështjellimin - ia beh dhe kërcënon të zotin e botës. Zeusi duket i çarmatosur. Për t'u kthyer në fron, I duhet t'u bëjë thirrje ca personazheve dytësore. Pa ta mbushur syrin, në dukje pak të rrezikshëm, këta nuk i trembin forcat e pështjellimit, të cilat nuk u druhen. Por ama, falë dinakërisë së tyre, këta hyj më të vegjël, apo thjesht vdekatarë, i lejojnë Zeusit të rivendosë epërsinë e të ruajë pushtetin suprem.

Fundja, a e ka fituar përfundimisht Zeusi hegjemoninë? Ende jo. Në të vërtetë, historia e vendosjes së epërsisë së plotë të Zeusit mbart ende një zgjatje në trajtën e një përleshjeje me personazhe që quhen Gigantes, Gjigantët.

Jean Pierre Vernant - Gjithësia, perënditë dhe njerëzit